Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar piktorin Omer Kaleshi i cili vdiq dje në moshën 90-vjeçare, përcjell KultPlus.
Kurti përmes një postimi në Facebook thotë se Kaleshi do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave.
Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Për kujtim të Omer Kaleshit (1932 – 2022)
Një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar Omer Kaleshi. Një ekspozitë në Hamamin e Daut Pashës në Shkup, ku ai pa disa gravura të artistit anglez Henry Moore, me njerëz të strehuar në metro nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtyen Omerin e ri të hiqte dorë nga profesioni i elektricistit për tu bërë piktor. “Rrënjët e artit tim u zunë në Shkup, trungu iu rrit në Stamboll, kurse frutet e tij u poqën në Paris” – thoshte shkurt Omer Kaleshi, kur përshkruante rrugëtimin e tij jetësor prej artisti. Ai nisi duke kopjuar një vepër të Paul Cezanit, për të krijuar gjithë veprën e tij artistike atje ku pikturoi edhe vetë Cezani, në Paris.
I lindur në Kërçovë më 1932, pas gjashtë vitesh studime në Akademinë e Arteve në Stamboll, Omer Kaleshi u vendos në Paris ku jetoi derisa u nda nga ne, dje më 16 prill 2022, në moshën 90 vjeçare. Ai ekspozoi veprat e tij në mbi 150 ekspozita personale dhe kolektive në kryeqendrat europiane, duke tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të artit, që shkruajtën me vlerësime aq të larta për pikturat e tij.
Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai. Koka me sy, por koka shpesh pa vesh, koka të mbështjellura, të dala nga imagjinata e kokës së Kaleshit dhe të pikturuara mjeshtërisht prej tij. Ai pikturonte i vetëm në atele, pa u parë nga askush, ngase duke qenë i vetëm ai besonte se ishte i plotë. Në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij, i linte në vetë të bardhën e pëlhurës. Në mbamendjen e shqiptarëve, Omer Kaleshi mbetet piktori model që frymën e tij shqiptare, e përktheu në artin e tij me vlera të përbotshme./ KultPlus.com