MASHT reagon për foton me flamurin turk në Prizren, me rastin sot merren inspektorët


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë reagoi ashpër ndaj rastit, i cili është paraqitur në media, ku shihet një person i rritur, që besohet të jetë mësimdhënës, dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thuhet në njoftim.

MAShT paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve.

MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset. / KultPlus.com

Nxënësit blejnë tekste, të cilat MASHT-i “i shpërndan” falas

Kanë kaluar 2 muaj që kur ka nisur viti i ri shkollor, por shumica e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta ende vuajnë nga mungesa e teksteve shkollore, të cilat Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është zotuar t’i ndajë falas.

Gazeta ka mësuar se MASHT-i këtë vit i ka pasur në dispozicion 9 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore. Kjo ministri nuk ka dhënë sqarime se çfarë ka ndodhur me këto mjete dhe përse në shkolla nuk kanë mbërritur një pjesë e madhe e librave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prindërit janë detyruar t’ua blejnë fëmijëve disa nga librat për të cilat një herë janë ndarë mjetet nga buxheti.

N. N. nga Prishtina ka treguar sesi i ka shpenzuar afro 30 euro për t’ia blerë vajzës së tij shtatë tekste të klasës së gjashtë, meqë sipas tij ato nuk i janë kanë dhënë në shkollë./ KultPlus.com

Studiuesit e letërsisë: Nxënësit lexojnë vepra të cilat nuk i kuptojnë

Në shumë tekste shkollore kryesisht ato të letërsisë, nxënësve u kërkohet të lexojnë diçka që është shkruar në një kohë dhe stil, që sot mund të mos jenë aspak të përshtatshme për ta.

Veç kësaj, edhe nisja e zbatimit të kurrikulës së re në arsimin parauniversitar ka sjellë mospërputhje të mëdha të këtyre teksteve, të cilat janë hartuar vite më parë, raporton KTV.

Fëmijët në ciklin e ulët obligohen që t’i mësojnë veprat e shkruara në gegërisht të autorëve të vjetër, e që shpesh nuk arrijnë as t’i kuptojnë.

Agron Gashi, njohës i letërsisë shqipe, thotë se MASHT-i duhet të ndërhyjë dhe të bëjë përshtatjen e librave varësisht me moshën e fëmijëve.

Në Këshillin e ekspertëve të MASHT-it, për ndryshimin e teksteve shkollore, nuk tregojnë për detajet se cilat libra do të pësojnë ndryshime, por thonë se në 71 tekste janë duke ndërhyrë.

Fatmir Bytyçi, nga Këshilli i ekspertëve në MASHT, thotë se Këshilli gjatë punës ka hasur në vështirësi, pasi që nuk ka pasur kompetenca për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për shkak se këtë nuk ua ka lejuar Ligji për arsimin e lartë.

Sipas tij, deri në vitin e ri akademik 2019-2020, fëmijët do të nisin procesin mësimor me tekste të reja shkollore, ku vetëm ato shkencore do të mbesin të njëjta.

Megjithatë, derisa të bëhet një gjë e tillë, për mësimdhënësit, ky Këshill ka hartuar një udhëzues se si të veprojnë dhe ta përshtatin kurrikulën e re me tekstet e vjetra shkollore./KultPlus.com

Publikohen filmat e animuar të realizuar nga nxënësit e Vushtrrisë dhe Therandës

Nxënësit e shkollës “Liria” dhe “Bajram Curri” pas kursit për animacion kanë realizuar dy filma të animuar, shkruan KultPlus.

Gjatë muajit qershor nxënësit e shkollës “Liria” në Stroc të Vushtrrisë dhe nxënësit e shkollës “Bajram Curri” në Nishor të Therandës kanë vijuar kursin për animacion në teknikën “stop motion”.

