Lojërat Olimpike ulin siparin, SHBA në vendin e parë, ja si renditet Shqipëria dhe Kosova

Me një ceremoni madhështore të organizuar në “Stade de France” uli siparin këtë të diel olimpiada e Parisit 2024. Ne stadiumin e mbushur plot u këndua njëzëri hiti i Edith Piaff “nën qiellin e Parisit”, poshtë balonës me flakën olimpike që qëndroi e ndezur për 15 ditë.

SHBA dominoi për të katërtin edicion radhazi në Lojërat Olimpike të Parisit, duke ndaluar rikthimin e Kinës në majë për herë të parë që pas Pekin 2008. Në vendin e tretë u rendit  Japonia me 20 medalje të arta, e ndjekur nga Australia me 18 dhe Franca me 16.

Me triumfin e basketbollisteve amerikane në finalen ndaj francezeve, shtetet e bashkuara të Amerikës dolën në vend të parë me 40 medalje të arta, 44 të argjendta e 42 të bronzta, ndërsa Kina fitoi 91 medalje gjithsej.

Kosova u rendit e 73-ta me një medalje te argjendtë e një të bronztë, ndërsa Shqipëria mban vendin e 80-të me dy medalje të bronzta.

Organizatorët e Olimpiadës thanë se Franca ka qenë e bashkuar dhe e lumtur përgjatë dy javëve të mbajtjes së Lojërave Olimpike, ndërsa ka pasur shitje rekorde të biletave me sportdashës nga e gjithë bota./ tch/ KultPlus.com

Lojërat Olimpike të Parisit: Kulla Eifel e rrethuar për pak kohë pasi një burrë u pa duke u ngjitur lart

Policia franceze evakuoi zonën përreth Kullës Eifel të dielën pasi një burrë u pa duke u ngjitur në pikën historike të Parisit disa orë përpara ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike.

Burri pa këmishë u pa duke u ngjitur në kullën 330 metra të lartë pasdite.

Zona tani është rihapur dhe turistët janë përsëri në gjendje të hyjnë në Kullën Eifel, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.

Më shumë se 30 mijë oficerë policie janë vendosur rreth Parisit të dielën.

Ministri i Brendshëm i Francës Gerald Darmanin tha se rreth 3 mijë oficerë policie do të mobilizohen rreth Stade de France dhe 20 mijë trupa policie dhe personel tjetër sigurie në Paris dhe zonën e Saint-Denis do të vendosen vonë deri në mbrëmjen e së dielës për të garantuar sigurinë në ditën e fundit të Olimpiadës.

Rama për medaljen e dytë olimpike: Kush di të gëzohet, le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me suksesin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Paris 2024, ku mundësi Islam Dudaev siguroi medaljen e dytë të bronztë për Shqipërinë.

Rama thotë se kush di të gëzohet, duhet të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

“Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë. Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”, shkruan Rama në Facebook.

Historike! Shqipëria arrin medaljen e parë në një Olimpiadë, mundësi Valiev fiton të Bronztën në ‘Paris 2024’

Shqipëria ka fituar medaljen e parë historike në një Olimpiadë, kjo falë fitores së mundësit Valiev në finalen e medaljes së bronztë kundër mundësit nga Taxhikistani, Rassadin.

25-vjeçari rus që zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat kuqezi fitoi medaljen e Bronztë në peshën 74 kg stil i lirë, duke mundur 6-2 taxhikistanezin.

Kjo është medalja e parë e Shqipërisë në historinë e saj në Lojërat Olimpike, e cila erdhi pas një performance fantastike nga Valiev, teksa shpresat qëndrojnë dhe për një medalje tjetër të bronztë me mundësin çeçen Islam Dudaev, i cili rikthehet në garë pas fitores së iranianit Amouzadkhalili në gjysmëfinale.

Valiev do të ngjitet kështu në podium si vend i tretë, së bashku me amerikanin Dake si dy fituesit e medaljeve të bronzta, teksa medalja e artë u fitua nga mundësi nga Uzbekistani, Zhamalov, që mposhti në finale japonezin Takatani.

Reagon Luiza Gega: Ky eliminim dhemb shumë

Atletja shqiptare Luiza Gega përmes rrjete sociale, ka folur pas eliminimit nga Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.

Gega garoi në baterinë e dytë, por nuk arriti që të japë më të mirën e saj dhe nuk ka mundur që të kualifikohet për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra.

Atletja kuqezi mbylli garën me kohën 9.27.41 dhe u rendit në vendin e 9-të në baterinë e dytë.

Ajo thotë se është vështirë të flasësh kur ndihesh e dështuar. Ajo thotë se ky eliminim dhemb shumë.

“Është kaq vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem”, tha Gega.

“E di që do kaloj, çdo gjë kalon më kohën por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ja dal pavarësisht se gjerat që në muajin prill nuk shkuan mirë”.

 “Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesitë jo të mira të trupit tim përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të niveli por në fakt nuk ndodhi kështu”, ka pohuar ajo.

