Nurie Emrullai
(ja ku jam)
dhe do të qëndrojmë këtu
të rrënuar sepse mendojmë,
patetikë sepse ndjejmë shumë,
dyshues sepse heshtim.
I
Shpesh mendoj sikur të isha në turmën
që del shesheve të mbështesi idenë e një politike që nuk e beson.
Që di se “Zoti i tyre” i gënjen para syve dhe mrekullohen.
Tani dëgjoj si dikush më thotë:
“Ti s’di asgjë vogëlushe, pse më mirë nuk hesht?”
Po, sikur të kisha zërin e politikanit që jep premtime
që vetë nuk i kupton
se janë skenare të shkruar nga njerëz të stërvitur për të bindur…
E mbani mend -“Opiumin e popullit”?
Ftohtësia e xhamtë po mbështjellë zemrën tuaj.
Shpirtit i përgatitët kafaz mbushur me para.
Ngrohni zemrat me idealet e djegura.
Qysh e tek u robëruat në shfrenimet tuaja?
—
Po do të qëndroja para atij që pranon se jemi katandisur keq,
por përpiqet të shpëtojë anijen nga përmbytjet.
Që nuk na shtyp zërin,
që nuk na dallon nga ngjyra,
nga gjinia,
nga orientimi seksual.
Nuk duam mëshirë,
ia dalim edhe vetë,
fundja një jetë është,
do ia bëjmë disi për t’i shkuar në fund,
por do të ishte pak më e lehtë sikur…
II
Të isha para atij që del të flasi për poezinë
dhe kërkon të kuptojë saktësisht çka thënë autori pas fjalës “sëmundje”
dhe pas fjalës “ngjyrë” dhe pastaj kruan kokën, fytyrën, hundën…
pasiguria fshihet në gjeste…
Dhe gënjehet sikur kupton diçka…
Do të doja të kisha vullnetin e atij poeti
që del para publikut dhe flet për poezinë
sikur të ishte çështje marketingu.
Dhe t’i thoja se s’ka të bëjë as me marketingun
as me shërimin,
ka të bëjë me arratisjen.
Por unë jam me njerëzit e dobët. Ngase më rritën të atillë.
III
Do të doja të isha gruaja e cila kthen kokën aty ku i hidhen vështrimet.
Dhe të kundërshtoja…
Dhe të thoja fjalët që ndalon gjuha ime femërore.
Gjuha ime femërore!- uh, ç’peshë.
Por unë jam me njerëzit e dobët. Ngase më rritën të atillë.
IV
Do të doja të dija të ruaja pak gjëra të mira që i ka bota:
Të dija përmendësh vargjet që më shëruan
atë ditë vjeshte kur në vend të kafes mendova Sylvia Plathin, Ana Kareninën që veç fundin lexova…
Të mbaja mend fjalët e Budës kur
pashë me sytë e mi se prindi urren fëmijën, dhe kjo besoj është në rregull?
Jo, jo, Buda duhet hap sytë veç për dashuri?!
Do të doja të isha aq e fortë sa këtë ta pranoj. Por unë jam me të dobëtit…
Ndaluni, është lojë e mendjes,
sepse të fortët jemi ne
që jetojmë sipas bindjeve tona.
Babai im qe i pashkolluar por njerëzor që më mësoi veç tri rregulla:
“Mos gënje, mos bëj kurthe, mos vidh!”
Dhe mendoja se veç këto fjalë ekzistojnë,
sikur të më kishte paralajmëruar për të kundërtën e tyre, sikur…
Por ai ishte me njerëzit e dobët. Ngase e rritën të atillë.
V
Tani,
gjithsesi jemi ne të fortët ngase
dashuruam,
jetuam,
përjetuam…
Shpirt fëmije në fytyrë të plakur,
i buzëqeshëm çiltërsisht diellit
dhe u folëm luleve,
përkëdhelëm zogjtë,
ndjemë rrënjët e drunjve nëpër trupin tonë.
Dhe kur thamë të dua
zemra u mbush plot gjak qershie.
–
Ju mund të thoni se jeta është dikund tjetër,
Jepini, thuajeni…
Por s’do ta humb rehatinë e shpirtit për asgjë në botë
edhe sikur…
edhe sikur….
Jam me të dobëtit,
por këtu dielli ngroh… / KultPlus.com