Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve nxënësit vizitojnë asete të trashëgimisë kulturore në Prizren

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prizrenit, kanë vizituar asete të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

Nxënësit e drejtimit të arkitekturës kanë pasur mundsin që t’i shohin nga afër punët restauruese dhe konservuese që po zhvillohen në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, shtëpinë e familjes Bardhi dhe disa asete tjera të trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com

Baladat arbëreshe kthehen në grafika nga nxënësit e Liceut Artistik

Është hapur ekspozita “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, me punimet e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Ceremonia e hapjes u zhvillua sot në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe pjesë e veprimtarisë kanë qenë edhe artistët e rinj, të cilët kanë prezantuar punët e tyre.

Kjo ekspozitë shënon hapin final të kurorëzimit të projektit “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, realizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Pas disa takimeve konsultative dhe leksioneve të hapura për njohjen e baladave arbëreshe, në fazën përfundimtare vjen konkretizimi me punime artistike nga ana e nxënësve.

Ky projekt ka për qëllim të përcjellë tek të rinjtë përrallat dhe baladat arbëreshe, duke e bërë më të prekshme botën arbëreshe përmes gjuhës pamore. Secili nxënës ka shpalosur fantazinë e tij në paraqitjen e baladave arbëreshe, prandaj QSPA-së ka ftuar publikun për t’i parë nga afër këto punime. /atsh / KultPlus.com

Fillimi i vitit shkollor, policia apelon vozitësit për kujdes të shtuar

Sot ka nisur viti i ri shkollor pas një muaji grevë. Me nisjen e mësimit shkollor, policia apelon vozitësit për kujdes të shtuar në komunikacion.

Apelin e ka publikuar policia në faqen e saj në Facebook duke këshilluar vozitësit që të kenë kujdes sidomos gjatë ngasjes së mjetit në zonën e shkollës. / KultPlus.com

KOMF dhe KNK: Nëse sot nuk fillon mësimi, rreth 320.000 nxënësve do t’i mohohet e drejta për arsim

Pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ( SBAShK ) e drejtuar nga Rrahman Jasharaj ka ftuar mësimdhënësit që t’i bashkohen grevës dhe ka bërë thirrje që nxënësit të mos dalin sot në shkollë, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës – KNK kanë reaguar duke u shprehur se nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.

Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.

“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.

KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët”.

Sipas njoftimeve në disa shkolla procesi arsimor është duke u zhvilluar, ndërsa në disa të tjera jo. / KultPlus.com

Profesori u mbylli njësha 83 nxënësve, e humbin testin e maturës

83 nxënës të klasës së 12’të të shkollës “Ali Hadri” në Pejë, nuk do të mund të hyjnë në Testin e Maturës, si pasojë e 1-shave të lënë nga një profesor i vetëm.

Nxënësit që në gjithë gjeneratën ishin 131 ankohen se vlerësimi nuk ka qenë i duhur, derisa kërkojnë të merren masa për ta ndryshuar këtë gjendje.

Në lidhje me këtë veprim, drejtori i shkollës thotë se i ka tërhequr vërejtjen mësimdhënësit, për të cilin thotë se është punëtorë, por që rezultati i tij është vazhdimisht i dobët.

Me këtë rast po merren edhe në Drejtorinë e Arsimit në Pejë, por deri pasditen e së premtës nuk është marrë ndonjë vendim, në lidhje me profesorin që në vazhdimësi ka këso rezultati.

Deri në fundjavë ankesë zyrtare nuk shkoi as në Inspektoratin e Arsimit, ku të rinjtë thonë se e kanë dërguar një kërkesë për tu hetuar ky zhvillim./klankosova./ KultPlus.com

E thotë studimi: Mësuesit duhet t’i lavdërojnë nxënësit e jo t’i ndëshkojnë

Sipas një studimi të ri, mësuesit duhet t’i lavdërojnë nxënësit e jo t’i ndëshkojnë ata për pengimin e procesit mësimor, nëse duan që ta përmirësojnë sjelljen e tyre.

Në bazë të hulumtimit të publikuar në revistën “Educational Psychologu” (“Psikologjia edukuese”), ekzistojnë më shumë gjasa që fëmijët të koncentrohen në mësim kur marrin komplimente, sesa kur marrin qortime.
Mësuesit i kanë kritikuar politikat e ashtuquajtura “zero tolerancë” ndaj sjelljeve jo të mira të nxënësve, duke i cilësuar ato si të dëmshme për fëmijët.

Pjesë e këtij studimi ishin më shumë se 2500 nxënës nga tri shtete të Shteteve të Bashkuara. 20 deri 30 për qind e nxënësve ishin më të përqendruar në detyrat e klasës në rastet kur ata merrnin lëvdata në vend të qortimeve.

Sidoqoftë, autorët e hulumtimit tërheqin vërejtjen që kjo teknikë të mos përdoret së tepërmi, sepse mund ta humb efektin pozitiv.

Ndryshe, përmes një studimi të vitit të kaluar u zbulua se nxënësit mund të kenë sjellje më të mira, nëse mësuesit i përshëndesin ata për dore në hyrje të klasës. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci: I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) mbajtën sot protestë me moton “S’po shkohet n’shkollë”.

Përmes kësaj protesë në të gjitha qytetet e Kosovës, KNK synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave, janë vetëm disa prej pikave të cilat i kanë shtyrë nxënësit të marrin një hap të tillë.

Menjëherë pas kësaj protestë ka reaguar edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nagavci është shprehur e lumtur për aktivizmin e të rinjëve për përmirësimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, angazhimi ditor në Ministrinë e Arsimit ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët,

Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.

Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim. / KultPlus.com

Letra që drejtori i shkollës ua dërgoi prindërve para fillimit të provimeve të fëmijëve të tyre

Një drejtor shkolle në Singapor ua dërgoi këtë letër prindërve para fillimit të provimeve të fëmijëve të tyre.

Të dashur prindër

Provimet e fëmijëve tuaj do të fillojnë së shpejti. E di që të gjithë jeni vërtet në ankth që fëmijët tuaj të dalin sa më mire në provime.

Por, ju lutem mbani mend, që në mesin e nxënësve që do të ulen për provime ka një artist, i cili nuk ka nevojë ta kuptojë Matematikën. Ka një sipërmarrës, të cilit nuk i intereson Historia e letërsisë Angleze. Ka një shkrimtar, për të cilin shënimet në Kimi nuk do të kenë rëndësi. Ka një atlet, aftësia fizike e të cilit është më e rëndësishme sesa vet Fizika. Nëse fëmija juaj merr pikë të larta, do të ishte e mrekullueshme! Por nëse ai ose ajo nuk e bën këtë, ju lutemi mos e hiqni besimin dhe dinjitetin prej tyre.

Thuaju se është në rregull, është vetëm një provim! Ata janë të prerë për gjëra shumë më të mëdha në jetë. Thuaju atyre, pavarësisht se çfarë rezultati arrijnë, se ju i doni ata dhe nuk do t’i gjykoni.

Ju lutemi bëni këtë, dhe kur ta bëni, do ti shihni vërtet aftësitë e fëmijëve tuaj. Një provim ose një pikë e ulët nuk do të heq ëndrrat dhe talentin e tyre. Dhe ju lutem, mos mendoni se mjekët dhe inxhinierët janë të vetmit njerëz të lumtur në botë.

Me përshendetje të ngrohta. /fotografitëqëkanëbërëhistorinë/ KultPlus.com

Heqja e notave për nxënësit: Rrahman Jasharaj thotë se do ta hiqte stresin e fëmijëve

Paralajmërimi për heqjen e notimit diferencial për nxënësit e klasave 1 deri në 5, ka ngjallur dilema se cili do të jetë ndikimi që mund të ketë tek nxënësit.

Ata që e vlerësojnë si hap pozitiv dhe që do të hiqte stresin e nxënësve për notat, kanë dilemat se si një gjë e tillë do të menaxhohej pastaj në klasën e 6-të, kur nxënësit do të përballeshin edhe me notim, dhe me mësim lëndor.

Ndërsa, ata që janë kundër largimit të notave, thonë se kjo do të ndikonte në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

Aktualisht në vendin tonë nxënësit e klasave 1 dhe 2 nuk vlerësohen me notim diferencial, por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk kanë kthyer përgjigje se a kanë një plan konkret rreth largimit të notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor dhe kur pritet të realizohet një gjë e tillë.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se nga MASHTI kërkojnë që të mos merren vendime pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit me vendime dhe strategji eksperimentale.

Një reformë e tillë, sipas tij, duhet të bëhet me një strategji konkrete e cila duhet të implementohet në disa faza kohore dhe jo të jetë aty për aty.

“Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës kërkojmë që mos të merren vendime të rëndësishme pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos e dëmtojmë arsimin respektivisht interesin e nxënësve me vendime dhe me strategji EKSPERIMENTALE, sepse për 20 vite fëmijët tanë kanë qenë eksperiment në arsim, gjë që fatkeqësisht edhe koha tregoi. Gjithashtu, vendimet e MASHTI-it për këso çështje duhet të merren në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Prindërve të Kosovës sepse po vendoset për të ardhmen edukative arsimore të fëmijëve tanë”, thuhet në përgjigje.

Reshiti potencon se asnjë veprim që prek nxënësit nuk do të ketë sukses nëse injorohet Këshilli i Prindërve të Kosovës, për çka edhe fton MASHTI-në që asnjë vendim të mos merret pa u konsultuar me ta.

E një ide të tillë që të largohet notimi diferencial e përkrahin edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, megjithatë kanë dilemat e tyre se çfarë ndikimi do të kishte tek nxënësit kur të njëjtit do të dalin në klasën e 6 dhe të përballeshin edhe me notim edhe me mësim lëndor.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, thotë se heqja e notimit do të largonte stresin e nxënësve të cikli të ulët për notat.

 “Mbase kjo ide duhet provuar dhe janë dy momente, një moment se do të hiqej stresi i fëmijëve për notat, do të hiqej presioni i mësimdhënësve nga prindërit sepse kemi informacione se prindërit një pjesë e tyre po them insistojnë në nota të larta për fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë mbase do të bëhej më e relaksuar mësimi nga 1-5. Por, e keqja që na frikëson është se në klasën e 6 pastaj fëmijët do të përballen me nota, do të përballen me një ndërrim total të sistemit arsimor se kalojnë te mësimi lëndor dhe mbase do të jenë mësuar pa nota dhe nuk di si do të reagojnë, si do të angazhohen kur fillon notimi i tyre. Pra, duhet studiuar mirë këtë çështje, mbase do të provohet në shtator, ne nuk e kundërshtojmë këtë gjë”, thotë ai.

Në anën tjetër, njohës të fushës së arsimit janë të ndarë rreth ndikimit që do të kishte largimi i notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se largimi i notimit diferencial është një reformë e thellë e sistemit arsimor, por që një gjë e tillë deklaron se mund të ndikojë në uljen e përkushtimit të nxënësve për të mësuar.

