OBSH paralajmëron: Omicron po përhapet në Ballkan

Më shumë se gjysma e popullsisë në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mund të infektohet nga Omicron brenda dy muajve të ardhshëm, paralajmëroi të martën agjencia e OKB-së, përcjell KultPlus.

Doktori belg, Hans Kluge, ka thënë se Omicron “përfaqëson një valë të re të baticës perëndimore në lindje” që përfshin 53 vendet që përbëjnë rajonin e Evropës të OBSH-së.

Më shumë se shtatë milionë infeksione u konfirmuan në të gjithë rajonin në javën e parë të 2022.

“Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se mbi një për qind e popullsisë së tyre po infektohet me COVID-19 çdo javë,” tha Dr Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën. Pesëdhjetë vende kanë raportuar tani raste të Omicron me variantin “duke u bërë shpejt virusi dominues në Evropën Perëndimore dhe tani po përhapet në Ballkan,” shtoi ai.

Provat kanë treguar se Omicron është shumë më i transmetueshëm se lloji origjinal i virusit ose varianti Delta, siç bën të ditur OBSH. /KultPlus.com

OBSH: Omicron nuk duhet të kategorizohet ‘i butë’

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se varianti Omicron i koronavirusit duket se nuk shkakton sëmurje të rënda, në krahasim me variantin Delta, por nuk duhet të kategorizohet “i butë”.

Janet Diaz nga OBSH, ka thënë më 6 janar se studimet e hershme tregojnë se nga Omicron ka më pak mundësi të shtrimit të njerëzve në spital.

Ajo u ka thënë gazetarëve nga Gjeneva, se rreziku më i vogël vërehet si te të rinjtë, ashtu edhe te personat më të moshuar.

“Ndonëse Omicron duket se nuk shkakton sëmurje të rënda në krahasim me Deltan, sidomos te personat e vaksinuar, kjo nuk nënkupton se ai duhet të konsiderohet i butë”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në të njëjtën konferencë për media.

“Sikur edhe variantet tjera, Omicron është duke shtrirë njerëzit në spital dhe po i vret ata”.

Ai ka paralajmëruar për një “cunami” të infektimeve globale.

Agjencia ka regjistruar 9.5 milionë raste të reja në gjithë botën, çka shënon rritje prej 71 për qind nga java në javë.

Numri i saktë i të infektuarve besohet se është shumë më i lartë pasi shumë rajone nuk janë duke testuar mjaftueshëm njerëz, apo raportimet nuk janë të plota./KultPlus.com

Bota duhet të mësojë të bashkëjetojë edhe këtë vit me Covid-19

Omicron, deri më sot varianti më infektiv i koronavirusit, po përhapet aq shpejt në mbarë botën, saqë është shumë e lehtë të ndihesh i dëshpëruar mbi perspektivat e largëta të zbutjes disi të pandemisë, dhe lëre më pastaj të fundit të saj brenda vitit 2022.

E megjithatë ka arsye të forta të mendohet se pesha e Covid-19 në shëndetin global, dhe ndikimi i tij më i gjerë në fushën sociale dhe ekonomike mund të zbehet këtë vit, në rast se qeveritë dhe autoritetet shëndetësore do të ndjekin politikat e duhura, dhe nëse ky virus shumë dinak dhe i paqëndrueshëm, zhvillohet në mënyrën që parashikohet nga shumë shkencëtarë dhe ekspertë.

Aktualisht ka një debat në rritje, midis atyre që mendojnë se patogjenët e rinj si Sars-Cov-2, priren me kalimin e kohës të shkaktojnë sëmundje më të lehta, dhe atyre që mendojnë se viruset të tilla kanë po aq gjasa të evoluojnë në një drejtim më virulent.

Pa marrë anë në këtë debat, është e arsyeshme të arrihet në përfundimin se ndërveprimi midis virusit dhe sistemit imunitar të njeriut, do të thotë se sa më shumë njerëz që kanë një mbrojtje kundër simptomave të rënda të Covid-19 përmes vaksinimit apo infektimit me të, aq më e mirë është edhe perspektiva.

Asnjë pasardhës i mundshëm i Sars-Cov-2, nuk mund të ketë mjaftueshëm mutacione në vendet e duhura, për t’i shpëtuar plotësisht vëmendjes së antitrupave dhe qelizave T, të krijuara nga ekspozimi paraprak ndaj një varianti të mëparshëm.

Prandaj, përparësia kryesore është vaksinimi i të gjithë banorëve të botës, siç duhet të ishte edhe gjatë vitit të kaluar. Mjerisht, pabarazia e shpërndarjes së vaksinës kundër Covid-19 nuk ka qenë kurrë më e madhe.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani vetëm 10 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta ka marrë të paktën një dozë vaksine, në një kohë që qytetarët në vendet e pasura po marrin vaksinën e tretë apo edhe të katërt.

Siç thotë OBSH-ja, me prodhimin global të vaksinave që është afro 1.5 miliardë doza në muaj, do të ketë mjaftueshëm vaksina për të vazhduar me vaksinimet përforcuese, duke çuar shumë më tepër furnizime në vendet më të varfra se sa në vitin 2021, përmes skemave të tilla si COVAX.

Megjithëse vendet e industrializuara janë të justifikuara që të mbrojnë popullsinë e tyre me doza përforcuese për të rriturit, dhe fushatat për ta shtrirë vaksinimin tek fëmijët, ne nuk mund të presim që të vazhdojmë të vaksinojmë njerëzit çdo 4-6 muaj për shumë kohë për të përballuar përhapjen e varianteve të reja.

Ne do të duhet të mbështetemi tek imuniteti i siguruar nga vaksinimet vjetore – mundësisht me një gjeneratë e re produktesh, të cilat janë efektive kundër të gjitha varianteve të koronavirusit – dhe nga ekspozimi i përsëritur ndaj atij që herët a vonë do të bëhet një infeksion endemik.

Qeveritë dhe entet rregullatore, duhet të inkurajojnë zhvillimin e teknologjive të reja të vaksinave, për të plotësuar monopolin që gëzojnë Moderna dhe BioNTech/Pfizer në botën e zhvilluar me produktet e tyre mRNA. Njëkohësisht, duhen më shumë investime në drejtim të prodhimit të barnave antivirale, të cilat mund të luajnë një rol më të madh në zvogëlimin e simptomave tek ata që janë të infektuar me Covid-19.

