“Kisha e “Shën Marisë” në Niçë është një objekt kulti i rrallë i ndërtuar në vitin 1749 mbi gurthemelin shekullor të një kishe të hershme.
Duke sjellë pamje nga kjo kishë, deputetja socialiste Blerina Gjylameti u shpreh se “në këtë monument kulture, natyra e bukur e zonës dhe arkitektura tradicionale ku mbizotëron guri dhe druri, janë harmonizuar aq bukur me njëra-tjetrën. Bashkë me monumente të tjera kulturore dhe natyrore të Gorës i ofrojnë zonës një mundësi të madhe të zhvillimit te turizmit”.
Në malësitë e Gorës, ndodhet fshati Niçë, i cili në shekullin e 18-të ka qenë një prej zonave më të zhvilluara në periudhën e lavdishme të Voskopojës dhe Grabovës, e banuar nga popullsi vllehe.
E njohur nga historia si një qytet mesjetar e krijuar që në shekullin X nga fiset armene (vllahe) dhe vazhdon të mbetet një nga ikonat historike më pak e folur dhe e shkruar për vlerat që mbart në historinë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Niça në të shkuarën ka qenë nga vendbanimet armene më të hershme dhe më të populluara pas Voskopojës, e cila flet për kulturën dhe civilizimin romak e bizantin që mbarte në historinë e saj. Ajo ka qenë dhe një nyje lidhëse në rrugën e vjetër “Egnatia”, ku njëra nga degët kalonte në Grabovë dhe shtrihej pastaj drejtë Shqipërisë së Mesme dhe asaj verilindore.
Nga lavdia e dikurshme ka mbetur vetëm Kisha e Shën Marisë ndërtuar sipas mbishkrimit në vitin 1749, një nga 3 urat e vjetra dhe derstila në afërsi të saj.Kisha e rishpallur monument kulture në vitin 2015 është një dëshmi e qartë e qytetërimit, dhe zhvillimit, e restauruar në fillim të luftës të parë botërore nga vullnetarët e trupave franceze dhe banorët e zonës në mënyrë naive, sot ndodhet në një gjendje jo të mirë. Piktura murale në brendësi të saj shfaq disa skena të rralla dhe unike, të pikturuara nga Vëllezërit Jeromonahu dhe autorë të tjerë të panjohur. /atsh / KultPlus.com