Yjet Saimir Pirgu & Marigona Qerkezi i sjellin Kosovës koncert operistik të nivelit botëror

Vjollca Duraku
Fotografitë: Arben Llapashtica & MKRS

Të martën mbrëma, në Kosovë u mundësua një operë e nivelit botëror falë bijëve të saj të cilët si asnjëherë më parë e nderuan skenën e vendit të tyre, i cili institucionin më të lartë të kulturës, Operën e Kosovës, e ka në hapat e parë të ngritjes, shkruan KultPlus. Saimir Pirgu- tenor shqiptar, një nga më të vlerësuarit e kohës në skenat ndërkombëtare ishte protagonisti i mbrëmjes, ku përveç interpretimit ka lansuar edhe albumin e tij “Saimir”, ndërkaq artistja tjetër e përmasave ndërkombëtare gjithashtu, sopranoja Marigona Qerkezi ka qenë një prezencë e fuqishme që i dha Prishtinës shkëlqimin e një qyteti me traditë të lartë kulturore.

Në këtë mbrëmje të rrallë artistike, dukej sikurse teatrot dhe skenat prestigjioze botërore po ia kthenin Kosovës një borxh, përmes të cilit falë margaritarëve shqiptarë kanë arritur të qëndrojnë në piedestal dhe  në themele të sigurta. Një Gala Koncert të tillë publiku shqiptar e kishte pritur gjatë, kjo vërehej në fytyrat e qeshura të publikut i cili kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë. Ulëset shtoheshin vazhdimisht deri në fillim të koncertit, entuziazmi sa vinte e shtohej, dhe zemra rrihte plotë emocion për këtë art të jashtëzakonshëm, që do të rrjedhte nga një esencë dhe dell shqiptar.

Orkestra e Operës së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro fillimisht dha një pikë interpretuese me dinamikë të madhe. Kjo energji në epiqendër të së cilës gjendej profesionistja Laro, që bashkë me lëvizjet e fuqishme të trupit të saj shkundtte me themel çdo ndjenjë apo emocion të ultë të çdo njërit që gjendej në sallën tonë tejet modeste, duke sjellë ndjenja admirimi dhe krenarie të lartë.

Paraqitja në sallë e tenorit të shquar Saimir Pirgu paraqiste një moment historik për Operën e Kosovës, i cili sa hapa që hidhte drejt skenës i shtonte një tullë kalasë në ndërtim e sipër të bashkëkombasve të tij. Me veprën e Georges Bizet- “Opera Carmen” (Aria “La fleur que tu m’avais jetée”)  nisi mbrëmja e tij artistike ku përmes zërit të fuqishëm, të pasur dhe emocionues shkrinte vetëm dashuri në zemrat e audiencës. Një autoritet që vetëm me prezencën e tij dëshmonte interpretimet në skenat më të njohura të kohës si ato të: Operës Metropolitane në Neë York, Teatrin La Scala në Milano dhe Operën Mbretërore të Londrës.

Me veprën e Francesco Cilea – “Opera Adriana Lecouvreur” (Aria “lo son l’umile ancella”) po vinte ngadalë Marigona jonë e çmuar, e cila sikurse simotra e saj matanë kufirit, në një kohë më moderne tingull më tingull po qëndiste dhe e ngriste lartë flamurin e Operës së Kosovës. Me një fizik prej dive, veshur në të kuqe, plotë zjarr e pasion shpërthyese në çdo interpretim, sopranos Qerkezi  i m’vishej  një siluetë hyjnore, përmes së cilës kishte arritur të duartrokitej ngrohtësisht nga publiku i skenave prestigjioze si në: “La Fenice” në Venecia, “Gran Teatre del Lieceu” në Barcelonë, “Opera Royal de ëallonie Liege” dhe në Shtëpinë e Operës në Dubai.

Veprat të cilat u interpretuan herë nga njëri e herë nga tjetri qenë ato të: Pyotr Ilyich Tchaikovsky- “Opera Eugen Onegin” (Aria “Kuda, kuda kuda vy udallilis), Giacomo Puccini- “Opera Madam Butterfly” (Aria “Un bel di vedremo), Pietro Mascagni- “Opera Cavalleria Rusticana, Intermezzo”, Giacomo Puccini- “Opera Manon Lescaut” (Intermezo), “Opera Tosca” (Vissi d’arte), Aria: (E Lucevan le stelle)dhe “Opera LaBohème” (O soave fanciulla) e cila dëshmonte kapacitetin e artistëve edhe në aktrim, ku me plotë takt e elegancë prezantonin rolin e historisë së dy të dashuruarve parisienë.

Kurse, veprat e Feim Ibrahimit- “Unë biri yt Kosovë” interpetuar nga sopranoja Qerkezi, Limoz Dizdarit “Fjalët e qiririt” interpretuar nga Simir Pirgu dhe ajo e Prenk Jakovës “Kto lule të bukura mali” në interpretim të përbashkët u ndjenë padiskutim më fuqishëm nga ky repertor me kryevepra botërore.


Ndërkaq, një kulmim i paparë i mbrëmjes u arrit kur maestro i skenës operistike, Simir Pirgu, në skenë i ftoi edhe kolegët e tij artistë për të performuar së bashku. Me ftesën e tij skenës iu bashkangjit edhe Ramë Lahaj, Flaka Goranci, nëna e Marigona Qerkezit, Merita Juniku, Jeta Çitaku, Zana Ramadani dhe Harris Bajraktari për të interpretuar veprën “Unë biri yt Kosovë” dhe për ta shëndrruar atë në himn të institucionit. Sikurse vargjet “Unë biri yt Kosovë, ta di gjakun të të vlon në gji” vlonte gjakun në dejet e artistëve dhe gjithë publikut me emocione të përziera, të dominuar nga krenaria për gjithë atë kapacitet artistik shqiptar.

Nuk kishte se si të mungonte edhe kryevepra “La Traviata”, e cila skenës në këto momente po i jepte madhështi të paparë. Improvizimi i aty për atyshëm nga ana e artistëve jepte emocione kulmore, me të cilat audienca do të shoqërohet për gjatë kohë.

Pas Gala Koncertit të Operës së Kosovës, në një prononcim për KultPlus, tenori Saimir Pirgu është shprehur i kënaqur me reagimin e publikut, duke e cilësuar si nderë të veçantë interpretimin e tij para bashkëkombasve.

“Unë jam tepër i kënaqur. Jam këtu për herë të parë. Ishte një publik i shkëlqyer, një publik që meriton shumë, një publik që e tregoi dashurinë për artin, kulturën, e shprehu me gjithë këto herë që u ngrit në këmbë për ne, për mua, për Marigonën, për Shqipërinë dhe për Orkestrën e Kosovës. Është nder për mua që të kem vënë një gur në këtë vend në këtë teatër, në kombin tim.  Nuk ka rëndësi se ku bëhet art. Arti bëhet kudo, mjafton zemra, zëri, muzika, kutura dhe ajo është gjëja më kryesore. Këto elemente na bëjnë ne komb, gjë që na bën të njihemi midis të tjerëve”, është shprehur Saimir Pirgu duke mos dashur të potencojë kushtet jo adekuarte të interpretimit.

