Shefja e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Michelle Bachelet, ka thënë se ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit dhe humbjet në natyrë, janë duke krijuar konflikte në gjithë botën dhe përbëjnë kërcënimin më të madh për të drejtat e njeriut në botë.
“Krizat e ndërlidhura me ndotje të ajrit, ndryshime klimatike dhe biodiversitet veprojnë si kërcënime të shumëfishta, rrisin konfliktet, tensionet, pabarazitë strukturore dhe përballin njerëzit me situata tejet të cenueshme”, ka thënë Bachelet në nisje të një sesioni të ri për të drejta të njeriut.
“Ndërkohë që rriten këto kërcënime nga ambienti, ato përbëjnë kërcënimin më të madh për të drejtat e njeriut në epokën tonë”, ka shtuar ajo, teksa iu është referuar zhvillimeve klimatike “ekstreme dhe vrasëse”, sikurse vërshimet në Gjermani dhe zjarret pyjore në Kaliforni.
Përfaqësuesit qeveritarë dhe ekspertë për klimën nga e gjithë bota do të mblidhen për dy javë në muajin nëntor në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
“Na duhet të rrisim pritshmëritë – e ardhmja jonë e përbashkët varet nga to”, ka thënë Bachelet./KultPlus.com
Drejtori Kombëtar për Afganistanin i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara jep alarmin: Bota do të mobilizohet tani ose do të jetë vonë.
Me marrjen nën kontroll të talebanëve, Afganistani do të përballet me katastrofë të plotë humanitare, me uri të përhapur, njerëz të pastrehë dhe kolaps ekonomik nëse nuk arrihet një përpjekje urgjente humanitare pas tërheqjes së SHBA nga vendi. Është ky alarmi i dhënë nga drejtoresha kombëtare për Afganistanin e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, Mary-Ellen McGroarty, drejtuar liderëve botërorë, transmeton KultPlus.
“Ne duhet të sjellim furnizime në vend, jo vetëm në aspektin e ushqimit, por edhe furnizime mjekësore, strehimore. Ne kemi nevojë për para dhe na duhen tani”, apeloi ajo.
McGroarty theksoi se “nëse vonohemi për gjashtë apo shtatë javët e ardhshme, do të jetë shumë vonë. Njerëzit nuk kanë asgjë. Ne duhet ta marrim ushqimin tani dhe t’ua çojmë komuniteteve krahinore para se rrugët të bllokohen nga bora”, theksoi ajo.
Zyrtarja e OKB -së kujtoi gjithashtu se një në tre afganë ishte tashmë në një krizë urie, me mbi dy milionë fëmijë në rrezik të kequshqyerjes. Thatësira tashmë kishte çuar në një reduktim prej 40% të prodhimit të drithërave, ndërsa monedha afgane tashmë ishte në kolaps. Dhe normat e Covid-19 janë të larta. Siç kanë vërejtur të gjithë në botë, ka pasur një përshkallëzim të konfliktit në dy muajt e fundit. Mbi 500,000 njerëz të zhvendosur, 250,000 prej tyre që nga maji dhe ajo që është urgjente tani është një formë e armëpushimit që lejon një rritje masive të përgjigjes humanitare Me Imperativi humanitar nuk mund të humbet”. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.
Përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.
Presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.
“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik- SHBA-në ”, ka theksuar Presidentja Osmani. / KultPlus.com
Administrata Postare e Kombeve të Bashkuara ka vendosur të stampojë një pullë me një shprehje të “Nënë Terezës”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta përshëndeti sot këtë vendim të Administratës Postare të Kombeve të Bashkuara.
““Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. E përshëndes vendimin e Administratës Postare të Kombeve të Bashkuara për të stampuar këtë porosi të përjetshme dhe frymëzuese të Shenjtores Nënë Tereza, në nderim të veprës së simbolit shqiptar dhe botëror të humanizmit e solidaritetit njerëzor, shembulli i së cilës duhet të na udhëheqë në përditshmërinë tonë”, thekson Presidenti Meta.
OKB thekson se, “më 12 gusht 2021, Administrata Postare të Kombeve të Bashkuara vendosi të lëshojë një pullë për të nderuar Nënë Terezën”.
