Manastirliu: Armiku i vërtetë sot nuk janë njerëzit, është virusi

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot se “kjo nuk është kohë për të qenë të përçarë”, ndërsa shtoi se “po harxhojmë shumë energji duke kërkuar lart e poshtë armiq imagjinarë, ndërkohë që armiku i vërtetë sot nuk janë njerëzit, armiku është virusi”.

“Nëse sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve dhe të ekspertëve të shëndetit, i bëjmë një shërbim pandemisë duke rritur mosbesimin mes qytetarëve, dhe bashkë me të, edhe përhapjen e infeksionit”, tha Manastirliu.

Ministrja tha se “duke rendur në kërkim të fajtorëve pa faj dhe mbushur kokën e njerëzve me të pavërteta, i bëjmë një dëm shëndetit publik”.

“Kjo është një kohë kur ne politikanët duhet të heshtim dhe ekspertët duhet të flasin.
Unë dëgjoj vetëm këshillat e ekspertëve dhe profesionistëve dhe do t’ju lutesha të gjithëve, që të bëjnë të njëjtën gjë. Sot është koha për solidaritet dhe bashkëpunim, sepse askush nuk është i tepërt në luftën kundër COVID-19. Jam e sigurt që bashkë ia dalim”, tha Manastirliu. /atsh/ KultPlus.com