‘Okarina’, filmi me regji të Alban Zogjanit që theu tabutë ‘morale’ të shoqërisë

Vjollca Duraku
Ejona Veselaj

Ekrani gjigand i Kino Armatës në natën e dytë të Prishtina International Film Festival- PriFest para publikut solli premierën e  filmit “Okarina”, të regjisorit Alban Zogjani, me skenar të Albana Mujës.

“Okarina” paraqet një histori tipike të familjeve shqiptare të cilët ndër viteve, për arsye sociale dhe politike janë detyruar të emigrojnë në shtete të ndryshme të botës, për të cilat në rast të refuzimit të leje qëndrimit në ato vende, martesa e burrave me gra të nacionaliteteve të tjera ka qenë zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme për të siguruar stabilitetin dhe standardin e familjes së tyre të vërtetë.

Një histori e tillë u trajtua në disa dimensione me filmin “Okarina”, ku protagonistë ishin kryefamiljarët Shaqa (Jehon Gorani) dhe Selvia (Shëngyl Ismajli), të cilët në kohën e luftës kishin emigruar në Londër, të Mbretërisë së Bashkuar. Në mesin e peripecive për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme dhe integrimit të kësaj familjeje, me theks të veçantë dy vajzave Sarandës (Rina Krasniqit) dhe Vjosës(Flaka Latfit) në këtë metropol botëror, një dokument i dërguar nga administrata shtetërore britanike për t’u kthyer në vendlindjen e tyre e ndryshoi komplet rrjedhën e tërë familjes.

“Martesa për letra” ishte opsioni i vetëm që fati e sillte në duart e tyre, përmes së cilit  Shaqa dhe Selvia do të mund të qëndronin në këtë shtet pranë vajzave të tyre.  Shaqa, si një burrë shqiptar me profesion zdrukthtar refuzon të “shkojë nuse”, kështu që kjo çështje në mënyrë të pavullnetshme pasohet në duart e Selvisë, e cila detyrohet të krijojë një kontratë martese me punëdhënësin e saj Giovanin (Kastriot Shehi). Mirëpo, për shkak të inspektimeve rigoroze të mbikëqyrësve shtetërorë, të cilët bënin kontrollime edhe në pikë të natës, për të vërtetuar nëse martesa e tyre ishte e vërtetë, Selvisë iu desh që për njëfarë kohe të shkojë të jetojë në shtëpinë e punëdhënësit të saj.


Për hir të së vërtetës, ashtu ishte. Selvija vazhdonte punën e saj të pastrimit në atë shtëpi si zakonisht, dhe flinte poshtë në kuzhinë. Mirëpo, dashamirësia, kujdesi dhe mirëkuptimi i treguar nga Giovani, krejt papritur e bën Selvinë të ndihej e vlerësuar, dhe një dashuri e vërtetë mes tyre  lind. Ky fakt, si një tërmet i fortë, shkund dhe shpërbën këtë  familje shqiptare, në themelet e së cilës gjendeshin pasojat e sistemit të çrregullt të jetesës të injektuar si rezultat i regjimeve të ndryshme, ku në pamundësi të shkollimit dhe arsimimit adekuat, si me thikë u ndahen detyrat e burrave dhe grave, njërit për siguruar mbijetesë dhe tjetrës për riprodhim dhe vazhdimësinë e llojit.

Në film, drama vazhdon edhe më tej kur njëra prej vajzave (Vjosa) kupton që ishte shtatëzënë me ish të dashurin e saj. Në mesin e shumë pikëpyetjeve për qëndrimin e prindërve të saj, të familjes së gjerë në Kosovë, për të ardhmen e saj dhe të bebushit që bartte, Vjosa vendos që të abortojë. Një moment sa shqetësues aq edhe reflektues në shtratin e spitalit ku ajo do të kryente abortin, ndaloi këtë proces bizar, që brenda pak minutash pritej të ndodhte.

“Okarina” përmes trajtimit të kësaj historie thyen tabu në disa kuptime mbi standardin e dashurisë dhe familjes në shoqërinë shqiptare. Me gjithë kundërshtimet e tij, Shaqa në fund i dorëzohet realitetit dhe lejon gruan e tij pas njëzet vitesh martesë të jetojë me burrin e saj të ri (pa ofendime apo kërcënime për vrasje) siç ndodh rëndom kur dikush tenton të prekë “megjën” (gruan). Për herë të parë “martesën për letra” po e bënte një grua, pasi martesa e burrave shqiptarë me gra të huaja ka qenë një fenomen i njohur. Po ashtu edhe lindja e njërës nga vajzat e qiftit, ka thyer tabu pasi nuk ka qenë normale për atë kohë që një vajzë të lindë dhe të mbajë fëmijën e ish-të dashurit të saj.

Fëmija vajzë pagëzohet me emrin e “Okarina” për shkak të lidhshmërisë së këtij instrumenti me punën e gjyshit si zdrukthtar, por edhe njëkohësisht si element dallues i etnisë shqiptare që në film ndërlidhet bukur edhe me këtë fenomen të shoqërisë shqiptare në ne vitet ’80-të, 90-të, e 2000. Fundi i filmit shpie te zgjidhjet e secilit karakter në të mirë të vetes së vet.

