Sukseset jo çdo herë kanë një planifikim paraprak, e sidomos nga ato që bashkojnë 4 bota diversive të cilat gërshetohen në një melodi unike dhe frymojnë në një rrymë të veçantë. E tillë është edhe historia e formacionit ‘Oda Quartet’, të cilët fillimisht kanë dëshmuar talentin individual e pastaj edhe atë të përbashkët, shkruan KultPlus.
Ideja për të formuar një ‘quartet’, ju erdhi shumë spontanisht sepse artistët kishte kohë që njiheshin mes vete e bashkëpunonin në raste të ndryshme.
“Me Gjilberta Lucaj Cohen, e cila njëkohësisht është violonçelistja e ‘Quartetit’, kemi bashkëpunuar tashmë prej 7 vitesh, me Yasuhiko Fukuoka i cili është pianisti, kompozitori dhe aranzhuesi i këngëve të ‘Quartetit’, kemi bashkëpunuar tanimë prej 5 vitesh dhe me Joana Kaimi, e njohur si violinistja e ‘Quartetit’, kemi bashkëpunuar tashmë prej 2 vitesh sepse Kaimi ishte në Amerikë”, fillon kështu rrëfimin e tij, solisti Ergin Oda në intervistën e dhënë për KultPlus.
Këta solistë tërhoqën vëmendjen e madhe të publikut me nismën ‘koncerti vendi im’, duke promovuar kështu kulturën dhe muzikën shqipe në New York. E duke pasur parasysh nevojën e madhe të një rryme të veçantë të cilën nuk e kemi dëgjuar më parë, grupi ‘Oda Quartet’, lansoi ditën e djeshme edhe këngën ‘Volver’.
“Koncerti ‘Vendi im’, i realizuar në vitin 2018 la një jehonë të madhe sidomos në vitin e fundit për shkak të pandemisë. Ky koncert i cili erdhi pa publik, një koncert i detajuar deri në përpikëri me një sallë, ndriçim dhe kast të shkëlqyer, u prezantua si promovim i një vule të kulturës shqiptare, jo vetëm në New York por edhe në botë. Mesazhet e shumta nga Stambolli, Franca, Italia, Australia, Shqipëria, Kosova dhe gjithandej, na targëtuan neve si një kuartet të spikatur prandaj vendosëm që të rikthehemi me një ‘singel’ si ‘Volver’ dhe një album i cili do të lansohet më 20 prill”, shpalos Oda.
Zgjedhja e një kënge dhe shpalosja e një kuptimi të fshehur pas saj, gjithmonë ka qenë një sfidë për artistët, ku edhe vetë Oda potencoi se nuk ishte e thjeshtë duke pasur para vetës një gamë të tërë këngësh të bukura e që të zgjedhësh një këngë që t’i paraprijë albumit e që të jetë pothuajse si një himn apo një kompozim muzikor, kënga e lansuar mbrëmë ishte një rikthim i shumëpritur për publikun.
“Volver si ‘singel’ i parë në gjuhën spanjolle i bie ‘të rikthehesh’. Duke marrë parasysh se koncerti ‘Vendi im’, pati vëmendje të veçantë, ne vendosëm që të sjellim ‘Vovler’ sepse i bie që t’i rikthehemi publikut prapë, e këtë herë t’i japim më shumë. Pra, kënga ‘Vovler’ është një tango klasike, e realizuar rreth viteve 50-të nga kompozitori Carlos që është nga Argjentina, një emër i spikatur i muzikës botërore, me një videoklip i cili po ashtu është shumë i veçantë, me balerinën mysafire Akreoma Saliu nga Tirana që solli një numër të baletit modern”, tregon Oda.
Tutje ai shpalosi se si erdhi ideja deri tek bashkimi i një grupi me 4 anëtarë, të cilët biseduan gjatë karantinës në pandemi se si ata të shkriheshin në një kuartet të vetëm, duke pasuar në një vendosje zyrtare në muajin dhjetor për daljen e tyre në tregun ndërkombëtarë. “Oda Quartet”, pra është pagëzuar me një emër që pasqyron një thesar të shqiptarëve duke kujtuar se në oda janë thurur qindra këngë të cilat kanë një traditë të madhe pas tyre.
“Tani në New York ekzistojnë shumë kuartete të natyrave të ndryshme ku shumë prej tyre sjellin vetëm muzikë klasike, gjë që është klishe dhe neve donim që të vinim në treg më një ide më inovative, diçka që nuk ekziston këtu ose që ekziston më pak. Neve nuk kemi dëgjuar shumë për klasik-folk, kështu që këtë formacion e kemi sjellë në këtë formë, një kuartet që për ‘background’, ka muzikën klasike dhe prandaj vendosëm që muzikën popullore të popujve, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe atë franceze, italiane, spanjolle e portugeze, ta sjellim në këtë formë, nën petkun e muzikës klasike dhe sigurisht në nuanca moderne”, rrëfeu ai.