Kurse, sopranoja Marigona Qerkezi ka thënë se interpetimi përkrah tenorit Pirgu për të përbënte kënaqësi të dyfishtë ngaqë u interpretuan edhe perla shqipe para njerëzve me të cilët ajo ishte rritur.

“Ishte mbrëmje magjike. Me të vërtetë, publiku u kënaq, ne u kënaqëm jashtëzakonisht shumë. Ishte një privilegj që në Kosovë të interpretoj një emër si Saimir Pirgu. Kisha nderin edhe ta ndaja koncertin me të. Është një emocion i veçantë të bashkëpunosh më në fund me Operën e Kosovës, pas një rrugëtimi disa vjeçar nëpër vende të ndryshme. Është një emocion i veçantë të këndosh për vendin tënd dhe të shohësh fytyrat të cilat i njeh dhe të kanë njohur prej një moshe shumë të vogël. Ishte një kënaqësi t’i ofrosh këtij publiku jo vetëm perla të repertorit operistik ndërkombëtar por edhe perla shqiptare të cilat janë jashtëzakonisht të bukura. Unë zakonisht i performoj jashtë. Kësaj radhe ishte emocion i dyfishtë që t’i performoja në vendin tim, për njerëzit e mi”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Sopranoja Qerkezi ka thënë se me një zemër plotë kanë dhënë maksimumin për të arritur të sjellin një koncert si ai i natës së mbrëmshme.

“Ishte një rikthim me të vërtetë me zemër plotë. Mezi kam pritur ta pranoj ftesën. U koordinuan jashtëzakonisht mirë edhe detajet organizative dhe të agjendës. Një ftesë të tillë për të ndarë mbrëmjen me Saimirin është vështirë ta refuzosh. Kështuqë, me një zemër plotë e bëmë të pamundurën dhe jam shumë, shumë e lumtur që një emër i tillë vjen në Kosovë, pavarësisht të gjitha elementeve të cilat nuk janë thjeshtë elemente, janë vitale por që i dijmë, dhe ndau shpirtin e tij gjigand botëror bashk me ne këtu sonte. Ishte me të vërtetë një mbrëmje e jashtëzakonshme dhe jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Kurse, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, Gala Koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur një festë të madhe për fundvit, në të cilën tenori Pirgu dhe sopranoja Qerkezi hodhën një gur në themelet e këtij institucioni.

“Për fat të mirë ka shkuar gjithçka shumë mirë, e kemi pritur një kohë të gjatë. I falënderojmë artistët që e kanë pranuar ftesën, dhe kanë gjetur kohë të vijnë në Kosovë pasi kanë një agjendë shumë të ngarkuar. I falënderoj për këtë kontribut të tyre duke ia vënë edhe një gurëthemel Operës së Kosovës. Ishim pak të stresuar për shkak të kushteve, pasiqë artistëve të nivelit të tillë u duhen kushte më të mira akustike.  Për ne sfidë paraqiste salla si një vend i vogël me karrige pak, sepse interesimi ka qenë shumë i madh. Por, na gëzoi fakti që bashkëpunimi me ta ka qenë shumë i mirë, që nga dita e parë kur e kemi bërë ftesën e deri sot. Janë ndarë të kënaqur me pritjen, me orkestrën, dhe me nivelin që ka krijuar tashmë Orkestra e Operës së Kosovës. Ishte një festë për festat e fundvitit”, ka thënë drejtori Ferizi.

Ndërsa, dirigjentja Elda Laro ka falënderuar stafin e Operës së Kosovës për mirëpritjen dhe ngrohtësinë që iu kishin ofruar, si dhe gjithë popullin e Kosovës.

“Jam shumë e lumtur që koncerti vajti në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe u prit shumë mirë edhe nga publiku i Kosovës. Pash që interpretuan edhe disa artistë të tjerë shqiptarë dhe jam shumë e lumtur. Kemi pasur dy yje që janë të çmuar në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Ky ka qenë një privilegj shumë i madh edhe për mua që i kam dirigjuar dy këngëtarë të tillë. Edhe bashkëpunimi me Orkestrën e Operës më ka dhënë një eksperiencë shumë të madhe, pasi të rikthehesh të punosh edhe me të rinjë që janë fillestarë, të kujtojnë fillimin tonë, kohën kur kemi filluar edhe ne. Kështuqë, ka qenë një eksperiencë që do ngeli në zemrën time. Jam shumë e lumtur se si kanë reaguar sonte të gjithë orkestralët, janë me të vërtetë artistë shumë të mirë dhe jam shumë e lumtur. I falënderoj të gjithë pjesëtarët e Operës. I falënderoj edhe kosovarët sepse me të vërtetë i dua shumë, shumë, shumë”, ka thënë dirigjentja Laro.

Ndërkaq, violistja Entela Qarkagjija ka thënë se bashkëpunimi me dy yje të skenës botërore siç janë Saimir Pirgu dhe Marigona Qerkezi për të personalisht përbën një përvojë të jashtëzakonshme, të papërjetuar më parë.

“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme të punosh me artistë të nivelit ndërkombëtar. Duke pasur mungesë të një salle koncertale adekuate, ishte shumë e vështirë që të përshtatemi me akustikën. Por ja dolëm, gjithçka shkoi në mënyrë profesionale në fund, ashtu siç dijnë profesionistët e vërtetë të punojnë dhe të sjellin art në këto kushte. Ishte një arritje përfundimtare e suksesshme”, ka përfunduar Qarkagjija./ KultPlus.com

Opera “Lucia di Lammermoor” rikthehet pas 16 vitesh në TKOB

Opera “Lucia di Lammermoor” e kompozitorit Gaetano Donizetti rikthehet pas 16 vitesh në në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Opera “Lucia di Lammermoor” u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit më 1 nëntor 2008 me regji të Nicola Zorzi.

Asokohe roli i Lucias u interpretua nga sopranot Marjana Leka, Oriana Kurteshi dhe Francesca Micarelli, duke sjellë tre portretizime brilante të këtij personazhi kompleks.

Rolin e Enricos, vëllait të Lucias, e interpretuan baritonët e shquar Ylber Gjini dhe Marco Camastra, ndërsa roli i të dashurit të Lucias, Edgardo, u soll në skenë nga tenorët Gianluca Terranova dhe Cristiano Oliveri.

Roli i Arturos u interpretua nga Rudin Sata, Raimondo nga Armando Likaj, Alisa nga Vikena Kamenica dhe Normano nga Erlind Zeraliu.

Ky rikthim pas plot 16 vitesh premton shumë emocione, me dy kaste artistësh të jashtëzakonshëm.

