Drejtori gjeneral i OBSH-së me mesazh prekës, përmend edhe vdekjen e infermieres kosovare

Drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka përmendur vdekjen vetëm tri ditë para pensionimit të infermieres kosovare Vjollca Berisha, e cila vdiq nga Covid, pas 45 viteve pune në Spitalin e Gjakovës

Mesazhin e tij e kanë publikuar edhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

Nga Oda është thënë se bashkëndjenjë me gjithë familjarët e infermierëve, mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësorë që humbëm jetën nga infeksioni Covid 19.

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus në Ditën Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Mbrojtje Shëndetësore, si pjesë e Ditës ndërkombëtare të Infermierëve dhe Mamive, ka përzgjedhur të përmend dhe të falenderojë infermieren e ndjerë Vjollca Berisha. Ajo vdiq nga Covid 19, vetëm tri ditë para daljes në pension, pas 45 viteve pune në Spitalin e Gjakovës.

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus mesazhin e tij e ka drejtuar për të gjithë punëtorët shëndetësorë që kanë rrezikuar jetën e tyre në shërbim të pacientëve, veçanërisht gjatë Pademisë COVID-19.

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, vlerëson se mesazhi prekës i të parit të OBSH-së, është një motiv shtesë për punën e infermierëve, mamive dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë.

OIK bashkëndjen dhe ndanë dhimbjen me gjithë familjarët e infermierëve, mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësorë që humbëm jetën nga infeksioni Covid 19. / KultPlus.com

E konfirmon OBSH: Varianti i ri i Covid-19 po përhapet më shpejt

Organizata Botërore e Shëndetësisë është në dijeni të variantit të ri të COVID-19 në Britani të Madhe që Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock e tregoi më parë gjatë një adresimi në parlament.

Mike Ryan, shefi i programit të urgjencave të OBSH-së, tha në një konferencë për shtyp në Gjenevë se “Ne jemi të vetëdijshëm për këtë variant gjenetik të raportuar në 1.000 individë në Angli.

“Autoritetet po shikojnë rëndësinë e saj. Ne kemi parë shumë variante, ky virus evoluon dhe ndryshon me kalimin e kohës”, tha tutje ai.

“Ky virus besohet se po përhapet shpejtë në Jug-Lindje të vendit”, kishte thënë sot, Hancock raporton BBC.

Përhapja po ndodh më shpejt se sa varianti ekzistues, me mbi një mijë raste deri më tani, shtoi Sekretari britanik.

Ndryshe, ka pasur raportime të variantit të ri në 60 zona të autoritetit lokal, dhe besohet se është i ngjashëm me atë të gjetur në vendet e tjera gjatë muajve të fundit./ KultPlus.com

OBSH: Vaksinat kundër COVID-19, fenomenale, do t’i ndryshojnë rregullat e lojës

Organizata Botërore e Shëndetësisë i cilëson vaksinat e kompanive të ndryshme kundër koronavirusit, që tashmë e kanë siguruar aprovimin për t’u hedhur në treg, si mënyrën e vetme për ta luftuar COVID-19, si fenomenale, e që do t’i ndryshojë rregullat e lojës, në betejën me pandeminë. Por, asnjë prej këtyre vaksinave nuk është gati për Evropën, me përjashtim të Britanisë.

Duke folur nga Kopenhagen, drejtori i OBSH-së për Evropën foli për sasi të limituara të vaksinës në këtë kontinent, së paku në këtë fazë të parë.

“Së pari dhe pa asnjë dyshim, premisa e vaksinave është fenomenale, Shpërblimi është ndryshimi i lojës. Me më shumë se 200 vaksina, kandidate për vaksinën kundër COVID-19, e ardhmja duket ndjeshëm më e ndritshme. Me furnizimet që në këtë fazë të parë pritet të jenë në sasi të limituar, të gjitha vendet do të duhet të vendosin se cila kategori do të vaksinohet e para. Rekomandimi ynë janë punonjësit e shëndetësisë dhe ata socialë, më pas janë qytetarët të moshës nga 60 vjeç e lart”, u shpreh Hans Kluge.

