“Varianti Omicron, i koronavirusit i cili është shfaqur në më shumë se 60 vende, përbën një rrezik shumë të lartë global”, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ka dyshime për variantin Omicron, i cili u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Hong Kong muajin e kaluar, mutacionet e të cilit mund të çojnë në transmetueshmëri më të lartë dhe më shumë raste të koronavirusit, sipas një dokumenti të OBSH-së të publikuar së fundmi.
“Rreziku i përgjithshëm i lidhur me variantin e ri të interesit Omicron mbetet shumë i lartë për një sërë arsyesh”, tha OBSH.
OBSH citon disa prova paraprake se numri i njerëzve të ri-infektuar me virus është rritur në Afrikën e Jugut. Megjithëse gjetjet paraprake nga Afrika e Jugut sugjerojnë se Omicron mund të jetë një variant më pak i rëndë se Delta që aktualisht dominon botën dhe të gjitha rastet e raportuara në Evropë janë të lehta ose asimptomatike. / KultPlus.com
Mbretëria e Bashkuar po përballet me një valë të re të infeksioneve me variantin Omicron, raporton BBC.
Numri i viktimave nga varianti Omicron deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm mund të variojë nga 25,000 në 75,000, në varësi të asaj se sa mirë funksionojnë vaksinat.
Kështu thonë ekspertët e shëndetësisë.
Hulumtimi i realizuar nga ta bazohet në supozimin se Omicron është më pak i rëndë nëse jeni të vaksinuar. Ndërsa, marrja e dozës përforcuese të vaksinës ka të ngjarë të zbusë ndikimin e valës së re Omicron, thanë studiuesit, shkruan BBC.
Nick Davies, një nga autorët tha se Omicron po përhapej “shumë shpejt”, ishte “mjaft shqetësues” dhe kishte të ngjarë të ishte forma dominuese e virusit në Angli deri në fund të vitit.
Raporti thotë se numri i personave të infektuar aktualisht po dyfishohet çdo 2.4 ditë në Angli, kjo pavarësisht se vendi ka numër të madh të të vaksinuarve.
Davies tha: “Bazuar në atë që po shohim, mund të presim që të ketë një valë të madhe të Omicron në MB.”
“Në skenarin më të keq, mund të nevojiten kufizime më të ashpra – në krye të masave aktuale në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar për të ndaluar mbingarkesën e spitaleve”, thanë hulumtuesit. / KultPlus.com
Shifrat e infeksionit të variantit të ri të coronavirusit Omicron po rriten në Afrikën e Jugut dhe po përhapet gjithnjë e më shumë tek të moshuarit, raportoi ministri i Shëndetësisë Joe Phaahla.
Në rajonin më të prekur në vend – në provincën Gauteng, e cila përfshin Johannesburgun dhe Pretorian, numri i rasteve u rrit me 400 për qind nga java në javë, njoftoi Phaahla.
Testet treguan se rreth 70 për qind të rasteve i përkisnin variantit Omicron.
Sidoqoftë, shifrat duket se konfirmojnë studimet fillestare të simptomave relativisht të buta dhe shtrimet më të shkurtra në spitale, sipas shkencëtares Glenda Grey dhe koleges së saj Michelle Groome nga Instituti Kombëtar për Sëmundjet Transmetuese.
Hulumtimi nga profesori i Afrikës së Jugut, Alex Sigal tregoi gjithashtu se ndërsa Omicron redukton mbrojtjen ndaj vaksinës, ai ofron ende një mbrojtje deri në 70 për qind, në varësi të numrit të antitrupave të zhvilluar.
Sigal tha se nuk shihte asnjë arsye për të besuar se vaksinimi nuk mbron nga infeksioni i rëndë Omicron. / KultPlus.com
Kompanitë Pfizer dhe BioNTech kanë thënë se rritja e vaksinimit me vaksinën kundër koronavirusit premton se do të ketë efekt në mbrojtjen efektive nga varianti Omicron.