Prej ditësh tashmë, regjisorja Ada Gurra po punon intensivisht me solistët dhe korin e TKOBAP-së për të sjellë një interpretim unik të kësaj opere të Donizetti-t, në datat 12, 13, 15 dhe 16 dhjetor në orën 19:00./ atsh/ KultPlus.com

Sopranoja Qerkezi me rol në operën e Verdit në ngjarjen kryesore kulturore të Finlandës

Sopranoja shqiptare e njohur në botë, Marigona Qerkezi, ka bërë të ditur se përgjatë muajit korrik do të performoj në Festivalin prestigjioz të Operas “Savonlinna” në Finlandë.

“Për shkak të një ndryshimi, jam e emocionuar të njoftoj se do të performoj si Abigaille në Nabucco të Giuseppe Verdit në një prodhim të ri në Festivalin prestigjioz të Operas Savonlinna në të gjitha datat: 6, 8, 11, 16, 19, 22, 24, dhe 26 korrik”, ka njoftuar sopranoja Qerkezi e cila këtë rol e interpreton për herë të parë.

“Nabucco” i Giuseppe Verdit tregon historinë e një mbreti babilonas që pushtoi Jerusalemin dhe dërgoi popullin hebre në mërgim.

Kurse festivali prestigjioz i Operas “Savonlinna”, në të cilin do të interpretoj Qerkezi njihet si ngjarja kryesore kulturore e Finlandës, e cila arrin të mbledh rreth 70.000 vizitorë.

Opera e Kosovës prezantohet edhe në Paris, interpretojnë solistë të shquar

Opera e Kosovës do të prezantohet para publikut parisien me solistë të shquar të këtij institucioni, përmes një programi të përzgjedhur me kompozitorë botëror dhe shqiptar, shkruan KultPlus.

Pjesë e këtij koncerti i cili do të prezantohet në kryeqytetin e Francës janë artistët: Venera Kajtazi, Sihana Badivuku, Adelina Paloja, Arta Jashari, Agron Peni, Denik Prizreni, Elikona Hysaj, Kaltrina Miftari, kuarteti Amati, Liridon Sadriu, Meriton Ferizi, Okteti Plus, Safet Berisha dhe Zana Abazi-Ramadani.

Koncerti mbahet më 10 qershor, në Theatre du Gymnase Marie Bell- Paris, në ora 20:00./ KultPlus.com

Opera ‘La Boheme’ e Puçinit mirëpritet nga publiku i Tiranës

Nata e parë e rivënies në skenë të “La Boheme” e Xhakomo Puçinit u mirëprit nga publiku kryeqytetas.

Interpretimi i solistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, orkestrës, korit dhe korit të Zërave të Bardhë të TKOB-së përcolli plot emocione operën e një prej kryeveprave të Puçinit.

“La Boheme” është një vepër që flet për të rinjtë, jetën dhe sakrificat e tyre për të mbijetuar në Parisin e shekullit XIX. Historia e dy të dashuruarve, fundi i së cilës është tragjik për shkak të varfërisë dhe sëmundjes së vajzës, e cila vuan nga tuberkulozi.

Opera “La Boheme” erdhi nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe asistentdirigjentit Niccolo Jacopo Suppa.

Regjia e Ada Gurrës, skenografia të Renold Sulës dhe kostumografia të Ardi Asllanit, u sollën për artdashësit nga artistët e TKOB-së dhe të ftuar të njohur ndërkombëtarisht.

Eva Golemi dhe Amadi Lagha interpretojnë në rolet e Mimi-së dhe Rodolfo-s.

“La Boheme” do të shfaqet edhe në datat 16, 17 dhe 19 prill, ora 19:00./atsh/KultPlus.com

‘Carmina burana’ opera e balet në një shfaqje, marrëdhënia burrë-grua nga dorëshkrimi benediktin te muzika e fuqishme

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ngjit në skenë një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos. “Carmina Burana”, shfaqja me muzikë të kompozitorit gjerman Carl Off, sjell një dialog mes një burri dhe një gruaje, të tërhequr nga njëri-tjetri dhe në kërkim të vazhdueshëm. Erotizmi, dhuna, gënjeshtra do të ndiqen nga dashuria.

“Koncepti i koreografisë ndërtohet mbi poezitë, sensualitetin, dhe mistikën. Kompozitori i ka kthyer poezitë në muzikë. Kjo pjesë i bën lëvizjet e stilit modern e kontemporan pjesë të një baleti klasik, për të krijuar një narrativë në skenë dhe për të sjellë edhe marrëdhënien e një burri me një grua. Shoh që ka energji të re te balerinët ndërsa koreografia bashkon muzikën, jetën dhe kërcimin në skenë edhe përmes një loje dritash”, – tha Carlos Montalvan, Baletmaester

Solistët, Orkestra Simfonike, Trupa e Baletit, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Formacioni Vokal i Forcave të Armatosura janë pjesë e shfaqjes që bën bashkë në skenë njëkohësisht mbi 200 artistë në dytë ditë.

“Një vepër e bukur se ka balet, kor, orkestër dhe vepër e madhe dhe angazhimin i gjithë artistëve dhe ka emocion të jashtëzakonshëm. risia më e bukur janë solistët e rinj dhe perfomanca do të jetë e jashtëzakonshme”, tha Adela Muccollari.

Vepra zuri fill kur kompozitori gjerman Off, nxitur nga dorëshkrim i rëndësishëm të shekullit të trembëdhjetë, të gjetur në një manastir benediktin në Bavari shkroi muzikën e njohur të “Carmina Buranës”. Në një anë thirrja “O fortuna”, ndaj perëndeshës së fatit përmes potencës muzikore e në tjetrën, elementët e koreografisë, pantomimës dhe oratorios e bëjnë veprën ndër më të veçantat./balkanweb/KultPlus.com

MKRS: Ngjarjet si ‘Goca e Kaçanikut’ e gjallërojnë skenën kulturore të vendit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pas premierës së operës “Goca e Kaçanikut”, përmes një komunikate ka deklaruar se ngjarjet e tilla po ndikojnë në gjallërimin e skenës kulturore të vendit.

MKRS duke i falënderuar të gjithë ata që morën pjesë një realizimin e operës, shfaqjen e ka cilësuar të mrekullueshme.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të MKRS në facebook:

Për herë të parë në Kosovë u shfaq opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut” me kompozitor Rauf Dhomin, produksion i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës.

Nën regjinë e mjeshtrit të madh Nikolin Gurakuqi, kasti i shkëlqyeshëm, kori, orkestra, balerinët dhe i gjithë ekipi ofruan një shfaqje të mrekullueshme.

Sopranoja Adelina Paloja dhe tenori Ismet Vejseli sollën në jetë Pafikën dhe Trimorin, ndërsa Hektor Leka dhe Besiana Mehmedi portretizuan Plakun dhe Plakën. Në role të tjera u prezantuan Harris Bajraktari si Rusbashi, Hekuran Bllaca si Fiqali, dhe Etrit Nura si Agjenti.

