Skuadrat nuk do të mbajnë shiritin shumëngjyrësh ”One Love” në Kupën e Botës

Skuadrat që kishin planifikuar më parë të mbanin shiritin shumëngjyrësh të kapitenit me logon ”One Love” (”Një dashuri”) në Kupën e Botës në Katar, janë tërhequr nga frika e sanksioneve nga organi qeverisës i futbollit FIFA, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

Shtatë skuadra evropiane që ishin regjistruar në fushatën ”One Love”, përfshirë Anglinë dhe Gjermaninë, kishin thënë më parë se ishin të përgatitur të paguanin gjoba, por tani theksuan se “FIFA ka qenë shumë e qartë se do të vendosë sanksione sportive nëse kapitenët tanë veshin shiritat në fushën e lojës”.

Vendet pjesëmarrëse kishin informuar FIFA-n në shtator për dëshirën e tyre për të mbajtur shiritin shumëngjyrësh në Katar si një shenjë për diversitetin mes kritikave ndaj vendit pritës për kushtet e tij të të drejtave të njeriut dhe trajtimin e komunitetit LGBTQ.

“Lojtarët dhe trajnerët tanë janë të zhgënjyer – ata janë mbështetës të fortë të përfshirjes dhe do të tregojnë mbështetje në mënyra të tjera”, thuhet në deklaratë./ atsh / KultPlus.com

Familja e Bob Marley-t sjell përpunimin e këngës ‘One Love’

Familja e këngëtarit të ndjerë xhamajkan, Bob Marley, do ta ripërpunojë hitin e tij “One Love” në mënyrë që të mbledhë para për fondacionin e koronavirusit.

Kjo këngë ishte incizuar më 1977 nga Bob Marley and The Wailers, ndërkaq tani në vend të tij vokali do të vijë nga djali i tij, Stephen, vajza Cedella, dhe nipi Skip.

Pjesë e këtij projekti po ashtu do të jenë një grup fëmijësh që jetojnë në kushte rrezikuese si dhe muzikantë nga zonat e konfliktit.

Produksioni i Marley-t, Marley’s Tuff Gong International, do të bashkëpunojë me kompaninaë globale të incizimeve, Amplified Music, dhe do ta publikojnë këtë këngë më 17 korrik.

Të gjitha të ardhurat nga kjo këngë do të shkonjnë për Reimagine, kampanjën globale të Unicef-it e cila synon parandalimin e efekteve afatgjata të pandemisë Covid-19 te fëmijët. / KultPlus.com