Sipas tyre doza e tretë siguron nivel të ngjashëm të antitrupave kundër Omicronit, sikurse dy dozat për variantet tjera, raporton BBC.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, paraprakisht ka thënë se vaksinat janë të efektshme kundër rasteve më të rënda me Omicron.
Hulumtimet anembanë botës janë duke mbledhur të dhëna rreth këtij varianti./KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar mbi shqetësimet e rritura për variantet e reja të COVID-19 dhe gjithashtu pyetjet e shpeshta në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kurti tregoi në detaje se pse po shtrëngohen masat anti-COVID në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është shumë e mirë.
Njoftimi i tij i plotë:
Pse nuk mjafton më rezultati negativ në testin PCR apo në testin e shpejtë për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
Sipas të dhënave paraprake, varianti më i fundit i virusit Corona, i quajtur “Omicron”, përhapet dukshëm më lehtë dhe më shpejt sesa varianti aktualisht mbizotërues, varianti Delta. Ky fakt e bën rezultatin negativ, në vetvete, më pak të vlefshëm e më pak të sigurt si dëshmi. P.sh., në dy avionë që janë nisur javën e kaluar nga Afrika e Jugut në Holandë, me gjithsej rreth 650 pasagjerë, pothuajse 10% të pasagjerëve rezultuan pozitivë në testimin pas mbërritjes, edhe pse testi negative ose vaksinimi i plotë ishte i obligueshëm para nisjes. Ndërsa, testi i shpejtë është dëshmuar të japë rezultate të gabuara negative (“false negative”) në një numër të konsiderueshëm të rasteve dhe, për këtë arsye, nuk do të konsiderohet më i pranueshëm si dëshmi.
Pse nuk mjafton më dëshmia që personi ka kaluar sëmundjen COVID-19 për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
Edhe në këtë drejtim, masat duhej të shtrengoheshin për shkak të të dhënave paraprake të dala nga OBSh-ja, të cilat tregojnë se varianti Omicron ka më shumë rrezik të shkaktojë ri-infektimin e personave të infektuar më parë me ndonjë variant tjetër të virusit Corona. Për këtë arsye, edhe ata që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mënyrë që mbrojtja e tyre të jetë sa më e lartë, do të duhet të vaksinohen. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e grumbullimeve që, çdo dhjetor, i shoqërojnë festimet e fundvitit, pse nuk po kërkohet, që tani, dëshmia për dy dozat e vaksinës, në vend që të vonohet zbatimi i kësaj mase deri më 3 janar 2022? Masat e miratuara nga Qeveria pasqyrojnë një kompromis mes dy ekstremeve. Nga njëra anë, për arsyet e cekura më lart, jemi të detyruar të kërkojmë vaksinim me të paktën një dozë për ata që dëshirojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të pranojmë më hyrje të udhëtarëve vetëm me rezultatin negativ apo vetëm me dëshmi që e kanë kaluar më parë sëmundjen COVID-19. Por nga ana tjetër, për të mos iu vendosur pengesa të paarsyeshme mërgimtarëve që dëshirojnë të kthehen në atdhe për festat e fundvitit, Qeveria ka vendosur të mos kërkojë menjëherë vaksinimin me dy doza. Po të kishte filluar, që tani, kërkimi i dy dozave të vaksinës për të hyrë në Republikën e Kosovës, kjo do të kishte pamundësuar ardhjen e atyre mërgimtarëve që ende nuk kanë marrë asnjë dozë, sepse doza e dytë e vaksinës nuk mund të merret menjëherë, por vetëm disa javë pas marrjes së dozës së parë. Si një kompromis i arsyeshëm, pra, Qeveria ka vendosur që ta pranojë si dëshmi vaksinimin me një dozë, por vetëm nëse shoqërohet ose me rezultatin negativ në testin PCR brenda 48 orëve të fundit, ose me dëshminë që udhëtari ka kaluar sëmundjen COVID-19. Në këto dy raste, bashkimi i dy dëshmive (dmth. vaksinimi me një dozë, bashkë me një dëshmi tjetër) jep më shumë siguri sesa një dëshmi në vetvete.