Citimi në pullë në anglisht, është si më poshtë: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Nënë Tereza, murgeshë dhe misionare e njohur, lindi me emrin Agnes Gonxhe Bojaxhiu në Maqedoni në vitin 1910. Familja e saj ishte me prejardhje shqiptare. Në moshën dymbëdhjetë vjeç, ajo e ndjeu fort thirrjen e Perëndisë dhe e dinte se donte të ishte misionare. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, ajo shkoi në Indi dhe iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve.
Në 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kolkota (Kalkuta) në 1950, i cili u bë i njohur për punën e tij për të mbështetur të varfërit dhe ata që vdesin në atë rajon.
Për mbi 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe vdekjeve, ndërsa udhëhoqi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, së pari në Indi dhe më pas në vende të tjera, përfshirë ndërtimin e bujtinave dhe shtëpive për të varfërit dhe të pastrehët.
Puna e Nënë Terezës është njohur dhe vlerësuar në të gjithë botën. Ajo mori çmime dhe vlerësime të shumta, përfshirë Çmimin Nobel për Paqe në 1979 “për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe shqetësimet, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim për paqen”.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Kombet e Bashkuara caktuan 5 shtatorin e çdo viti si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, që është përvjetori i vdekjes së Nënë Terezës”. / KultPlus.com
Ndikimi dëmtues i njerëzimit në klimë tashmë është një fakt, thonë shkencëtarët e OKB -së dhe duhet lëvizur shpejt për të shmangur ndryshimet katastrofike që do të transformonin jetën siç e njohim deri më tani.
Një raport i fundit i tyre thotë se emetimet e vazhdueshme të gazrave mund të sjellin gjithashtu një thyerje të limitit të temperaturës në pak më shumë se një dekadë.
Autorët gjithashtu tregojnë se një rritje e nivelit të detit deri në 2 m deri në fund të këtij shekulli “nuk përjashtohet”.
Por ka një shpresë të re që shkurtimet e emetimeve të gazrave serë mund të stabilizojnë rritjen e temperaturave.
Raporti i sotëm është një kod i kuq për njerëzimin, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“Nëse kombinojmë forcat tani, ne mund të shmangim katastrofën klimatike. Por, siç e bën të qartë raporti i sotëm, nuk ka kohë për vonesë dhe nuk ka vend për justifikime. Unë kërkoj mbështetjen e drejtuesve të qeverive dhe të gjithë aktorëvge të tjerë për këtë gjë”, tha ai.
Autorët thonë se që nga viti 1970, temperaturat globale janë rritur më shpejt se në çdo periudhë tjetër 50-vjeçare gjatë 2,000 viteve të fundit, raporton TCH.
Kjo ngrohje po sjell tashmë shumë ekstreme të motit dhe klimës në çdo rajon në të gjithë globin.
Qoftë valët e të nxehtit si ato të përjetuara kohët e fundit në Greqi dhe Amerikën Veriore perëndimore, apo përmbytjet si ato në Gjermani dhe Kinë, tregojnë se ‘ndikimi njerëzor’ është forcuar gjatë dekadës së fundit./KultPlus.com
Mbyllja e shkollave të lidhura me Covid-19, e cila prek ende më shumë se 156 milionë studentë në nëntëmbëdhjetë vende, nuk mund të zgjasë më, përndryshe do të jetë një katastrofë gjeneratash. Është ky alarmi i dhënë nga dy organizatat e kombeve të Bashkuara Agjencitë e Kombeve të UNESCO dhe UNICEF .
“Kanë kaluar tetëmbëdhjetë muaj nga fillimi i epidemisë Covid-19 dhe arsimimi i miliona fëmijëve vazhdon të ndërpritet. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Shkollat duhet të mbyllen të fundit dhe të parat që rihapen” , thonë në një deklaratë të përbashkët drejtorët e përgjithshëm të UNICEF, Henrietta Fore dhe të UNESCO-s, Audrey Azoulay, transmeton KultPlus.
Për këta dy zyrtarë, rihapja e shkollave nuk mund të presë fundin e pandemisë, as vaksinimin e të gjithë nxënësve dhe stafit, dhe mund të kryhet “në mënyrë të sigurt”, veçanërisht pasi shkollat nuk janë ndër vendet kryesore të shumimit të virusit, thonë ata.