Krejt në fund të filmit, në një prononcim për media, regjisori Alban Zogjani ka thënë se filmi trajton temën e moralit të krijuar në një shoqëri dhe pasojat e zgjedhjeve jetësore.

““Okarina” vë në pah gjendjen emocionale të një familje, si pasojë e elementeve të tjera të cilat kanë rrjedhur ndër vite, me mënyrën se si janë rritur, si i kanë përballuar sfidat e ndryshme, ku sfidat e përgjithshme kanë prekur deri te morali. Këtu merren vendime të ndryshme nën idenë që po e shpëtojmë familjen, por realisht ne veprojmë në diçka të kundërt”, ka shpjeguar regjisori Zogjani.

Regjisori Zogjani po ashtuka thënë se ideja e tij ka qenë që përmes personazheve të Kosovës, gjuhës dhe ngjyrës së këtij filmi të shpërfaqet kjo temë e përgjithshme botërore.

“Qëllimi im kryesor ka qenë me dhënë rëndësinë e karakterit përmes mënyrës se si kam lëvizur në kamerë, përmes mënyrës se si kam interpretuar personazhin në mënyrën minimaliste, në manyrë që njerëzit të kenë një lidhje me personazhet. Pra, jam munduar t’i jap publikut qasje për të trajtuar diçka që mund t’i ndodh secilit person në mënyra të ndryshme, por përsëri e shpërfaqur brenda në familje. Pavarësisht nëse ngjarja zhvillohet jashtë shtëpisë, ai problem nuk mund të zgjidhet jashtë kornizës së shtëpisë”, ka thënë regjisori po ashtu.

Ndërsa skenaristja e filmit, Albana Muja, në koferencën për media ka treguar se si ka shkuar ecuria e punës deri te realizimi i produktit final.

“Ka raste kur një skenar mund ta shkruash për një kohë shumë të shkurtër dhe kur të merr kohë shumë gjatë, sidomos kur do të prekësh një temë sociale. Prandaj në këtë rast procesi i shkrimit ka zgjatur rreth dy vite. Fillimisht ka qenë dramë për teatër,  pastaj komedi e zezë. Pastaj te filmi kam dashur të paraqes një puro dramë. Tërë procesi ka zgjatur rreth dy vite, dhe jam shumë e lumtur për këtë bashkëpunim me Alban Zogjanin, i cili nuk e ka pasur aspak të lehtë realizimin e filmit. Është bërë një punë shumë e mirë pavarësisht mundësive të vogla financiare”, ka thënë skenaristja Muja.

Kurse, aktorja Shëngyl Ismajli në një prononcim për  KultPlus ka thënë së ndihet mirënjohëse për punën e realizuar me regjisorin dhe gjithë kastën e aktorëve.

“Kjo ka qenë hera e parë që kam punuar me Alban Zogjanin në film. Mund të them që ka qenë një eksperiencë që shpresoj që ka me u përsërit prapë. Albani është fantastik si regjisor, por pikë së pari edhe si njeri. Bashkëpunimi me aktorët si, Kastrioti, Jehoni, Flaka Rina e të tjerët ka qenë fantastik. Kemi pasur një kimi shumë të përbashkët që unë mendoj që ajo ka rezultuar në produktin final që ju sapo e patë.

Për aktoren Ismajli trajtimi i kësaj teme të dhimbshme i “martesës për letra”, një e vërtetë e shqitarëve të viteve 90-ta ka qenë temë bosht që ka ngërthyer atë si aktore në rolin e Selvijes.

“Në këtë rast ky film tregon që edhe gratë kenë ndjenja, që edhe gratë e dijnë se çka është e bukura, kur dikush sillet bukur, të sjellë lule, dhe jo gjithmonë jo ti je ajo që e përgatit kafen për burrin. Ky film tregon që ekziston edhe e kundërta. Sigurisht, Selvija përfundon me Giovanin jo për pasurinë e tij por për mirësjelljen dhe ngrohtësinë që e ofron”, ka pëfunduar Ismajli.

PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com

Filmi “Okarina” shfaqet në natën e dytë të PriFest

Filmi “Okarina” nga Alban Zogjani do të shfaqet në natën e dytë të edicionit të 16-të të PriFest, që do të mbahet nga data 10 deri më 15 shtator.

“Filmi paraqet një histori për sfidat familjare që lindin për shkak të ndryshimeve në stilin e jetesës pas zhvendosjes në një vend të ri, të nxitura nga dëshira e fortë për të përmirësuar kushtet e tyre. Shaqa dhe Selvia sfidojnë ndjenjën e tyre të “moralit” për të ndjekur një të ardhme më të ndritur. Ndërkohë, përfshirja e pavullnetshme e Giovannit e drejton rrugën e tyre në një drejtim të papritur. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon ashtu siç e kishin parashikuar”, thuhet në njoftim.