Maestro Edon Ramadani, luajti një rol kyç në sjelljen e kësaj opere në variantin më të plotë të saj.

Ngjarje të tilla po e gjallërojnë skenën kulturore të vendit ndërsa sallat janë të mbushura plot për ti ndjekur ato.

Faleminderit dhe përgëzime të gjithë atyre që ishin të angazhuar në realizimin e operës.

“Goca e Kaçanikut” do të shfaqet edhe të dielën më 25 shkurt prej orës 19:00 në Sallën AMC./KultPlus.com

Biletë hyrëse në botën e kompozitorit Rauf Dhomi, aty ku noton me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike

Jeta Zymberi

Një natë e ftohtë dhjetori më hodhi në rrugën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për një takim me kompozitorin e shquar, akademikë Rauf Dhomin. Kjo ishte biletë hyrëse për një udhëtim të papritur në botën e pasur të muzikës dhe pasionit të palodhur të tij.

Profesori Rauf, i cili më priti me elegancën e një artisti të vërtetë, ishte vetë një vepër arti. Ai ishte përgatitur që vetëm pas pak të drejtojë Korin e Burrave në një koncert festiv të Akademisë. Por megjithatë, me një bukuri dhe harmoni që i takonin një dirigjenti, me një karizëm që nuk mund të kalonte pa u vërejtur dhe një pasion të flaktë për zanatin e tij që reflektonte pashmangshëm në të, ai më uroi një mirëseardhje plot nderim.

Nën hijen e muzikës që dëgjohej nga provat e koncertit dhe ambientin solemn të akademisë, ne filluam një bisedë të këndshme me profesorin Rauf i cili nuk është thjeshtë një kompozitor, por një udhëheqës i fushatës së krijimtarisë artistike në Kosovë dhe përtej saj. Ai na çoi në një udhëtim emocionues përmes ujërave të jetës, ku notonte me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike.

Në këtë bashkëbisedim motivues, Rauf Dhomi ndau me ne ndjenjat dhe shpirtin e rrugëtimit të tij. Kjo nuk ishte thjesht një intervistë, por një eksperiencë që na kujtoi se pas çdo melodie artistike ka një histori unike dhe një pasion të patundur për të ndarë bukurinë e muzikës me botën.

Me profesorin Rauf ke se çfarë të flasësh, i lindur në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor të vitit 1945, ai i përket plejadës së kompozitorëve të Kosovës, të cilët ndërtuan artin muzikor në vend. Ai ka zhvilluar karrierën e tij në një periudhë aspak të lehtë për historinë e Kosovës, mirëpo përkundër kësaj, ai ka vazhduar në secilën periudhë të shpreh emocionet e tij përmes muzikës duke krijuar kështu një portofol të pasur me vepra të shquara.

Kjo intervistë e rrallë, shumë e rrallë e kompozitori Dhomi, është një udhëtim në thellësinë e mendjes krijuese të tij, një krijues që ka hapur degë të reja në pemën e muzikës klasike shqiptare duke u bërë i pari kompozitor kosovar që ka shtuar në portofolin e tij një operë të lavdishme.

Nga fillimi i tij në botën e kompozimit deri në arritjet e tij më të fundit, ne eksploruam çdo nuancë të pasionit të tij për muzikën dhe impaktin e tij të madh në skenën muzikore.

Krijimi i Institucionit të Operës në Kosovë: Arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet

E nisëm këtë bisedë me një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore që ka ndodhur sëfundmi, me krijimin e Institucionit të Operës në Kosovë, një iniciativë kjo të cilën profesori Rauf e kishte nisur qysh në vitin 2003, kur edhe themeloi trupën e Operës së Kosovës, dhe me 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij Institucioni.

“Në vitin 2003, ish-presidenti Ibrahim Rugova më autorizoi të themeloj Institucionin e Operës. Në atë kohë unë dhashë tri opera. Kjo ishte një iniciativë e madhe, filluam të mbajmë koncerte gjithandej, kemi shkuar në Turqi, Kalabri, Greqi, Shqipëri e nëpër qytetet e Kosovës”, thotë profesori teksa në këtë pikë nuk harron të përmend edhe publikun që i ka dhuruar emocionet më të mëdha.

“Shumë shpesh kemi shkuar në Mitrovicë sepse Mitrovica e ka publikun shumë të mirë, por publikun më të mirë në Kosovë e ka Suhareka. Nuk e keni idenë! Kanë disiplinë të përkryer. Më të mirë në kulturë, nuk ke”, thotë Dhomi.

Por, kjo iniciativë e bukur që nisi për operën kosovare, ishte jetë shkurtër. Sipas profesorit Rauf, jetën ja shkurtuan udhëheqësit e institucionit të kulturës dhe që nga ajo kohë, iniciativa ra poshtë.

“Jam shumë i lumtur që tashmë është themeluar Institucioni i Operës, por nuk janë duke bërë operë. Për të pasur një shtet operë, fillimisht i bëhet shtëpia. Vetëm tek ne ndodhë e kundërta”.

Kompozitor i operës së parë kosovare, në kohën kur e ka krijuar këtë vepër, asnjëherë nuk e kishte menduar që viti 2023 do të na gjente pa një sallë operash.

“Kur e kam krijuar operën “Goca e Kaçanikut”, kam menduar që vetëm pas 2-3 viteve Kosova do të ketë Institucionin e Operës. Por që na gjen viti 2023 pa një shtëpi të operës, këtë se kam menduar asnjëherë.”

Rasti i shtëpisë së operës, është dëshmia më e fortë që në vendin tonë arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet. Por derisa jemi në pritje të krijimit të saj, ne u kthyem pas në kohë e folëm për një vepër të kompozuar në vitin 1978, për “Gocën e Kaçanikut”, një operë në dy akte dhe tri tablo, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi, me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

Kjo vepër shënoi një kthesë të re në krijimtarinë muzikore në vendin tonë dhe për herë të parë u inskenua në manifestimin për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë në vitin 1979. Padyshim, ky ishte një moment i veçantë për krijuesin e kësaj vepre i cili bashkë me miq e kolegë u nisëm me një autobus nga Kosova për në Shqipëri, për të përjetuar këtë shfaqje.

“Shfaqja në atë kohë u dha me suksesin më të madh, më thirri edhe presidenti Enver Hoxha në atë kohë për të më falënderuar. Pastaj, nga viti 1988 deri në 2004 shfaqja është dhënë rregullisht, çdo mysafir që ka ardhur nga vendet ndërkombëtare, çdo delegacion është mirëpritur me “Gocën e Kaçanikut”. Ishte një nder për mua”, thotë kompozitori.

Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, pas gjysmë shekulli do të inskenohet në vendlindje

Por, përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje. Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, përgatitjet për premierën e kësaj shfaqje kanë filluar, rolet janë ndarë dhe gjithçka pritet të vijë premierë në muajin shkurt, për festën e madhe të Pavarësisë së Kosovës. Kjo lëvizje e re nga Institucioni i sapo themeluar i Operës së Kosovës e ka gëzuar profesorin Rauf.