“Për të shmangur një katastrofë brezash, ne i nxisim politikanët dhe qeveritë të vendosin përparësinë e rihapjes së sigurt të shkollave. Mbyllja e shkollave rrezikon të ardhmen tonë vetëm për të ruajtur në mënyrë të pasigurt të tashmen tonë”, përfundojnë ata. / KultPlus.com
Ngrohja globale mbi nivelin e përcaktuar nga marrëveshja e Parisit për klimën do të ketë “pasoja të pakthyeshme mbi njerëzimin”.
Me 2 gradë më shumë në vend të 1,5, gati 420 milionë persona do të përballeshin me “valë të nxehtit ekstrem”, dhe 80 milionë të tjerë do të kërcënoheshin nga uria. Draft-raporti i grupit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike pranë Kombeve të Bashkuara është alarmues.
Ai flet për mungesa uji, eksode të mëdha, kequshqyerje e deri dhe zhdukje të specieve: jeta në Tokë siç e njohim ne do të transformohet në mënyrë të pashmangshme nga ndryshimi i klimës kur fëmijët e lindur në 2021-shin të kenë mbushur 30 vjeç, e ndoshta edhe më përpara, paralajmërojnë ekspertët.
Cilido qoftë niveli i reduktimit të gazeve shkaktare të efektit serë, ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale mbi natyrën dhe njerëzimin do të shpejtohet, thuhet në raport, dhe do të bëhet i prekshëm që përpara 2050-tës.
“Jeta në Tokë mund ta marrë veten nga ndryshimet drastike të klimës duke evoluar përmes specieve të reja e duke krijuar të tjera ekosisteme, por njerëzimi jo”, vazhdon drafti.
Raporti prej 4000 faqesh, është shumë më shqetësues se ai i mëparshmi i 2014-tës dhe synon të ndikojë mbi vendimet e ardhshme politike me shpresën të ketë hapa konkretë. / Gazeta Express / KultPlus.com
Rreth 33,000 fëmijë tejet të kequshqyer në rajonin Tigray të Etiopisë janë në rrezik të lartë të vdekjes, ka thënë Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF), përcjell KultPlus.
Ky rajon është shkatërruar nga luftimet në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve, dhe prej kur kanë nisur luftimet në nëntor të vitit 2020, janë shpërnguluar 1.7 milion persona.
Një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara, i publikuar të enjten, ka gjetur se 353,000 persona në këtë rajon janë duke jetuar në “krizë të madhe”.
Qeveria e Etiopisë ka hedhur poshtë të dhënat, duke thënë se ndihmat janë duke depërtuar në atë zonë.
Sipas raportit, situata me ushqim në këtë rajon ka arritur në nivele “katastrofike”, andaj UNICEF ka bërë thirrje që të ketë qasje në këtë rajon për dhurim të ndihmave humanitare.
“Ndonëse shifra 353,000 nuk e përmbush pragun e nevojshëm (20 për qind të popullsisë së anektuar) për të shpallur deklaratë zyrtare për uri, le të mos luajmë me fjalë, kur njerëzit janë duke vdekur”, ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder të premten.
Rreth 33,000 prej tyre janë fëmijë dhe foshnjat janë në rrezik të madh për të vdekur nga kequshqyerja, ka thënë kjo Agjenci, përcjell tutje KultPlus.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga të gjitha palët e përfshira në konflikt që të pajtohen për një armëpushim, për të lejuar dërgimin e ndihmave për miliona persona që kanë nevojë për ndihmë.
Ndërkohë, Qeveria e Etiopisë ka thënë se trupat e Eritresë, që kanë qenë të përfshira në konflikt, kanë nisur të largohen nga rajoni Tigray, pas disa muajve të presionit ndërkombëtar për t’u larguar nga zona.
Pse ka pasur luftime në Etiopi?
Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.
Kur kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor të vitit të kaluar, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.
Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.
Në muajin shtator të 2020-ës, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.
Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.
Fronti Çlirimtar Popullor ka hedhur poshtë këto pretendime.