 “Largimi i vlerësimit diferencial si koncept vije nga vendet perëndimore në një sistem goxha të avancuar dhe në një kulturë më të lartë sa i përket arsimit, tash sa është e zbatueshme e njëjta tek ne kjo është diçka për të debatuar. Mirëpo, frika jonë është që largimi eventual i vlerësimit do të eliminojë atë përkushtimin që nxënësit e këtyre grupmoshave e kanë pasur. Rikujtojë që është pikërisht cikli fillor që dallon shumë më shumë sesa cikli i shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në përkushtim të nxënësve dhe në nota më të mira. Jemi të vetëdijshëm se vlerësimi i brendshëm në të gjitha nivelet pa përjashtim nuk është real, mirëpo eliminimi i po të njëjtit për këto grup mosha dhe për këtë cikël kemi frikë që përkundrazi do të kishte kundërefekte”, thotë ai.

Krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, i cili thotë se largimi i notimit diferencial është një hap i qëlluar, por që thotë se një vendim i tillë duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

 “Unë mendoj se ky hap është i qëlluar, por megjithatë duhet pasur parasysh që duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore, në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe me krijimin e një ambienti të dashur për fëmijët ku ata do të zhvillojnë me një fjalë talentet dhe shkathtësitë e tyre…Vlerësimi mund të jetë motivim, por mund të jetë edhe demotivim për nxënësit varësisht se prej çfarë këndvështrimi analizohet. Mendoj që kjo nuk lidhet shumë me kushtet që u përmenden infrastrukturore dhe me kushtet e tjera përcjellëse në arsim, por që Qeveria definitivisht nuk guxon ta realizojë si masë të vetme, duhet ta përcjellë edhe me masa të tjera shtesë nëse me të vërtetë kanë synim që të ngrisin cilësinë e arsimit”, thotë ai.

Se largimi i vlerësimit tradicional do të ketë ndikim pozitiv tek nxënësit e thotë edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

Një gjë e tillë, ai shprehet se e largon konkurrencën që shtyhet nga prindërit që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat 5, derisa potencon se heqja e notave nuk do të ketë ndikim në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

 “Në psikologjinë e edukimit dhe në shkencat e të mësuarit nota nuk është aspekti motivues kryesor edhe kjo konkurrenca për të arritur të gjitha 5 nuk ndikon shumë në motivimin e brendshëm tek nxënësit. Unë mendoj që notat në këtë drejtim nuk do të ulin interesimin e nxënësve për arritje, por interesimi i nxënësve do të rritet në këtë formë. Pra, jo për shkak të eliminimit të konkurrencës po për shkak se nuk do të kenë diçka me të cilën ata do të ballafaqohen vazhdimisht, pra notën. Nga ana tjetër ne i marrim shembull gjithmonë notat pozitive, pra 5, 4, po eliminojmë ndikimin negativ që kanë notat negative që është shumë më i madh sesa ndikimi pozitiv i tyre, pra notat 1, 2 ose edhe 3 në raste të caktuara”, thotë ai.

Musliu thotë se më pastaj mësimdhënësit do të duhej t’i përgatisnin nxënësit të cilët kalojnë nga klasa 5 në të 6 me idenë se tashmë do të vlerësohen me notë.

Çështja e notimit për klasat 1 dhe 2 është rregulluar me udhëzim administrativ në vitin 2016, ku në nenin 3 pika 3.7.2 thuhet se nxënësit e shkallës I(klasa para fillore dhe klasat 1-2) nuk vlerësohen me notë numerike por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit. / Gazeta Express / KultPlus.com

Pas një jave pushim, nxënësit i rikthehen mësimit

Pas një jave pushim pranveror, sot fillon periudha e tretë e vitit shkollor. Por për shkak të pandemisë Covid-19 në klasat nga 6 deri 12 do të zhvillojnë mësimin online, kurse nga 1 deri 5 do të rikthehen në bankat shkollore.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se ky vendim ka dalë nga takimi i kolegjiumit të AKS-së me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci.

“Në takimet e rregullta, kolegjiumi jonë profesional i drejtorëve të arsimit ka pasur me ministren Nagavci, njëherë janë dakordua që të ketë një javë pushim në mënyrë që objektet shkollore të dezinfektohen dhe të jenë gati për nxënësit në mënyrë që në javën në vijim të fillojë mësimi. Mirëpo në një takim tjetër që kanë pasur kolegjiumi i arsimit i Asociacionit të Komunave të Kosovës, me ministren Nagavci janë dakorduar që nxënësit nga klasa e 6 deri në të 9-tën dhe nga e 10-ta deri të 12-tën të kenë mësim online, kurse në bankat shkollorë të kthehen nxënësit nga klasa e 1 në klasën e 5. Do të thotë ky ka qenë vendim i përbashkët i nivelit lokal, përkatësisht i drejtorëve komunalë të arsimit me ministren e Arsimit”, thotë ai.

Kreu i AKK-së thotë se komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për procesin e mësimit online. /indeksonline/ KultPlus.com

Të hënën nxënësit shkojnë në shkollë, s’ka vendim për pushim njëjavor

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë për Klankosova.tv se të hënën mësimi do të vazhdojë normal, transmeton KultPlus.

Kjo pasi që nuk është marrë ndonjë vendim për pushim njëjavor siç propozoi Ministria e Arsimit ditë më parë.

Në mbledhjen e Komitetit për COVID-19 nuk është marrë vendim as për masa të reja derisa u ngritën shqetësime për numrin në rritje të pacientëve me COVID-19.