“Kur më than që do ta ekzekutojnë “Gocën e Kaçanikut” nuk e besova. Mezi po pres të shoh premierën. Regjisori është një mjeshtër i madh tek i cili besoj shumë. Më kanë ftuar edhe mua, por nuk dua të ndikoj, unë e kam shkruar dhe kaq mjafton. Do të shkoj ta shijoj premierën.”

Por një operë e tillë kombëtare, një ditë do meritonte të jetësohet edhe në ndonjë skenë ndërkombëtare, një synim të tillë nuk e kam vetëm unë, por edhe kompozitori i cili kishte pasur një tentativë të tillë por që nuk u realizua asnjëherë. Rreth viteve 86’-88’ ai kishte udhëtuar për në Kalabri dhe Sicili për të mbledhur folklor për “Dasmën arbëreshe” dhe bashkë me kryetarin e komunës të asaj kohe, i cili ishte arbëresh, u dakorduan që “Gocën e Kaçanikut” ta inskenojnë në Itali, por gjithashtu u dakorduan që ata të financojnë një pjesë dhe Kosova pjesën tjetër.

“Kërkesa jonë nuk u mor parasysh në Kosovë sepse në atë kohë përkraheshin këngët popullore dhe opera nuk njihej nga udhëheqësit tanë. Ndodhë që në të ardhmen edhe do të inskenohet në ndonjë skenë të tillë, por për mua do të jetë vonë sepse nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar shumë vite. Por për historinë e operës kosovare nuk do të jetë vonë, kurdo që do të ndodhë do të ishte diçka e bukur”.

Kori i Burrave, një simbol i kulturës së Gjakovës

Krahas punëve të vazhdueshme si pedagog e krijues, Rauf Dhomi aktivisht ka punuar edhe me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965 e i cili vazhdon të jetë aktiv edhe sot. Për të, Kori i Burrave është një histori më vete, një sukses i jashtëzakonshëm për atë kohë, një simbol i kulturës së Gjakovë.

“E kam formuar në vitin 1965, kur kam qenë nxënës i shkollës së mesme. Atëherë kur nuk ka mundur askush të këndojë, në të gjithë bashkë kemi kënduar. “Këngën e Mortit” e kemi kënduar për të gjithë ata ushtarë që jepnin jetën, edhe pse i kishim tytat mbi kokë por asnjëherë nuk jemi frikësuar”, pohon Dhomi duke potencuar rëndësinë e kësaj vepre sepse sipas tij “I vetmi solemnitet në jetë është vdekja”.

Krijimtaria e profesorit Rauf është një maratonë e gjatë dhe e larmishme. Ai ka kompo­zuar në të gjitha gjinitë e muzikës. Krahas operave “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baletit “E bukura More” e shumë vepra të tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, gjithashtu muzikë për filma e shfaqjet teatrale (rreth 300 shfaqje) që përbëjnë krijimtarinë artistike të profesorit Rauf, një kontribut të madh ai e ka dhënë edhe në muzikën pianistike. Ai ka bërë shtatëdhjetë vepra për piano dhe këtë e konsideron një volum të mirë për vendin tonë. Por ai nuk beson se do ti kthehet më krijimit të veprave pianistike. Ajo që tash po i sillet në hapësirë është krijimi i një tjetër opere, operë për Mbretëreshën Teutë.

“Kam libreto të ndryshme, po nuk e kam ende atë që dua, jam duke e kërkuar”, thotë profesori i cili tutje foli edhe për krijimin e meshës së parë kosovare, të cilën e kishte shkruar për akademikun Gazmend Zajmin. Me këtë krijim, ai kishte prekur edhe më nga afër një prej gjinive muzikore të trajtuara nga kompozitorët më të mëdhenj botërorë.

“Atëherë isha pranuar në Akademi të Shkencave dhe Arteve, Gazmendi ishte në Zagreb, ishte sëmurë dhe u pritke vdekja e tij. Ai ka qenë i veçantë dhe unë doja të veçantën për të, andaj krijova këtë meshë dhe e këndova ‘Këngën e Mortit’ në varrimin e tij. Po flasim për vdekjen, që është një dhimbje e madhe, por kënga u mirëprit jashtëzakonisht mirë dhe që nga jo kohë hyri në program”, tregon Dhomi.

Krahas këtyre krijimeve, ai nuk anashkalon as botën fëmijërore, një fond i konsiderueshëm i veprave është rezervuar edhe për ta, të krijosh për të vegjlit, për të nuk është vetëm kënaqësi por edhe obligim.

“A ka engjëj më të mirë se fëmijët. Të krijosh për engjëjt ke mundësi edhe me qenë aty afër tyre, është ngrohtësi, po është edhe obligim. Se ata nuk kanë literaturë, literatura botërore për ta nuk ekziston. Atëherë pse mos të krijoj unë dhe kolegët e tjerë për ta.”

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, roli i këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës

Të jesh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ashtu siç është profesori Rauf që nga viti 1996, është një përgjegjësi jo e lehtë duke pas parasysh edhe kritikat e vazhdueshme në adresë të këtij institucioni. Por megjithatë, profesori mundohet të jetë objektiv kur vlerëson rolin dhe kontributin e këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit që këtë pyetje e quan provokuese ai thotë: “Rrallë ndonjë seksion, se mos të themi anëtar, mendon për këtë çështje. Apo më mirë të themi nuk mendon fare. Më vjen keq që e them këtë, por janë dhjetëra akademikë që janë të rregullt, marrin rroga, por nuk vijnë fare këtu”, por sipas tij kjo gjendje nuk është vetëm në Akademi, por në të gjitha sferat, diku më shumë, diku më pak, por jemi njëjtë, thotë ai.

Djegia e Muzeut të Muzikës, turpi i Gjakovës

Duke shtrirë bisedën në pika të ndryshme, ne shkuam edhe në vendlindjen e profesorit Rauf. Në Gjakovën e artit dhe kulturës, në vendin i cili ishte përkrahësi më i madh i rrugëtimit të kompozitorit, mbështetja kryesore e të gjitha koncerteve të tij. Por, ndodhia e fundit në këtë qytet, djegia e Muzeut të Muzikës, për Dhomin ishte turpi i Gjakovës.

Në këtë muze, ndër të tjera ishte edhe piano në të cilën profesori kishte kompozuar operën “Goca e Kaçanikut” e shumë e shumë vepra të tjera. Impakti i humbjes së një trashëgimie të tillë kulturore padyshim që më së shumti e ka prekur kompozitorin sepse me djegien e këtij muzeu, u dogj një pjesë e historisë.