Një udhëtar që ka kundërindikacione për mosvaksinim, a do të detyrohet të vaksinohet para se të hyjë në Republikën e Kosovës?
Jo. Sipas nenit 5.7 të vendimit, ka përjashtim për “Personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”. Po ashtu, ka përjashtime edhe për kategoritë si në vijim: “Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh; Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19; Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit; Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë; Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare”.
Çfarë ndodh nëse një udhëtar vjen në pikën kufitare pa asnjë dozë të vaksinës?
Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe ata me leje qëndrimi në Kosovë, do të kenë mundësi të vaksinohen te pikat kufitare kryesore. Përkatësisht, sipas nenit 4 të vendimit, “Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”.
Pse po shtrëngohen masat në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është më e mira jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimore por edhe në Evropë?
Kemi vërejtur në valët e mëparshme të kësaj pandemie se sa shpejt mund të kalojë një gjendje e shkëlqyeshme epidemiologjike në një gjendje të rëndë. Dalja jashtë kontrollit e situatës do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë, qoftë për jetën e shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në rast të një mbylljeje eventuale. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ndërmarrë çdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen e shkëlqyeshme epidemiologjike në vend, të cilën e kemi arritur bashkë si shoqëri. Për më tepër, ka edhe dy arsye të tjera për shtrëngimin e masave pikërisht në kufi. Së pari, gjatë javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë rritur jashtëzakonisht shumë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se, për momentin, rreziku më i madh për një përhapje eventuale të COVID-19 në Kosovë vjen nga udhëtarët prej jashtë vendit. Së dyti, shfaqja e variantit Omicron, si dhe përhapja e tij në shumë vende evropiane brenda një periudhe të shkurtër, e ka detyruar Qeverinë që të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në shtrëngimin e masave në kufi. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave paraprake, ky variant paraqet rrezik shumë më të lartë për grupmoshat e reja, sidomos për fëmijët nën moshën pesëvjeçare, në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.
Pse nuk kemi ndjekur shembullin e vendeve të tjera, duke ndaluar udhëtarët nga vendet ku janë shfaqur rastet e variantit Omicron?
Qeveria merr vendime për masa anti-COVID ekskluzivisht mbi baza shkencore dhe shëndetësore. Shkenca e epidemiologjisë dhe historia e epidemive dhe pandemive na tregojnë se, derisa të vërtetohet një rast i një sëmundjeje në një vend të caktuar, ajo sëmundje me gjasë do të ishte përhapur tashmë përtej kufijve të atij vendi. Në fakt, ky model është vërtetuar edhe në rastin e variantit Omicron, i cili është vërtetuar të kishte qenë në qarkullim në Evropë të paktën një javë para se të zbulohej në Afrikën e Jugut. Ndalesat selektive kundër vendeve specifike, pra, janë gati gjithmonë një hap prapa realitetit dhe, rrjedhimisht, janë të padobishme. Ndërsa, një ndalesë kategorike e udhëtimit nga jashtë (me fjalë të tjera, mbyllja e kufijve) mund të jetë efikase, porse është një masë që nuk duhet ndërmarrë përveç në rastet më ekstreme apo më të paqarta, siç ka qenë situata në fillimin e pandemisë.
A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut kushtëzimi me vaksinim i hyrjes së shtetasve në territorin e Republikës së Kosovës?