Gega i ka kërkuar falje çdo fansi që ka besuar tek ajo.

“Dua vërtet t’i kërkoj falje kujtdo që besoi të unë dhe e zhgënjeva dhe falënderoj të gjithë ata që më mbështesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira. Ëndrra e Parisit mbyllet sot”, ka shkruar atletja shqiptare.

Laura Fazliu: Tash duhet të kthehem dhe të punoj edhe më shumë që ta fitoj edhe medaljen e artë

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka thënë se është e lumtuar që ka arritur ta fitojë medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe njëkohësisht ka theksuar se i duhet të punojë për të arritur edhe më shumë në të​​​​​​​ ardhmen. 

Të martën Fazliu e ka mposhtur xhudisten kroate, Katerina Kristo, duke i dhënë Kosovës medaljen e dytë olimpike, pas asaj të argjendtës të fituar nga Distria Krasniqi. 

“Jam shumë e lumtur. Kemi qenë shumë të përgatitura. Me rëndësi është që medalje kam marrë. Medalja olimpike është diçka shumë e madhe”, ka thënë Fazliu për RTK. “Majlinden e kam pasur gjithmonë afër, pastaj Toni që jam me të prej që kam qenë e vogël”

Edhe pse e kënaqur me këtë sukses, Laura ka treguar ambicien për të ardhmen. “Tash duhet të kthehem dhe të punoj më shumë dhe të shpresoj që të arrij edhe medaljen e artë”, ka theksuar ajo.

Kosova e 16-ta për momentin në Olimpiadë

Shteti i Kosovës është duke marr pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Vendi ynë e ka nisur tejet mirë këtë edicion të LO, pasi ka arritur të fitojë medalje.

Është xhudistja Distria Krasniqi, e cila e ka fituar medaljen e argjendtë gjatë ditës së djeshme.

Kjo medalje, ka bërë që vendi ynë të vetë momentalisht i 16-ti në renditjen e Olimpiadës.

Ministri Çeku pasi Distria Krasniqi siguron finalen: Shteti ynë sërish në majat e suksesit botëror

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas fitores së xhudistes Distria Krasniqi  ndaj italianes Odette Giuffrida, në Lojërat Olimpike 2024 në Paris.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në facebook ka thënë se fitorja e medaljeve olimpike nga xhudstja Krasniqi është e jashtëzakonshme, historike dhe frymëzuese.

“Medaaaljeeeee! 🇽🇰🏅

Ju lumtë Disi e Toni! 🥋💫

Tri Olimpiada, tri herë medalje. E jashtëzakonshme, historike, frymëzuese.

Shteti ynë sërish në majat e suksesit botëror”, ka shkruar Çeku në facebook./ KultPlus.com

Pressidentja Osmani krahas liderëve botërorë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Republikës Emmanuel Macron dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka udhëtuar për në Paris për të marrë pjesë krahas liderëve të shumtë botërorë, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, dhe për t`i mbështetur 9 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra.

Me këtë rast, presidentja Osmani ka potencuar se për Kosovën, pjesëmarrja në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e punës së palodhur, përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve kosovarë.

“Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shtetit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat dhe për të shkëlqyer në skenën botërore”, ka theksuar Osmani, njofton Presidenca.

Në kuadër të vizitës në Paris, Osmani do të marrë pjesë në Samitin “Sporti për zhvillim të qëndrueshëm”, i cili organizohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Gjatë qëndrimit në Paris, Osmani e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, janë të ftuar në pritjen e organizuar nga presidenti i Francës në Pallatin Elize dhe në të njëjtën kohë do ta ndjekin paraqitjen e sportistëve të Republikës së Kosovës në Trokadero.

Ata gjithashtu, sipas njoftimit të Presidencës, janë të ftuar edhe në darkën e organizuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Kosova në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, do të përfaqësohet me 9 sportistë në disa disiplina sportive.

Presidentja ka uruar garuesit dhe ka shfaqur bindjen se ata do ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës si dhe do të kthehen faqebardhë nga Parisi.

Presidentja Osmani: Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit, i shërbejnë paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani,  organizoi sot ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës. Ajo tha se Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë.

Osmani tutje shtoi se në prag të ‘Lojërave Olimpike Paris 2024’, të gjithë së bashku, ashtu siç është sentimenti i popullit në raport me kampionët e vendit tonë, janë tubuar për t’ia dorëzuar garuesve tanë flamurin e Republikë së Kosovës, si bekim për sukses në Paris.

“Lojërat Olimpike  kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë. Në një botë sikur kjo e sotmja e cila shpesh ndahet nga parimet, lojërat olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona, respektivisht aftësitë tona për të bashkuar nëpërmjet konkurrencës miqësore dhe respektit të ndërsjellë”, deklaroi Osmani në ceremoninë e dorëzimit të flamurit ekipit olimpik të Kosovës.