Pas kursit, nxënësit kanë prodhuar 2 filma të shkurtër të animuar mbi të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe respektin e solidaritetin./KultPlus.com

Realizmi i këtyre dy filmave është mbështetur nga projekti “Kultura për ndryshim”./KultPlus.com

Të përjashtuarve nga Testi i Maturës në ditën e parë, nuk u lejohet hyrja as në ditën e dytë

Nxënësit që janë përjashtuar nga Testi i Maturës në ditën e parë, nuk lejohen të hyjnë as në ditën e dytë të këtij testi, njoftoi Komisioni Shtetëror i Maturës.

Dita e dytë e Testit të Maturës mbahet sot, ndërsa, Komisioni Shtetëror i Maturës njofton se nxënësit të cilët janë përjashtuar nga testi në ditën e parë (afati i parë) nuk u lejohet që të marrin pjesë gjatë pjesës në ditën e dytë të testit. Vendimi i KShM-së bazohet në vendimin nr. 329/01B të datës 03.05.2018 të ministrit të Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

KShM po ashtu bënë të ditur se ndaj personave që nuk e përfillin këtë vendim do të merren masa./ KultPlus.com

MASHT bën dallime etnike në PISA, nuk do t’i nënshtrohen testit nxënësit e komuniteteve pakicë

Në një konferencë të Ministrisë së Arsimit për lansimin e fushatës në lidhje me Testin PISA 2018 që po organizohet bashkë me GIZ-in gjerman, ministri Shyqiri Bytyqi tregoi kur do të nisë dhe kur do të përfundojë ky test sivjet.

“PISA do të fillojë me 11 prill dhe do të përfundojë më 5 maj”, tha Bytyqi.

Ai konstatoi se Kosova këtë herë do të jetë shembull në Testin PISA.

“Ne do të jemi shembull këtë radhë në Testin Pisa 2018. Nuk ka shkollë në Kosovë që nuk flitet për PISA 2018”, tha ministri Bytyqi.

Ruben Faller nga GIZ-i gjerman përgëzoi ministrinë për vazhdimin e pjesëmarrjes në Testin PISA edhe pas rezultatit shumë të dobët të treguar në këtë test.

“Më lejoni të uroj ministrinë për gatishmërinë për të vazhduar pjesëmarrjen në PISA. Ne duhet ta vendosim edukimin dhe studentët në frontin e reformës për edukim”, tha Faller.

Ndërsa ministri Bytyqi tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Janë mbledhur 25 mijë nënshkrime me kërkesë që arsimi vërtet të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Edhe Skender Susuri, kryesues i Komisionit për Testin PISA tha se sivjet rezultati do të jetë më i mirë se në 2015-ën.
“Hapi i parë që e ka bo komisioni është që ta krijojmë një plan dhe udhëzim administrativ që përcakton përgjegjësitë për PISA”, tha Susuri

Ai tregoi se në Testin PISA 2018 do të marrin pjesë 5375 nxënës nga 211 shkolla.

Sipas Susurit, komuniteti serb nuk ishte bashkëpunues, ndërsa në Testin PISA nuk do të marrin pjesë komuniteti boshnjak dhe turk.

Në Testin PISA 2015 nxënësit kosovarë kaluan shumë keq./ KultPlus.com

‘Edukata Qytetare’ e klasës së gjashtë me gabime të rënda drejtshkrimore (FOTO)

Në Edukatën Qytetare të klasës së 6 të shkollës fillore, është një hartë në të cilën emrat e komunave të Kosovës janë shkruar gabim, shkruan KultPlus.

Këtë gjë përmes fotografisë e ka treguar nëpërmjet rrjetit social Facebook, profesori Rrahman Paçarizi, i cili poashtu ka shprehur shqetësimin e ti për nxënësit që kanë në dorë këtë libër.

“Se në ç’gjendje është shkolla shqipe, dëshmon kjo hartë me emrat e komunave të Kosovës.
Gjilanë, Ferizajë, Istogë, Deqanë, Kaqanikë…. Mozomakeq. Libri është i financuar nga taksat tona, pra.
Me siguri ka nxënës të cilët janë ndëshkuar pse i kanë shkruar gabimisht emrat e qyteteve. Po për librin?”, ka shkruar Paçarizi./ KultPlus.com