Shumë vite më parë, që kur kisha parë atë fotografi të Marilyn Monro me një kryq të verdhë sipër fytyrës së saj në një ekspozitë të fotografit amerikan Bert Stern në «Musée Maillol» në Paris, kisha pyetur veten se përse ajo lloj shenje, ai lloj kryqi mbi fotografinë emblematike të bukurisë femërore të Hollivudit dhe të botës. Përse vallë ai kryq mbi atë ikonë moderne?
Këtë në fakt ai do ta shpjegonte në librin e tij me kujtime ku Bert Stern shkruan dhe për atë çast sublim kur atij iu dha shansi i madh të fotografonte Monronë, ta kishte atë si model vetëm për vete. Revista «Vogue» i kishte kërkuar një seancë me Monronë dhe i shkathët siç ishte, Bern i kërkoi një seancë pozash dhe ajo çuditërisht papritur kishte pranuar pa bërë rolin e aktoreve të mëdha të Hollivudit. Thjeshtësia e saj ishte ndryshe nga yjet e kinemasë dhe kjo sigurisht nuk shpjegohej me faktin se atë kohë ajo ishte në një gjendje depresive kur luftonte me veten dhe botën e produksionit që i kërkonin të bënte të pamundurën në sheshet e xhirimit. Në fakt Bern mendoi se më mirë do të ishte një sallon hoteli, në një suite, ku të ishin të vetëm dhe të lirë, ndryshe nga një studio fotografi. Ai i foli për hotelin e këndshëm «Bel Air» dhe Marilyn pranoi menjëherë. Stern i kërkoi revistës “Vogue” vetëm disa shalle që ti kishte si aksesorë gjatë fotografimit dhe disa bizhuteri nëse do duhej, por sigurisht, një ikonë e tillë s’do të kishte nevojë për bizhuteritë.
Ngjarja ishte sensacionale: një ditë para se ky reportazh fotografik të botohej në revistë, Marilyn kishte vrarë veten. Ajo nuk arriti t’i shikonte të gjitha fotografitë e saj, veç serinë e parë, trupin nudo nën objektivin e Stern.
“Ajo ishte kulmi i sensualitetit femëror”, – thoshte Bern, duke e konsideronte si “hyjnia e parë amerikane, hynia jonë e dashurisë”. Përse vallë Stern kishte shkruar se “të fotografosh Marilyn do të thotë të fotografosh vetë dritën”? Mbase pse Stern e shihte bukurinë e saj gjithnjë në një fiksim fotografik në lëvizje. Ndoshta pse bukuria e saj qëndronte pikërisht në atë dinamikë lëvizjeje tepër të hijshme.
Ishte e habitshme! Ajo kishte patur një plagë në trup… Stern kishte shkruar rreth këtij detaji. kur ishte shtangur dhe kishte zbuluar plagën e saj në ije.
“- Po, është shenja e plagës time? – i kishte thënë ajo kur ai i kishte kërkuar që tashmë të bënin dhe një foto nudo.
– Nuk e dija që kishit një plagë… Çudi. Sapo kam fotografuar Liz Tajlor në Romë. Edhe ajo kishte shenjën e një plage në qafë.
– Më kanë hequr tëmthin para një muaji, – ishte përgjigjur Marilyn. – Por a do më duket?
– Nëse duket do ta retushojmë, – i kishte thënë ai… Megjithatë Stern nuk do t’i retushonte klishetë e tij, thua se do t’i cënonte fotot e ëngjëllit, –
Ai u përpoq ta imagjinonte atë çast të rrallë që mund ti jepej një fotografi të kishte para objektivit të tij një mit si ajo.