Ekipi olimpik do të udhëtojë këtë muaj në Paris të Francës, ku do të zhvillohet edicioni i radhës i Lojërave Olimpike. Këto lojëra do të fillojnë më 26 korrik dhe do të vijojnë deri më 11 gusht.

Lumi Sena i tejmbushur me baktere, garat e notit në Lojërat Olimpike të Parisit mund të anulohen

Garat e notit të lojërave olimpike në Paris mund të shtyhen ose anulohen tërësisht nëse cilësia e ujit nuk përmirësohet në lumin Sena, i cili rrjedh nëpër kryeqytetin francez, sipas organizatorëve të eventit.

Lumi është vendosur të presë disa evente olimpike këtë verë, por ka nivele “alarmante” të baktereve, sipas një paralajmërimi të lëshuar nga OJQ-ja ndërkombëtare Surfrider Foundation Europe të hënën. Grupi pohoi se nga 14 mostrat e marra në Urën Aleksandri III gjatë një periudhe gjashtëmujore, të gjitha, përveç njërit, treguan cilësi të dobët të ujit.

Tony Estanguet, një kampion tre herë olimpik në kanoe dhe president i Komitetit Organizativ të Parisit 2024, pranoi të martën se bakteri E. coli është “një nga sfidat më të mëdha” me të cilat përballen organizatorët, duke vënë në dukje se gara mund të vonohet ose të anulohet nëse cilësia e ujit përkeqësohet.

Rreziku kryesor vjen nga stuhitë e dendura të shiut, kur uji derdhet në sistemin e ujërave të zeza të Parisit, duke shkaktuar rrezik për tejmbushje. Shiu i tepërt më pas derdhet në lumë dhe mund të çojë në ndotje. Verën e kaluar një rrjedhje e ujërave të zeza çoi në anulimin e një gare noti paraolimpike./balkanweb/KultPlus.com

Çeku takohet me Parsonsin, diskutohet për përfaqësimin e Kosovës në Lojërat Paralimpike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u takua sot me presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons dhe presidenten e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

Kosova do të përfaqësohet me dy atletë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, ngjarje kjo historike për të cilën edhe u diskutua në takim..

Ministria bën të ditur po ashtu për bisedimet rreth punës dhe mbështetjes së vazhdueshme institucionale për masivizimin e para sportit.

Çeku e informoi Parsonsin për veprimet dhe reformat që ka ndërmarrë MKRS-ja në sport në përgjithësi, sidomos për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ka ofruar për Komitetin Paralimpik të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, Daut Tishuki, zëvendëspresident i KPK-së dhe sekretarja e KPK-së, Arjeta Gashi.

Lojërat Olimpike të Parisit, nuk ftohen Rusia dhe Bjellorusia

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, të mërkurën ftoi zyrtarisht 203 vende, por edhe jo Rusinë dhe Bjellorusinë, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat do të fillojnë pas një viti.

Bach kishte thënë edhe më parë se as Rusia dhe as aleati i saj në pushtimin e Ukrainës, Bjellorusia, nuk do të ftoheshin si ekipe.

Megjithatë, IOC-ja e ka lënë derën e hapur që atletët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë si atletë neutralë në Lojërat Verore 2024 pa skuadrat e tyre.

IOC-ja ka qenë nën presion për t’i ndaluar sportistët rusë dhe bjellorusë të garojnë, madje edhe nëse e bëjnë këtë nën një flamur neutral, shkaku i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Guttsait, ka akuzuar IOC-në për “standarde të dyfishta” për sugjerimin që atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë në Paris, ndërsa ministri i qeverisë, Oleh Nemchinov, njoftoi në prill se atletët ukrainas nuk duhet të lejohen të konkurrojnë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 nëse rusët marrin pjesë.

IOC kritikoi Ukrainën për “privimin e atletëve të saj nga shansi për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe për ta bërë popullin ukrainas krenar”, dhe e ritheksoi këtë qëndrim në deklaratën e fundit.

“Në një sport kaq të politizuar, Lojërat Olimpike universale nuk do të jenë më të mundshme”, thuhet në deklaratën e IOC.

Bach është në një vizitë tre-ditore në kryeqytetin francez, ku do të mbahen Lojërat Olimpike verën e ardhshme.

“Në përputhje me Kartën Olimpike, është nderi dhe kënaqësia ime e madhe ta shënoj këtë moment historik të rëndësishëm sot duke ftuar atletët e botës të mblidhen së bashku në Paris, Francë, për të festuar Lojërat e Olimpiadës së 33-të”, tha Bach.

Bach tha se ai “sapo kishte marrë informacion të shkëlqyeshëm në lidhje me përgatitjet për Paris 2024” pasi vizitoi vendin e ndërtimit të Fshatit të Atletëve të martën.

Më pas ai tha se konkurrentët do të ishin “shumë të lumtur” në atë fshat.

As Guatemala nuk u ftua në Lojërat Olimpike sepse aktualisht është pezulluar për shkak të ndërhyrjes së supozuar të qeverisë në pavarësinë e Komitetit Olimpik Kombëtar./TopChanel/KultPlus.com