Producentë të filmit janë Rita Krasniqi, Dren Zherka, ndërsa skenari nga Albana Muja. Kurse, në film do të luajnë Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi, Kastriot Shehi.

Filmi do të shfaqet më datë 11 shtator 2024, në Kino Armata, nga ora 19:30. Biletat mund të blihen online ne Rave Travel dhe te Kino Armata nga data 10 shtator./KultPlus.com

Dita e muzikës me ‘Muzikë në lagje’, kori ‘Okarina’ dhe talentët e vegjël magjepsën publikun në KultPlus Caffe Gallery

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, ambientet e jashtme të KultPlus Caffe Gallery u mbushën me tingujt magjepsës të muzikës në ngjarjen e veçantë “Muzikë në Lagje”. Ky event, organizuar nga ‘Kori i Fëmijëve Okarina’ dhe gazeta online për kulturë ‘KultPlus’, ishte një ngjarje që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje të paharrueshme, ‘Kori i Fëmijëve Okarina’, bashkë me solistët e “Ars Kosova” dhe shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’, udhëhequr nga dirigjentja Elikonë Hysaj, performuan me një pasion të veçantë, duke dhuruar një spektakël muzikor që la mbresa të thella tek publiku. Pjesëmarrësit, nga fëmijët e vegjël deri te prindërit dhe organizatorët, u kënaqën duke dëgjuar interpretimet e talentuara të këngëve të njohura nga muzika shqipe dhe ajo ndërkombëtare.

Mbrëmja filloi me ansamblin harkor nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” të cilët interpretuan ‘Stinën e Pranverës’, kompozitori Antonio Vivaldi e pas tyre e më pas në flautë interpretoi Diosa Ramadani.

Pas këtyre interpretimeve që u shijuan nga publiku, prezantuesja e mbrëmjes, Anisa Ismaili, i ftoi në skenë korin e fëmijëve ‘Okarina’ të cilët dhuruan emocione të paharrueshme në interpretimin e veprave “La sui monti dell’est (del est)”  nga Opera “Turandot” dhe “Avec la garde montante” nga opera “Carmen”.

Kjo festë vazhdoi edhe në interetime solo të artistëve të vegjël por shumë premtues, Vlona Sahiti në piano, Erdi Heta në Fizarmonikë, Daorsa Krasniqi në piano, Darsen Gashi në kitarë, Siar Gashi në piano, Tuana Krasniqi në flautë dhe Tiara Kolgeci në Piano.

Ky event muzikor u organizua për të nderuar Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, duke theksuar rëndësinë e muzikës në jetën tonë të përditshme dhe duke promovuar talentet e reja të muzikës në Kosovë. Performancat ishin një kombinim perfekt i energjisë rinore dhe profesionalizmit, duke krijuar një atmosferë të veçantë që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.

E më pas, radha përsëri u erdhi interpretiuesve të korit ‘Okarina’ të cilët sollën perlat e muzikës shqiptare “Të fala nga Prishtina” këngë e mirënjohur nga kompozitori Musa Piperku, “Kënga e gjyshes” dhe ‘Kur bjen fyelli, çiftelia’ nga Vaçe Zela, performanca këto që sollën një atmosferë magjike për të gjithë të pranishmit që kishin mbushur plot një pjesë të parkut në lagjen Ulpiana.

Programi u pasurua edhe më shumë me interpretimet e nxënësve nga Shkolla e Muzikës , Artit dhe Baletit “ArsKosova”, siç janë, Sofia Congedo, nxënëse nga Ukraina dhe pianistja Luna Shema.

‘Kori i fëmijëve Okarina’ sërish solli frymë shqiptare me “Valsin e lumturisë” nga Vaçe Zela dhe “Bareshën “ nga Nexhmije Pagarusha, nga dy këngëtaret ikonë të muzikës së mirëfilltë shqiptare.

Në këtë mbrëmje që e shijuan të gjithë më pas interpretuan edhe muzikantët e vegjël Kolos Krasniqi në piano, Valza Radoniqi në kitarë, Andrra Haraqia në piano, Hana Morina në violoncello dhe Jara Lahaj në piano.

E krejt në fund, kori ‘Okarina’ përmbylli denjësisht këtë festë, teksa interpretuan “Thank you for the music” nga grupi ABBA dhe ”Vallja popullore” e Pranvera Badivuku, interpretime këto që edhe njëherë vënë në kujtesën e të pranishmëve rëndësinë e muzikës për jetën tonë.
Në përfundim të mbrëmjes, Elikonë Hysaj shpërndau mirënjohje për secilin fëmijë pjesëmarrës.

Pas kësaj mbrëmje , drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, falënderoi korin e fëmijëve ‘Okarina’ për këtë bashkëpunim dhe shtoi se mbrëmjet e tilla kanë një rëndësi të madhe për komunitetin.