Trupat e këtij Fronti, që përbëhen nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale, kanë rreth 250,000 anëtarë. / KultPlus.com
Nivele të thella të urisë kanë prekur të paktën 155 milionë persona vitin e kaluar si rezultat i konflikteve, dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe moti ekstrem, derisa situata këtë vit është e njëjtë ose edhe më e ashpër, është thënë në një raport të përpiluar nga 16 organizata.
Dy të tretat e njerëzve që janë përballur me këtë krizë janë nga 10 shtete – Afganistan, Jemen, Siri, Sudan, Kongo, Nigeri veriore, Etiopi, Sudan Jugor, Zimbabve dhe Haiti.
Të 155 milionë personat përballen me “krizë”, “emergjencë” apo me nivele katastrofike të urisë, çka përbën rritje prej 20 për qind të numrit të personave që janë përballur me diçka të tillë, krahasuar me vitin 2019, ka thënë raporti, transmeton KultPlus.
“Numri i personave që përballen me pasiguri të thellë në ushqim dhe kërkojnë urgjentisht ushqim dhe ndihmë për jetesë, është duke u rritur”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres teksa ka prezantuar Raportin Global për Krizë Ushqimore.
“Në shekullin 21, nuk ka vend për uri”, ka thënë Guterres.
“Neve na duhet ta luftojmë urinë dhe konfliktin, për ta zgjidhur njërin apo tjetrin problem”.
Raporti, që mbulon 55 shtete, po ashtu ka thënë se 133,000 njerëz në Burkina Faso, Sudanin Jugor dhe Jemenin, kanë nevojë urgjente për ushqim, për të parandaluar vdekjet nga uria.
Ekonomisti kryesor në Programin Botëror të Ushqimit Arif Husain ka thënë në një konferencë për media në OKB, se konfliktet nxisin më së shumti krizën me ushqim. / KultPlus.com
Nivele të thella të urisë kanë prekur të paktën 155 milionë persona vitin e kaluar si rezultat i konflikteve, dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe moti ekstrem, derisa situata këtë vit është e njëjtë ose edhe më e ashpër, është thënë në një raport të përpiluar nga 16 organizata.
Dy të tretat e njerëzve që janë përballur me këtë krizë janë nga 10 shtete – Afganistan, Jemen, Siri, Sudan, Kongo, Nigeri veriore, Etiopi, Sudan Jugor, Zimbabve dhe Haiti.
Të 155 milionë personat përballen me “krizë”, “emergjencë” apo me nivele katastrofike të urisë, çka përbën rritje prej 20 për qind të numrit të personave që janë përballur me diçka të tillë, krahasuar me vitin 2019, ka thënë raporti.
“Numri i personave që përballen me pasiguri të thellë në ushqim dhe kërkojnë urgjentisht ushqim dhe ndihmë për jetesë, është duke u rritur”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres teksa ka prezantuar Raportin Global për Krizë Ushqimore.
“Në shekullin 21, nuk ka vend për uri”, ka thënë Guterres.
“Neve na duhet ta luftojmë urinë dhe konfliktin, për ta zgjidhur njërin apo tjetrin problem”.
Raporti, që mbulon 55 shtete, po ashtu ka thënë se 133,000 njerëz në Burkina Faso, Sudanin Jugor dhe Jemenin, kanë nevojë urgjente për ushqim, për të parandaluar vdekjet nga uria.
Ekonomisti kryesor në Programin Botëror të Ushqimit Arif Husain ka thënë në një konferencë për media në OKB, se konfliktet nxisin më së shumti krizën me ushqim. / KultPlus.com
Miliona grave në të gjithë botën u është mohuar liria për të marrë vendime në lidhje me trupin e tyre, sipas një raporti të lëshuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Informacione nga 57 vende, shumica e tyre në Afrikën Subsahariane zbuloi se vetëm rreth gjysma e vajzave adoleshente dhe gratë mund të marrin vendime “të cilat janë baza e autonomisë dhe integritetit të trupit”.
”Këto përfshijnë lirinë për të zgjedhur në mënyrë të pavarur”, sipas raportit të lëshuar nga UNFPA.
Shefja e UNFPA Natalia Kanem i etiketoi gjetjet si “skandaloze”, duke thënë se në thelb “qindra miliona gra dhe vajza nuk zotërojnë trupat e tyre”.