Një fushë tjetër jetike ku duhen investime është diagnostikimi dhe mbikëqyrja. Këtu kërkesat variojnë nga sigurimi i mjaftueshëm i testeve të shpejta për njerëzit që duhet të verifikojnë nëse janë të infektuar përpara se të takohen me të tjerët, deri në ndërtimin e më shumë kapaciteteve për sekuencimin gjenomik të koronavirusit në mbarë botën, për të monitoruar shfaqjen e varianteve të reja.

Çfarëdolloj mundësish të pakta që mund të kishim në fillim të vitit 2020 për të eliminuar Covid-19, ato kanë kohë që kanë ikur. Përpjekjet për ta vënë nën kontroll pandeminë, janë justifikuar deri më tani në kontekstin e një emergjence shëndetësore globale, por ato nuk mund të vazhdojnë pafundësisht.

Dëmi anësor – për shëndetin dhe mirëqenien mendore, kohezionin social dhe ekonominë globale – do të ishte shumë i madh. Këtë vit bota do të duhet të ndërtojë një lloj elasticiteti, që ne të mundemi të bashkëjetojmë me Sars-Cov-2 dhe pasardhësit e tij, në një mënyrë që të na shkaktojë më pak përçarje, duke mbrojtur ata që janë më të cenueshëm. /KultPlus.com

Bota duhet të mësojë të bashkëjetojë edhe këtë vit me Covid-19

OBSH paralajmëron valë të re të variantit Omicron, apelon për marrjen e dozës së tretë të vaksinës

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për Evropën, Hans Kluge ka paralajmëruar “stuhi” të re të variantit Omicron të COVID-19 në gadishullin evropian.

Ai i ka ftuar të gjithë që të marrin dozën e tretë të vaksinës.

“Bëni vaksinën përforcuese, bëjeni, bëjeni! Vaksina përforcuese është mbrojtja më e rëndësishme ndaj Omicron”, tha ai.

Drejtuesit e OBSH’së kanë paralajmëruar vazhdimisht qeveritë se “doza e tretë e vaksinës është një luks dhe do të ishte më mirë që vaksinat shtesë të shiten në vendet më të varfëra”, raporton atsh.

Me përhapjen e variantit Omicron, shtete të shumta kanë filluar me administrimin e dozës së tretë të vaksinës.

Izraeli tashmë po bënë planet për administrimin e një dozë të katërt.

Shtete të shumta janë duke u përballur me një valë të re të pandemisë, përkundër që kanë një numër të madh te popullsisë së vaksinuar./KultPlus.com

OBSH: Rreziku global nga mutacioni Omicron është shumë i lartë

Varianti Omicron, i koronavirusit i cili është shfaqur në më shumë se 60 vende, përbën një rrezik shumë të lartë global”, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ka dyshime për variantin Omicron, i cili u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Hong Kong muajin e kaluar, mutacionet e të cilit mund të çojnë në transmetueshmëri më të lartë dhe më shumë raste të koronavirusit, sipas një dokumenti të OBSH-së të publikuar së fundmi.

“Rreziku i përgjithshëm i lidhur me variantin e ri të interesit Omicron mbetet shumë i lartë për një sërë arsyesh”, tha OBSH.

OBSH citon disa prova paraprake se numri i njerëzve të ri-infektuar me virus është rritur në Afrikën e Jugut. Megjithëse gjetjet paraprake nga Afrika e Jugut sugjerojnë se Omicron mund të jetë një variant më pak i rëndë se Delta që aktualisht dominon botën dhe të gjitha rastet e raportuara në Evropë janë të lehta ose asimptomatike. / KultPlus.com

OBSH: Jo panik nga varianti Omicron, duhet të jemi të përgatitur

Organizata Botërore e Shëndetësisë  së fundmi ka deklaruar se nuk duhet që të bëhet panik për variantin e ri të Covid, Omicron por duhet të jemi të vëmendshëm.

Shkencëtarja kryesore e OBSH-së Soumya Swaminathan në deklaratën e saj të fundit ka bërë me dije se situata tani ishte shumë e ndryshme nga një vit më parë. Deri më tani rezulto se Omicron është i përhapur në 40 vende, por akoma nuk ka një studim që tregon nëse varianti i ri ka një nivel më të lartë transmetueshmërinë ose më i aftë për t’iu shmangur vaksinave.

Të dhënat praprake të raportuara nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut, ku varianti u zbulua për herë të parë, thuhet se Omicron mund të shmangë njëfarë imuniteti ndaj Covid-19 , megjithëse ekspertët paralajmërojnë se analiza nuk është përfundimtare.

Swaminathan ndër të tjera është shprehur se duke cituar të dhënat e para rezulto se varianti është shumë i transmetueshëm dhe se mund të bëhet dhe mbizotërues por akoma nuk mund të themi asgjë me bindje.

Aktualisht është varianti Delta që përbën 99% të rasteve globalisht. Sipas saj është e rëndësishme të jemi të përgatitur jo të bëjmë panik./KultPlus.com

Omicron, OBSH paralajmëron për rritjen e rasteve në të gjithë botën

Organizata Botërore e Shëndetësisë  ka paralajmëruar të gjitha vendet që të përgatiten për rritjen e rasteve të Covid. Drejtori rajonal i OBSH-së për Paqësorin perëndimor, Dr Takeshi Kasai, tha shpërndarja gjeografike e variantit të ri  ka të ngjarë të jetë më e lartë se sa është raportuar.

Kasai shton se vendet kanë marrë mësime nga përhapja dhe shpërndarja e variantit Delta. Dr Babatunde Oloëokure, drejtor rajonal i urgjencës së OBSH-së, tha se pezullimi i udhëtimeve mund të pengojë përhapjen e variantit.

Ai ka deklaruar gjithashtu se OBSH po punon me një “numër të madh” institucionesh kërkimore për të studiuar Omicron, por deri më sot ata nuk kanë marrë asnjë informacion, i cili mund të sugjerojë nevojën për të ndryshuar qasjen ndaj pandemisë të miratuar nga vendet deri më tani.

