Të gjitha kafshët janë të barabarta dhe asnjë kafshë nuk është më e barabartë se tjerat

Që një grup njerëzish të meritojnë etiketën e shoqërisë, nuk mjafton vetëm ndarja e një hapësire të përbashkët të banimit në bazë të një përzgjedhjeje të rastësishme natyrore, as të kuptuarit nëpërmjet një kodi të paracaktuar të komunikimit, as krijimi i shprehive të ngjashme jetësore, përdorimi i të njëjtave resurse natyrore. Që të kalohet nga grupimi njerëzor në shoqëri nevojitet një emancipim i bazuar në dëshirën e vetë njerëzve për të ndryshuar.

Popujt gjithmonë janë në procesin e tyre të pandalshëm të emancipimit shoqëror. Kjo është edhe diferenca e vetme që shënojnë ata me ndërrimin e gjeneratave dhe ndryshimin e epokave. Aftësia e tyre për të bashkëpunuar me njëri – tjetrin duke ndarë të mirat e përbashkëta e duke njohur mangësitë e secilit është parakusht për krijimin e një bazamenti të emancipimit. Gjithçka nis e përfundon aty. Te dëshira e popujve për ndryshim.

Shoqëritë e zhvilluara apo ato në zhvillim e sipër, ndryshimin dhe emancipimin e kanë të përbrendësuar në sistemin vleror të tyre. Te këto shoqëri stagnimi nuk paraqet gjë tjetër veçse hapa prapa. Krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, mosdiskriminimi, vendosja e një kriteri të meritokracisë, e drejta e çdonjërit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e drejta e qasjes në shëndetësi, e drejta e arsimimit, janë vetëm disa nga detyrat e shtëpisë që i takojnë një shoqërie. Rrjedhimisht, shoqëritë e zhvilluara synojnë që t’i përmbushin me sukses këto detyra.

Duhet të pajtohemi të gjithë se në vendin tonë pabarazia është konstante. Konstante e shndërruar në bazament të organizimit shoqëror dhe në bazë te të cilit projektohet një pamje fiktive e mënyrës sesi njerëzit e këtij vendi (mbi)jetojnë. Pabarazia, ndonëse si koncept daton qysh në antikitet, nuk do të duhej të kishte vend në diskursin e përditshëm. Por, e vërteta është një dhe askush nuk duhet të ofendohet nga ajo (Aristoteli). Gjithçka tjetër pos saj nuk është gjë prej gjëje. Faktorët që e ushqejnë pabarazinë në proceset socio – politike të vendit janë heteronome. Që prej gjendjes ekonomike, nivelit arsimor e deri te stabiliteti politik. Ndërsa, llojet e pabarazisë dhe diskriminimit janë të natyrave të ndryshme, me theks të veçantë pabarazia klasore. Shtresa me gjendje të rënduar ekonomike, që në fakt përbën edhe numrin më të madh të popullsisë, nuk ka trajtim të barabartë në krahasim me shtresën e kamur të shoqërisë. Qasja elitiste e këtyre të fundit është rezultat direkt i superioritetit financiar, vendbanimit të qendërzuar në kryeqytet, nivelit më të lartë arsimor. E tillë është edhe pozita shoqërore! Përjashtimi i shtresës së varfër të shoqërisë dhe pamundësimi i shfrytëzimit të resurseve të përbashkëta nga ana tyre paraqet zenitin e pabarazisë dhe diskriminimit shoqëror. Një gjendje e tillë, ndonëse e çrregullt për nga metodat e jetësimit, nuk ndodhë rastësisht dhe pa qëllim. Ajo pashmangshmërisht dëshmon për trashjen e vijave ndarëse në mes të klasave. Dhe ky nuk është një problem që zgjidhet vetiu pa intervenuar në nervin e problemit.