”Jeta e tyre drejtohet nga njerëz të tjerë”, theksoi ajo. / atsh / KultPlus.com
Një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku temë do të jetë Kosova, do të mbahet sot pasdite në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazeta Express mëson se Kosova në këtë seancë do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në seancën e cila do të kryesohet nga Vietnami dhe do të zhvillohet në mënyrë elektronike, do të diskutohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK për periudhën nga shtatori 2020 deri në mars 2021.
Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi punën e UNMIK-ut përfshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 14 shkurt dhe aktakuzës e Prokurorisë Speciale në Hagë kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në nëntor të vitit të kaluar si ngjarjet kryesore politike.
Raporti thekson se këto ngjarje e kanë ngadalësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe se paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe zhvillimi socio-ekonomik në Kosovë dhe rajon varen nga progresi i qëndrueshëm i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Së fundmi, Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përfaqësoi ish-kryediplomati, tani kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca. / KultPlus.com
Finlanda u rendit vendi më i lumtur në botë për të katërtin vit radhazi, sipas një raporti të OKB , rreth një vit pasi OBSH shpalli koronavirusin një pandemi.
Studiuesit thanë se kjo “nuk erdhi si befasi”, duke cituar që Finlanda “gjithmonë ka qenë shumë lartë në masat e besimit të ndërsjellë që kanë ndihmuar në mbrojtjen e jetëve dhe mjeteve të jetesës gjatë pandemisë”, transmeton KultPlus.
Finlanda ishte një nga 23 vendet e anketuara që kishin një grua kryetare të qeverisë.
”Raporti Botëror i Lumturisë” bazohet në tre vjet sondazhe të kompanisë ”Gallup” se sa të lumtur e perceptojnë veten qytetarët. / KultPlus.com
Katër agjenci të Kombeve të Bashkuara thanë të premten se së paku 400.000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare në Jemen mund të vdesin nga uria këtë vit, nëse nuk bëhet ndërhyrje urgjente. Kjo gjendje është përkeqësuar edhe nga kequshqyerja e rëndë, e shkaktuar nga lufta dhe pandemia e koronavirusit.
Paralajmërimi i tmerrshëm vjen gati gjashtë vjet pas shpërthimit të luftës që rreth 80 për qind të popullsisë e la të varur nga ndihmat humanitare, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në raportin e publikuar të premten, agjencitë e Kombeve të Bashkuara parashikuan 22 për qind rritje të kequshqyerjes së rëndë akute te fëmijët nën moshën 5-vjeçare në Jemen, në krahasim me vitin 2020.
Kequshqyerja e rëndë akute nënkupton se ka rrezik të vdekjes nga mungesa e ushqimit. Adeni, Hodeidah, Taizi dhe Sanaa janë në mesin e rajoneve më të prekura nga kequshqyerja, thuhet në raport.
“Këto shifra janë një thirrje tjetër për ndihmë nga Jemeni, ku secili fëmijë i kequshqyer nënkupton një familje që po përpiqet për mbijetesë”, tha drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, në një deklaratë të përbashkët me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi, UNICEF-in dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Gjatë vitit 2021, pritet që në Jemen nga kequshqyerja akute të vuajnë rreth 2.3 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare. Kequshqyerja e fëmijëve dhe nënave në Jemen është përkeqësuar me kalimin e viteve të konfliktit, thanë këto organizata. Në rëndimin e situatës më pas kanë ndikuar edhe shkalla e lartë e sëmundjeve dhe mungesa e sigurisë së ushqimit. /KultPlus.com
Në kampe të paraburgimit në verilindje të Sirisë ndodhen gra dhe fëmijë nga 57 shtete, tha të hënën, Fionnuala Ni Aolain, një eksperte e Kombeve të Bashkuara.
Ajo tha se ata po jetojnë në “kushte çnjerëzore” në kampet Al-Hol dhe Roj, që drejtohen nga forcat kurde dhe iu bëri thirrje shteteve të bëjnë riatdhesimin e menjëhershëm të tyre. Sipas saj në kampe janë mbi 64.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.
“Shumë prej tyre po përjetojnë një sërë shqetësimesh në lidhje me të drejtat e njeriut. Shtetet duhet të veprojnë në mënyrën e duhur”, u tha ajo gazetarëve në Gjenevë, përmes video-lidhjes.