Sipas OBSH-së mbajtja e maskave, distancimi fizik, larja e duarve, shmangia e grumbullimeve, gjurmimi i kontaktit,  izolimi i rasteve dhe vaksinimi mbeten të gjitha të rëndësishme./abcnews.al /KultPlus.com

OBSH: Kufizimet në udhëtime nuk e parandalojnë përhapjen e Omicronit

Kufizimet e plota të udhëtimeve nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pasi dhjetëra shtete kanë bllokuar udhëtimet nga shtetet e Afrikës së Jugut.

Në disa udhëzime të publikuara më 30 nëntor, OBSH ka thënë se në vend të ndalesave, shtetet duhet të praktikojnë masa “të bazuara në të dhëna dhe rrezik”, duke përfshirë testimin e pasagjerëve dhe masa të karantinës, të cilat mund të zvogëlojnë importimin apo eksportimin e variantit Omicron.

“Kufizimet e plota nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare dhe ato rëndojnë jetët tona”, ka thënë OBSH, duke shtuar se kufizimi i fluturimeve nga vendet si Afrika e Jugut, ndëshkojnë padrejtësisht këtë shtet pse ka qenë transparent për urgjencën e variantit të ri.

Rasti i parë me këtë virus është raportuar në Afrikën e Jugut një javë më parë dhe prej atëherë ai është identifikuar në të paktën 20 shtete.

Rreth 56 shtete janë duke zbatuar kufizime në udhëtim, me qëllim të parandalimit të përhapjes së variantit Omicron, ka thënë mes tjerash OBSH. /REL/KultPlus.com

OBSH e shqetësuar për përhapjen e COVID-19 në Evropë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se është “shumë e shqetësuar” për rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë.

Duke folur për BBC-në, më 20 nëntor, drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge paralajmëroi se rreth 500,000 vdekje mund të regjistrohen deri në muajin mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.

Paralajmërimi i tij pasoi njoftimet e Çekisë dhe Sllovakisë për numër rekord të rasteve të reja me COVID-19. Edhe vende tjera evropiane kanë raportuar për përkeqësim të situatës me pandeminë.

Kluge tha se janë në numër faktorësh që kanë ndikuar në këtë përfshirë vaksinimin e pamjaftueshëm, sezonin e dimrit dhe dominimin rajonal të variantit shumë të transmetueshëm Delta.

Më parë gjatë javës, Austria ka njoftuar një bllokim kombëtar duke filluar nga 22 nëntori, ndërsa vende si Republika Çeke dhe Sllovakia kanë thënë se po vendosin kufizime të reja ndaj njerëzve që nuk janë të vaksinuar.

Javën e kaluar Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 pasi gjatë periudhës së fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus. /REL/KultPlus.com

OBSH kërkon rikthimin e masave

Situata epidemiologjike nga koronavirusi në shumë vende të botës është përkeqësuar dukshëm në prag të dimrit dhe për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për rikthimin e disa prej masave.

Sipas ekspertes së OBSH, Maria van Kerkhove, varianti Delta është aktualisht forma më agresive e virusit, i cili është përhapur në të gjithë botën dhe për këtë arsye duhen marrë masa shtrënguese për t’u mbrojtur.

Kerkhove citon se përdorimi i maskave, ajrosja e ambienteve të brendshme, shmangia e turmave dhe puna nga shtëpia aty ku është e mundur do të ndihmonin në këto momente të vështira nga një valë e re infektimesh në shumë vende.

Situata epidemiologjike në shumë vende, është përkeqësuar për shkak të shfaqjes së variantit delta dhe uljes së ritmit të procesit të vaksinimit. OBSH ka bërë shpesh thirrje për shpërndarjen e barabartë të tyre, në mënyrë që të arrihet imuniteti i tufës, por duket se qeveritë e vendeve të pasura nuk e kanë zbatuar atë./KultPlus.com

Shefi i OBSH-së tregon kur mund t’i vije fundi pandemisë

Pandemia e COVID-19 do të përfundojë “kur bota të vendosë t’i jep fund”, pasi “të gjitha mjetet” për të luftuar virusin janë tani në dispozicion, deklaroi sot shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke përsëritur thirrjet e tij për një shpërndarje më të drejtë të vaksinës.

“Pandemia do të përfundojë kur bota të vendosë t’i jep fund, është në duart tona, të gjitha mjetet e nevojshme janë në dispozicion”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në një konferencë në Berlin.

Ai shprehu keqardhjen që deri më tani “bota nuk i ka përdorur me mençuri këto mjete” dhe tha se me “rreth 50.000 vdekje në botë në javë, pandemia është larg përfundimit”.

Kreu i OBSH -së foli në hapjen e madhe të “Samitit Botëror për Shëndetin”, mbledhja vjetore e profesionistëve dhe politikanëve në Berlin.

Objektivi i OBSH-së është që 40 për qind e popullsisë së çdo vendi të vaksinohet deri në fund të vitit dhe 70 për qind deri në mesin e vitit 2022. Tedros thekson rregullisht se i vjen keq për akumulimin e vaksinave kundër COVID-19 në vendet e pasura.

“Është e mundur, por vetëm nëse vendet dhe kompanitë që kontrollojnë furnizimin i kthejnë fjalët e tyre në vepra. Vendet që kanë vaksinuar tashmë 40 për qind të popullsisë, duke përfshirë G20, duhet t’i lënë sasitë e tyre në shpërndarjen e vaksinave në sistemin ndërkombëtar Covax dhe Fondin Afrikan të Prokurimit të Vaksinave (Avat) të krijuar nga Bashkimi Afrikan,” tha Tedros.

“Prodhuesit e vaksinave duhet të ndajnë njohuritë, teknologjitë dhe licencat e tyre dhe të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale,” shpjegoi ai.

Në një video-mesazh të regjistruar, kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, vlerësoi se “suksesi i vaksinave, të zhvilluara dhe të vendosura në treg në kohë rekord, u la nën hije nga tragjedia e shpërndarjes së padrejtë”.