“Kemi dalë me një propozim që nxënësit të shkojnë në pushim njëjavor. Dhe në fund të javës të vendoset për situatën epidemiologjike, dhe të të shohim se për çfarë modalitete. Konsiderojmë se masa të tilla duhet të merren si pjesë e një pako për uljen e rasteve. Nuk mund të ketë reagim parcial për shkak të vatrës së shumëllojshmërisë. Ne në arsim kemi dal me propozim 1+1. Dhe që të ruajmë resurset që të mos vije situata që të mos kemi mësimdhënës”, ka thënë Rexhaj në këtë mbledhje. / KultPlus.com

Gjobitet punonjësi i shkollës në Prizren, nuk tregoi kujdes në matjen e temperaturës së nxënësëve (VIDEO)

Punonjësi i një shkolle fillore në Prizren u gjobit nga Inspeksioni për shkak që ua mati temperaturën pa treguar kujdes dhe pa u ndalur tek secili nxënës, transmeton KultPlus.

Rasti ka ndodhur para disa ditësh, ndërsa sot drejtori i Inspeksionit në Prizren, Edon Muçaj, ka njoftuar se punonjësi i kësaj shkolle është dënuar me 200 euro gjobë.

Sipas tij, matja e temperaturës me termometër digjital tek nxënësit e shkollave për mbrojtjen nga COVID-19, është e rregulluar me Ligj.

“Matja e temperaturës me termometër digjital tek nxënësit e shkollave për mbrojtjen e tyre nga pandemia COVID-19 është e rregulluar me Ligjin antiCOVID andaj duhet zbatuar. Kësaj radhe gjobë mandatore si udhërrëfim që rastet e tjera të njejta të mos përsëriten!”, shkroi Muçaj në Facebook. / KultPlus.com

Mësuesi merr drutë me vete që të ndezë zjarrin për nxënësit

Ky është imazhi i shpërndarë në rrjetet sociale mëngjesin e sotëm, ku një mësuesi nga Mokra i cili së bashku me çantën e punës ka marrë edhe drutë e zjarrit për ngrohur nxënsit e shkollës në këto temperatura acari.

Foto është publikuar në Facebook nga studiuesi Erald Kapri.

Ja postimi i plotë:

Shqipëria tjetër. Mësuesi Maliq Torra në fshatin Velçan të Mokrës niset tek nxënësit e tij, bashkë me drutë e zjarrit për të përballuar të ftohtin -12 gradë. Mirënjohje. / KultPlus.com

Shokuese: Nxënësi e incizon arsimtarin, dëgjohet duke e fyer me fjalë banale (VIDEO)

Gazeta Express ka siguruar një video shokuese ku shihet një nxënës në një shkollë të Kosovës duke e fyer me fjalë të rënda një arsimtar.

Në këtë video, siç shihet edhe nga pamjet, arsimtari është me ditar në dorë në klasë, derisa një nxënës i bën atij disa pyetje fyese dhe e incizon me telefon.

Nuk dihet se në cilën shkollë të Kosovës është bërë kjo video, apo nëse ndaj nxënësit është marrë ndonjë masë disiplinore.

Në sfond shihen duke qeshur shokët e nxënësit, i cili shan dhe incizon arsimtarin.

Mësimdhënësi, ndërkaq, tenton ta ndalë djalin që të mos flasë fjalë të tilla./ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/e-tmerrshme-nxenesi-e-incizon-arsimtarin-e-pyet-per-organ-gjenital-dhe-marredhenie-seksuale

5 mësimdhënës e 16 nxënës të shkollës “Dardania” të infektuar me Covid-19

Dita-ditës numri i të infektuarve me Covid-19, në vendin tonë po shënon rritje.

Së fundi, 5 mësimdhënës dhe 16 nxënës të shkollës “Dardania”, të Prishtinës kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, shkruan IndeksOnline.

Shkolla prej ditës së sotme do të kalojë nga Skenari A, në Skenarin C, mësimi në distancë.

Njoftimi i plotë:

N J O F T I M 30/10/2020 (E premte)

Të nderuar prindër, nxënës dhe mësimdhënës,Në vazhdën e hulumtimit aktiv dhe mbikqyrjes së situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë testimin e mësimdhënësve/nxënësve në SHFMU“Dardania’’ Prishtinë më 29.10.2020.Nga 16 mësimdhënës të testuar, 5 mësimdhënës janë të konfirmuar dhe 16 nxënës të konfirmuar me SARS-CoV-2. Me këtë rast, ju njoftojmë se shkolla prej ditës së sotme duhet të kalojë nga Skenari A (prezencë fizike në shkollë) në skenarin C (mësimi në distancë).Për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do t’ju njoftojmë në kohë reale.Andaj, Task- Forca merr vendim që të zbatohet rekomandimi i Ministrisë së shëndetësisë dhe të kalohet nga skenari A në Skenarin C.Datë:30/10/2020Në vazhdën e hulumtimit aktiv dhe mbikqyrjes së situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë testimin e mësimdhënësve/nxënësve në SHFMU“Dardania’’ Prishtinë më 29.10.2020Nga 16 mësimdhënës të testuar, katër (4) prej tyre rezultojnë pozitiv, si dhe nga 43 nxënës 7 prej tyre rezultojnë pozitiv në SARS-CoV-2 më datë 30.10.2020 SHFMU “Dardania”-Prishtinë ka afërsisht 2150 nxënës,75 mësimdhënës,10 staf Teknik dhe 10 staf administrative.Prej datës 13-29 tetor, në total janë 5 mësimdhënës të konfirmuar dhe 16 nxënës të konfirmuar me SARS-CoV-2Masat e ndërmarra:- Mësimdhënëit/nxënësit e konfirmuar pozitiv janë udhëzuar në vetëizolim- Është njoftuar Drejtoria e shkollës në fjalë- Është njoftuar DKA Rekomandohet:- Shkolla duhet të kalojnë nga Skenari A në skenarin C- Të vazhdohet me aplikimin e masave higjieno-sanitare në shkollë – Të respektohen kriteret dhe rekomandimet nga MSH, IKSHPK, dhe Protokoli i Reagimit të MASHPër çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do t’ju njohtojmë në kohe reale.Task forca merr vendim që të zbatohet rekomandimi i Ministrisë se shëndetësisë të kalohet nga skenari A në Skenarin CIu dëshirojmë shëndet dhe shërim sa më të shpejtë mësimdhënësve dhe nxënësve! E tejkalofshim sa më lehtë këtë situatë!

