Një anije e ndërtuar nga një kompani amerikane e fluturimeve hapësinore është bërë anija e parë kozmike në pronësi private që u ul në Hënë.
”Nova-C Odysseus” i Intuitive Machines u ul në rajonin e polit jugor të Hënës në orën 23:23 pasdite (23:23 GMT).
Ky moment shënoi gjithashtu uljen e parë të SHBA-së në Hënë që nga misioni përfundimtar i programit ”Apollo”, ”Apollo 17”, më shumë se 50 vjet më parë.
Lajmi u konfirmua nga shefi ekzekutiv i Intuitive Machine, Steve Altemus, i cili tha se ”jemi në sipërfaqe dhe po transmetojmë. Mirë se erdhe në Hënë!”.
Anija kozmike u nis javën e kaluar nga Florida mbi një raketë ”Falcon 9” të bërë nga kompania ”SpaceX” e Elon Musk.
”Odysseus” është një cilindër gjashtëkëndor rreth katër metra i gjatë dhe 1,57 metra i gjerë dhe peshon 675 kilogramë.
Anija u ul në Malapert A, një krater 186 milje (300 kilometra) nga poli jugor i Hënës.
Poli mendohet se përmban akull, i cili do të ishte një burim i vlefshëm për eksplorimin e ardhshëm njerëzor.
Në bord janë 12 ngarkesa, përfshirë një instrument të NASA-s të njohur si Scalpss (Stereo Cameras for Lunar Plume-Surface Studies).
Ai mban një grup prej 125 skulpturash të vogla, të quajtura Fazat e Hënës, të krijuara nga artisti amerikan, Jeff Koons.
Deri më tani, uljet e kontrolluara në Hënë janë kryer vetëm nga agjencitë qeveritare, duke përfshirë SHBA-në, Bashkimin Sovjetik, Kinën, Indinë dhe Japoninë.
Një mision i dytë Intuitive Machines është planifikuar të ngrihet muajin e ardhshëm, me synimin për të shpuar burime në polin jugor të Hënës./ atsh / KultPlus.com