“Ne të gjithë jemi të kërcënuar nga nacionalizmi dhe akumulimi i vaksinave,” tha Guterres./KultPlus.com

OBSH rekomandon dozën përforcuese

Një komitet ekspertësh i OBSH rekomandoi sot administrimin e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për personat me imunitet të dobësuar, ndër të tjerë, për të gjitha vaksinat e miratuara nga agjensia e OKB-së.

Ekspertët e OBSH-së shpjeguan se rekomandimi i dozës së tretë nuk kishte të bënte me popullatën e përgjithshme.

“Rekomandimi që po japim tani është që njerëzve, të cilët kanë një imunitet të kompromentuar, t’u jepet një dozë shtesë, për të kthyer përgjigjen e tyre imune në nivelin e mbrojtjes së kërkuar për parandalimin e zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes, që kërkojnë shtrimin në spital ose që shkaktojnë vdekje”, shpjegoi Dr. Kate O’Brien, Drejtoresha e Departamentit të Imunizimit në OBSH.

“Kjo dozë e tretë duhet të ndahet nga e dyta me një deri në tre muaj”, shtoi Dr. O’Brien.

I njëjti komitet rekomandoi një dozë të tretë për personat 60 vjeç e lart të imunizuar me vaksinat antiCOVID-19 të kompanive kineze Sinovac dhe Sinopharm.

“Doza e tretë mund të jetë një vaksinë tjetër e një lloji tjetër”, tha komiteti SAGE i OBSH-së në një konferencë shtypi.

OBSH-ja ka miratuar dy vaksina mARN nga Moderna dhe Pfizer-Biontech, dy vaksina kineze nga Sinopharm dhe Sinovac, vaksina nga Johnson & Johnson dhe ajo nga Astrazeneca./atsh/Kultplus.com

OBSH: Ndotja e ajrit vret shtatë milionë persona në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka fuqizuar të mërkurën udhëzimet e reja për kualitet të ajrit, duke thënë se ndotja e ajrit është një prej kërcënimeve më të mëdha të ambientit për shëndetin e njerëzve, dhe për pasojë shkakton shtatë milionë vdekje të parakohshme në vit.

Kjo Organizatë ka thënë se nevojitet veprim urgjent për të zvogëluar daljen në ajër të ndotur, derisa e ka renditur dëmin e tij në linjë me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm.

“OBSH ka ndryshuar pothuajse të gjitha udhëzimet për kualitetin e ajrit, duke paralajmëruar se tejkalimi i niveleve të reja është i lidhur me rreziqe të konsiderueshme në shëndet” ka thënë Organizata, duke shtuar se “zbatimi i niveleve të reja mund të ruajë miliona jetë”.

Udhëzimet synojnë të mbrojnë njerëzit nga efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit dhe të njëjtat përdoren si referenca nga qeveritë për të krijuar standarde që duhen zbatuar.

Hera e fundit kur OBSH-ja ka publikuar udhëzime për kualitet të ajrit ka qenë viti 2005. /REL/KultPlus.com

OBSH dhe UNICEF thirrje Evropës: Shkollat duhet të qëndrojnë të hapura

Shkollat ​​në të gjithë Evropën duhet të qëndrojnë të hapura dhe të bëhen më të sigurta për stafin dhe fëmijët. Këtë ka kërkuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF, teksa varianti i ri ‘Delta’ po bëhet gjithnjë e më shumë i transmetueshëm.

“Pandemia ka shkaktuar ndërprerjen më katastrofike të arsimit në histori,” tha Hans Kluge, kreu i rajonit të OBSH -së në Evropë. “Është jetike që mësimi i bazuar në klasë të vazhdojë pa ndërprerje.”

Kluge tha se ndërsa pandemia vazhdoi, “edukimi i fëmijëve në mënyrë të sigurt në një mjedis shkollor fizik” ishte “me rëndësi parësore për arsimin e tyre, shëndetin mendor dhe aftësitë shoqërore” dhe duhet të bëhet “një objektiv parësor” për qeveritë.

Sipas mediave të huaja, 44 nga 53 vende në rajonin e OBSH-së në Evropë mbyllën shkollat ​​e tyre në rang vendi në kulmin e valës së parë të pandemisë në Prill 2020, dhe ndërsa shumica u rihapën në muajin shtator, rritja e shifrave të infektimeve ndezi kufizime të reja dhe më shumë mbyllje në dhjetëra vende gjatë vjeshtë dhe dimër.

Mungesat masive dhe mbylljet e shpeshta të shkollave kanë vazhduar në disa vende gjatë pranverës dhe fillimit të verës, me më shumë se 1 milion fëmijë, ose 14.3% të grupmoshës, jashtë shkollës për arsye të lidhura me Covid-ose të izoluar ose sepse shkolla e tyre u mbyll – në Angli në fund të korrikut.

“Ne inkurajojmë të gjitha vendet që t’i mbajnë shkollat ​​të hapura dhe i nxisim të gjitha shkollat ​​të vendosin masa për të minimizuar rrezikun e Covid-19 dhe përhapjen e varianteve gjatë gjithë vitit të ri shkollor”, tha Kluge në një deklaratë të përbashkët me zëvendës drejtorin rajonal të fondit të OKB -së për fëmijë për Evropën dhe Azinë Qendrore, Philippe Cori.

Të dyja organizatat thanë se mësuesit dhe personeli tjetër i shkollës duhet të jenë grupet kryesore të synuara për kryerjen e vaksinimit, duke shtuar domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë fëmijëve në moshën 12 vjec e lart.

Mjediset shkollore gjithashtu duhet të bëhen më të sigurta duke përmirësuar ventilimin në klasë, duke zvogëluar madhësitë e klasave aty ku është e mundur, duke ruajtur rregullat e distancimit fizik dhe duke testuar rregullisht si nxënësit ashtu edhe stafin, rekomanduan ata.