“A ka fjalë? Jo, nuk ka. Si mund ta përshkruaj këtë fatkeqësi. Të kaplohet nga zjarri instrumenti, edhe atë jo nga një zjarr i rastësishëm, por një zjarr i menduar. Unë them se Gjakova e ka humbur autoritetin me këtë rast sepse historia nuk fshihet. Aty ka qenë pianoja ku e kam punuar “Gocën e Kaçanikut”, “Dasmën” e shumë e shumë vepra të tjera. Rrugën e Çabratit ku kam qenë në atë kohë, e kam frekuentuar çdo ditë në mëngjes dhe i frymëzuar jam kthyer e kam kompozuar në atë piano. Unë dhe pianoja kemi qenë vëlla e motër. Ka qenë një instrument shumë i vjetër dhe të zhbëhet në këtë mënyrë është turp për Kuvendin e Gjakovës sepse Gjakova ka investuar shumë në kulturë, e sot të ndodh kjo nga moskujdesi, është shumë e dhimbshme.”

Një trajtim i tillë nuk i bëhet as artit, as trashëgimisë e historisë në vendet e civilizuara të botës, vende këto që kanë hapur dyert edhe për artistët tanë duke ju dhënë shkëlqimin e trajtimin e duhur. Artistët nga Kosova tani kanë një prezencë të rëndësishme në skenat ndërkombëtare dhe arritjet e tyre janë shpresa dhe gëzimi i profesorit Rauf.

“Sa mirë që është bota dhe këta talent kanë mundësi të ekspozohen nëpër skenat më të mira botërore sepse ata dinë të vlerësojnë. Tek ne vlerësohesh në bazë të shoqërisë dhe jo të talentit.”

Kompozimi – një fushë që po përballet me mungesë të kuadros

Krejt në fund të bisedës tonë, ne u ndalem te një çështje e rëndësishme dhe e përfolur, ajo e kompozitorëve. Kompozimi, një fushë e pasur me talente në Kosovë, po ballafaqohet me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe iniciativave mbështetëse. Edhe pse ekziston një numër i konsiderueshëm talentesh, Dhomi e shpreh shqetësimin e tij se ende nuk ka mekanizma dhe nisma që mundësojnë zhvillimin dhe nxitjen e krijimtarisë në këtë fushë të artit.

“Vetëm fakulteti ka kapacitetin për të nxitur krijimtarinë në fushën e kompozimit. Tek ne ka shumë talente por është e nevojshme që Fakulteti i Arteve të krijojë katedra të specializuara për kompozim, dirigjim, dhe degë të tjera të lidhura. Mungesa e konkurseve për pozitat e kompozitorëve ka sjell këtë rezultat”, thotë profesori teksa krejt në fund të kësaj bisede ky kapërcyem periudha të ndryshme të jetës së tij, ai më kërkoi falje për intensitetin e zërit gjatë intervistës, duke e shpjeguar atë si shprehje të mllefosjes që ishte akumuluar brenda tij për gjithë këto vite që sipas tij “arti vazhdon të zvarritet”. / KultPlus.com

Opera shqiptare pjesë e tryezës së diskutimit në festivalin EtnoFest

Gjatë ditës së shtatë, në Etno Fest, e cila u zhvillua në ditën e djeshme, u shijuan hapsirat e mbushura me piktura, skulptura e mozaikë të ndryshëm, shkruan KultPlus.

Programi i mbrëmshëm filloi me tryezën e diskutimit, me temë: Muzika tradicionale si gjetje artistike në krijimin e operës, fillet e operës shqipëtare, muzika artistike shqipëtare e bazuar e bazuar në muzikën burimore, zhvillimi dhe pengesat në karrierën e artistëve shqipëtarë.

Pjesëmarrësit e ftuar në diskutim ishin: Nikolin Gurakuqi, Ahmet Dërguti, Besa Berberi, Rreze Kryeziu si dhe Behar Arllati.

“Ne do të ndalemi sot në këtë tryezë diskutimit te ndalemi rreth zhvillimit të kësaj forme, operën, jo vetëm në Kosovë, por deri te rrënjët e saj që janë deri në Greqinë e Lashtë, Periudhën e Mesjetës, Baroku, shekulli XVII-XVIII, që lidhet drejtpërdrejt me temën që do ta diskutojmë sot”, thotë mes tjerash muzikologia, Rreze Kryeziu.

Ajo gjithashtu flet edhe për pjesën e Operën Kombëtare.

“Një rëndësi shumë të madhe para 2-3 shekujve e kishte edhe e ashtuquajtura Opera Kombëtare, dhe Operën e Parë Nacionale që është shfaqur në Kosove, që është shfaqur shumë më vonë te ne. Ne u përcaktuam me një formë që do të kënaqte kombëtaren, edhe një pjesë të komunitetit flokflorike. Asnjëra nga këto nuk kanë qenë të lehta të arrihen, sidomos në kohëra shqiptare, ku ne sot e kemi fokusin, pasi sigurisht na intereson se si ka ndikuar kjo formë në veprimtarinë muzikore në njerën anë dhe tjetrin të kufirit. Fazat e mbushura me trazira kanë ndikuar në mos-zhvillimin e muzikës dhe kultivimin e kësaj forme, por Kosova ka pasur përparime”, thotë mes tjerash Kryeziu.

Muzikologu dhe specialist i Folklorit, Behar Arllati, ishte gjithashtu pjesë e këtë diskutimi, duke thënë se fillet e muzikës shqiptare operistike janë të reja.

“Fillet e muzikës operistike te shqiptarët janë të reja dhe dihet që dy operat e para, “Arbëresha” nga kompozitori Lec Kurti dhe opera e “Juda Makabej” e Martin Gjokës, sipas veprës së Gjergj Fishtës. Pastaj operën e gjejmë në vitin 1941, kur është shfaqur opera “Drita” që është shkruar nga Antonio Muci, operë që është realizuar nga nxënëset e shkollës së vajzave “Donika Kastrioti”, me regji të drejtoreshës së asaj shkolle, Silvia Doria në vitin 1941″.

Ndër të tjerash, ai thotë se kompozitorë të ndryshëm kanë ndihmuar që veprat operistike të bëhen realitet.

“Regjisorë të operave kanë qenë edhe të tjerë që nuk kanë pasur të bëjnë me muzikën, por me teatrin, romanin e të tjerë. Ata janë ndihmuar ose prej Luigj Gurakuqit ose prej kompozitorëve, dhe kështu ka vazhduar. Në krahasim me Kosovën, mund të themi që është zhvilluar gjatë viteve opera, por më së shumti gjatë vitit XX. Megjithatë, me gjithë këtë kuadro që kemi tani, unë e shoh që mund të ecim shumë përpara”, thotë mes tjerash ai.

Njëri ndër folësit ishte edhe Nikolin Gurakuqi nga Shqipëria.