Historia e mësueses që i detyroi nxënësit të mbanin patate në çanta një javë rresht

Një mësuese kishte vendosur t’u jepte një mësim nxënësve nëpërmjet një loje. Mësuesja i tha secilit në klasë që të sillte me vete një trastë me disa patate.

Çdo patateje do t’i jepej emri i një personi që ata urrenin. Pra, numri i patateve që një fëmijë do të vendosë në qesen e tij/saj do të varet nga numri i njerëzve që ai/ajo urrente.

Pra, kur erdhi dita, secili fëmijë solli disa patate me emrin e njerëzve që ai/ajo urrente. Disa kishin 2 patate, ca 3, ndërsa disa të tjerë deri në 5 patate. Mësuesja pastaj u tha fëmijëve t’i mbanin trastat me patatet me vete kudo që të shkonin për 1 javë.

Ditët kaluan, dhe fëmijët filluan të ankoheshin për shkak të aromës së pakëndshme që mbanin patatet e kalbura.

Përveç kësaj, ata që kishin 5 patate duhej të mbanin peshë ekstra në çantat e tyre. Pas 1 jave, fëmijët u lehtësuan sepse loja më në fund kishte përfunduar.

Mësuesja pyeti: “Si u ndiet kur mbajtët patatet me vete për një javë?”

Fëmijët i lanë frustrimet e tyre dhe filluan të ankohen për telashe që duhej të kalonin duke mbajtur patatet e rënda dhe me erë të keqe kudo që të shkonin.

Pastaj mësuesja u tregoi atyre kuptimin e fshehur prapa lojës.

Mësuesja tha: “Kjo është pikërisht situata kur mbani urrejtjen ndaj dikujt brenda zemrës suaj. Urrejtja e mbajtur për një kohë të gjatë do ta “kalbë” zemrën tuaj dhe ju do ta mbani me vete kudo që të shkoni.

Nëse nuk mund ta tolerosh erën e patateve të kalbura për vetëm 1 javë, a mund të imagjinoni të mbani urrejtje në zemrën tuaj për gjithë jetën tuaj?”

Morali: Hidhni tutje çdo urrejtje për çdokënd nga zemra juaj, kështu që ju nuk do të mbani barrë të kotë për një jetë të tërë.

Falja e të tjerëve është qëndrimi më i mirë për të marrë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

KOMF ju drejtohet shkollave: Prioritizoni shëndetin mendor të nxënësve!

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në Kosovë, përmes organizatave anëtare ka përcjellë rifillimin e procesit mësimor e më specifikisht mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë dy javëve të para. Krahas marrjes së masave për një rikthim të sigurtë në shkolla për shkak të pandemisë, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe fokusi kryesor nga të gjitha palët, KOMF ngre si një çështje jetike e shumë të rëndësishme, mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kësaj faze të rikthimit në shkolla.

Pandemia globale Covid-19, prej muajsh tashmë ka shkaktuar një paralizë të shumë sferave të jetës, me ndryshime radikale e të menjëhershme në mënyrën e jetesës tonë. Kjo situatë e jashtëzakonshme, shoqëruar me pasigurinë totale për të nesërmen, privimin e pjesshëm të lirisë, ndarjen nga njerëzit e dashur dhe ndërprerjen e detyruar të aktiviteteve të përditshme, ka prodhuar shqetësim, ankth e traumë tek çdo individ, mbi të gjitha tek grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët.

Ndërprerja e mësimit ishte një ndër faktorët kryesor të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre. Ndërprerja e mësimit në muajin mars 2020, ishte e detyrueshme dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët.

KOMF konstaton se edhe rinisja e procesit mësimor është bërë pothuajse në mënyrën e njëjtë, pa hapa të mjaftueshëm përgatitor të zhvilluar në bashkëpunim apo me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe prindërve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka përcaktuar modelin për rifillimin e procesit mësimor, ndarjen e klasave në grupe, mësimin e kombinuar, etj. Megjithatë nuk janë bërë mjaftueshëm konsultime apo sesione paraprake (qoftë virtuale) me fëmijët dhe prindërit për t’i informuar dhe përgatitur ata rreth asaj çfarë pritet të ndodhë nëpër shkolla me fillimin e vitit. Po ashtu KOMF konsideron që nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me nxënësit sa i përket ndarjes në klasa dhe ka munguar një qasje e unifikuar për ndarjen në grupe e cila do të minimizonte pakënaqësitë. Për pasojë ndarja e nxënësve në dy grupe shpesh ka ndarë fëmijët prej shoqeve apo shokëve të ngushtë duke ndikuar negativisht në entuziazmin dhe vullnetin e tyre për tu kthyer në shkolla.