“Pandemia nuk ka mbaruar,” tha Cori. “Fëmijët dhe të rinjtë nuk mund të rrezikojnë të kenë një vit tjetër të të mësuarit të ndërprerë. Ata kanë qenë viktimat e heshtura të pandemisë dhe më të margjinalizuarit kanë qenë ndër më të goditurit. “

“Vaksinimi është linja jonë më e mirë e mbrojtjes kundër virusit, ndërsa vazhdojmë të vazhdojmë të ndjekim masat e shëndetit publik dhe social që ne njohim si punë, duke përfshirë testimin, sekuencimin, gjurmimin, izolimin dhe karantinën,” tha Kluge./KultPlus.com

OBSH-ja bën thirrje që të shpërndahen vaksina në vendet e varfra

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar shteteve të pasura të dhurojnë vaksina për vendet e varfra dhe të rishikojnë planet për vaksinimin e fëmijëve.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një takim virtual në Gjenevë se ai e kupton faktin se disa vende duan të vaksinojnë fëmijët dhe adoleshentët, por ai ka sugjeruar që kjo të mos bëhet, por ato vaksina të dhurohen për vendet e varfra.

COVAX është një skemë globale e shpërndarjes së vaksinave në vendet e varfra. Deri më tani, përmes këtij programi janë shpërndarë rreth 60 milionë doza, por procesi ka hasur në vështirë pjesërisht për shkak të kufizimeve të eksportit indian të vaksinës AstraZeneca për shkak të gjendjes epidemiologjike në këtë vend.

OBSH shpreson që më shumë vende do të ndjekin shembullin e Francës dhe Suedisë në dhurimin e vaksinave për COVAX pas imunizimit të popullsisë së tyre prioritare.

Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet që kanë të autorizuara vaksinat për përdorim tek adoleshentët.

Deri më tani, rreth 1.26 miliardë doza të vaksinës COVID-19 janë injektuar në të gjithë botën, por shumica kanë shkuar te njerëzit në vendet e pasura.

Më shumë se 160 milionë njerëz në botë janë konfirmuar si të infektuar nga koronavirusi dhe gati 3.3 milionë kanë vdekur, sipas një vlerësimi nga Universiteti Johns Hopkins me bazë në SHBA. / KultPlus.com

Alarmi nga OBSH: Varianti indian i Covid është shqetësim global

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka klasifikuar variantin e koronavirusit që është zbuluar për herë të parë në Indi si një variant që është shqetësim në të gjithë botën.

Në një deklaratë, OBSH ka thënë se nga studimet paraprake, mutacioni i njohur me emrin shkencor B.1.617 përhapet më lehtë sesa variantet e tjera dhe kërkon studim të mëtejshëm.

Sipas kësaj organizate varianti tashmë është përhapur në më shumë se 30 vende, por rreziku që të shpërndahet dhe në vendet e tjera është shumë i madh.

Shumë shkencëtar po e studiojnë këtë variant për të vërtetuar nëse është shkaku kryesor për rritjen e rasteve të vdekjeve në Indi, duke shkaktuar dhe miliona infektime që kanë sjell një kaos në spitalet e vendin për shkak të mungesës së oksigjenit.  

Deri tani nga studimet paraprake, varianti indian është një shqetësim global, pasi përmbush disa kritere duke përfshirë transmetimin e lehtë, simptoma më të rënda dhe nuk mund të shërohet nga antitrupat dhe vaksinat.

Më herët dhe tri variante të tjera nga Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut dhe Brazili sipas OBSH janë variante që kanë shkaktuar një shqetësim në të gjithë botën. / KultPlus.com

OBSH-ja thotë se situata me COVID-19 është “shqetësuese”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se rastet me COVID-19 në të gjithë botën po vazhdojnë të rriten me një “shkallë shqetësuese”.

“Globalisht, numri i rasteve të reja në javë është gati dyfishuar gjatë dy muajve të fundit”, ka thënë për gazetarët drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shton se është “shumë i shqetësuar” për rritjen e rasteve me koronavirus në Papua Guinea e Re, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në “një epidemi shumë më të madhe”.

“Papa Guinea e Re është një shembull i përsosur pse drejtësia e vaksinave është kaq e rëndësishme”, vijoi Tedros.

Ai thotë se disa vende që më parë kishin shmangur transmetimin tani janë duke parë rritje të mëdha të infeksioneve.

Tedros kritikoi së fundmi atë që ai e përshkroi si një “çekuilibër tronditës” në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit midis vendeve të pasura dhe të varfra. / KultPlus.com

OBSH: Një e treta e grave në botë janë viktima të dhunës fizike, pandemia e ka rënduar gjendjen

“Një e treta e grave në botë janë viktima të dhunës fizike, veçanërisht seksuale”, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sipas së cilës pandemia vetëm sa e përkeqëson situatën.

Rreth 736 milionë vajza dhe gra mbi moshën 15-vjeçare janë sulmuar.

“Dhuna ndaj grave është një e keqe endemike në të gjitha vendet dhe të gjitha kulturat dhe dëmton miliona gra dhe familje,” paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Megjithëse nuk ka prova të forta deri më tani, ndikimi negativ i pandemisë që zgjat deri në një vit është i qartë, duke detyruar qindra miliona njerëz të qëndrojnë në shtëpi dhe duke shkaktuar krizën ekonomike globale”, tha Claudia Garcia-Moreno, bashkautore e raportit.

“Ne e dimë se situata e shumë grave është përkeqësuar dhe se 641 milionë gra ose 26 për qind e të gjithë njerëzve mbi moshën 15-vjeç, kanë qenë viktima të dhunës së partnerit”, tha ajo, raporton France Press.

“Kjo situatë ka kapur gratë që janë abuzuar tashmë. Papritmas ato janë akoma më të izoluara dhe në praninë e vazhdueshme të një partneri i cili po i abuzon ato. Përveç kësaj, vështirësitë financiare dhe stresi për shkak të fëmijëve në shtëpi dhe probleme të tjera në lidhje me pandeminë mund të shkaktojnë dhunë të re”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Europa, një vit pas pandemisë

Një vit më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin një pandemi globale.

Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, vendet evropiane shpresonin që sistemet e tyre shëndetësore të mirëfinancuara do të ofronin një lloj mbrojtjeje, por kontinenti u godit fort që në fillim dhe vazhdon të përballet me nivele të larta infeksioni.

Qyteti Kodonjo, në Italinë veriore, ende mbart vragën e famës së padëshiruar si epiqendra e shpërthimit të parë të epidemisë së koronavirusit në Evropë.