Ndërsa për planet dhe rrugëtimin e mëtutjeshëm, i cili jo çdo herë është i lehtë, por që gjithmonë ngërthen në vete një kujtim të bukur, e tregon edhe solisti Oda.
“Me 20 prill lansohet albumi ynë i parë, një EP i një albumi të pa kompletuar me një përmbajtje të muzikës shqiptare me vetëm 2 këngë të kënduara në gjuhën shqipe dhe 2 këngë në gjuhën spanjolle. Pastaj janë 3 vepra solo, nga muzika e filmave shqiptarë, njëra nga Joana në violinë, njëra nga Gjilberta në cello dhe tjetra nga Yasuhiko në piano”, tregon Oda për KultPlus.
E arsyeja se pse ky album është i pa kompletuar është sepse në tetor mendohet që të kompletohet me këngë në frëngjisht, italisht dhe ‘boradway’ sepse për grupin Oda Quartet, natyrisht është një obligim moral dhe artistik sepse vinë nga New York, por që pjesa dërmuese e albumit do të jetë në gjuhën shqipe.
“Një album shumëngjyrësh, shumë gjuhësh, një mozaik i bukur mes tingujsh”, potencon ai.
Në mesin e albumit do të përfshihen edhe këngë shqiptare si kënga ‘Dashuro’, e kënduar dikur nga ikona e madhe Nexhmije Pagarusha, kënga ‘Margjelo’, e realizuar nga kompozitori legjendar Prenk Jakova, e për të cilën grupi pati mjaft pyetje rreth origjinës së saj prandaj edhe ishin të gëzuar se kjo këngë do të jetë pjesë e albumit. Por këto këngë tani do të vinë si pjesë e versionit realizues të studios së albumit EP.
Përzgjedhja e këngës e cila e paraprinë albumin është mjaft e vështirë por aspak e lehtë edhe përzgjedhja e këngëve të tjera ku secila ka një hijeshi më të bukur se tjetra e detaje nga më të ndryshmet.
“Neve kalojmë nëpër një rrëmujë të vërtetë, nëpër një stuhi të vërtetë kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e këngëve. Pjesa më e vështirë është shkrirja e këngëve njëra pas tjetrës. Në fund vendosim në këngën më të denjë sepse nuk janë këngë origjinale por albumi i radhës natyrisht që do të ketë origjinalitetin e vet”, pohon Oda.
Për atë se çfarë e dallon një grup nga tjetri, natyrisht janë elementet unike që për secilin muzikantë mban një domethënie të veçantë, kurse për grupin Oda, elementi më i fuqishëm i tyre është shkrirja e të katër talenteve në rryma të tjera dhe këndimi në shumë gjuhë nëpërmjet së cilës ata shkrihen në aksentin origjinal të asaj gjuhe duke bërë kështu që kur këngët të dëgjohen të lënë një përshtypje se janë të kënduara nga një spanjoll apo edhe të tjerë. Por veçantia e tyre shtrihet edhe tek ripërpunimi i këngëve të vjetra të cilat janë nga kombe e gjuhë të ndryshme.
Ndërsa kur flasim për muzikën dhe definicionin e saj, natyrisht që për dikë është mjaft i lehtë definimi i saj, por për të tjerë definimi nuk e përcakton atë se çka me të vërtetë është muzika sepse përjetimi i saj nuk ka vend për limite. Prandaj për solistin Oda, muzika është një univers i tërë, çdo gjë që dëgjojmë përreth është muzikë, edhe qetësia është muzikë. “Gjuha më e bukur universale që na e ka dhënë natyrën si dhuratë”, potencon ai.
Teksa flet tutje për planet e radhës, duke përfshirë këtu edhe koncertet, solisti pohoi se grupi po planifikon një ‘mini tour’, që do të fillojë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni por për shkak të pandemisë e cila është e paparashikueshme, një datë konkrete nuk është e caktuar ende. Por është menduar që për këtë vit, në fundin e muajit tetor dhe fillimin e nëntorit të zhvillohen këto 3 koncerte pastaj synohet që të zhvillojnë koncert edhe në qytetin e Stambollit dhe Parisit.
I pyetur se a do të ekzistojnë bashkëpunime me artistë të tjerë, Oda pohon se ka vend për bashkëpunime me artistë profesional në nivelin e tyre dhe që natyrisht kanë lënë gjurmë në karrierën muzikore.
“Por tani për tani, është shumë herët sepse njerëzit duhet të familjarizohen me ‘Oda Quartet’. Ndërsa pas periudhës së këtij albumi dhe zhvillimin e koncerteve do të bisedojmë për një bashkëpunim me një artistë të spikatur prej solisti”, përfundon Oda.
Grupi ‘Oda Quartet’ pas lansimit të këngës ‘Volver’, po planifikon hedhjen e albumit në tregun ndërkombëtarë dhe lansimin e një tjetër videoje muzikore në kanalin YouTube, por për të cilën ende nuk është e vendosur se cila do të jetë ajo. Deri në këtë moment, ju mund t’i shijoni pafund projektet e lansuara deri më tani nga ky formacion unik. / Era Berisha / KultPlus.com