Po ashtu, dilemat rreth nisjes së procesit mësimor dhe shtyrja e datës së fillimit të shkollës, shoqëruar me mungesën e përgatitjeve të duhura, kanë ndikuar dukshëm në gjendjen psikologjike të fëmijëve, aq më tepër kur marrim në konsideratë situatën e rënduar përgjatë muajve të fundit.

Shëndeti mendor njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të pakontestueshme në garantimin e zhvillimit të fëmijëve në përputhje të plotë me interesin më të mirë të tyre. Është jetike që shkollat, institucionet, mësimdhënësit dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve të kujdesen fillimisht që fëmijët të përshtaten në mënyrë graduale e të pranueshme nga vetë ata në mjediset ku marrin shërbime, të ndihen të sigurtë, të qetë e të mbrojtur. Kjo është cekur edhe në udhëzime të lëshuara nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve.

Ndër të tjera, një grup i ekspertëve nga disa universitete në Angli, në një thirrje drejtuar autoriteteve arsimore në muajin maj 2020, kanë nënvizuar faktin se është thelbësore që me hapjen e shkollave autoritetet të prioritizojnë lojën, socializimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve mbi mësimin formal dhe progresin akademik pasi shëndeti i varfër mendor, mund të çojë në probleme mendore afatgjata1.

Nisur nga gjithë kjo situatë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit mendor të fëmijëve, KOMF rekomandon:

· MASh, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat krahas marrjes së masave sipas udhëzuesit për rikthim në shkolla, duhet të shohin mundësinë për angazhim të stafit shtesë teknik dhe profesional. Angazhimi i stafit profesional, sikurse angazhimi i psikologëve shtesë dhe i punëtorëve social, është më se i domosdoshëm në këtë periudhë të vështirë;

· Mësimdhënësit të zhvillojnë orën e kujdestarisë por edhe orë të tjera përgjatë javës, duke i zhvilluar si orë diskutimi mbi vështirësitë, problemet dhe mbi shëndetin mendor, me qëllim të mbështetjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së shëndetit të tyre. Në këtë mënyrë i gjithë sistemi i jep prioritet mirëqenies emocionale të fëmijëve dhe shëndetit mendor të tyre, dhe në të njëjtën kohë garanton mbështetje për këdo që ka nevojë për ndihmë;

· Mësimdhënësit të organizojnë sa më shumë aktivitete rekreative dhe argëtuese me fëmijët me qëllim largimin e stresit dhe të ankthit; Në këtë periudhë, ekuilibri emocional i fëmijëve duhet të jetë konsiderata e parë;

· Të mbahen takime virtuale me prindër për të diskutuar mbi rëndësinë e shëndetit mendor të fëmijëve dhe rolin e prindërve në këtë drejtim;

· Mësimdhënësit të organizojnë takime të rregulla virtuale me të gjithë nxënësit e klasës, ku ata do të kenë mundësi të takohen me shokët/shoqet e klasës të cilët nuk i kanë takuar deri më tani për shkak të ndarjes që është bërë. / KultPlus.com

Nxënësit me maska pas gjashtë muajsh u kthehen shkollave

Pas 6 muajve, nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme, u janë kthyer në bankat shkollore.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë nxënësit kanë respektuar masat e parapara duke mbajtr distancën dhe maskat. Ata në hyrje të shkollës edhe janë dezinfektuar, raporton Ekonomia Online.

Secili fëmijë duhet të sigurojë maskën personale, e cila duhet të përdoret gjatë gjithë kohës gjatë që drimit në ambientet shkollore.

Edhe në këtë shkollë po rrespektohen masat, si dhe para se të hyjnë fëmijët në klasë po ju matet temperatura.

Po ashtu në mbrojtje të Covidit fëmijët po hyjnë në dy hymje të ndryshme që mos të kenë kontakt me njëri tjetrin.

Kosova ka mbyllur institucionet arsimore në muajin mars, kur u paraqiten edhe rastet e para me coronavirus. Mësimi mëlë pas është zhvilluar përmes platformave online dhe mësimeve të transmetuara në televizionin publik. / KultPlus.com

Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se veshja e mësuesit

Një profesor në pension i shkroi një letër një gazete për t’i dhënë një mendim.

Më poshtë mund të gjeni përkthimin e asaj që mësuesi ka shkruar:

“Si mësues në pension, jam i lodhur nga të gjithë njerëzit që nuk dinë asgjë për shkollat ​​publike, të cilët nuk kanë qenë aty kohët e fundit, ose që besojnë se mund ta përshtatin sistemin tonë të arsimit.

Mësuesit nuk janë problemi! Prindërit janë problemi. Ata nuk u mësojnë fëmijëve sjellje të mira dhe as nuk u mësojnë atyre se çfarë është respekti ndaj të tjerëve; fëmijët as nuk kanë njohuri të përgjithshme se si të bashkohen me njerëzit e tjerë.

Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se veshja e mësuesit dhe, në të njëjtën kohë, nuk kanë letër ose lapsa për mësimin.

Kur dikush flet për shkollat ​​që kanë “dështuar”, ata nuk përpiqen të shikojnë prindërit dhe fëmijët. A shkojnë nënat dhe baballarët në mbledhjet e prindërve? A flasin rregullisht me mësuesit? A sigurohen që fëmijët të përgatiten dhe të kenë materialin e nevojshëm? A sigurohen që fëmijët të bëjnë detyrat e shtëpisë? A kanë një numër telefoni të mësuesit?

A i marrin nxënësit shënimet në klasë? A i kryejnë detyrat e tyre? A dëgjojnë ata gjatë mësimit apo është nxënësi që shqetëson dhe bezdis të tjerët?