Më 20 shkurt të vitit të kaluar, një 38-vjeçar u shtrua në spital me probleme të frymëmarrjes. Të nesërmen u diagnostikua me koronavirusin. Kryemjeku Francesco Tursi kujton tmerrin që pasoi.

“Dëgjuam për një, dy, tre raste dhe menjëherë u mbushëm me pacientë me probleme serioze të frymëmarrjes, nuk merrnin dot frymë. Nuk kishim kohë as të mendoheshim. Kjo ndryshoi vërtet jetën tonë”, tregon Dr. Tursi.

Pak muaj më vonë, vetë dr. Tursi u infektua me virusin dhe kaloi një muaj i shtruar në spital.

Ndërsa rastet u shumëfishuan, Italia veriore hyri në izolim. Ishte një masë e pakët dhe e vonuar. Në ditët në vazhdim, disa vende evropiane njoftuan raste të reja.

Derisa OBSH-ja shpalli pandeminë globale më 11 mars, Spanja, Franca dhe disa vende të tjera evropiane kishin imponuar masa izolimi.

Por, Britania rezistoi duke e shtyrë izolimin për dy javë të tjera, kundër sugjerimeve shkencore.

“Nëse do të kishim vendosur masa izoluese një javë më herët, do ta kishim zvogëluar numrin e viktimave me të paktën gjysmën”, thotë Neil Ferguson, ish-këshilltar shkencor i qeverisë britanike.

Britania pati numrin më të madh të viktimave në Evropë gjatë vitit 2020. Ekonomia e saj ishte gjithashtu e goditur fort – u tkurr me gati 10%.

“Mbretëria e Bashkuar është shembull i shkëlqyer i konceptit se kur përpiqesh të zgjedhësh mes shëndetit publik apo ekonomisë, i humbet të dyja”, thotë Dr. Peter Drobac, nga Universiteti i Oksfordit.

Në Turqi, doktorët akuzonin qeverinë për fshehje të nivelit të vërtetë të pandemisë, ndërsa spitalet mbusheshin me pacientë.

Edhe Rusia u akuzua për manipulim; doktorët thonin se niveli i vërtetë i vdekjeve ishte ndoshta tre herë më shumë se numri zyrtar prej 57 mijë të vdekurish gjatë vitit 2020.

Ndërsa masat izoluese vazhduan gjatë verës, qeveritë në mbarë Evropën injektuan miliarda në ekonomitë e tyre për t’i ruajtur bizneset dhe vendet e punës. Borxhi publik u ngjit në pikiatë.

Por ndërsa viti i zymtë 2020 i afrohej fundit, shkenca ofroi shpresë. Provat klinike treguan se disa vaksina ofrojnë mbrojtje të fortë nga COVID-19. Britania u bë vendi i parë perëndimor që filloi një program vaksinimi masiv.

“Nuk mund të nënvlerësojmë përmasat e arritjes së kësaj – nga identifikimi i një virusi të ri dhe zbardhja e kodit të tij gjenetik në janar 2020, të kesh 11 muaj më vonë një numër vaksinash të sigurta dhe jashtëzakonisht efektive”, thotë Dr. Drobac.

Rreziqet shtrihen ende përpara. Infektimet mbeten të larta dhe ekziston frika për variante më rezistente të virusit që qarkullojnë në Evropë.

Në Kodonjo, dr.Tursi vazhdon të kurojë pacientët. Si qindra mijëra punonjës të tjerë në pararojë, ai rrezikoi jetën e tij për t’i ndihmuar të tjerët të mbijetojnë. Pandemia e ka ndryshuar jetën në mënyra të panumërta – dhe nuk ka përfunduar ende./voa/ KultPlus.com

A po i vjen fundi pandemisë?!


Shumë njerëz po u druajnë mutacioneve dhe valës së tretë të përhapjes së koronavirusit, por shkalla e infektimeve me COVID-19 është duke rënë në tërë botën. Kjo gjë ka ngritur pyetjen nëse virusi po e humb fuqinë apo janë masat shëndetësore ato që më në fund kanë filluar ta japin efektin e tyre?

Me afrimin e pranverës në hemisferën veriore, shumë njerëz janë duke e humbur durimin me pandeminë. Duan ta kenë një kufizim kohor se kur do të hiqen gradualisht izolimet, se kur mund të presin që të vaksinohen dhe kur i gjithë pluhuri i ngritur nga kriza shëndetësore do të fashitet.

Debati është nxitur nga deklaratat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth një përfundimi të afërt të pandemisë së koronavirusit. Në pyetje është një “pretendim” i drejtorit për Evropë i OBSH-së, Hans Henri Kluge, dhënë për radion daneze se pandemia “do të përfundojë brenda pak muajsh”, transmeton KultPlus.

Pas një debati të nxehtë mes ekspertëve dhe diskutimeve në rrjetet e mediave sociale, Kluge ka thënë për transmetuesin “ZDF” në Gjermani se ai në fakt nuk e ka thënë një gjë të tillë. Përkundrazi, ai ka thënë se askush nuk mund ta parashikojë se kur do të përfundojë pandemia. “Do të thosha – si hipotezë që mund të ndodhë – se pandeminë do ta lëmë prapa supeve nga fillimi i vitit 2022”, ka thënë drejtori i OBSH-së. “Koronavirusi ende do të ekzistojë, por masat parandaluese nuk do të jenë më të nevojshme”, ka shtuar ai.

Deklarata e pretenduar nga drejtori i OBSH-së ka ndikuar që shkencëtarët “ta kapin kokën në duar”. Virologu nga spitali “Charite” në Berlin, Christian Drosten, i ka kundërshtuar të gjitha spekulimet se virusi është duke e humbur fuqinë.

“Deri më tani nuk ka shenja se ndonjë mutacion i njohur është duke u dobësuar. Ky do të ishte spekulim i pastër”, ka thënë Drosten. Sipas tij, situata mund të përkeqësohet dhe jo të përmirësohet më 2021.

Për këtë arsye, Karl Lauterbach, epidemiolog dhe ligjvënës gjerman në Bundestag, është shprehur kundër lehtësimit të menjëhershëm të masave.

