OpenAI rikthen Sam Altman si CEO-n e saj pas kërcënimit të punonjësve për dorëheqje

Bashkëthemeluesi i OpenAI Sam Altman do të kthehet si CEO vetëm disa ditë pasi u shkarkua nga bordi, ka thënë firma. Marrëveshja “në parim” përfshin instalimin e një bord të ri, shtoi kompania e teknologjisë, shkruan BBC.

Kjo vjen pasi Altman u shkarkua të premten. Fill pas shkarkimit reagoi stafi i cili paraqiti një letër të hapur kërcënimi me dorëheqje nëse ai nuk rivendosej.

“Mezi pres të kthehem në OpenAI”, tha Altman në një postim në mediat sociale.

Të hënën, qindra punonjës, duke përfshirë bashkëthemeluesin dhe anëtarin e bordit Ilya Sutskever, nënshkruan një letër duke thënë se nëse bordi nuk jep dorëheqjen dhe nuk e kthen Altmanin, shumica dërrmuese do të largohet për të punuar me të në Microsoft.

Fillimisht, bordi kishte njoftuar se këtë rol do ta merrte CEO e OpenAI, Mira Murati, por shumë shpejt ajo iu bashkua “lëvizjes” së punonjësve që kërkonin kthimin e Altman. / KultPlus.com

OpenAI nuk ndalet, i futet punës për robotin e zgjuar, zbulohen pamjet si do të duket

Kompania me bazë në San Francisko, OpenAI, e cila ka krijuar ChatGPT, ka investuar në kompaninë 1X, që prodhon robotë humanoidë për të realizuar një version fizik të inteligjencës së tyre artificiale.

Tashmë janë publikuar edhe pamje se si do të dukej një robot i tillë me inteligjencë artificiale, i cili veç veprimeve të thjeshta fizike, do të ishte i gatshëm të bashkëveprojë me njerëzit e të komunikojë me ta. Roboti i quajtur EVE është programuar të punojë së bashku me qeniet njerëzore. Ai është i aftë të lëvizje objekte e t’i paketojë ato.

OpenAI ka investuar 23,5 milionë dollarë për të ndërtuar këtë robot dhe ai pritet të dalë në treg këtë verë. Ky investim ka nxitur edhe rivalitetin me robotin Tesla të Elon Musk, për të cilin ende nuk ka nisur prodhimi. “1X do të rrisë produktivitetin përmes përdorimit të teknologjisë së sigurt dhe të avancuar. OpenAI Startup beson se 1X do të ndikojë tejet pozitivisht në të ardhmen e punës”, tha Brad Lightcap, COO i OpenAI dhe menaxher i OpenAI Startup Fund. Ekspertët janë shprehur se roboti EVE dhe 1X, mund të kryejnë edhe punën e infermierëve.

Ekspertët besojnë se modelet që do të krijohen me ChatGPT të përfshirë do të transformojnë mënyrën e ndërveprimit të njerëzve me robotët.

“Ky kombinim do të sjellë një ndryshim të madh pasi robotët do të kuptojnë se çfarë ne duam, do të veprojnë në mënyrë shumë komplekse. Ata do të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë shumë më dinamike, t’i përgjigjen ndryshimeve të mjedisit dhe të planifikojnë se çfarë do të bëjnë në të vazhdim. Ata nuk do të ngecin në probleme që dalin jashtë skenarit, por përkundrazi do të jenë në gjendje të mendojnë hapat që duhet të ndërmerren. Në të ardhmen ne do t’i kontrollojmë robotët thjesht duke folur me ata dhe ata do të na përgjigjen. Kjo do të zgjerojë ndjeshëm hapësirën për të cilën ata do të jenë në gjendje të na vijnë në ndihmë”, tha George Strakhov, shefi i kompanisë së reklamave DDB EMEA. / a2cnn / KultPlus.com

Gazeta zvicerane shkruan për shqiptaren që qëndron prapa ChatGPT

Pas publikimit rreth një muaj më parë të lajmit se një shqiptare qëndron prapa zbulimit të ri ChatGPT, mediat britanike dhe pastaj edhe ato zvicerane sërish kanë nisur të shkruajnë gjerësisht rreth shkencëtares në fjalë, Mira Muratit.

Këto të fundit, e pasqyrojnë “euforinë” që në mesin e komunitetit shqiptar mbretëron lidhur me shqiptaren 35 vjeçare që jeton në SHBA.

“Kjo pasqyron ambicien tonë” , kështu e feston komuniteti shqiptar Mira Muratin, është titulli i një artikulli të publikuar në 20minuten.ch, ku përfaqësues të komunitetit flasin për “fenomenin”.

Euforia që rrethon chatbot-in dhe gjeneratorin e tekstit ChatGPT është aktualisht e madhe. Pas saj qëndron 35-vjeçarja Mira Murati. Shqiptarja ka qenë Shefe e Teknologjisë në OpenAI, kompania që qëndron mbrapa ChatGPT, që nga maji i kaluar, transmeton albinfo.ch. Ajo ka punuar më parë në Tesla në Model X. Kjo e bën krenar komunitetin shqiptar në Zvicër.

“Të gjithë po flasin aktualisht për ChatGPT, qoftë me miqtë, në zyrë apo në tryezën e kuzhinës. Jemi shumë të lumtur që parapa kësaj qëndron një grua shqiptare”, thotë Përparim Avdili, kryetar i organizatës Swissalbs të komunitetit zvicerano-shqiptar dhe kryetar i FDP-së së qytetit të Cyrihut.

Suksesi i Muratit është i jashtëzakonshëm dhe tregon se çfarë mund të arrihet me intelekt.

Ajo ka një funksion të madh dhe të rëndësishëm modeli për komunitetin shqiptar dhe veçanërisht për gratë e reja, thotë ai, përcjell Express.

“Ajo u jep të rejave shqiptare një perspektivë”

Manusha Sakica, sipërmarrëse dhe stiliste nga Lucerni, e sheh shkencëtaren shqiptare në mënyrë të ngjashme.

“Mira Murati hap dyert dhe u jep të rejave shqiptare një perspektivë. Kjo u tregon atyre se ato mund të shkojnë larg – madje edhe në Silicon Valley”.

Manushja e sheh shumë motivuese që një person që lëviz botën të ketë të njëjtat rrënjë sikur ajo vetë.

“Ajo është një frymëzim për mua. Unë dhe ndoshta edhe çdo grua shqiptare do të donim tani të pretendonim se është kushërira jonë”, bën shaka sipërmarrësja.

Edhe sipërmarrësi Sysret Kastrati është krenar për historinë e suksesit të Muratit. “Kjo pasqyron ambicien e komunitetit tonë dhe përpjekjen tonë për të bërë një ndryshim në botë”, tha ai.

Siç thotë ai, histori të tilla suksesi kanë një efekt të menjëhershëm pozitiv. “Ato na motivojnë të bëjmë më mirë, gjë që përfundimisht i sjell përfitim shoqërisë”.

Kastrati sheh një tjetër efekt pozitiv në perceptimin kombëtar dhe ndërkombëtar të komunitetit shqiptar. “Këto arritje na vendosin në një pozicion më të mirë strategjik, qoftë në nivel politik, personal apo biznesi. Pra, origjina jonë tani nuk lidhet me raporte negative, por përkundrazi me CTO të ChatGPT”.

Rreth suksesit të Mira Muratit, të lindur në vitin 1988 në Shqipëri ka shkruar këto ditë edhe gazeta Blick dhe disa media tjera zvicerane. / KultPlus.com