Jo. Lidhur me këtë, disa fakte duhet të merren parasysh. Së pari, masat anti-COVID rishqyrtohen nga Qeveria në vazhdimësi sipas zhvillimeve të reja. Nëse përmirësohet apo qartësohet situata sipas të dhënave të publikuara nga OBSh-ja gjatë javëve në vijim, sidomos në lidhje me variantin Omicron, ky kushtëzim mund të hiqet dhe mund të ofrohet opcioni i karantinimit shtëpiak 7-ditor për ata që refuzojnë të vaksinohen. Së dyti, në disa vende të Evropës, vaksinimi është bërë i detyrueshëm për të gjithë popullatën ose për një pjesë të konsiderueshëm të saj (shih, p.sh., Austrinë dhe Greqinë), në të gjithë territorin e vendit. Masa e vendosur nga Qeveria është më e butë sesa kjo, sepse vendoset vetëm për ata që hyjnë nga jashtë por jo edhe për ata që janë tashmë brenda territorit të Kosovës. Ekspertët tanë shëndetësorë kanë vlerësuar se, tani për tani, një masë e tillë më e butë iu përgjigjet mjaftueshëm rreziqeve kryesore për përhapjen e sëmundjes COVID-19 në Kosovë. Këto rreziqe, edhe një herë, vijnë kryesisht nga jashtë vendit. Së treti, jo vetëm Republika e Kosovës por shumë e shumë vende të tjera të Evropës dhe të botës, po vendosin kufizime shumë më të rrepta (disa vende, p.sh., i kanë anuluar për një periudhë të caktuar të gjitha fluturimet nga jashtë), por me shpresë që këto kufizime do të jenë të përkohshme. Qeveria e ka situatën nën vëzhgim të vazhdueshëm. Jo vetëm kjo masë, pra, por edhe masat e tjera kufizuese, do të lirohen në momentin e parë që të ketë mundësi, gjithmonë pa e rrezikuar jetën e shëndetin e qytetarëve. /KultPlus.com
Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel, përdori video-mesazhin e saj të fundit javor për popullin duke i kërkuar vendit të saj të merrte vaksinën kundër COVID-19, përcjellë KultPlus.
“Vaksinohuni, pavarësisht nëse është një vaksinim i parë apo një përforcues”, tha Merkel sipas Associated Press. “Çdo vaksinim ndihmon”, shtoi tutje.
Pothuajse 69 për qind e gjermanëve janë plotësisht të vaksinuar – por 75 për qind është objektivi i qeverisë federale, e cila ka fajësuar një rritje të kohëve të fundit tek ata që ende nuk e kanë marrë atë, sipas raportit.
“Me vaksinat efektive dhe të sigurta, ne kemi çelësin për këtë në duart tona”, përfundoi kancelarja.
Autoritetet shëndetësore gjermane raportuan të shtunën për një rritje masive të rasteve, duke u “frikësuar” edhe më shumë nga varianti i ri Omicron. /KultPlus.com
Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi ka deklaruar se nuk duhet që të bëhet panik për variantin e ri të Covid, Omicron por duhet të jemi të vëmendshëm.
Shkencëtarja kryesore e OBSH-së Soumya Swaminathan në deklaratën e saj të fundit ka bërë me dije se situata tani ishte shumë e ndryshme nga një vit më parë. Deri më tani rezulto se Omicron është i përhapur në 40 vende, por akoma nuk ka një studim që tregon nëse varianti i ri ka një nivel më të lartë transmetueshmërinë ose më i aftë për t’iu shmangur vaksinave.
Të dhënat praprake të raportuara nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut, ku varianti u zbulua për herë të parë, thuhet se Omicron mund të shmangë njëfarë imuniteti ndaj Covid-19 , megjithëse ekspertët paralajmërojnë se analiza nuk është përfundimtare.
Swaminathan ndër të tjera është shprehur se duke cituar të dhënat e para rezulto se varianti është shumë i transmetueshëm dhe se mund të bëhet dhe mbizotërues por akoma nuk mund të themi asgjë me bindje.