Britania aprovoi përdorimin e vaksinës së Pfizer kundër COVID-19, duke hedhur një hap përpara pjesës tjetër të botës dhe nga kjo javë do të nisë vaksinimin në masë të popullsisë. Synimi, sipas qeverisë britanike, është vaksinimi i 67 milionë banorëve, pa asnjë përjashtim, edhe pse vaksina nuk do të jetë me detyrim. Pjesa tjetër e Evropës, por edhe SHBA, janë ende në pritje, edhe pse paraprakisht kanë dhënë aprovimin e tyre.

“Premisa e vaksinës është e jashtëzakonshme, por diçka është e qartë në këtë moment: vaksina nuk është këtu sot, jo çdokush do ta marrë sapo ajo të mbërrijë por secili prej nesh duhet të vazhdojë me praktikën e ndjekur deri tani: të kujdeset për distancën dhe të mbajë maskë”.

OBSH do të organizojë gjatë javës një takim me ministrat e shëndetësisë së 53 shteteve anëtare të saj, ku fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e shkollave./ KultPlus.com

OBSH: Maskat në shi nuk kanë efekt

Maskat mbrojtëse ndaj transmetimit të koronavirusit mund të jenë më pak efektive kur vendosen gjatë shiut, kanë paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shkencëtarët.

Grupi shëndetësor dhe një numër ekspertësh kanë deklaruar që maskat kirurgjikale duhet të ndërrohen nëse lagen nga shiu dhe u kërkuan zyrtarëve qeveritarë që t’i sigurojnë publikut “këshilla të qarta” në lidhje me mbajtjen e maskave gjatë motit të lagësht, raporton The Independent, transmeton KultPlus.

Tim Spector, profesor i epidemiologjisë gjenetike në King’s College në Londër të Britanisë së Madhe, tha për Times se “tani do të ishte e dobishme nëse këshillat e qarta do të lëshoheshin për publikun lidhur me këtë”.

Sipas udhëzimeve zyrtare nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social në Britani të Madhe, njerëzit duhet të “ndërrojnë maskën nëse laget ose preket me dorë”.

Ngjashmërisht, këshillat nga OBSH thonë që maskat prej pëlhure duhet të përbëhen nga të paktën tre shtresa të materialit të ndryshëm. Sidoqoftë, organizata shton se lagështia mund të rrezikojë këtë mbrojtje./ KultPlus.com

Paralajmëron OBSH’ja: Me ardhjen e dimrit, situata me Covid-19 mund të përkeqësohet

OBSH paralajmëroi se muajt në vijim do të jenë të vështirë pasi numri i të infektuarve me Covid-19 po rritet ndjeshëm, kryesisht në Europë dhe Amerikën e Veriut.

Drejtori i Përgjithshëm i organizatës, Tedros Ghebreyesus tha se me uljen e temperaturave dhe ardhjen e dimrit, situata mund të përkeqësohet edhe më shumë, kjo për shkak edhe të mungesës së kapaciteteve në spitale.

OBSH kërkon nga qeveritë më shumë aksion për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit, përmes masave kufizuese që mund të shpëtojnë jetë, investigim të rasteve të infeksionit, të karantinojnë të prekurit dhe kontaktet e tyre më të ngushta, të sigurojnë cilësi më të lartë të kujdesit shëndetësor e të mbështesë stafin mjekësor.

Mike Ryan, kreu i OBSH për Europën kërkoi masa më të ashpra në kontinent, duke iu kujtuar europianëve se nëse vazhdojnë me këto shifra, do të rikthehen në izolim të plotë dhe kjo nuk do t’i shërbejë askujt. / KultPlus.com

OBSH: Kufizimet strikte në Europë, absolutisht të nevojshme

Kufizimet e ashpra janë plotësisht të nevojshme për të shpëtuar jetë. Kështu pohon Organizata Botërore e Shëndetësisë që paralajmëron Europën, e cila po përballet me valën e dytë të pandemisë koronavirus.

Kjo vjen ndërsa miliona qytetarë në kontinentin e vjetër po jetojnë mes masave tepër strikte. Por OBSH saktëson se situata nuk është e njëjtë me atë të marsit apo prillit.

