Nivel i lartë i ndotjes së liqenit të Ohrit

Këto foto të realizuara nga një aeroplan tregojnë ndotjen e liqenit të Ohrit, i cili në disa pjesë është aq alarmues saqë duhet të ndërmerren masa të menjëhershme.

Në vend të ngjyrës së pastër blu, uji i liqenit këtu ka ngjyrë kafe të errët. Nga “Ohri SOS” thonë se fotot ilustrojnë ndotjen e liqenit të Ohrit nga lumi Sateska, raporton Alsat M, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo perspektivë jep pamje të qartë të problemit prej dekadash të devijimit të rrjedhës së lumenjve në liqen. Shumica e degëve, për fat të keq, janë të ndotura dhe i gjithë ai sediment përfundon direkt në liqen. Institucionet si zakonisht nuk reagojnë, për ta ky nuk është problem”, tha Ohri SOS.

Ambientalistët dyshojnë se ndotja e liqenit vjen edhe nga ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, e cila një dekadë është në ndërtim e sipër. Ata thonë se lumi Sateska është një nga ndotësit më të mëdhenj të liqenit që nga viti 1962, që kur është futur në liqen.

“Kjo situatë është pasojë e rritjes së nivelit të ujit, degëve që sjellin sasi të mëdha sedimentesh nga masivët malorë dhe shkrirjes së borës. Por, inspektorët kompetentë të mjedisit duhet sa më parë të hetojnë nëse kjo është edhe rezultat i aktiviteteve ndërtimore që po zhvillohen në magjistralen Ohër-Kërçovë”, tha ambientalisti, Gjoko Zoroski.

Qendra për Shëndet Publik në Ohër thotë se 80 për qind e analizave të mostrave të marra nga lumi Sateska para bashkimit të tij në liqenin e Ohrit tregojnë devijime nga parametrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, ndërsa uji në të shpeshtën e rasteve i përket klasës së tretë ose të katërt.

“Sigurisht, punët ndërtimore që janë duke u zhvilluar vitet e fundit në pjesën e autostradës Ohër-Kërçovë, në afërsi të shtratit të lumit Sateska, kanë ndikimin e tyre shtesë të shtuar në ndotjen e Sateskës, e kështu edhe në liqenin e Ohrit”, u shpreh Qendra për Shëndet Publik Ohër.

Ata thonë se sasia e madhe e sedimentit, rërës dhe dheut që bart me vete lumi Sateska dhe vendoset në fund të liqenit të Ohrit, respektivisht në vetë grykën e lumit në liqen, i cili më pas shpërndahet në rrethinën më të gjerë nga derdhja, që paraqet ngarkesë serioze për ekosistemin e liqenit. Ndryshe, në proces është kthimi i Sateskës në shtratin e vjetër, i cili duhet ta zgjidhë këtë problem.

22 vite nga nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit

Sot, janë mbushur 22 vite nga nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje kjo e cila i dha fund konfliktit të armatosur i cili u zhvillua mes shqiptarëve dhe forcave të sigurisë së shtetit maqedonas, në vitin 2001.

Kjo marrëveshje e cila u asistua nga bashkësia ndërkombëtare, është nënshkruar mbi pesë parimet themelore, të cilat konfirmuan shoqërinë shumëtnike maqedonase dhe ku u sanksionua se shqiptarët janë etni shtetformuese.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua me qëllim të promovimit të zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Parimet themelore te Marrëveshjes së Ohrit:

1. Ndërrimi i pushteteve vetëm përmes zgjedhjeve te lira dhe demokratike

2. Garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë.

3. Konfirmohet karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase

4. Ndërtim i shtetit demokratik

5. Zhvillimi i pushtetit vendor

Përmbajtja e Marrëveshjes së Ohrit

1. Ndërprerja e armiqësive

2. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar

3. Mos diskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë

4. Përfaqësim në gjyqësor në proporcion me popullsinë

5. Gjuhë zyrtare është edhe gjuha amtare kur popullata është mbi 20%

6. Shprehja e identitetit (përdorimi i simboleve të bashkësisë në zonat ku ata përbëjnë shumicën)./KultPlus.com