“Ngjarje si “Muzikë në Lagje” janë thelbësore për të mbështetur dhe promovuar kulturën muzikore në vendin tonë. Ato ofrojnë një platformë të rëndësishme për artistët e rinj dhe krijojnë mundësi për komunitetin të bashkohet dhe të shijojë bukurinë e tingujve të muzikës”, tha Pajaziti, duke shtuar se shpreson se ngjarje si kjo të bëhen traditë vjetore dhe të vazhdojnë të sjellin gëzim e emocione për të gjithë ata që e duan muzikën./KultPlus.com

Librat e rinj në odeonin promovues të ”Okarinës” shqiptaro-suedeze

Për nder të 23 prillit, Ditës Botërore të Librit, më 27 prill në Malmö të Suedisë u realizua një pasdite kulturore me autorë, veprat e të cilëve u botuan kohëve të fundit. Veprat që u përzgjodhën u botuan në Prishtinë e Tiranë, ndërsa autorët e tyre gjallojnë në atdhe e mërgatë. Në sallën e mbushur përplot bashkatdhetarë- dashamirës të librit e mysafirë të ftuar nga Parisi, Uppsala, Stockholmi, Kopenhaga, Halmstadi, Vetlanda, Landskrona e Malmö, promovimi i parë filloi me veprën e autorit nga Prishtina.

Abdullah Zeneli

SALIH LUTOLLI-AGI  Kalorës i rrugës së pafund”, shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë, 2023

Për këtë monografi, kushtuar jetës e veprës së piktorit Lutolli, foli shkrimtari shqiptar me banim në Paris Luan Rama. Rama, përveçse njohës i denjë i gjuhës e kulturës frënge, është edhe skenarist e kineast, është edhe njohës i hollë i artit shqiptar e botëror. Vizita e Ramës në Malmö, ishte pjekje e  tij e parë me Suedinë. Shpirtërisht, Rama ishte takuar qëmoti me vendin nordik, prejse kishte lexuar Lagerlöf-in, Strindberg-un, Tranströmer-in, apo kishte parë filmat e Bergman-it, Troell-it, aktrimin e Garbo-së e Ingrit Bergman-it. Luan Rama është gjurmues e ndriçues i fatit të familjeve elitare shqiptare në Europë (siç ishte familja Durrazo) dhe kur rasti e sjell para publikut (si në organizimin e “Okarinës”) shfaqet përrallor në kuvendim, aq sa të duket vetja se gjendesh para një orakulli. Rama ishte mbështetës i artistëve shqiptarë, rrugët profesionale të të cilëve, një ditë, përfunduan në Francë. Në Francë, Rama ishte  ambasador i shtetit shqiptar për shumë vite dhe profesor në universitetin “Denis Didero”.  Dhe jo vetëm artistëve. Në kohën e luftës në Kosovë, Luan Rama krijonte kontaktet e nevojshme mes udhëheqësve të Kosovës e shtetit të Francës. Luan Rama ftonte përfaqësuesit e UÇK-së për bashkë këshillim me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që jetonte në Paris në kohën e luftës në Kosovë.  

Salih Lutolli-Agi, kur u dëbua bashkë më mijëra bashkëqytetarë nga Prishtina, përfundoi në Francë. Atje gjeti Luan Ramës dhe e mori mbështetjen e tij. Këtë histori takimi, Rama ia evokoi publikut kur filloi të flasë për piktorin Lutolli. E rrëfeu edhe dramën familjare që artisti e kishte përjetuar në Kosovë (një vajzë e Lutollit ishte plagosur në Prishtinë). Pastaj nisi të vlerësojë krijimtarinë e piktorit. Përmendi teknikat e realizimit të motiveve, legjendat e subjekteve grafike, përkryerjet artistike që Agi i krijon me tush, akuarel apo guash. Veçoi edhe titujt kuptimplotë që piktori u jep tablove të veta. Titujt-pagëzimet e grafikave dëshmojnë kulturën letrare të Agit. Lutolli, për shkrimtarin Luan Rama, është piktor i realizuar dhe piktor që ka lexuar shumë njëkohësisht. Surrealizmi i Agit është ekuivalent me surrealizmin europian. Brenda arealit surrealist shqiptar Agi është origjinal dhe i pashoq. “Agi, do të duhej të bashkëpunonte me galeritë e njohura në Suedi, apo gjetkë në Europë, edhe për faktin se do të mund të internacionalizonte artin shqiptar”-tha Rama. Gjithashtu i sugjeroi Lutollit të vë në objektivin e grafikës së tij epikën suedeze ngase është e bukur dhe e kapshme për intuitën e tij krijuese.