“Meqë tema është liria, unë do të them se a ka shprehje më të bukur se të lirisë, organizimi i këtij festivali, i cili është kulmi i lirisë. Kjo tregon se çfarë bon forca e indivitit kreativ, krjiues. Regjisori është një specie e veçantë. Pas një eksperience 45 vjeçare, vendosa të shkruaj një libër, që në fakt e kishte filluar ta shkruante im atë, por ai u nda nga jeta dhe kishte lënë një dokument prej 44 faqeve, hyrës, mbi regjinë në opera dhe aktrimin jo në të folur”, shpjegon ai.

Ai flet edhe për regjimin në Shqipëri dhe artin atje.

“Nuk kam qenë mbështetës i regjimit, kam qenë kundër. Madje kam kaluar nëpër shumë sfida, sikurse profesionale që të futem në punë, vetëm për shkak të regjimit. Prandaj, arti dhe regjia në Shqipëri dallon për shkak se te ne, kemi kaluar në një regjim, dhe dallon arti dhe regjia gjatë lirisë dhe regjimit”.

Mes tjerash, Gurakuqi thotë se kur ka disiplinë, çdo gjë bëhet më lehtë, kjo vlen edhe për opera..

Edhe Ahmet Dërguti ishte pjesë e panelti dhe shpjegoi se është rikthyer nga jashtë për të kontribuar në këtë vend dhe për të çuar përpara pjesën operistike të Kosovës.

EtnoFest e mbylli edicionin e sivjetëm me temën liria. /KultPlus.com

RLIOF po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’

Rame Lahaj International Opera Festival po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’.

Koncerti ‘Opera Night’ mbahet sonte, e enjte, 27 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).

‘Opera Night’ mbrëmja që i dedikohet tërësisht muzikës së mirëfilltë operistike, vjen në festivalin RLIOF për ta pasuruar programin e festivalit. Në këtë mbrëmje në skenë do të ngjiten solistë të skenave operistike, të cilët për publikun e gjerë sjellin një repertor premierë në pjesën më të madhe të tij.

Këtë herë do të prekim belcantizmin në të gjitha ngjyrimet e tij, përmes zërave të jashtëzakonshëm të sopranos Leonor Bonilla, tenorit Mert Sungu dhe baritonit Simon Mechlinski, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj.

RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com

Opera “Aida” tejmbush sallën e TOKB me artdashës shqiptarë e të huaj

Këto netë vere kanë sjellë pasionin e magjinë e një kompozitori të të gjitha kohërave, si Giuseppe Verdi, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.

Vënia në skenë e operës “Aida” është mirëpritur nga publiku kryeqyetas e kjo u duk që nga shitja në kohë rekord e biletave të premierës.

“Salla ka qenë e tejmbushur nga artdashës shqiptarë e plot turistë të huaj nga Evropa, të ardhur enkas për këtë shfaqje”, thuhej në një njoftim të TKOB në rrjetet sociale.

Kjo vënie në skenë, në TKOB, i ka qendruar besnike regjisë së të madhit Franco Zeffirelli.

Libreti i operës “Aida” rrëfen trekëndëshin e një dashurie pasionante të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radamès, dhe të bijës së Faraonit, Amneris.

Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radamès urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak. Aida duhet të vendosë mes besnikërisë ndaj vendit të saj dhe përkushtimit ndaj djalit që ajo dashuron. Dilema e zgjedhjes mes dashurisë dhe detyrës përballët edhe nga Radamesi, i cili në fund tradhton atdheun e tij për shkak të Aidës.
Muzika magjepsëse e Verdi-t me korale të fuqishme, arie magjepsëse dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale përforcon thellësinë emocionale të operës.

Kjo vepër e përmasave të mëdha, erdhi përmes Orkestrës Simfonike, Solistëve, Korit dhe Trupës së Baletit të TKOB-së, me dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli dhe maestros Dritan Lumshi./atsh/KultPlus.com

‘Flauti magjik’ për fëmijë e familje, 3 ditë në Teatrin e Operas

 Për tri ditë me radhë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka vënë në skenë “Flautin magjik”, përshtatur për fëmijë dhe familje.

Testamenti shpirtëror i Moxartit u përcoll përgjatë datave 26, 27 dhe 28 maj. “Flauti magjik” është një vepër shumëdimensionale ku të vegjlit artdashës u përfshinë tërësisht në një botë magjike.

Libreti i kësaj opere bazohet në një përrallë me nota të holla humori dhe plot mistere. Tamino dërgohet nga Mbretëresha e Natës për të shpëtuar vajzën e saj Pamina nga prifti i lartë Sarastro. Megjithatë, gjatë aventurës së tij, Tamino vlerëson vlerat dhe idealet e Sarastros dhe i bashkohet rrugëtimit të tij.

Muzika e bukur e Moxarit dhe artistët e TKOB argëtuan pa masë spektatorët e vegjël, në hollin koncertor të teatrit. Edhe orari i vendosur paradite, ishte lënë enkas për ta bërë më të mundur frekuentimin nga fëmijë e familjarë.

Vepra në formën e një Singspielit, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, i dha dinamikë shfaqjes dhe dhuroi atmosferë emocionuese për publikun./ATSH/KultPlus.com

Opera solemne ‘Gjergj Kastrioti-Skënderbeu KRYEZOT I ARBËRIT’ vjen në TKOB

Opera solemne “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu KRYEZOT I ARBËRIT” e kompozitorit akademik Vasil Tole, do të ngjitet më 9 maj 2023, në orën 20.00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Kompozitori Tole e krijoi veprën me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skëndebeut, për të treguar jetën dhe përjetësinë e Heroit Kombëtar në një vepër që flet shqip.
Motivi i ngjitjes në skenë të kësaj vepre për kompozitorin dhe muzikologun e njohur, Vasil Tole, është që të synohet rikthimi i traditës së operës dhe baletit shqiptar, që për kohë prej më shumë se 35 vjetësh është lënë në harrresë.

Opera “Skënderbeu, kryezot i Arbërit” ka në qendër Jetën dhe Përjetësinë, të cilat marrin shkas nga figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në vitin e 555-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Libreti i operas solemne dhe fryma e kompozimit të saj janë mbështetur mbi disa motive të veprës së njohur të Fan S. Nolit “Skënderbeu – kryezot i Shqipërisë”.

Në thelb opera-solemne është bashkimi i gjinisë së Operas dramatike me Meshën Solemne, pra Opera Selemne. Opera është konceptuar në dy pjesë, dy akte, që i përgjigjen jetës dhe përjetësisë të Gjergj Kastriotit në botën shqiptare, gjegjësisht heroit dhe epokës së Arbërit në shekujt e humanizmit europian dhe të qendresës antiosmane. Këtyre dy pjesëve, që plotësojnë njëra-tjetrën në ndryshim, u vjen për shtat si fjala (narracioni), ashtu dhe regjistri muzikor.