Një tjetër përkufizim konkret i pabarazisë në vendin tonë është pozita shoqërore në të cilën gjenden komunitetet e margjinalizuara: romë, ashkali dhe egjiptianë. Ata vazhdimisht përballen me shkelje të të drejtave të tyre për dy arsye, dhe  secila më e ulët sesa tjetra: janë të varfër dhe nuk janë shqiptarë. Pra, përveç përjashtimit në bazë të gjendjes ekonomike, atyre u duhet ta mbajnë mbi kurriz edhe barrën e të qenit pakicë kombëtare, në një shtet që popullohet kryesisht nga shumica shqiptare. Si u bë që shqiptarët të cilët jo më shumë se dy dekada torturoheshin vetëm sepse ishin të tillë, pra shqiptarë e jo serbë, u shndërruan kaq prerazi në diskriminues. Kjo është pyetja që do të mund ta shtronte ndonjë cinik, përgjigjen e të cilës është vështirë ta formuloj e përmbledh përbrenda këtij teksti. Por, kjo përgjigje nuk do ta përmirësonte situatën në të cilën këto komunitete ndodhen. Nëse e shohim gjendjen e tyre dhe përballjen me pandeminë, shumë lehtë arrijmë në një konkluzion tejet tronditës: komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, nuk u trajtuan si pjesa tjetër e banorëve.

Ndonëse duhen dekada, ndoshta dhe shekuj, për ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe emancipimit kolektiv, intervenimi i menjëhershëm në sistemin arsimor është parakusht për çdo lloj ndryshimi. Pa një sistem arsimor publik me cilësi më të lartë sesa sistemi aktual, pa tekste të përditësuara mësimore, pa mësimdhënës me ide dhe vizion të qartë të emancipimit, ky i fundit nuk është gjë tjetër, veçse iluzion. Ndërsa, pabarazia do të jetë gjithmonë e prekshme dhe e pranishme!

Prandaj, sot është koha kur duhet ta përgënjeshtrojmë Oruellin që thoshte: të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat. Të gjitha kafshët janë të barabarta dhe asnjë kafshë nuk është më e barabartë se tjerat – do të duhej të ishte motoja jonë drejt emancipimit shoqëror./ KultPlus.com

Shkruar nga Aulonë Memeti dhe Nuhi Sadiku

Promovohet raporti ‘Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë’, Rexhaj e vlerëson maksimalisht

Sot, u promovua raporti i botuar nga organizata joqeveritare Admovere, «Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë», me autorë Aulonë Memetin dhe Nuhi Sadikun, mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Raporti ka për qëllim që të analizojë dhe krahasojë paraqitjen e problematikave të arsimit të lartë gjatë planifikimit strategjik. Më konkretisht, hulumtimi pëqendrohet në pesë indikatorë:
transparenca dhe llogaridhënia,
puna shkencore,
gjithëpërfshirja;
ndërlidhja e programeve të studimit me tregun e punës, dhe
akreditimi.

Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP). Për nevojat e këtij hulumtimi, me theks të veçantë janë shqyrtuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe udhërrëfyesi për zbatimin e saj, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, si dhe Planet Strategjike të UP-së 2017-2019 dhe 2020-2022.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Admovere dhe bashkëautori i këtij raporti, Nuhi Sadiku deklaroi se “raporti është analizë krahasimtare e dokumenteve kryesore të planifikimit strategjik për arsimin e lartë të nxjerra nga tri nivele institucionale”. Ndërsa, si konkludime përmendi se “(1) ka një hendek të madh në mes të planifikimit, monitorimit dhe zbatimit në praktikë të masave të parapara për t’u ndërmarrë; (2) niveli i transparencës në Universitetin e Prishtinës po përcjell një trend të rritjes; (3) mekanizmat për zhvillim profesional të stafit akademik nuk janë të mjaftueshme; (4) Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017 – 2021, kur përmend gjithëpërfshirjen kryesisht mendohet për nivelet më të ulëta të arsimit, e më pak për arsimin e lartë; (5) një shtysë shumë pozitive në motivimin e stafit akademik për publikime shkencore, ka qenë Rregullorja për financimin e botimeve e miratuar nga Universiteti i Prishtinës (UP)”.