Kur të merren parasysh të gjithë këta faktorë, kuptohet se nuk është shkolla që ka dështuar, por prindërit.

Mësuesit nuk mund të bëjnë punën e tyre dhe atë të prindërve të fëmijëve.

Përderisa prindërit nuk bëjnë punën e tyre, asgjë nuk mund të përmirësohet!”./KultPlus.com

Fëmijët më shumë mundësi të infektohen në shtëpi sesa në shkollë

Rreziku që një fëmijë të infektohet me koronavirus në shkollë është jashtëzakonisht i ulët krahasuar me rrezikun e infektimit në shtëpi, ka thënë “Shëndeti Publik” në Angli. Sipas “Daily Mail”, edhe mësuesit nuk janë në rrezik.

Studimi i qeverisë vëzhgoi fëmijët nga 131 shkolla fillore dhe parashkollorë në Angli, në qershor dhe në fillim të korrikut. Nga 12,026 të rritur dhe fëmijë, vetëm tre rezultuan pozitivë për Covid-19. Dy ishin pjesë e stafit dhe një ishte fëmijë.

Pothuajse çdo fëmijë në studim ishte nën 11 vjeç, kështu që ai nuk vlen për shkollat e mesme.

Dr. Shamez Ladhani, një konsulent epidemiolog, tha: “Ky është studimi më i madh i këtij lloji në vend dhe sugjeron që ndjekja e shkollës nuk sjell ndonjë rrezik shtesë as për stafin dhe as për studentët. Megjithëse këto rezultate janë paraprake, ato duhet të jenë shumë qetësuese për prindërit që janë të shqetësuar për kthimin e fëmijëve në shkollë”.

“Sipas hulumtimeve të mëparshme, infeksioni brenda mjediseve arsimore është jashtëzakonisht i ulët, dhe ndërsa duket se fëmijët prekin Covid-19, shumica dërrmuese përjetojnë simptoma të lehta ose asnjë simptomë, dhe nuk ka gjasa ta kalojnë atë”.

Shkencëtarët gjithashtu zbuluan se fëmijët nën 10 vjeç kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin nga gripi sesa nga koronavirusi.

Fëmija që testoi pozitiv ndaj koronavirusit, e kishte marrë atë nga babai, i cili kishte rezultuar pozitiv vetëm 4 javë më parë. Ndërsa për 2 të rriturit ende nuk dihet se si janë infektuar.

Testimi i antitrupave është një mjet i dobishëm për të kuptuar saktësisht se sa njerëz janë infektuar në të vërtetë me koronavirus.

Sidoqoftë, ai nuk është plotësisht i besueshëm. Jo të gjithë ata që infektohen zhvillojnë antitrupa, të cilat edhe mund të zhduken pas disa javësh, që do të thotë se rezultati i tyre do të ishte negativ. Në fakt, studimi gjeti më shumë antitrupa tek stafi i shkollës, që tregon se siguria në shkollë është më e madhe në krahasim me atë në shtëpi. / KultPlus.com

KMDLNj kritikon SBAShK-un: Asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve, ka insistuar vetëm në rritjen e pagave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës për kërkesat në çdo fillim të vitit shkollor.

KMDLNj thotë se SBAShK’u nuk mund të ketë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit.

“Është bërë si rregull që në çdo fillim të vitit shkollor, SBASHK-u të dalë me kërkesa që  jo rrallë herë e kanë formën dhe përmbajtjen e shantazhimit klasik e që është e dënueshme me ligjet në fuqi në Kosovë dhe duke i vënë ultimatum Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e këtyre kërkesave e që jo gjithmonë janë në fushëveprimin sindikalist”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.

KMDLNj thotë se SBAShK’u asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve.

Po ashtu, KMDLNj përmend faktin se SBAShK’u ka arritur për një kohë të gjatë të paralizojë krejtësisht procesin mësimor, duke e dëmtuar kështu atë.

“Në këtë mënyrë SBASHK –u përmes disa udhëheqësve e ruan kondicionin sikur që e riciklojnë protagonizmin personal e jo sindikal. KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtyre kushtëzimeve të SBASHk-ut të cilët botërisht kanë deklaruar se ata kujdesen dhe mbrojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët dhe se nuk është përgjegjësi e tyre të kujdesen për përmirësimin e kushteve për nxënës, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies apo sigurimin e fondeve për nxënës me gjendje të rënduar materiale”

“SBASHK-u arriti që për një kohë të paralizojë krejtësisht procesin arsimor, i motivuar kryesisht materialisht e që jashtëzakonisht e ka dëmtuar procesin arsimor. SBASHK-u asnjëherë nuk ka konsideruar seriozisht kërkesat e prindërve të artikuluara përmes Këshillit të Prindërve por ka insistuar në rritjen e pagave duke koketuar me parti të ndryshme politike të cilave ju ka premtuar përkrahje publike dhe vota klienteliste përmes nënshkrimit të marrëveshjeve e që është në kundërshtim të plotë me mandatin e SBASHK-ut”, thuhet në reagim

KMDLNj thotë se tani kur Ministria e Arsimit ka vendosur që mësimi të fillojë duke ndjekur rekomandimet e IKSHPK’së, SBASHK’u deklaron se nëse nuk janë plotësuar kushtet mësimi mund të shtyhet.

