Monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” do të promovohet më 15 shkurt

Monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” nga autori, gazetari dhe publicistit Nuhi Bytyçi do të promovohet më datë 15 shkurt.

Në këtë libër, në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore Akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit.

Promovimi i librit do të bëhet në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, në ora 18:00.  /KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi takoi Nuhi Bytyqin, autori i “Librit të Luftës”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti në një takim të veçantë autorin e “Librit të luftës”, gazetarin dhe publicistin, Nuhi Bytyçi.

Ministri Gashi, shprehu konsideratën e lartë të tij për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të gazetarit të mirënjohur Nuhi Bytyçit në kohë të vështira, veçmas gjatë periudhës së luftës për liri e pavarësi.

 “Të rrallë janë ata gazetarë, sikur ishte Nuhi Bytyçi, i cili në vazhdimësi ishte në shërbim të interesave të publikut, duke rrezikuar vetëm për të informuar opinionin drejt për zhvillimet dramatike në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare në rrethana të okupimit dhe të terrorit shtetëror serbo-jugosllav, duke thyer censurën e regjimit totalitar komunist, por edhe duke informuar opinionin botëror nga istikamet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përçuar mesazhin e luftës së drejtë dhe sakrificën e madhe të popullit shqiptar për liri e pavarësi” tha ministri Gashi.

Ministri Gashi e përgëzoi autorin Bytyçi për publikimin e memoareve të tij në një libër voluminoz me titull “Libri i luftës”, për të cilin tha se “është një projekt shumë serioz, jo vetëm gazetaresk e publicistik, por edhe historik, ngase në mënyrë kronologjike përfshin të gjitha ato ngjarje e zhvillime dramatike të historisë sonë më të re.”

Në takim, doajeni i gazetarisë kosovare, Nuhi Bytyçi, e informoi ministrin Gashi lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” në botim të shtëpisë “Armagedoni”.

“Puna e gazetarit nuk është aspak e lehtë. Gazetari gjithmonë është në luftë, në luftë për të vërtetën, në shërbim të së mirës së atdheut të tij dhe të njerëzimit, në shërbim të publikut”, pohoi me këtë rast Nuhi Bytyçi.

Ai shtoi se “unë kështu e kam kuptuar gjithmonë gazetarinë dhe në këtë frymë jam angazhuar me tërë përkushtimin tim në të gjitha kohërat”.

 Bytyçi përkujtoi se “si pjesëmarrës i drejtpërdrejt i shumë ngjarjeve dhe proceseve politike e ushtarake në Kosovë dhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare, qe disa vite kam punuar në prezantimin e tyre në librin tim, i cili është mirëpritur nga opinioni i gjerë. Besoj se do të shërbejë si dëshmi edhe për historianët tanë, të cilët janë duke punuar në shkrimin e historisë sonë më të re kombëtare”.

Publicisti Nuhi Bytyçi ia dhuroi ministrit Gashi librin e tij dhe njëkohësisht e falënderoi atë për mbështetjen për botimin e librit.