Kur piktori Lutolli mori fjalën, kujtoi fëmijërinë, shkollimin, punën, publikimet e para dhe bashkëpunimet me revistat e shkrimtarët kosovarë që krijuan trashëgiminë gjysmëshekullore letrare të vendit gjatë shekullit XX e fillimit të shekullit XXl. Trashëgimia figurative e kësaj periudhe në Kosovë mbanë me krenari nofkën e shkurtër Agi. Monografinë për jetën e veprën e Lutollit e përgatiti Abdullah Zeneli dhe e botoi shtëpia botuese  “Faik Konica”. Botimi i monografisë është luksoz, bashkëpunimi i autorit Zeneli me “Faik Konicën” i rëndësishëm. Për monografinë foli edhe miku i Agit dhe i shqiptarëve danezi Niels Henrik Hooge  që kishte ardhur enkas nga Kopenhaga. Agi mori shumë urime për veprën nga bashkatdhetarët e miqtë suedezë, danezë e norvegjezë.

Zyrafete Kryeziu-Manaj

Dikter i urval” përktheu Ullmar Qvick, e botoi shtëpia botuese “Beqir Musliu” Gjilan.

Zyrafete Kryeziu- Manaj është emër i njohur i lirikës shqiptare në ekzil. Dikur ishte protagoniste e revoltës dhe e qëndresës në Kosovë. Poezisë i fali përkushtimin, lirisë idealin dhe sakrificën personale. Këto dy virtyte të larta njerëzore e shquajnë jetën e saj. Shqiptar Oseku i kishte parasysh këto dy cilësi, kur filloi të flasë për poeten në suedisht. Duke e njohur mirë poezinë e Zyrafetes e duke qenë vetë redaktor i përmbledhjes “Dikter i urval”, Oseku e kishte të lehtë t`u transmetonte të pranishmeve vlerat që fsheh poezia dhe virtytet që rrezaton njerëzia e kësaj gruaje shqiptare. Oseku e mbaroi ligjërimin e vet me një diskurs kuptimplotë që lartësonte emrin e gruas në shoqëri dhe denonconte sjelljet brutale (të kohëve të fundit) të burrave në dëm të qenies femërore.

Imri Demisai

Jam strugan”, botoi shtëpia botuese INFBOTUES Tiranë, 2023

Për përmbledhjen “Jam Strugan” të Demisait foli Qerim Kryeziu. Demisai poezinë e ka pasion, psikologjinë profesion. Poezinë e formaton me elemente të vjershërimit klasik, me strofa e rima të prera e të rregullta. Një traditë e hershme kjo në metrikë, e sprovuar me sukses nga Demisai në poezi. Ndërkaq në psikologji, Demisai demonstron metodologji krejtësisht të re dhe e aplikon atë në repartet e spitalit të psikiatrisë në Goteborg ku punon. Kërkimet dhe rezultatet e punës së vet, sivjet i publikoi në librin shkencor me titull  “Antidepressiv Kognitiv Stil” të botuar këtë vit në suedisht. Librit iu bë një prezantim i shkurtër dhe autorit iu shtruan disa pyetje interesante.

Qerim Raqi

Tregime dhe poezi nga nobelistë suedezë” të përkthyera në shqip, botoi shtëpia botuese “Armagedoni” Prishtinë, 2023

Qerim Raqi, përveçse poet, me disa përmbledhje të botuara, është edhe përkthyes i mirë i letërsisë suedeze në shqip. Ismail Rugova (veprimtar e përpilues i hershëm i fjalorëve të parë suedisht-shqip) dëshmoi aftësitë shqipëruese të Raqit në përkthimin e tekstit suedisht në shqip, qoftë ai poetik a prozaik. Duke u ndalur shkurtimisht tek secili nobelist suedez dhe duke konkretizuar tekstet suedisht- shqip, Rugova konstatoi se Raqi është mjeshtër i përkthimit dhe mësues e intelektual që i bën nder komunitetit tonë në Suedi. Raqi lexoi një poezi të Lagerkvist-it të përkthyer në shqip.

Rexhep Jashari

Figura e Isa Boletinit në këngët tona popullore epike-historike, “Figura e Bajram Currit në këngët popullore epike-historike dhe në letërsinë e shkruar”, “Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari në këngët popullore epike-historike dhe në letërsinë artistike”, botoi shtëpia botuese “Lena Graphic” Prishtinë, 2023  

Prof. Rexhep Jashari para pensionimit ishte mësues e misionar i shqipes. Pas pensionimit, kontribuoi me koleksionimin e këngëve epike dhe studimeve historike. Në ekzil, Jasharit i peshon gjithashtu fatura e angazhimeve kombëtare për liri e pavarësi të Kosovës. Për autorin Jashari, epika historike është e veçantë. Për këtë arsye, ai mblodhi e analizoi këngët që populli ynë i këndoi për heronjtë si Isa Boletini, Bajram Curri, Shaban, Hamëz e Adem Jashari. Këto figura heroike janë strumbullar i këngëve epike, ngase të njëjtat ishin subjekte të ngjarjeve të mëdha historike. Botimet e Jasharit mundësojnë që epika historike për këta heronj të ruhet e të përcillet si trashëgimi. Edhe këngët e thonë se qëndresa e këtyre heronjve ishte madhështore e mitike. Po aq madhështore, në kuptimin estetik, është edhe lirika epike që është shkruar e kënduar për këta burra qendrestarë. Prezantimin e veprave të prof. Jasharit e bëri Gala Kryeziu.