Sigurisht Stern ishte mrekulluar gjatë atyre seancave. Ai nuk e kishte besuar se pasi kishte kaluar disa orë me të në atë dhomë hoteli të kthyer në studio, dhe pasi kishin pirë shampanjë dhe bërë shumë fotografi, papritur ajo do të lëshohej dhe të pranonte të fotografohej nudo. Siç dukej ajo kishte nevojë të jepej e tëra, të ishte e lirë dhe ti dorëzohej objektivit. Ndoshta dhe vetë ajo e kishte kërkuar një çast të tillë. Kushedi dhe sa do të jetonte…
Atëherë, Monro jetonte krizën më të madhe të ekzistencës së vet. Pikërisht në një çast të tillë Stern i kishte thënë në mënyrë të shpenguar që ti hiqte të mbathurat, sikur ti thoshte të hiqte shallin.
– Dakort! – kishte thënë ajo dhe kishte shkuar në banjë ti hiqte.
Ishte pikërisht ajo që ai donte të fotografonte. Dhe Merilin u kthye. Trupi i saj i mrekullueshëm shfaqej pas atij tyli valë-valë në një lloj loje abstrakte dhe frustruese. Dhe kjo gjer në çastin kur ajo lëshoi tylin.
Pikërisht atëherë aparati ishte shkrepur. “Kjo foto ishte për mua… Seanca mbaroi…”, kishte thënë me vete Stern.
Ajo ishte veshur dhe pas pesë orë mbyllur në hotelin “Bel-Air”, ishte larguar duke buzëqeshur miqësisht. Por revista do ti kërkonte Bern-it dhe disa foto të tjera, Marilyn e veshur, meqë gjithçka kishte shkuar mrekulli. Marilyn ishte shfaqur përsëri, po aty në atë suite hoteli për të mbyllur ciklin e klisheve. Ishte prania e saj e fundit në celulozën e filmit.
Një rast i rrallë për një fotograf, ashtu si Gustave Courbet me modelen e famshme Johana Hifferman për tablonë “Origjina e botës”. Këto pikëtakime të rastësishme ndodhin rrallë në histori.
Stern nuk kishte mundur ta përballonte magjinë e trupit, të bukurisë. Madje ai kishte qenë në dilemën që të xhvishej dhe vetë në atë çast dhe të shtrihej pranë ëngjëllit lakuriq. Por nuk kishte guxuar. Kishte guxuar veç ta puthte.
– Jo! – i kishte pëshpëritur ajo, duke ngritur kokën drejt tij dhe si e humbur në një tjetër botë kishte shtuar: – “Ku ishit gjatë gjithë kësaj kohe?…”
Para se fotografitë të botoheshin, Marilyn i pa fotot e disa fotografive nudo dhe i vuri kryqin. Nuk donte të botoheshin, por Stern s’do ta mbante fjalën, siç ndodh në këto raste, apo siç kishte ndodhur me Simone de Beauvoir kur një mik fotograf dhe i afërt i të dashurit amerikan Algren, e kishte fotografuar duke veshur mbathjet e saj. Stern i botoi më vonë ato fotografi të tjera, vite pas vetvrasjes së ikonës së bukurisë.
Padyshim që këto fotografi na shpalosin bukurinë kulmore dhe hiret e një gruaje para së cilës u dha dhe vetë presidenti Kenedy. A ishte e vështirë ta fotografoje Marilyn? Po dhe jo mendoj. Jo sepse para objektivit do të ishte personazhi më i dashur i rruzullit, një portret i përsosur. Por ishte dhe i vështirë, sepse Stern nuk donte të bënte foto të zakonshme me kontraste në bardh e zi. Ai e vendosi atë në një atmosferë ajrore, disi gri, gati hënore sikur ëngjëlli të na vinte nga një tokë e largët për të na treguar hiret e saj. Marilyn luante midis trishtit, shampanjës, gëzimit femëror dhe dëshirës për të vdekur, për të ikur nga ajo botë gjithë zhurmë që po e mbyste ngadalë lirinë e saj. Ishte një çast i ëmbël i lirisë…
—-
Nga Luan Rama. / KultPlus.com