Aktualisht është varianti Delta që përbën 99% të rasteve globalisht. Sipas saj është e rëndësishme të jemi të përgatitur jo të bëjmë panik./KultPlus.com
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar të gjitha vendet që të përgatiten për rritjen e rasteve të Covid. Drejtori rajonal i OBSH-së për Paqësorin perëndimor, Dr Takeshi Kasai, tha shpërndarja gjeografike e variantit të ri ka të ngjarë të jetë më e lartë se sa është raportuar.
Kasai shton se vendet kanë marrë mësime nga përhapja dhe shpërndarja e variantit Delta. Dr Babatunde Oloëokure, drejtor rajonal i urgjencës së OBSH-së, tha se pezullimi i udhëtimeve mund të pengojë përhapjen e variantit.
Ai ka deklaruar gjithashtu se OBSH po punon me një “numër të madh” institucionesh kërkimore për të studiuar Omicron, por deri më sot ata nuk kanë marrë asnjë informacion, i cili mund të sugjerojë nevojën për të ndryshuar qasjen ndaj pandemisë të miratuar nga vendet deri më tani.
Sipas OBSH-së mbajtja e maskave, distancimi fizik, larja e duarve, shmangia e grumbullimeve, gjurmimi i kontaktit, izolimi i rasteve dhe vaksinimi mbeten të gjitha të rëndësishme./abcnews.al /KultPlus.com
Në Kosovë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin e ri të Covid-19, ose siç njihet ndryshe Omicron, ndonëse në shumë shtetet po raportohet për dyfishim të numrit të të infektuarve.
Përkundër që ende nuk është regjistruar ndonjë rast me këtë variant në vend, qytetarët shprehen të shqetësuar për përhapjen e tij.
Bekim Brestovci është shprehur se ka marrë shumë informacione sa i përket virusit.
Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.
“Po kemi dëgjuar natyrisht sepse ka qenë veç në media. Frika është permanente prej që është shfaq edhe Covidi. Natyrisht kemi shumë raste vdekshmërie që kemi pas nga Covid, andaj mendohet që edhe ky nuk do të jetë një virus i cili do të përballohet lehtë dhe do të kaloj pa viktima në njerëz. Apeli im kish me qenë te të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar gjer më tani le të vaksinohen kundër Covid-19. Pastaj shohim se çfarë po preferohet edhe kundër virusit të ri, i cili veç e ka marrë përmasën në shumë shtete të Evropës”, shtoi ai.
Beqir Aliu ka kërkuar vaksinim masiv duke shtuar se nëse deri më tani në botë vaksinë e kanë marrë 4 miliardë njerëz, pse nuk duhet që ta marrim edhe ne.
“Na u bënë boll këto far lloje të viruseve. Jo nuk frikohem aspak, vaksinat i kemi marr. Kisha apeluar që të vaksinohen. Të gjithë le të vaksinohen. Për shembull pare ka erdhëm rrugës biseduam, kur janë vaksinuar diku afër 4 miliardë njerëz në botë, kush jem na me gjet kirifekte jo bën jo nuk bën”, tha ai.
Anita Zhegrova, ka kërkuar që vaksinimi të bëhet i obligueshëm për të gjithë pa përjashtim, për shkak të mundësisë së përhapjes së shpejt të varianti të ri të virusit, raporton EO.
“Po kom dëgjuar, kam dëgjuar që është më i rrezikshëm edhe po shpërndahet shumë ma shpejt se sa variantet që kanë qenë më herët. Kom dëgjuar po unë jam vaksinuar shumë herët, shpresoj që nuk ka njerëz më që dyshojnë te vaksina edhe e bëjnë sa më shpejtë, për arsye se kjo nuk ta fal. Unë e kam pas vet tash një vit domethënë koronën. Kam heq kogja shumë edhe nuk është hajgare domethënë duhesh me e ruajt veten rrethin edhe shoqëri nëse duam me kanë qysh jena kanë ma herët përndryshe është shumë i rrezikshëm”, shtoi ajo.
Rastet e variantit të ri deri më tani janë identifikuar në mesin e udhëtarëve në më shumë se dhjetë vende evropiane, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com