“Në shprehim shqetësimin se kushtet në këto kampe mund të arrijnë pragun e torturave, trajtimit çnjerëzor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Ni Aolain.
Fionnuala Ni Aolain është Raportuese e Posaçme për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër terrorizmit në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se thirrja e saj mbështetet edhe nga dhjetëra ekspertë tjerë të pavarur.
Zyrtarja e OKB-së tha se për këtë çështje u ka shkruar vendeve, përfshirë Australinë, Bangladeshin, Belgjikën, Britaninë, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Pakistanin, Rusinë, Zvicrën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Duke u thirrur në shifrat nga qershori i vitit 2020, ajo tha se kampi Al Hol mban rreth 64,000 njerëz, nga të cilët më shumë se 80 për qind ishin gra dhe fëmijë. Rreth 48 për qind e personave në këtë kamp janë irakianë, 37 për qind janë sirianë dhe 15 për qind janë shtetas të vendeve të treta.
Të huajt janë familje të xhihadistëve të grupit militant të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS), i cili vuri nën kontroll pjesë të Irakut dhe Sirisë më 2014, por u mposht në vitin 2019. Banorët irakianë dhe sirianë të kampit u larguan nga luftimet e mëvonshme midis IS dhe forcave kurde.
Ajo tha se shtetet nuk duhet të përdorin pandeminë si arsyetim për të mos riatdhesuar shtetasit, duke shtuar se disa vende tashmë e kishin bërë këtë me sukses./ AFP / KultPlus.com
Kombet e Bashkuara bënë thirrje të martën për një mbështetje financiare në nivelin rekord prej 35 miliardë dollarësh për t’u dhënë mbështetje humanitare 160 milionë njerëzve, ndërsa pasojat ekonomike nga pandemia e koronavirusit i ka shtrënguar miliona njerëz drejt varfërisë ekstreme në mbarë botën.
“Konflikti, ndryshimet klimatike dhe COVID-19 kanë krijuar sfidën më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një mesazh të regjistruar.
Ai u bëri thirrje donatorëve të ndihmojnë njerëzit që rrezikohen më shumë “në orën më të errët të nevojës së tyre”.
OKB-ja thotë se nevojat reale janë edhe më të larta. Rreth 235 milionë njerëz, ose një në çdo 33 persona në planet, kërkon ndihmë ose mbrojtje. Kjo është një rritje me 40% gjatë vitit 2020.
Ka mbi 63 milionë raste të konfirmuara në mbarë botën me COVID-19, sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, i cili ka regjistruar rastet e pandemisë që në fillimet e saj. Gati 1.5 milion njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra milionë të tjerë kanë humbur vendet e punës dhe mjetet për të siguruar jetesën gjatë masave të izolimit të imponuara për të ndalur përhapjen e virusit.
“Nuk është vetë sëmundja, megjithëse është shumë e hidhur…, ajo që po dëmton njerëzit në vendet e prekshme. Është ndikimi ekonomik”, u tha gazetarëve drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Mark Lowcock. “Rritja e çmimit të ushqimeve, rënia e të ardhurave, rënia e kursimeve, ndërprerja e programeve të vaksinave, mbyllja e shkollave – godasin më të varfërit në vendet më të varfëra”.
OKB-ja ka paralajmëruar tashmë për nivele në rritje të urisë në shtatë vende, që mund të çojnë në zi buke vitin tjetër, nëse nuk ofrohet asistencë. Këto vende janë Afganistani, Burkina Faso, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Nigeria, Sudani Jugor dhe Jemeni. Dy javë më parë, OKB-ja shpërndau 100 milionë dollarë nga një fond emergjence, në përpjekje për t’i paraprirë përkeqësimit të mëtejshëm.
Por, dhjetëra vende të tjera po përballen me sfida ekstreme dhe kërkojnë mbështetje të shtuar.
Zoti Lowcock tha se për herë të parë që nga vitet 90-të, nivelet globale të varfërisë ekstreme do të rriteshin, duke rrezikuar zhbërjen e progresit prej disa dekadash.
“Nëse nuk ka mbështetje për vendet më të varfra, periudha pas pandemisë do të jetë më e gjatë dhe më e ashpër, duke sjellë kaos dhe anarki”, tha ai.