Në fund të shkurtit, numri i infektimeve me SARS-CoV-2 në tërë botën ishte rreth 114 milionë. Rreth 2.5 milionë të infektuar kanë vdekur dhe më shumë se 64.4 milionë janë shëruar.

Sipas raporteve të OBSH-së, infektimet globale janë ulur dukshëm për gati dy muaj, shumë më shpejt sesa që është parashikuar. Në mes të janarit, çdo ditë janë shfaqur nga 700.000 infektime të reja globalisht, kurse tani numri ka rënë më shumë se gjysma e kësaj shifre. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i ka quajtur të dhënat e ulëta si “shenjë shpresëdhënëse”.

“Kjo prirje na e rikujton se ndonëse sot po diskutojmë për vaksinat, COVID-19 mund të mundet dhe kontrollohet me masa të dëshmuara të shëndetit publik. Dhe këtë gjë e kanë bërë shumica e vendeve”, ka thënë ai.

Janë gjetur shumë arsye për rënien e dukshme të rasteve në tërë globin. Ato janë duke u përdorur si argument për të ecur tutje. Është e qartë se vaksinimi nuk është e vetmja arsye, pasi që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë tanimë është vaksinuar.

Masat e distancës fizike dhe higjienës kanë dhënë rezultate në shumë vende.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Brazil janë infektuar kaq shumë njerëz saqë është duke u arritur një lloj imunizimi bazik i popullsisë. Do të mund të duket e çuditshme, por sipas disa studiuesve virusi mund të jetë dobësuar shumë, për shkak të mutacioneve. Sipas një studimi nga universitetet në Atlanta dhe Pennsylvania, të publikuar në mes të shkurtit, parashikohet se mutacionet shumë shpejt do ta shtyjnë koronavirusin që të kalojë nga pandemia në endemi – një proces ky që fushata globale e vaksinimit po mundohet ta arrijë.

“Përvojat e kaluara me gripa kanë treguar qartë se në një pikë të caktuar, gjitha pasojat e infeksionit kanë gjasa të zhduken përnjëherë”, ka thënë Klaus Stöhr, epidemiolog që udhëheq Programin Global për Gripa në OBSH. “Dy pandemitë shkatërruese të gripave – gripi aziatik më 1957, që la të vdekur mbi 4 milionë njerëz, dhe gripi i Hong-Kongut më 1968, prej të cilit kanë vdekur mbi 3 milionë persona – janë zhdukur aq shpejt sa edhe janë shfaqur”, ka argumentuar ai.

Në rastin e gripit spanjoll pas Luftës së Parë Botërore, vala e dytë kishte shkaktuar më së shumti vdekje – më shumë se 50 milionë, mes viteve 1918 dhe 1920. Vala e tretë ishte larguar shpejt, por patogjeni kishte mbetur. Në një formë më të dobët, virusi H1N1 shfaqet në një grip tërësisht normal në ditët e sotme. Edhe virusi SARS-CoV-2 mund ta përshkojë të njëjtin shteg, mbase duke u shfaqur vetëm lokalisht.

Nëse dobësohet nga mutacionet, do të bëhet më pak i rrezikshëm. Sidoqoftë, derisa trendët pozitivë globalë të stabilizohen, baraspeshimi mes masave dhe lehtësimeve të mundshme do të vazhdojë. / KultPlus.com

Shteti që nuk publikon rastet me COVID-19, OBSH i bën thirrje për raportim

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Tanzanisë që të nisë të raportojë rastet me koronavirus dhe të ndajë të dhënat, njofton BBC.

Tanzania është një nga vendet e pakta në botë që nuk publikon të dhëna për rastet me COVID-19. Së fundi i ka publikuar në maj, kur kishte regjistruar në total rreth 500 raste e 20 të vdekur.

Në qershor, presidenti John Magufuli, e shpalli Tanzanisë të “çliruar nga virusi”.

Mirëpo, po rritet shqetësimi për mundësinë e pandemisë së fshehur.

Thirrja e OBSH-së ka ardhur pas një numri të vdekjeve të zyrtarëve qeveritarë.

Zëvendës-presidnti i ishullit gjysmë-autonom të Tanzanisë, Zanzibar, Seif Sharif Hamad, vdiq të mërkurën.

Partia e tij tha se ai ishte infektuar me koronavirus.

Ai ishte politikani më i shquar në Tanzani që publikisht deklaroi se është i infektuar me koronavirus.

Edhe kreu i shërbimit civil, John Kijazi, vdiq të mërkurën, por nuk u treguan shkaqet e vdekjes.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka ngushëlluar Tanzaninë për vdekjet e qeveritarëve, por në të njëjtën kohë e ka lutur që të ndajë të dhënat e rasteve me COVID-19.

Derisa është e vështirë të dihet përmasa e përhapjes së koronavirusit në Tanzani pa të dhënat, Ghebreyesus, ka thënë se qytetarët e Tanzanisë që po udhëtojnë jashtë shtetit po rezultojnë pozitiv me koronavirus.

“Tanzania duhet të marrë masa të forta si për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve të saj e po ashtu edhe për të mbrojtur popullatën në shtet tjera rreth”, ka thënë ai.

Presidenti i Tanzanisë, Magufuli, më herët ka minimizuar rreziqet nga pandemia dhe ka refuzuar të marrë masa. Ministri i Shëndetësisë më herët këtë muaj ka thënë se Tanzania nuk ka plane për vaksinim kundër koronavirusit.

Mirëpo, të premten, duke mbajtur fjalim në varrimin e Kijazit, Magafuli është dukur se ka pranuar se virusi po qarkullon në Tanzani.

Ai ka thënë se Tanzania e mposhti COVID-19 vitin e kaluar dhe se do ta mposhtë sërish.

Më pas të dielën, ai ka inkurajuar njerëzit të mbajnë maska për të evituar infektimin.

Mirëpo, ai ka bërë thirrje të përdoren masat e prodhuesve vendor, ndërsa pa dëshmi ka thënë se disa nga maskat e importuara nuk janë të sigurta. /express/ KultPlus.com

Navalny, OBSH dhe Thunberg midis të nominuarve për Çmimin Nobel për Paqe

Disidenti rus Alexei Navalny, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe aktivistja Greta Thunberg janë midis atyre të nominuar për çmimin Nobel të Paqes të këtij viti, të gjithë të mbështetur nga ligjvënësit norvegjezë që kanë një histori të zgjedhjes së fituesit.