Entela Tabaku (poete dhe profesore në Universitetin e Uppsales) theksoi rëndësinë që kanë botimet për kulturën kombëtare, veçanërisht për mërgatën. Gjuha është e rëndësishme për të gjithë, për mërgimtarët gjuha është vetë ekzistenca e tyre. Shqipja ka trojet e veta ku jeton sovrane dhe nuk ka nevojë të brengoset nëse harrohet nga dikush. Ne, mërgimtarët kemi nevojë për të, prandaj nuk guxojmë ta harrojmë. Meqë  jetojmë në trojet e huaja, GJUHËN e kemi të vetmen pasuri, të vetmin ilaç që siguron vazhdimësinë tonë si shqiptarë- përfundoi Entela Tabaku.

Promovomi si organizim

Për këtë organizim, anëtarët Qendrës Kulturore “Okarina” kishin menduar mirë, kishin punuar shumë dhe e kishin realizuar shkëlqyeshëm. Promovimi pati për motivacion Ditën Botërore të Librit. Në këtë organizim nderoi me pjesëmarrje edhe konsulli i Kosovës në Suedi zoti Ardian Kolaj.  

Falënderojmë RTV “Zëri i Danimarkës” z. Ibrahim Xhemajli dhe z.Bedri Bytyçi për mbeshtetje mediale, Lulzim Ramën për mbeshtetje me tekniken e zërimit dhe shoqatën kulturore “Kosovarja” të Malmös për gostitjen./KultPlus.com

                                                                               

Filmi ‘Okarina’ me premierë botërore në Indi, shpërfaqë jetën e emigrantëve shqiptarë

Filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” me regji të Alban Zogjanit, është dhënë si premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi, shkruan KultPlus.

Filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës, e vendos shikuesin ne brendësi të privatësisë dhe përditshmerisë së një familjeje emigrantësh kosovarë në të 2000 – tat e hershme, përmes së cilës shpërfaqë historitë e patreguara të shumë shqiptarëve të humbur në kohë e ekzistencë.

Ky film gërsheton në vete problemet e të qenit emigrant, ndryshimet dhe tranzicionet e sjella nga jetesa në perëndim dhe mënyrat e përballjes me to.

Aktorët që luajnë në film janë: Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi dhe Kastriot Shehi. Producente e filmit ishte: Rita Krasniqi dhe drejtor i fotografisë: Alex Bloom.

Skenaristja Albana Muja përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nominimi në një kategori të tillë është dëshmi e cilësisë që posedon përmbajtja filmike në tërësi.

“Kategoria e “Debutimit më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi përfshin realizime ndërkombëtare e indiane, të cilat shquhen si e ardhmja e kinemasë, ndërsa nominimi në kategori të tillë është dëshmi e cilësisë, rëndësisë dhe hapësirës që një krijim zë në këtë industri”, ka shkruar Muja. /KultPlus.com

Përmes një koncerti artistik, Kori i Grave ‘Okarina’ i përgjigjet iniciativës për luftimin e depresionit

Kori i Grave “Okarina” do të mbajë sonte një koncert në sallën e Qendrës Okarina, duke iu bashkuar një iniciative e cila synon luftimin e depresionit përmes aktiviteteve kulturore, shkruan KultPlus.

Ky koncert, mbahet në kuadër të aktivitetit “ Supporting people in depression” të organizuar nga Chórtownia ( Poloni) të mbështetur nga IGNITE-a, duke iu bashkuar iniciativës me randësi të madhe që përmes aktiviteteve kulturore të luftohet depresioni.

Përmes një njoftimi në facebook, Kori “Okarina” ka bërë të ditur se performanca mund të ndiqet live në Facebook ku do të ketë interpretime acapella nga repertoari shqiptar dhe i huaj.

“Përmes realizimit të një koncerti dhe diskutimi të hapur për mënjanim të depresionit përmes muzikës, ju ftojmë të hyni direkt në platformën Live Facebook nga ora 19:00 ne faqe të Korit të Grave “Okarina” për të dëgjuar interpretime acapella nga repertoari shqiptar dhe i huaj!

Po ashtu me numër të limituar të ulëseve, koncerti është i hapur për ju artdashës që dëshironi të dëgjoni muzikë të bukur dhe terapeutike🥰

Mirësevini”, thuhet në njoftim.

Koncerti do të mbahet sot me datë 14.10.2023 , nga ora 19:00 në sallën e Qendrës Okarina/KultPlus.com

Pas shumë sukseseve në Kosovë, korit “Okarina” po i shtohet edhe “DanceTheater”, risi e veçantë për fëmijët  

Era Berisha

Kryeqytetit të Kosovës po i shtohet edhe një aktivitet tjetër i veçantë dhe krejtësisht ndryshe nga formatet e zakonshme. Bëhet fjalë për “DanceTheater Okarina”, që së bashku me Korin e fëmijëve “Okarina”, do të realizojnë shfaqje muzikore skenike “Musical”, shkruan KultPlus. 