Kurse, recensenti i këtij raporti, prof. Xhavit Rexhaj duke rekomanduar që ky raport të bëhet i përvitshëm ose së paku çdo dy vite, deklaroi se “planifikimi strategjik është ndër pikat më të dobëta të arsimit në Kosovë”. Z.Rexhaj, gjithashtu potencoi faktin e mungesës së të dhënave për sistemin e arsimit, duke e konsideruar këtë gjë shumë problematike. Ndërkaq, për raportin tha se “është i pari i këtij lloji në Kosovë, është bërë në kohën e duhur, ka indikatorë të përcaktuar mirë, e ruan koherencën në mes të niveleve të planifikimit strategjik dhe e ruan fokusin e trajtimit”.

Raporti përmbyllet me vlerësimin e zbatimit në praktikë të strategjive, me fokus tek indikatorët e lartpërmendur, duke shqyrtuar më hollësisht rastet e tri fakulteteve të UP-së, përkatësisht Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit Filozofik, me dekanët e të cilave janë zhvilluar intervista nga ekipi hulumtues. /KultPlus.com

Pink Flody- Pikëllim

Përktheu dhe përshtati: Nuhi Sadiku
Autor i poezisë: David Gilmour

Aroma e ëmbël e një pikëllimi të madh shtrihet mbi tokë
Duqe tymi ngriten dhe bashkohen në qiellin e rënduar:
Një njeri shtrihet, ëndërron për fushat e gjelbërta dhe lumenjtë
Por zgjohet në një mëngjes pa arsye për t’u zgjuar
I përhumbur nga kujtimi i një parajse të zhdukur
Në rininë e tij a në ëndërr, s’mundet ta saktësojë
Është i prangosur në një botë të vdekur përgjithmonë
Nuk mjafton… nuk mjafton.

Gjaku i tij është ngrirë dhe prerë nga lemeria
Gjunjtë e tij janë dridhur dhe natën i janë dorëzuar
Në momentin e të vërtetës dora i është dobësuar
Hapi i tij është ligështuar

Një botë, një shpirt
Koha ikën, lumi rrjedh

I flet lumit për përkushtimin dhe dashurinë e humbur
Dhe heshtur i përgjigjet asaj ftese të rrëmbyeshme
Rrjedh errët dhe i trazuar drejt e në det
Një aludim i zymtë se çka i duhet të jetë
Është një erë që kësaj nate fryn pandërprerë
Dhe sytë më janë pluhurosur, shikimi është verbuar
Dhe heshtja që flet më zëshëm sesa fjalët
E premtimeve të thyera.

Nuk është e natyrshme të vdesësh!


Më tepër sesa refleksion mbi vdekjen, më pak sesa recension mbi”Muri”-n e Sartrit

Shkruan: Nuhi Sadiku

Prolog

Nuk është e thënë të vdesësh që ta ndjesh ftohtësinë e papërshkrueshme të saj, nganjëherë mjafton mendimi për të dhe fillojnë të dridhurat.

Mendimi për vdekjen mund të mos jetë fare racional (ta zëmë: mendimi se do të vdesësh në dyluftim me një jashtëtokësor), mirëpo edhe duke e ditur këtë fakt, është tepër vështirë t’i ikim emocionit katapultues, sa për të mos thënë e pamundur.

Duhet të jesh mendimtar i rryer (shkrimtar, filozof, psikanalist, sociolog) që vdekjes t’ia shohësh anën tjetër të medaljes.
Prandaj, shumë kryevepra letrare e filozofike e trajtuan atë kryekëput si subjekt.

Mirëpo, jo rrallëherë, duhet të gjurmojmë më thellë: mos ndoshta arsyeja që njeriu është i prirur t’i frikësohet vdekjes është mënyra sesi do ta përjetojë atë (çfarë paradoksi linguistik: ta përjetojë vdekjen!).

Sa për ilustrim: nuk është e njëjtë një vdekje e natyrshme me kokë në jastëk, me një vetvrasje siç bëri Ernest Hemingway, i cili pasi u lodh prej problemeve shëndetësore dhe psikike, vendosi t’i jep fund jetës apo siç i ndodhi poetit italian Cesare Pavesse, i cili pasi u lodh nga dashuria enorme ndaj një dame dhe refuzimi i kësaj të fundit, hyri në hotel – shkroi poezinë “Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu” – dhe u përshendet nga jeta.

