Aurela dhe Melesa Feta, nxënëse të klasës së tretë nga Penuha e Podujevës, bëjnë çdo ditë nga 30 minuta këmbë për të ndjekur mësimet në fshatin Buricë.
Këto 9-vjeçare nuk e kanë pasur fatin të kenë shkollë në fshatin e tyre. Si rrjedhojë e kësaj, janë të detyruara të ecin malit për të vijuar shkollimin.
Rreziku më i madh për to dhe 40 nxënës të tjerë të Penuhës shfaqet gjatë stinës së dimrit, kur shpeshherë gjatë rrugës u shfaqen qen, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dëshira më e madhe për këta nxënës është ndërtimi i një shkolle në fshatin e tyre. Aktualisht zgjidhje të domosdoshme e shohin rregullimin e rrugës dhe sigurimin e transportit për në fshatin fqinj.
“Unë dhe vajza e axhës, Aurela, në ora 08:15 nisemi për në shkollë, kurse në ora 09:00 e fillojmë mësimin. Çdoherë udhëtojmë këmbë. Bëhemi bashkë edhe me fëmijët e tjerë dhe nisemi për në shkollë, sepse kur jemi më pak frikësohemi ”, thotë Melesa.
Rruga përmes malit
Rreth 30 minuta deri në fshatin Buricë i bën çdo ditë edhe Elina Zhdrella, nxënëse e klasës së shtatë. Ajo tregon se në raste të rralla, kur prindi i saj ka mundësi, e dërgon me veturë, por në shumicën e herëve ajo duhet të shkojë në këmbë.
Me veturë nga Penuha në Buricë bëjnë disa minuta, sepse duhet të kalohen disa fshatra. Kjo, meqë rruga përmes malit është e pakalueshme për vetura.
“Me shku me veturë duhet me u sillë rreth e rreth, sepse këndej kah shkojmë këmbë është problem pasi rruga është shumë e keqe e nuk del kerri. Jemi të detyruar të shkojmë këmbë, sepse nuk kemi tjetër zgjidhje. Dimrit frikësohemi shumë, sepse shpesh na dalin qen”, rrëfen Zhdrella./ KultPlus.com