Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2045.

Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.

“Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.

Presidentja Osmani uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar fëmijët për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në urimin e saj, ajo thotë se aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.

Më tej, presidentja tha se shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin.

Lexoni më poshtë urimin e plotë të shefes së shtetit:

Fillimi i vitit të ri shkollor është ditë e veçantë për nxënësit, por po kaq shumë edhe për prindërit dhe mësuesit. Është dita kur oborret e shkollave gumëzhijnë nga zërat e gëzuar të nxënësve që kthehen nga pushimet verore, nga përqafimet mes shokëve dhe shoqeve që nuk janë parë për një kohë të gjatë, dhe nga sytë plot kuriozitet të atyre që hyjnë për herë të parë në tempullin e dijes. Ky gëzim, ky entuziazëm dhe kjo energji që ndihet në çdo kënd të shkollës na rikujton edhe një herë se shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngriten themelet për një të ardhme më të mirë.

Por, përtej simbolikës së ditës së parë të shkollës, suksesi i arsimit varet nga angazhimi ynë i përbashkët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin. Aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.

Të dashur nxënës, sot nisë një kapitull i ri plot me mundësi dhe ëndrra për t’i realizuar. Të nderuar mësimdhënës, vazhdoni t’i frymëzoni zemrat dhe mendjet e reja me pasion dhe përkushtim.

Urime për fillimin e vitit të ri shkollor! Qoftë ky vit një udhëtim i mbushur me suksese të panumërta, si dhe mësime të vlefshme që do t’ju udhëheqin gjatë gjithë jetës!

Komuna e Prishtinës fton nxënësit e klasave të dhjeta të aplikojnë për regjistrime në gjimnaze dhe shkolla profesionale

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës nga nesër shpallë të hapur konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë, në gjimnaze dhe në shkollat profesionale të kryeqytetit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se konkursi do të jetë i hapur nga data 18.07.2023.

“Të dashur nxënës

Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës nesër më datën 18.07.2023 shpall konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë në gjimnaze dhe në shkollat profesionale.

Ju ftojmë që të aplikoni në shkollat tuaja të preferuara, duke dorëzuar dokumentet e kërkuara në shkollën përkatëse.

Ju urojmë sukses dhe regjistrim në shkollat e preferuara nga ana juaj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës./KultPlus.com

Nxënësit pushojnë të hënën për shkak të Ditës së Çlirimit

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të kenë pushim ditën e hënë, më 13 qershor, për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Edhe pse Dita e Çlirimit kremtohet më 12 qeshor, nxënësit do të pushojnë të hënën shkas i kësaj dite.

Në këtë datë këmbësoria e NATO-s zbarkoi në territorin e Kosovës, duke i dhënë fund vuajtjeve të popullit shqiptar.

Serbia ka tërhequr forcat paraushtarake nga territori i Kosovës, pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Ndërkaq, disa nxënës do të pushojnë edhe të martën për shkak se në disa shkolla organizohet “Testi i Arritshmërisë”. /KultPlus.com