Nominimet, të cilat mbyllen të dielën, nuk nënkuptojnë një miratim nga komiteti Nobel. Ligjvënësit norvegjezë kanë nominuar laureatin përfundimtar çdo vit që nga viti 2014, me përjashtim të vitit 2019, tha Henrik Urdal, Drejtor i Institutit të Kërkimit të Paqes Oslo.

“Modeli i viteve të fundit është mjaft mahnitës.”

Komiteti Norvegjez i Nobelit, i cili vendos se kush e fiton çmimin, nuk komenton për nominimet, por nominuesit mund të zgjedhin të zbulojnë zgjedhjet e tyre. Sipas një sondazhi të Reuters për ligjvënësit norvegjezë, të nominuarit përfshijnë Thunberg, Navalny, OBSH-në dhe programin e tij COVAX për të siguruar qasje të drejtë në vaksinat COVID-19 për vendet e varfra. Thunberg u emërua si një nga “zëdhënësit kryesorë në luftën kundër krizës së klimës”, me grupin e fushatës që ajo bashkë-themeloi, Fridays for Future.

Navalny, i emëruar nga akademikë rusë, u nominua për “përpjekjet e tij për një demokratizim paqësor të Rusisë” nga ish-ministri norvegjez Ola Elvestuen. Beteja kundër COVID-19 është në qendër, duke përfshirë një nominim për aleancën e vaksinave GAVI. Emra të tjerë janë aktivistët Bjellorusë Sviatlana Tsikhanouskaya, Maria Kolesnikova dhe Veronika Tsepkalo për “luftën e tyre për një zgjedhje të drejtë dhe frymëzim për rezistencë paqësore”, tha një emërues, Geir Sigbjoern Toskedal.

Të nominuarit e tjerë përfshijnë ish Presidentin e SHBA-së Donald Trump, NATO-n dhe agjencinë e refugjatëve të KB-së (UNHCR).

Laureati i vitit 2021 do të shpallet në tetor. /reuters/ KultPlus.com

OBSh: Kjo pandemi mund të mos jetë më e madhja, duhet të mësohemi

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë paralajmëruar se ndonëse pandemia e koronavirusit ka qenë shumë e ashpër, ajo nuk është domosdo e madhja dhe se bota do të jetë e detyruar të mësohet që të jetojë me sëmundjen Covid-19.

Kryeatri i grupit këshillues për strategji dhe çështje teknike rreth rreziqeve të infeksionit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, David Heymann, tha se koronavirusi pritet të bëhet endemi, pavarësisht shpërndarjes së vaksinave në disa shtete.

“Bota ka shpresuar për imunitetin e tufës, se përhapja disi do të ulet, nëse imunizohet një numër i mjaftueshëm i njerëzve”, tha profesori Heymann gjatë konferencës së fundit të OBSh-së për gazetarë për vitin 2020.

Sidoqoftë, zyrtari që gjithashtu punon si epidemiolog në Londër tha se koncepti i imunitetit të tufës është keqkuptuar. “Duhet se fati i SARS-CoV-2 (Covid-19) është që të bëhet endemi, siç janë bërë katër koronaviruse tjera njerëzore, dhe se do të vazhdojë të pësojë mutacion gjatë riprodhimit në qelizat njerëzore, sidomos në zonat me përhapje më të madhe”, tha ai.

“Për fat të mirë, kemi mjete për të shpëtuar jetë dhe kjo, në kombinim me shëndet të mirë publik, do të na lejojë që të mësojmë të jetojmë me Covid-19”, shtoi ai.

Kryetari i programit për emergjenca i OBSh-së, Mark Ryan, tha: “Skenari i mundshëm është që virusi do të bëhet një endemi tjetër që do të mbetet disi si kërcënim, por me nivel shumë të ulët të kërcënimit në kontekstin e një programi efektiv global të vaksinimit”.

Sipas zyrtarëve të kësaj organizate, roli i parë i vaksinës do të jetë parandalimi i sëmundjes me simptoma, sëmundjes së rëndë dhe vdekjes së pacientëve, por pritet të shihet nëse vaksinat do të ndikojnë edhe në uljen e numrit të infektimeve apo nëse do ta parandalojnë përhapjen e virusit nga një person i infektuar te njerëzit tjerë. / Gazeta express/ KultPlus.com

OBSH apel para festave: Krishtlindje në shtëpi, nuk ia vlen rreziku

Shefi i zyrës rajonale të OBSH’së për Evropën u ka bërë apel të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi për Krishtlindje duke insistuar se nuk ia vlen të rrezikohen dhe të infektohen me Covid-19.

Në një deklaratë të Hans Kluge, thuhet:

“Ka një dallim mes asaj që ju lejohet të bëni nga autoritetet dhe asaj që duhet të bëni. Ne kemi edhe disa muaj të tjerë sakrifice përpara dhe mund të sillemi tani në një mënyrë që do të na bëjë krenarë të gjithëve. Kur të kthejmë kokën prapa për të kujtuar këto kohë të paprecedenta, unë shpresoj që të gjithë të ndjejmë se kemi vepruar me shpirtin e humanizmit për të mbrojtur ata që kanë më shumë nevojë”.

Kluge thotë se shkatërrimi i shkaktuar nga pandemia ka goditur rëndë komunitetet në Evropë duke paralajmëruar veçanërisht për pasojat te shëndeti mendor. Covid-19 ka detyruar familje dhe komunitete të ndahen, ka falimentuar biznese dhe ka privuar njerëzit nga mundësitë që një vit më parë dukeshin të sigurta.

Nga ankthi për prekjen nga virusi, pasojat psikologjike të izolimeve dhe vetizolimi e deri tek pasojat e papunësisë, shqetësimet financiare dhe përjashtimi social, pasojat shëndetësore të kësaj pandemie do të jenë afatgjata dhe do të shkojnë shumë larg. Ajo që ka rezultuar – thotë ai – është një krizë në rritje e shëndetit mendor në Evropë. / gazetaexpress/ KultPlus.com