Kryeministri Kurti ekipit Olimpik të Kosovës: Çdo fitore e juaja është të gjithë neve

Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rast.

Pjesëmarrjes për herë të tretë të Kosovës në këto lojëra, shefi i qeverisë e ka quajtur moment historik, i cili ka ardhur si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.

Ai tha se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.

“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, tha Kurti.

Gara e LO “Paris 2024” do të mbahen nga 26 korrik e deri më 11 gusht.

Kosovën do ta përfaqësojnë pesë sportistë nga xhudoja, të prira nga medalistet e arta të “Tokyo 2020”, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, një nga boksi (Donjeta Sadiku), një nga atletika dhe dy nga noti.

Konfirmohet ekipi olimpik i xhudos, Kuka: Caku, medalja olimpike

Tashmë është kompletuar ekipi olimpik i xhudos që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpik ‘Paris 2024’.

Trajneri i Kosovës, Driton Kukat të martën përmes llogarisë së tij në Facebook, ka konfirmuar ekipin olimpik të xhudos.

Akil Gjakova, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka janë xhudistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris. Trajneri Driton Kuka ka thënë se caku do të jetë medalja olimpike.

“Për një ditë të mirë miq … Sot zyrtarisht konfirmohet mbyllja e kualifikimit për Lojëra Olimpike! Lista e ekipit tonë. Punë e madhe e përkushtim tash shkojmë tutje. Caku medalja Olimpike. Do Zoti shpaguhet mundi dhe puna e këtij ekipi dhe mbarë federatës tonë me medalje Olimpike të radhës”, ka shkruar Kuka.

Nis ndërtimi i stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, pritet të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se sot kanë filluar punimet për ndërtimin e  stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë të ditur se ndërtimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, ka filluar pas përfundimit të disa procedurave të nevojshme siq janë shpronësimet e pronës dhe dhënies së lejes ndërtimore.

“Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite (komunalitë) janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar.

Stadiumi do të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s dhe do të përmbush të gjitha kushtet për ndeshje vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Muzeu Olimpik i Pekinit rihapet për publikun pas rinovimeve

Pasi u mbyll për rinovime që zgjatën më shumë se dy vjet, Muzeu Olimpik i Pekinit u rihap për publikun të shtunën për të shënuar përvjetorin e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

E vendosur në jug të Stadiumit Kombëtar të njohur si “Foleja e Zogjve”, ky muze, i themeluar në vitin 2009, tani mbulon një sipërfaqe totale prej 26 mijë metrash katrorë. Përmes më shumë se një mijë ekspozitave, muzeu demonstron trashëgiminë e Pekinit si një qytet olimpik i dyfishtë, shkruan Xinhua, transmeton Klankosova.tv.

Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, shprehu urimet e tij më të mira për popullin kinez për Festivalin e ardhshëm të Pranverës dhe vuri në dukje përmes video-lidhjes, “Të gjithë njerëzit kinezë mund të ndihen shumë krenarë për faktin se kur Pekini u bë qyteti i parë në botë për të pritur të dyja edicionet verore dhe dimërore të Lojërave Olimpike, ju po shkruanit një histori të madhe olimpike”.

“Muzeu i ri dhe i përmirësuar Olimpik i Pekinit është një shembull i ndritshëm i një trashëgimie të gjallë dhe do të vazhdojë të frymëzojë çdo vizitor me vlerat olimpike të përjetshme”, tha Bach./KlanKosova/KultPlus.com