Nga Prishtina në Berlin, për të dytën herë Oda Haliti performon përsëri në një prej netëve më të rëndësishme në Berlin Beats. Ngjarja mbahet në muzeun shumë të njohur prestigjioz Hamburger Bahnhof në Berlin, muze ky i cili njihet ndër më të rëndësishmit në botë të artit bashkohor.
Verën e kaluar në edicionin e parë të Berlin Beats 2023, 50.000 vizitorë shijuan programin muzikor nga artistë të mëdhenj të skenës së Berlinit. Oda Haliti ishte e vetmja artiste jo vendore e cila ishte e ftuar të performonte në Berlin Beats në natën speciale “Lange Nacht Der Museen zu Berlin”, natë kjo e cila rezultoi me suksesin më të madh në programin e Berlin Beats 2023 – me audiencën më të madhe nga gjithë artistët e tjerë.
Këtë vit me 7 qershor, Oda Haliti do të performojë në hapjen e Berlin Beats 2024 si pjesë e programit më të madh dhe më të rëndësishëm muzikor të Hamburger Bahnhof. Ajo kryeson listën e DJ-ve që do të marrin pjesë këtë vit si headliner i eventit/ngjarjes, në një program serioz me artistë të tjerë të njohur botëror.
Oda Haliti njihet gjërësisht në skenën elektronike muzikore të Kosovës dhe ndërkombëtarisht me mbi 15 vite karrierë muzikore, mes stilit të saj të kuruar të muzikës techno/elektronike e me një ndërthurje të pagabueshme të rrymave të ndryshme eksperimentale dhe ekscentrizmit ritmik.
Oda Haliti është ndër pioneret e muzikës elektronike në Ballkan dhe për herë të dytë radhazi, një shhqiptare paraqitet në Berlin Beats, duke bërë bashkë një audiencë ndërkombëtare jashtëzakonisht të dedikuar ndaj muzikës elektronike dhe artit bashkëkohor.
Performanca e saj në Hamburger Bahnhof shënon një pikë kyçe në karrierën e saj, por edhe në kulturën muzikore të Kosovës e Shqipërisë, pasi ky institucion kulturor pret qindra-mijëra vizitorë në vit, por edhe sepse mban një peshë të veçantë në zhvillimin e praktikave të artit bashkëkohor, përpos të paturit një program muzikor tej mase të kuruar dhe të shumëpritur nga audienca.
Nata e 7 qershorit hap dyert për të gjithë të apasionuarit dhe dashamirësit e rrymave të ndryshme të muzikës elektronike, e në mjediset e hapura pranë muzeut Hamburger Bahnhof, do të zhvillohen netë të ndryshme, që premtojnë pjesëmarrje të gjerë e momente të paharrueshme në kryeqytetin e Europës, në Berlin.
Kjo seri e netëve me muzikë elektronike hap edhe sezonin e gjatë muzikor që do të vijojë deri më 29 gusht 2024./ KultPlus.com