“DanceTheater” është formë e vallëzimit bashkëkohor, ku gërshetohen elementet skenike nga baleti dhe teatri dhe aty ku gjuha trupore shpreh gjithë dramaturgjinë e një shfaqje muzikore skenike. 

Nën drejtimin e solo këngëtares Elikona Hysaj-Shala dhe balerinit Kreshnik Musolli, shfaqja do të gjejë jetësimin e saj shumë shpejt. Ndërkaq, në një prononcim për KultPlus, Elikona ka njoftuar se ideja e themelimit të një formati të tillë ka ardhur si pasojë e gjithë kërkesës që vjen nga vokali, nga mungesa e shfaqjeve muzikore për fëmijë si dhe nga gjithë dashuria e saj për teatrin. 

Kreshnik Musolli

Sipas saj, një muzikant duhet të jetë patjetër i formuar në shumë sfera që përfshijnë artin brenda. Në këtë rast, ajo ndodh duke përfshirë vallëzimin dhe teatrin. Pra, nuk mund të jesh një këngëtar duke pasur njohuri vetëm mbi vokalin, por duhet njohur ritmi, vallëzimi dhe të gjitha elementet që e përbëjnë skenën. 

“Bashkëpunimi me Kreshnik Musollin erdhi në një moment të duhur, pas një pune të madhe të tij në profesionin e regjisorit, i cili tashmë veç ka dëshmuar në skenë. Shfaqjet e tij e lidhin koreografinë me regjinë në një mënyrë shumë të mirë, si dy dimensione të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Sigurisht që ai e di se për të përcjell një emocion, duhet të njihet regjia, dhe duke iu qasur edhe një analize të thellë të veprave që paraqiten në skenë, dëshira ime ka qenë e kamotshme që të filloj të punoj një formë të tillë skenike, por me të vërtetë kam pritur gjatë derisa kam vendosur që të bëj një bashkëpunim të tillë, si dy pedagog të përkushtuar profesionalisht. Dashuria për këtë profesion shkon e rritet pasi që i sheh momentet për të cilat fëmijët kanë nevojë”, thotë Hysaj-Shala. 

Elikona Hysaj-Shala

Ky aktivitet duhet të merret si referencë për një punë të begatshme që i ofron fëmijëve diçka që se kanë përjetuar më parë. Dhe konsiderohet se, për të ndërtuar një version të tillë, duhet një kohë e gjatë për t’i plotësuar boshllëqet e shumta, në mënyrë që shfaqja të ketë jetëgjatësinë e duhur. Dhe sipas Hysaj-Shalës, gjithmonë duhet të pretendohet që ti epet jetë këtij aktiviteti i cili po mirëpritet si ide e bukur në kryeqytet. Sipas saj, kjo nuk duhet të mbetet vetëm një projekt, por duhet me ngulm që të kërkohet që këto projekte të kalojnë në shfaqje sezonale, të cilat duhet të reprizohen, të jepen para fëmijëve.  

“Baleti dhe drama e kërkojnë një kohë përgatitjesh teknike, dhe njohuri pak më të thellë të kësaj fryme. Kanë mbetur vetëm tri muaj deri tek realizmi i koncertit të fundvitit sezonal që gjithmonë përgatitet nga Kori i fëmijëve Okarina, dhe kësaj here do të shfrytëzohet që brenda koncertit, të paraqiten dy numra koreografish, që do të shpalosen brenda karakterit të koncertit, pra brenda veprave që përpilohen për këtë koncert. Ky do të jetë pikëtakimi ynë në skenë ku për herë të parë do të shfaqet puna e “DanceTheater Okarina” në një program artistik të përgatitur nga Kori dhe kjo ndërthurje e këtyre dy fushave, do të jetë një befasi për publikun sepse edhe vetë Kori do të ketë shtesë leksionesh, lëvizjesh trupore”, shpalos Hysaj-Shala. 

Kori Okarina

Fëmijët të cilët do të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”, do të jenë nga mosha 4 deri më 18 vjeç, natyrisht duke i ndarë në grup mosha. Ndërsa, një pjesë e fëmijëve nga Kori, ata që me të vërtetë kanë talent për lëvizje trupore, dhe që plotësojnë disiplinën e baletit, do të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”. 

Studioja është e hapur edhe për fëmijë të tjerë të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këndimit të Korit por duan të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”, asisoj që të plotësojnë njëri-tjetrin në skenë. Andaj, në rast se fëmija juaj ka talent dhe dashuri për vallëzimin, baletin, teatrin dhe muzikën, atëherë qendra “Okarina” plotëson ëndrrën e fëmijës tuaj për të qenë pjesë e shfaqjeve muzikore skenike. 

“Padyshim që “DanceTheater” është një format ndryshe, një risi për kryeqytetin. Është diçka që se kemi parë më parë. Jemi mësuar të shohim Korin në skenë duke mos vallëzuar, por që koristët të vallëzojnë e të jenë pjesë e koreografisë, kjo veç tregon që fëmija duhet të plotësohet artistikisht me kalimin e kohës, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për skenat vendore dhe ndërkombëtare”, tregon Hysaj-Shala. 