Prandaj, nuk është e thënë të vdesësh që ta ndjesh ftohtësinë e papërshkrueshme të saj, nganjëherë mjafton të lexosh për të dhe fillojnë të dridhurat, mjafton ta lexosh “Muri”-n e Sartrit…

Muri që nuk shtyhet me gjoks

Është e vështirë të jesh i rrethuar nga mure, por të luftosh qenien të dalë nga muri, sidomos kur e di që të pret vdekja. Të vjen të ulurosh. Të vjen të pështyesh. Të vjen të vjellësh. Të vjen të ikësh prej vetes. Të vjen ta shtyesh murin me gjoks, mirëpo ky s’lëviz. Asgjë nuk lëviz, përveç kohës që duket sikur fluturon. Ekzekutimi po afrohet…

Përmbledhur me një paragraf ky do të ishte syzheu i tregimit “Muri” nga Sartre. Ky tregim përveç që na rrëfehet në vetën e parë, trajton një temë po kaq personale, vdekjen.
Tregimi nis e përfundon në burg. Në fakt nis në burg, e përfundon në oborr të burgut. Sikur Sartri të dëshirojë ta bëjë të qartë ekzistencializmin e tij dhe luftën për liri. Oborri simbolizon lirinë që vjen krejtësisht papritur.

Personazhet e këtij tregimi i ndjekë faji pa faj. Rrëfyer me një linjë të kthjellët, Sartri ka arritur që këtyre personazheve t’u atribuojë cilësitë e njerëzve jo të zakonshëm.

Gardiani i burgut është anti-njeriu, është polici i moralit që mban rregull dhe paragjykon.

Mjeku belg është ana njerëzore e regjimit dhe lajmësi i porosive të fundit nga të dënuarit me vdekje.

E këta të fundit, janë tragjikja njerëzore: aktivistë politikë, të përndjekur nga regjimi që Sartri në këtë tregim e identifikon në mënyrë aksiomatike.

Mirëpo, asnjëri nga këta nuk është pika kyçe e tregimit. Gjithçka rrotullohet rreth Ramon Grisë: udhëheqës i lëvizjes politike, kundër falangistëve të cilët iu vunë në shërbim gjeneralit Franko.
Përmes Ramon Grisë, Sartri i jep doza misterioze tregimit. Deri në fund nuk dihet se kush është Ramon Gri dhe cili do të jetë fati i ti?

A do të ketë Pablo Ibieta guximin, vendosmërinë, konsistencën dhe kurajon që të mos e tregojë vendndodhjen e Ramon Grisë? Do ta mësoni veç në fund të tregimit.

Sistemimi satirik i Sartrit

Tregimi “Muri” është ireverzibil. Asnjëherë ngjarja nuk kthehet pas. Madje, është tregim segmentar, e trajton veç një periudhë të caktuar të ngjarjes.

Tregimi fillon me fjalinë: “Na shtynë në një sallë të madhe të bardhë dhe unë zura të picërroja sytë, se m’i ngacmonte drita”.
Ndërkaq, mbyllet kësisoji: “M’u bë tym gjithçka dhe e pashë veten të ulur përtokë: po qeshja aq fort sa m’u mbushën sytë me lot”.

Pra, Sartri nuk niset me narracion përshkrues të ngjarjes, mirëpo kërcen drejt e në mes të saj. Tregimit të Sartrit, nuk i dihet filli. Madje, nuk mund t’i parashikohet as fundi.
Sartri, sikur dëshiron të thotë: Kaq mjafton të dini!

Nuk është e natyrshme të vdesësh

Jean-Paul Sartre është ekzistencialist. Kjo dihet botërisht! Mirëpo, ekzistencializmi i tij është kryekëput humanizëm. Prandaj, tregimi kohë – pas – kohe sinjifikon humanizmin brenda personazheve.
Diçka tjetër që i karakterizon këto personazhe, është stresi para-traumatik që u shkakton ideja që do të vdesin. Vdekja! Assesi ta pranojnë atë!

