Flonja Haxhaj
Histori të vërteta të grave të abuzuara, disa që në moshë të vogël e disa nga partnerët e bashkëshortët e tyre, u bënë bashkë dhe u transmetuan për publikun mbrëmë në Prishtinë përmes shfaqjes ‘Nuk raportova’, për të përcjellë mesazhin e fuqishëm kundër dhunës ndaj gruas, fenomen ky që po arrin shifra alarmante sidomos në vendet e Ballkanit, përcjell KultPlus.
Shfaqja që erdhi për publikun në ‘Defy Them’, solli mesazhin e fuqishëm dhe erdhi në formën më emocionuese nga performanca e aktoreve, pikërisht një ditë para Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Gruas.
‘Nuk raportova’, e cila bëri bashkë aktorë nga vendet e Ballkanit, pëfshirë këtu edhe Kosovën e Shqipërinë, dha mesazhin se dhuna dhe femicidi, nuk kanë komb e nacionalitet, ajo është e njëjtë në çdo vend.
Kjo shfaqje, përveç mesazhit të fuqishëm, solli edhe performancën e shkëlqyer të aktoreve, ku nuk mungoi edhe përçimi i mesazhit përmes këngës e vallëzimit.
Regjisorja Selena Ristić – Vitomirović tha për KultPlus se kjo shfaqje e ka zanafillën në dhjetor të vitit 2021, ku brenda 48 orëve, 17 mijë gra kanë ndarë përvojat e tyre të rasteve të dhunës dhe të gjitha historitë janë të vërteta. E ky projekt më pas është mbështetur nga Reconstruction Women’s Fund.
“Misioni ynë është t’i përfshijmë vajzat prej të gjitha shteteve të Ballkanit që ta transmetojnë mesazhin që dhuna s’ka komb. Femicid është krim nuk është tragjedi”, u shpreh Ristić – Vitomirović e cila mes tjerash shtoi se Serbia është vendi i parë në rajon me rastet më të larta të dhunës ndaj gruas, por sipas saj Kosova nuk ka shumë krime të raportuara, sepse akoma konsiderohen tema tabu.
Detaji që po ashtu tërhoqi vëmendje të madhe ishin edhe këpucët e aktoreve, e që ishin të gjitha në ngjyrë të kuqe. Regjisorja tha për KultPlus se kjo nuk është një rastësi por është mesazhi që transmetohet çdo 25 nëntor e këpucët e kuqe simbolizojnë gjakun e grave të abuzuara.
Ndërkaq, aktorja Ellma Eminaj, u shpreh qëllimi i këtij projekti është vetëdijësimi në eliminimin e dhunës ndaj grave dhe për të treguar se ky problem është i njëjtë në të gjithë Ballkanin.
“Skenari është i bazuar në ngjarje të vërteta të grave që i kanë nda historitë e tyre në Twitter, në fushatën ‘Nuk raportova’ dhe për këtë arsye shfaqja e ka emrin ‘Nuk raportova’ dhe për ne është shumë emocionalisht e vështirë dhe e prekshme të performojmë në këtë shfaqje sepse rastet janë shumë të rënda”, deklaroi Eminaj për KultPlus.
Shfaqja ‘Nuk raportova’ premierën e kishte në Prizren, për të vazhduar edhe në Tiranë, Beograd, Zajecar dhe Pula. E pas shfaqjes së djeshme në Prishtinë, ‘Nuk raportova’ pritet të udhëtojë edhe në Novi Pazar e Sarajevë./ KultPlus.com