“Jemi me të vërtetë të shqetësuar dhe është koha për të shtuar masat, por përsëri, në një mënyrë graduale. Dhe disa vende që janë më keq duhet të shkojnë shumë më larg se vendet e tjera. Por nuk duhet të përmbahemi. Pra, mesazhi kryesor këtu për qeveritë është ‘mos u përmbani’ me veprime relativisht më të vogla në mënyrë që të shmangni të njëjtat veprime shumë të dhimbshme dhe dëmtuese që pamë në valën e parë”, u shpreh Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH për Europën.

Shtete si Polonia, Çekia, Holanda e shumë të tjera në Europë kanë shtuar kufizimet për të frenuar pandeminë, ku nuk kanë munguar dhe izolimet e pjesshme apo mbyllja e shkollave e bareve. OBSH paralajmëroi se rritja e rasteve ditore me koronavirus në Europë mund të pasohet nga një shtim i nivelit të vdekshmërisë. Shqetësim që konfirmohet edhe nga Bashkimi Europian.

“Shifrat e Covid-19 po shkojnë qartësisht në drejtim të gabuar. Po ndjekim me shqetësim të madh shtimin gjithnjë e më të shpejtë të nivelit të infeksionit në të gjithë Bashkimin Europian. Bashkë me të, po shohim gjithashtu edhe një shtim të numrit të shtrimeve në spitale. Fatkeqësisht po shohim edhe një shtim të numrit të qytetarëve që po humbasin jetën”, tha Stella Kyriakides, komisionere e BE për shëndetësinë.

Eurokomisionerja këshillon shtetet që të marrin masa për të shmangur pasojat shkatërruese, sociale dhe ekonomike, që sjellin izolimet e përgjithshme. Zyrtarja prezantoi në Brukskel dhe strategjinë e Bllokut për vaksinën kundër koronavirusit të ri, ndërsa tha se ajo nuk do ta zhdukë pandeminë si me magji, por do të luajë një rol të rëndësishëm në shpëtimin e jetëve. / KultPlus.com

OBSH: Të rinjtë dhe ata pa sëmundje mund të mbesin pa vaksinë anti-COVID deri më 2022

Shefja e shkencëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Soumya Swaminathan, ka thënë se të rinjtë dhe personat e shëndoshë mund të jenë të detyruar të presin deri në vitin 2020 për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.

Sipas saj, si grupe me prioritet për t’u vaksinuar do të jenë punëtorët shëndetësorë dhe personat që janë më të rrezikuar, siç janë ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Zonja Swaminathan tha se pavarësisht testimit të vaksinave në njerëz, vaksinimi i shpejtë dhe masiv ka pak gjasa të ndodhë dhe se ende është duke u punuar në përcaktimin e grupeve që do të kenë qasje të parat në vaksinë.

“Shumica e njerëzve pajtohen që (vaksinimi) të fillojë nga punëtorët shëndetësorë dhe ata që janë në vijën e frontit, por edhe aty, duhet të përcaktoni cilët nga ta janë më së shumti në rrezik, e pastaj të moshuar e kështu me radhë”, tha kjo zyrtare.

“Do të dalin shumë udhëzime, por mendoj se një person mesatar, një i ri i shëndoshë mund të jetë i detyruar të presë deri në vitin 2022 për të marrë një vaksinë”, shtoi ajo.

Swaminathan tha se shpreson që së paku një vaksinë efektive të jetë e gatshme vitin e ardhshëm, por shtoi se ky ilaç do të ishte i qasshëm vetëm në sasi të kufizuar. / KultPlus.com

OBSH: Në Evropë numër shqetësues i të rinjve me koronavirus

Gjithnjë e më shumë të rinj në Evropë janë duke rezultuar pozitivë në testet e COVID-19, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë për Euronews.

Dr Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së në Evropë, tha se ata janë duke vërejtur një rritje të madhe të të rinjve në Evropë, të cilët po infektohen dhe po humbin jetën si pasojë e koronavirusit.

Edhe disa shtete si Gjermania dhe Franca kanë ngritur këtë shqetësim se shumë të rinj kryesisht të moshës 20 dhe 39 vjeç janë duke humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Sipas ekspertëve kjo është duke ndodhur për shkak se të rinjtë kanë më shumë kontakte me njerëz dhe është krijuar përshtypja se janë imunë ndaj këtij virusi.