Një parafrazim i Pablo Ibietës do të ishte ky: Pse me vdekë? Asnjë jetë nuk ka vlerë më shumë sesa jeta ime!
Nuk është e natyrshme të vdesësh! – do të thoshte ai.

Ndoshta, kjo do të ishte hera e parë që ata do të njoftonin Unin e tyre.

Madje, kur Tomi (protagonisti tjetër) e pyet Pablon, se a ka ndonjë porosi për Konçën (e dashura e Pablo-së, personazh ndihmës), Pablo do të fliste me veten:

Deri edhe mbrëmë do ta kisha këputur njërin krah me sopatë, veç ta shihja edhe pesë minuta. Por tani nuk kisha dëshirë ta shihja, nuk kisha më ç’t’i thosha. Bile as ta shtrëngoja ndër krahë nuk do të doja: kisha ndot nga trupi im, sepse ai qe murrëtyer i tëri e kullonte djersë dhe nuk qeshë fort i sigurtë se nuk do të kisha ndot nga i saji.

Konça do të qante kur të merrte vesh për vdekjen time, për muaj me radhë asaj do t’i bëhej jeta varr. Por, gjithsesi, ai që do të vdiste qeshë unë.
Sillja ndërmend ata sytë e saj të butë, bukuroshë. Kur më vështronte, diçka e saj kalonte tek unë. Po mendova se tani kishte marrë fund gjithçka: po të më vështronte ajo tani, ai vështrim do t’i mbetej brenda syve, nuk do të kalonte deri tek unë.
Qeshë vetëm”.

Karakteri kundër – konvencional

Një tregim me syzhe tërësisht politik, nuk mund të jetë konvencional, as konformist. Këtë Sartri e bën të qartë qysh në fillim kur të burgosurve nuk u pëlqen mjeku. E shohin si antagonist, njeri të regjimit. Ndoshta, nuk dëshirojnë të kenë lidhje fare me regjimin i cili do t’ua merr jetën.

Karakteri anti – konformist i protagonistëve bëhet më se i qartë, kur atyre fillon t’u qarkullojë në mendje edhe ideja se tanimë është tepruar me pritjen.

Le të bëhet çka të bëhet e le të marrë fund gjithçka!
Pikërisht, anti – konformisti i protagonistëve, do t’i shërbejë atyre që të vdesin pa u nënshtruar dhe ta çojnë deri në fund misionin e tyre kundër regjimit.

Sartri, dëshiron që nëpërmjet këtij tregimi të përçojë mesazhin e mosfrikës ndaj pushteti, më tepër se kaq, mosnevojës ndaj pushtetit.

Kundër – konvencionaliteti e bën këtë tregim të veçantë për nga narracioni, përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të temës.

Epilog – e pavetëdishmja fatale

(Pyetje retorike për lexuesin: a nuk e pyetët veten se ç’u bë me Ramon Grinë !?).

Një gjë që duhet të dihet: Pablo Ibieta nuk vritet, mbahet edhe më tutje në burg për t’u marrë edhe njëherë në pyetje me shpresën që do të tregojë vendndodhjen e Ramon Grisë.
Kësisoji, ajo që e shquan përmbylljen e këtij tregimi është e pavetëdishmja fatale. Me idenë për t’u tallur me hetuesinë, Pablo u thotë një vendndodhje të rreme sipasj tij.

Shih ironinë e Sartrit: pikërisht aty do të gjendet i shumëkërkuari Ramon Gri, i cili do të vritet pas rezistencës së gjatë kundrejt policisë.

Kumti i lajmit te Pablo Ibieta, do të arrijë përmes Garsias, një lajmësi bukëpjesës, në oborr të burgu sepse sipas tij: “regjimi arreston gjithkënd që nuk mendon si vetja e tyre”.

M’u bë tym gjithçka dhe e pashë veten të ulur përtokë: po qeshja aq fort sa m’u mbushën sytë me lot” – përmbyll gjithçka Pablo Ibieta.

Epilog më të mirë sesa kjo fjali as që mund të ketë!/virtualsophists