Zoti Lowcock tha se kjo nuk është në interesin e vendeve më të pasura. Megjithëse 35 miliardë dollarë mund të tingëllojë si një shumë e lartë, vendet më të pasura të botës kanë injektuar triliona dollarë në ekonomitë e tyre për të ruajtur shoqërinë e tyre.
“Ndërsa i afrohemi fundit të një viti të vështirë, përballemi si komunitet ndërkombëtar me zgjedhjen: A do ta lejojmë këtë pandemi të zhbëjë dekada progresi, apo do të veprojmë tani duke bërë diçka?”, tha ai.
Këtë vit, programet humanitare të OKB-së kanë ndikuar tek gati 100 milionë njerëz në 25 vende. Thirrja për donacione gjatë vitit 2020, e cila u rishikua për të përfshirë fondet për reagimin ndaj COVID-19, OKB-ja u kërkoi donatorëve gati 39 miliardë dollarë. Në fund të nëntorit, organizata kishte marrë rreth 22 miliardë, duke i lënë disa programe me fonde të pamjaftueshme/VOA/ KultPlus.com
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të martën se bota përballet me katastrofë të përgjithshme për shkak të mbylljes së shkollave shkaku i pandemisë, duke shtuar se kthimi i nxënësve në banka duhet të jetë prioritet kryesor.
Guterres tha se deri në mesin e korrikut, shkollat kanë qenë të mbyllura në rreth 160 shtete, duke prekur mbi një miliard nxënës, ndërsa rreth 40 milionë fëmijë nuk kanë mundur ta ndjekin klasën përgatitore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Për më tepër, 250 milionë fëmijë nuk kanë qenë në shkolla as para pandemisë dhe vetëm një e katërta e nxënësve të shkollave të mesme në vendet në zhvillim kanë marrë shkathtësi themelore, tha ai përmes një video-konference.
“Tani ne përballemi me një katastrofë të përgjithshme që do të mund të çojë dëm potencial të pashembullt njerëzor, të minojë dekada të përparimit dhe t’i përkeqësojë pabarazitë e rrënjosura”, tha sekretari i OKB-së përderisa e hapi fushatën “Mbrojeni të ardhmen tonë”.
“Posa të vihet nën kontroll përhapja e Covid-19, kthimi i nxënësve në shkolla dhe në institucione të të nxënit në mënyrë sa më të sigurt që është e mundshme duhet të jetë një prioritet kryesor”, shtoi ai. / KultPlus.com
Mijëra fotografi pritet të shfaqen në një ekspozitë 3D në Kombet e Bashkuara në New York, si pjesë e lëvizjes e cila kërkon nga krerët e shteteve që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur të gjithë civilët të cilët janë pjesë e konflikteve, përcjellë KultPlus.
OKB-ja është duke kërkuar nga njerëzit në gjithë botën të shtojnë emrat e tyre në një peticion, i cili kërkon nga liderët botërorë të mbrojnë civilët dhe punëtorët që ofrojnë ndihmë, mirëpo kësaj here jo me nënshkrime por me fotografi, selfie.
Imazhet në një version tredimensional do të publikohen në një strukturë xhami në ndërtesën e OKB-së, në atë që është cilësuar i pari “peticion i gjallë”.
“Është e paarsyeshme që civilët dhe punëtorët për organizata të ndihmave, vdesin dhe plagosen në zonat e konfliktit”, ka thënë drejtori i Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare, Mark Lowcock.
Ekspozita e OKB-së është pjesë e fushatës #NotATarget , përmes së cilës do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Ndihmës Humanitare më 19 gusht. Ajo do të vazhdojë të jetë e hapur në ambientet e OKB-së deri në muajin shtator, kur pritet të mblidhen liderët botërorë në New York.
“Mijëra fytyra që do të jenë pjesë e peticionit të gjallë do të jenë aty për t’iu rikujtuar liderëve botërorë, obligimin e tyre ligjor për mbrojtjen e civilëve në konflikte”, është shprehur Lowcock, shkruan Reuters.
Pothuajse 32,000 civilë janë vrarë apo plagosur nga armët shpërthyese vitin e kaluar në zonat e konfliktit./ KultPlus.com