Shumë të rinj, të kontaktuar nga Euronews, kanë thënë se megjithëse pandemia ua ka ndryshuar disa aspekte të jetës, gjithsesi ata ende vazhdojnë t’i takojnë miqtë dhe nuk duan ta humbin verën duke qëndruar të mbyllur.

“Unë nuk kam frikë nga virusi, sepse unë jam e re dhe besoj se ne jemi më imunë ndaj tij në krahasim me moshat e vjetra. Unë në të vërtetë që nga hapjet e bareve dhe lokaleve kam takuar po aq njerëz sa më parë”, tha Sarah, një qytetare e Parisit për Euronews.

Sipas ekspertëve, arsyeja që virusi është duke i prekur në numër të lartë të rinjtë, janë pikërisht informacionet që janë dhënë në fillim, duke pretenduar që koronavirusi i prek vetëm të moshuarit dhe të rinjtë nuk janë në rrezik.

Dr. Kluge theksoi se kjo ide duhet të çrrënjoset dhe ekspertët duhet të ndryshojnë qasjen dhe informatat, të cilat njerëzit i pranojnë çdo ditë në lidhje me rrezikun mbi koronavirusin. /Gazeta Express/ KultPlus.com

E pranon edhe OBSH, coronavirusi mund të përhapet edhe përmes ajrit

Organizata Botërore e Shëndetësisë, e pranoi se ekziston mundësia që coronavirusi të transmetohet përmes ajrit, pasi një grup shkencëtarësh nxitën organizatën që të azhurnonte udhëzimet për përhapjen e virusit.

“Ne e kemi pranuar këtë si mundësi, si një nga mënyrat e transmetimit të COVID-19”, tha Maria Van Kerkhove, nga OBSH.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, OBSH deri më tani ka potencuar se coronavirusi përhapet kryesisht nga spërkalat e hundës apo gojës, të cilat pas dy metrave bien në tokë.

Mirëpo një letër drejtuar agjencisë me qendër në Gjenevë, përshkruan se spërkalat mund të qëndrojnë pezull në ajër dhe të infektojnë njerëzit që i thithin ato.

Sipas kësaj informate, shkencëtarët kërkuan nga OBSH t’i azhurojnë udhëzimet për përhapjen e virusit. / KultPlus.com

OBSH: Bota e pasur duhet t’iu kushtojë vëmendje të varfërve

Pandemia me koronavirus është duke pasur ndikim të madh në vendet e varfra andaj shtetet e pasura duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj situate, ka thënë i dërguari special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus, David Nabarro.

“Në njërën anë është sëmundje që është e lidhur me rreziqe serioze të vdekjes dhe në të njëjtën kohë, shtetet e varfra nuk kanë burime, qoftë në aspektin e shërbimeve shëndetësore, apo masave tjera mbrojtëse”, ka thënë ai.

Si rezultat, ka shtuar ai, të ardhurat e njerëzve janë duke u zhdukur brenda natës.

“Është e habitshme shpejtësia e varfërisë me të cilën përballen njerëzit, kur iu kërkohet të ulin aktivitetin ekonomik, në mënyrë që të ndalin përhapjen e virusit”, ka deklaruar ai.

“Kam dëgjuar nga disa komunitete në Azi, ashtu sikur edhe në Afrikë dhe Amerikën Latine, ku është rritur shpejt varfëria ekstreme, dhe supozoj se ne do të shohim që kjo pandemi do të ndikojë në rritje të kequshqyerjes të nivelit që nuk e kemi parë për dekada”.

Deklarata e tij vjen në ditën kur numri i rasteve të infektuarve me këtë virus në botë ka arritur në mbi 5 milionë. Numri i saktë i të infektuarve besohet se është më i lartë për shkak të ndryshimit të testimeve brenda shteteve, vonesave dhe mosraportimit. / KultPlus.com

COVID-19, OBSH: Fëmijët ndjehen të sigurt nëse kalojnë kohë me prindërit

Në situatën e krijuar prej COVID-19, fëmijët janë ata që duan të ndjehen më të sigurt.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndarë disa rekomandime me prindërit që t’i zbatojnë gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19. Sipas OBSH, koha që shpenzohet për fëmijët, i bën të ndjehet e sigurtë.