“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19, kemi pasur një ndërprerje të procesit mësimor në të gjitha nivelet dhe përcjellja e mësimit nga shtëpia lirisht mund të llogaritet si proces apo përpjekje e dështuar. Tash kur Ministria e Arsimit , në përputhje me rekomandimet e ISHPK ka marrë vendim fillimisht që procesi mësimor të fillojë me një shtator e që pastaj ka vendosur, për arsye objektive dhe subjektive të shtyjë për 14 ditë, SBASHK – u deklaron se procesi mësimor , nëse SBASHK-u konsideron se nuk janë plotësuar kushtet mund të shtyhet për një kohë tjetër dhe në këtë mënyrë i merr përgjegjësitë që nuk i takojnë por që janë përgjegjësi e MASHT-it sikur që del edhe kundër rekomandimeve të ISHPK –së”

“SBASHK-u , së paku në bazë të deklarimeve angazhohet për ngritjen e mirëqenies materiale të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka asnjë të drejtë të caktojë afate kohore se kur duhet të fillojë apo përfundojë procesi mësimor. Me grevën shantazhuese të SBASHK-ut që e dëmtoi shumë arsimin , me ndërprerjen e procesit arsimor për shkak të pandemisë dhe nëse edhe tani nuk fillon procesi arsimor , lirisht mund të themi se kjo gjeneratë do të jetë e humbur sa i përket arsimimit”

“Shtetet tjera kanë marrë vendim që t’i hapin institucionet arsimore përkundër faktit që nuk e kanë gjendjen aspak më të mirë se Kosova prandaj kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë”, thuhet në reagim. / KultPlus.com

Epidemiologu britanik: Mungesa në shkollë më e rrezikshme se COVID-19 për fëmijët

Profesori epidemiolog britanik Chris Whitty ka rekomanduar kthimin e fëmijëve në shkolla në Britaninë e Madhe, pasi në të kundërt do të ishte më e rrezikshme se vetë COVID-19.

Duke analizuar situatën profesori shprehet se shanset që të ketë viktima mes fëmijëve nga COVID-19 janë shumë të vogla, kurse dëmi prej mosrikthimit në shkolla do ishte shumë më i madh.

Po ashtu ai shprehet i bindur se virusi do të jetë sfidë dhe për të paktën 9 muaj, por ai sheh dritë në fund të tunelit teksa parashikon një ‘bllok’ përfundimtar të COVID-19 në dimrin e 2021- 2022.

“Shanset e fëmijëve që të vdesin nga Covid-19 janë jashtëzakonisht të vogla, por mësimet që mungojnë “dëmtojnë fëmijët në planin afatgjatë”.”Ekzistojnë gjithashtu dëshmi shumë të qarta nga Britania e Madhe dhe nga mbarë bota që fëmijët shumë më rrallë marrin një sëmundje të rëndë apo përfundojnë në spital kur shfaqin simptoma të COVID-19. Nuk ka gjasa të ketë një vaksinë në vitin 2020, por ekzistonnjë “shans i arsyeshëm” që një bllok i suksesshëm të ishte gati për dimrin vijues në 2021-22.”- tha Whitty. / KultPlus.com

Historia më e bukur që keni dëgjuar, të tillë mësues mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve



Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.
– A më mbani mënd?
– Jo.
– Kam qenë nxënësi juaj.
– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?
-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.
-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?
-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.
I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.

-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.
Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:
-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.
-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?
-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!

Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.

Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956. / KultPlus.com

Dhjetë mijë nxënës braktisin shkollat e Kosovës

Braktisja e shkollave nga nxënësit po vazhdon edhe këtë vit. Edhe këtë vit shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve, Ministria e Arsimit thotë se mbi 10 mijë nxënës kanë ndalur procesin mësimor.

E arsyet janë nga më të ndryshmet. Disa nxënës duket se kanë braktisur shkollën, arsyeje familjare u detyruan të lëvizini nga një qytet në tjetrin, ose për arsye të kushteve.Emigrimi po mbetet si një ndër faktorët kryesorë që shkollat e Kosovës po mbesin me më pak nxënës.

Alush Istogu, Drejtor në Departamentin parauniversiar thotë se numri i nxënësve që kanë braktisur mësimin në Kosovë, po del të jetë diku rreth 10 mijë.

“Në kuadër të MASHT-it e kemi grupin profesional qe ka nxjerrë strategjinë për braktisjen e nxënësve. Nëse shikojmë në rajon e kemi diku 1.9, përmbi 10 mijë nxënës, që nuk vijojnë mësimin”, thotë Alush Istogu, Drejtor i Arsimit Parauniversitar.

Sipas të dhënave në Ministrinë e Arsimit ka edhe raste të tilla kur nxënësit kalojnë nga një shkollë në tjetrën. Kurse emrat e tyre vazhdojnë të figurojnë në listat e vjetra.

“Por, këta nuk e kanë braktisur tani , cdo nxënës që regjistrohet deri sa te merr fletëkalimin nuk guxon ta shtyjë nga evidenca. Ne kemi kërkuar që nxënësi të lëvizë, ti jepet fleta e kalimit, të përcjellet në shkollën tjetër, e regjistron në librin amë, që fuhet të heket nga shkollë’’, shton ai për T7.

Por nëse bëjmë një krahasim me vitet e kaluar, duket se kjo dukuri është në rënie.

“Është një dukuri që braktisja nuk mundet të hiqet kurrë, por mund të zvogëlohet. Kemi pas një trend, 2.5 tani e kemi dikund 1.9. Është një dukuri në rënie”.

Istogu gjithashtu tregoi se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me MPB, kanë rregulluar që atyre nxënësve që kthehen nga vendet emigrante në Kosovë, të u mundësohet integrimi në shkollë.

Drejtori i departamentit parauniversitar thotë se viti 2017 ka qenë viti më i madh i braktisjeve por më pas, 2000 nxënës të rikthyer, janë integruar menjëherë në sistemin shkollor. /KultPlus.com