Ajo thotë se kjo risi është për t’u mirëpritur dhe për t’u mbështetur institucionalisht, sepse një “Musical” nuk është diçka që ndodh tek ne. Por, është i nevojshëm për publikun kosovar, dhe është i nevojshëm për t’u parë e dëgjuar nga fëmijët.  

Kori Okarina

Po ashtu, ekziston edhe ideja që të krijohet një “Musical” televiz, përpos atij teatral, në mënyrë që të arrihet e të shfaqet ky aktivitet edhe më gjerë.  

“Sigurisht që në të ardhmen do ketë aktivitete nga më të ndryshmet, që i përkasin formatit të tillë. Me kalimin e kohës, do shtohen aktivitete shtesë, duke e plotësuar formën e “Musical” në skenë, pra me shtimin e aktrimit. Qëllimi është që fëmijët të mos duan ta ndalin vetën me një projekt por të vazhdojnë tutje e të tregojnë më shumë sesa që kanë treguar në një shfaqje që e kanë lënë pas. Për mua, çdo herë kjo dashuri shkon e shtohet, për të vazhduar e krijuar ide të reja, koncepte të reja, tema të ndryshme, të cilat neve na preokupojnë përgjatë ditës dhe të cilat dëshirojmë t’i fusim në skenë e t’i shtjellojmë. Prioritet është kultura dhe mbajtja gjallë e saj, në vend. Në këtë formë, fëmijët do të ndjehen më të pasur shpirtërisht e do të ndjehen të arrirë, me kujtime që nuk do të mund t’i shlyejnë për gjithë jetën”, përfundon Hysaj-Shala. 

Regjistrimi i femijeve ka nisur nga data 26 Shtator dhe do të përfundojë më 7 Tetor. Qendra “Okarina” gjendet në afërsi të shkollës fillore “Elena Gjika”. / KultPlus.com

“Kthejeni në shtëpi”, Kosova i kërkon UNESCO-s kthimin e Okarinës që e ka grabitur Serbia

Okarina është insitrument i cili është gjetur në Runik të Skënderajt dhe konsiderohet si një ndër intrumentet më të vjetra.

Ministria e Kulturës ka kërkuar nga UNESCO që Okarina të kthehet në Kosovë, pasi që po mbahet ilegalisht në Serbi në mesin e 1247 artefakteve tjera.

Madje MRKS-ja për këtë ka kërkuar ndihmë edhe nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera.

“1247 artefakte të Kosovës mbahen ilegalisht në Serbi. Okarina është një instrument muzikor i bërë nga balta e pjekur. I përket periudhës së neolitit të hershëm (mijëvjeçari VII–VI p.e.s.). Gjetur në Runik, Skënderaj, Republika e Kosovës. Na ndihmoni ta kthejmë OKARINEN në shtëpi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së./ KultPlus.com

Hapet audicioni për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Okarina”

Është mbështetë nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe tashti për këtë film artistik të metrazhit të gjatë është hapur audicioni, për të cilin po kërkohen katër aktorë, shkruan KultPlus.

Filmi “Okarina” është një dramë familjare e cila shpalos vështirësitë e emigrantëve kosovar në diasporë, dhe ky film do të realizohet me skenar të Albana Muja, regji të Alban Zogjanit e me producentë Rita Krasniqi.

Rolet që po kërkohen për këtë film janë: Vjosa 19-25 vjet, Saranda 19-25 vjet, doktoresha, 25-45 vjet dhe Eriku 40-45 vjet.

Të gjithë ata që duan të aplikojnë për këtë audicion, duhet të dërgojnë një video prezantim, CV dhe fotografi në emailin [email protected]./ KultPlus.com

“Jeta është e bukur kur jam me ty”, kori i fëmijëve “Okarina” i këndojnë barazisë (VIDEO)

Kori i fëmijëve Okarina sot ka plasuar këngën “Për ty”, që i dedikohet të gjithë fëmijëve me aftësi të veçanta dhe fëmijëve të braktisur, shkruan KultPlus.

Sot kudo në botë shënohet Dita Botërore e personave me Sindromen Down, ndërsa përmes kësaj kënge ky grup i fëmijëve përpiqet të shpërndaj dashuri në mes të gjithë fëmijëve.

Po ashtu kjo këngë ka për qëllim edhe ngritjen e vetëdijes në shoqëri që të mendohet më shumë për gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e barabartë në aspektin social, edukativ dhe arsimor, por mbi të gjitha për dashurinë ndaj një komuniteti aq të brishtë e shumë të dashur, të sinqertë dhe të bukur.

Teksti i kësaj këngë është shkruar nga Florie Bajoku, muzika është punuar nga Elikona Hysaj Shala, orkestrimi nga Avni Krasniqi kurse regjia dhe montazhi është bërë nga Ujkan Hysaj./ KultPlus.com