“Provoni të shkëputeni për 20 minuta duke bërë diçka që zgjedhin fëmijët – si p.sh., të luani një lojë apo të lexoni – së bashku me ta. Mos përdorni as telefon e as TV, duke u përqendruar vetëm tek ata. Koha që shpenzoni vetëm për vetëm me ta do t’i bëjë të ndihen të sigurt dhe të dashur”, këshillon OBSH. /atsh/ KultPlus.com

Gjërat që duhet të blini nëse jeni në karantinë në shtëpi, gjatë “izolimit” si pasojë e coronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur zyrtarisht coronavirusin një pandemi.

Përhapja që filloi në Wuhan, Kinë, ka vrarë tani më shumë se 4,300 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 121.500 të tjerë.

Ndërsa virusi vazhdon të përhapet, më shumë njerëz mund të futen nën karantinë në shtëpi ose të zgjedhin të vetë-izolohen në shtëpi.

Sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, mijëra amerikanë që udhëtuan kohët e fundit në Kinë janë nën një karantinë të vullnetshme 14-ditore në shtëpi për të parë nëse ato shfaqin simptoma, dhe në New York, të paktën 4,000 njerëz u kërkohet të izolohen në shtëpi, sepse kohët e fundit kanë udhëtuar në një vend me një shpërthim të rëndë ose kishin kontakt të mundshëm me një pacient të infektuar.

Gjithashtu, gjithnjë e më shumë kompani po inkurajojnë ose u kërkojnë punonjësve të punojnë nga shtëpia për shkak të virusit.

Në këtë drejtim, po sipas Business Insider, Departamenti i Sigurisë së Brendshme rekomandon rezervimin e një furnizimi dy-javor me ushqim dhe ujë në rast të një pandemie.

Në rastin e ndonjë emergjence mbijetese, Kryqi i Kuq Amerikan rekomandon mbajtjen e një furnizimi me ushqim, ujë dhe furnizime shtëpiake – si pastrues rrobash dhe pelena nëse keni fëmijë të vegjël.

Mediumi në fjalë ka sjellë një përshkrim se çfarë duhet të keni në “çantën e urgjencës” në shtëpi në rast të një karantine të mundshme në shtëpi mes pandemisë së coronavirusit, sipas Departamentit të Sigurisë së Atdheut, CDC, Kryqit të Kuq Amerikan dhe ekspertëve të tjerë.

Departamenti i Sigurisë së Brendshme i SHBA-së rekomandon rezervimin e ushqimit dhe ujit të mjaftueshëm për dy javë para se të goditeni nga një pandemi.

Gjithashtu, mallrat e thatë si orizi, makaronat, fasulet dhe tërshëra duhet të jenë themeli i stokut tuaj, ka thënë për Business Insider, Alyssa Pike, një dietologe e regjistruar dhe menaxhere e komunikimeve ushqimore në Këshillin Ndërkombëtar të Informacionit të Ushqimit.

Sipas saj, ju gjithashtu duhet të rezervoni ushqime të konservuara që përmbajnë lëng, si domate, fasule dhe peshk.

Lëngu i tepërt mund të përdoret për të gatuar ushqimin e tharë si orizi dhe makaronat.

Dhe mos i lini pas dore sendet si çokollata dhe kafja, edhe pse ato nuk janë rreptësisht thelbësore.

Siç ka raportuar Business Insider, përcjell Telegrafi, sende të tilla mund të bëjnë një ndryshim të madh në shëndetin tuaj mendor dhe moralin gjatë një karantine në shtëpi.

Mund të tingëllojë e thjeshtë, por larja e rregullt dhe e plotë e duarve është një nga mënyrat më të mira dhe më të lehta për të mbrojtur veten nga coronavirusi, sipas CDC.

Prandaj mos harroni të përfshini sapunin e duarve në çantën tuaj të karantinës.

Mos harroni sende të tjera higjiene, siç janë letra higjienike, produktet për kujdesin ndaj grave dhe pelenat nëse keni fëmijë të vegjël në familje.

Veç këtyre, Departamenti i Sigurisë së Brendshme i SHBA rekomandon të kontrolloni në mënyrë periodike barnat tuaja të rregullta me recetë për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm në shtëpinë tuaj.  /KultPlus.com