Ekspozita “On reading” e fotografit me famë botërore Steve McCurry e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri do të mund të vizitohet deri më 31 korrik.
“Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shqipëri, shkrepjet më shprehëse të fotografit me famë botërore Steve McCurry dhe këto janë ditët e fundit kur mund të shohim, ndjejmë magjinë dhe kolorin e fotove të tij”, thotë pedagogu I fotografisë Albes Fusha.
Në hyrjen e albumit “On reading” fotografi Steve McCurry përmend faktin që inspirimi i erdhi nga vepra e fotografit të madh hungarez André Kertész duke pohuar që disa nga fotot më intriguese të mjeshtrit hungarez ishin pikërisht imazhet e njerëzve që lexonin.
Nga një punë kolosale anembanë botës McCurry arriti që për gjatë 40 viteve të fundit, t’i japë jetë një koleksioni imazhesh, që tregojnë njerëz të zhytur në magjinë e leximit.
Kjo ekspozitë ka ardhur në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, që së bashku me sponsorë të tjerë, mbështetën ardhjen e saj në Shqipëri, në kuadër të Tirana European Youth Capital./ atsh / KultPlus.com