Poezi e shkruar nga Alma Dema.
N’ Prishtinë
orienti me oksidentin shpatull n’shpatull rrinë
Dashnisë për at’ e dhè, ia shuajnë urinë!
N’Prishtinë
Ulen shejzat gjunjas e n’hije logut mrrzinë
E nisin e flasin, nisin kuvendojnë
Fjalën matanë n’ Bjeshkë t’Rugovës fjollë e çojnë:
Si bre, si ndodhi e Kosova mbeti n’ven
T’gjithë kreshnikt bashkë a qenë a nuk qenë’!
A ikën a mbetën te e vona?!
E rrugës Arbrit, nuk i ndihet jehona!
N’ Prishtinë, xhamitë pijnë temjan
E këmborët e kishave trembin shejtan
Tej qiejve që frymojnë pishë të zezë
E një smog oksidenti, të futet ndër shtresë
E të kujton bijtë, që tokës i mungojnë
Por edhe qyqarët, që dheut i rëndojnë…
N’Prishtinë
burrat t’presin me duart lidhur n’shpinë
E gratë, te dyja lidhur n’ulluk
N’Prishtinë, nderi është nder
E nuk hahet si marre me bukë e verë!
N’Prishtinë
Dymbëdhjetë fise mblidhen si lisat në mal
E për nânēn Kosovë, digjen si drutë n’zjarr!
N’Prishtinë,
letrat e bardha nuk e ndjejnë përtinë
Se dalin përhera si tym i bardhë
E jo si petka t’ndera n’gardh!
N’Prishtinë takon burra prishtalinj
Me qeleshe mbi kry’
E gra burrnesha me diminj
Qe t’shohin drejt e kokërr të syrit
Si me të pa në vrimë t’myhyrit!
N’Prishtinë
E nesermja, nuk mbyllet me trinë
As rri përqark kazaz n’kafaz
Si e djeshmja që plas n’maraz
E të kap vrring, gjumit n’gurrmaz!
Se hijet e maleve i fryjnë n’brinjë
Burrave e grave atje n’Prishtinë!
Që sytë i kanë hem n’ballë e hem n’shpinë
Që miq nuk bëhen me dredhinë
Me kruqsh e dasmorë ikin e vijnë!
N’Prishtinë
Të mirëve ua ngre dollinë
Aq sa zë e eko t’kesh
N’Prishtinë ti ndihesh mretneshë! /KultPlus.com