Ofshama

Tregim nga Ibrahim Berisha

Paraditave në ballkon plaka varte teshat e dy fëmijëve dhe shamitë e bardha që luhateshin nga era. Kjo ndodhte dy herë në javë, të enjteve dhe të hënave. Katër muaj e shushatur, që kur erdhi, e panjohur, përsëriste ritualin e varjes së rrobave të lara.

Herë-herë, ulur në karrigen e plastikes, shtrëngonte gishtërinjtë, pastaj tundte kokën që e mbulonte me shami të bardhë si bora. Lëvizte buzët gjithë kohën, por nuk ia dëgjonte njeri zërin.

Edhe të enjten e fundtetorit 1998, ajo vari teshat në telin e hollë në ballkon. Nuk ia vuri shumë syrin njeri që kaloi afër, pasi gjithnjë bënte këtë punë të enjteve në mëngjes.

Era e vjeshtës ditënxehtë luhaste varësen patrazueshëm kur, Lenës, sa doli për të blerë bukë në Furrën “Hasi”, shikimi i mbet në ballkon. Nuk ishin rrobat e zakonshme që ia zinte syri.

Varej një këmishë e madhe bojë pjeshke dhe afër kravata që nuk i kishte parë njeri këta tre muaj në ballkon. Edhe një fustan doku ngjyrë kaltër.

Lena habitur nuk mund të largonte shikimin nga varësja. Mbante gjoksin me duar.

Tre banorë të ndërtesës që u gjeten aty, edhe ata, ngrinë shikimet në varëse.

Ndërkohë, plaka doli në ballkon. Dukej, nga poshtë, lëvizte buzët, fliste por pa zë.

Përnjëherë nga thellësia e frymës, ofshani: Oh!

Ishte hera e parë që i dëgjohej zëri.

Kërrusur, hoq nga teli këmishën, kravatën e fustanin, i mbajti në duar gjysmë hapur duke i shikuar përmallshëm.

Puthi këmishën, kravatën dhe fustanin. I paloi ngadalë, me kujdes. I bëri gati sikur do të hynin në arkë për t’mos u shpalosur më. / KultPlus.com

Nesër “Ofshamë” në Teatrin e Gjilanit

Në Ditën Ndërkombëtare të Të Drejtave të Njeriut, mw 10 dhjetor, me fillim nga ora 20:00 vjen një shfaqje “Ofshamë” me koncept dhe regji nga Burim Baftiu dhe Erson Zymberi, në Teatrin e Gjilanit.

Shfaqja është prodhim i Organizatës Joqeveritare “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes” – ANP – Gjilan.

Shfaqja është një zë, një thirrje a një reflektim i shoqërisë tonë mbi rrugën, vështirësitë dhe gjendjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe fatin e njerëzve të pagjetur. Një ëndërr e tyre. Një ankth bashkë me një ofshamë në fund. Një dashuri e humbur. Një e vërtetë dhe një dhimbje e madhe. Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Albina Azemi, Albina Murtezi, Antigona Murtezi, Arlind Mustafi, Armend Dushica, Aurora Ismajli, Bekim Sopi dhe Ipek Mustafa. /KultPlus.com