Ka një simetri midis dy pjesëve sa u takon nënndarjeve të tyre: katër arie (jeta) të kënduara nga Skënderbeu në të parën kundrejt 5 koraleve në të dytën (përjetësia). Ndryshimi midis tyre qëndron në raportin individ-epokë, jetë-përjetësi, hero-mit. Në tërësi opera e kapërcen këtë dallim, që është formal dhe konceptual, në pajtim me urtësinë që bart thënia latine et pluribus in unum, një dhe shumë, shumë në një, ose, siç shprehej vetë Fan Noli në një vepër tjetër, veç e tok.
Në pjesën e parë, prej uverturës dhe katër arieve, katër skenash, do të vetëshfaqet heroi: prej frymëzimit hyjnor (Shën Gjergji i shfaqet në ëndërr Gjergjit tonë dhe i jep besimin për fitore); mallit për vendlindjen si një ndjenjë e përjetshme dhe e përgjithshme, që ka zënë vend gjinikues qysh në letërsinë antike greke (Odiseu dhe Itaka); vokacionit dhe motivimit për qëndresë (Embëtha!) dhe konceptit për lirinë (Lirinë nuk jua solla unë).

Në të katër ariet portreti i Skënderbeut do të shfaqet si një figure e shekujve të humanizmit europian, që kishte në qendër Shën Njeriun, me besim në forcën e vet dhe me vullnetin për ta ndërtuar fatin individual dhe të bashkësisë sipas një përfytyrimi të ri. Edhe kjo pjesë vetë nis me individin e mbyllet me bashkësinë, et pluribus in unum: prej ëndrrës së heroit deri tek lirinë e gjeta mes jush.

Pjesa e dytë ndjek modelet e njohura të requiemit/meshes me karakter evokues dhe përshpirtjeje. Përmes pesë pjesëve korale (INTROITUS), KYRIE, SANCTUS, GLORIA, AGNUS DEI), të cilat janë pesë skena të çdo meshe solemne, glorifikohet pasjeta e heroit, që në fakt është fuqia e tij si strumbullar i konvergjencës së popullit që i takon. Shqiptarët i mbajti gjallë figura e Skënderbeut dhe gjuha e Arbërit.

Së bashku të dyja pjesët i japin operas karakter të dyfishtë: heroik dhe solemn. Solisti (nga lat. solus, vetëm) në pjesën e parë është unum, heroi që identifikohet përmes logoseve të tij, të cilat mund të kuptohen edhe si akoluthi. Kori në pjesën e dytë është pluribus, bashkësia, mbijetesa shqiptare ndër shekuj, fryma e heroit në pavdekësi.

Kjo opera bashkon edhe muzikalisht tradicionalen (që do të ketë më shumë vend në aktin e parë, ku do të shpërfaqen motivet mbarë shqiptare) dhe klasiken botërore (në aktin e dytë, ku polifonia e requiem-it ose meshës do të jetë sunduese.

Teksti i kënduar tek ariet do të jetë në gjuhën shqipe, i mbështetur në rrëfimet e Skenderbeut sipas Fan S. Nolit, kurse teksti i kënduar në “Meshën Solemne” do të jetë në latinisht, i mbështetur në traditën e gjithëpranuar muzikore të meshave dhe rekuiemeve.

Vasil S. Tole u diplomua për kompozicion në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë, më 1987, në klasën e prof. Kozma Larës. Mban titullin profesor dhe akademik pas një sërë studimesh dhe doktoraturash në fushën e etnomuzikologjisë: studime pasuniversitare në kompozicion pranë “Folkwang Hochschule”, Essen-Gjermani, në klasën e prof. Wolfgang Hufschmidit si dhe studime pas doktoratës në Departamentin e Muzikologjisë pranë Universitetit të Athinës, Greqi. Karriera e tij kap një gamë të gjerë të një veprimtarie studimore dhe publicistike, me pjesëmarrje në shumë festivale, konferenca dhe tryeza për muzikën në Shqipëri dhe jashtë saj.

Përfaqësues aktiv i brezit të ri të kompozitorëve shqiptarë, Vasil S. Tole është nismëtar i alternativave të reja krijuese dhe si një ndër mbartësit më të vendosur të konceptit të ristrukturimit të lëndës muzikore folklorike shqiptare, në dobi të gjetjes së identitetit dhe risive në muzikën bashkëkohore. Fitues i disa çmimeve të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, fitues i çmimit të parë të kompozimit “Dimitris Mitropoulos”, Athinë 2001, me operën “Eumenidet”. Pas viteve ’90 bëhet nismëtar i themelimit dhe drejtimit të disa organizmave të rëndësishme muzikore, si: ODEA, Akademi e Artit dhe Trashëgimisë. Karriera e tij shënon postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, si dhe ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Në vitin 2005, si ekspert i etnomuzikologjisë përgatiti dosjen e polifonisë me iso të Shqipërisë së Jugut, e cila u shpall nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”./atsh/KultPlus.com

Koncerti “Mbrëmje Pranverore” i dy shkollave artistike shqiptare

Në Teatrin e Operas dhe Baletit u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës koncerti “Mbrëmje Pranverore”, i organizuar nga Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe “Shkolla Kombëtare Koreografike”.

Mbas disa dekadash, me mbështetjen e bashkisë Tiranë, dy shkollat artistike kryesore të Shqipërisë, risollën frymën e bashkëpunimit artistik, duke frymëzuar dhe motivuar brezat e rinj me anë të praktikës artistike në skenë. Mbi 200 nxënës dhe mësues janë të angazhuar në një repertor të muzikës serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky koncert ishte edhe një homazh për brezat e kaluar të artistëve pedagogë, të cilët me pasion, punë dhe dashuri për artin, krijuan traditën shumëvjeçare të përcjelljes së dijes, që prej themelimit të këtyre shkollave.

Orkestra Simfonike dhe Kori përbëhej nga nxënësit dhe mësuesit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me solistë Alba Metaj (violinë), Etleva Kolnikaj (piano), Edlira Novaku Gjoni (violonçel), Erjana Riza (piano), Lorian Deda (bariton) dhe Albana  Bajraktari (soprano) nën drejtimin e dirigjentëve të Liceut, Mira Sulejmani, Besa Kacinari dhe Andi Kongo.

Numrat koreografikë u interpretuan nga nxënësit e “Shkollës Kombëtare Koreografike” me solistë Eskiejda Allka, Mirjan Llapushi, Bianka Skënderi, Graciela Sallaku, Uendi Xhixha, Floresida Hida, Ester Koni dhe Justin Deda. Koreografitë janë krijuar nga Blerina Arbana, Joli Eleni Gjovreku, nën kujdesin e drejtoreshës së “Shkollës Kombëtare Koreografike” Blerina Arbana dhe drejtimin artistik të Etleva Kolnikaj, drejtore e Liceut Artistik “Jordan Misja”./atsh/ KultPlus.com/

Nga një vullnetar që i këndonte refugjatëve të Kosovës në një yll të operave botërore, Gëzim Myshketa shkëlqeu mbrëmë në ‘Ta zbardhi ftyrën’

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

Edicionin e tij të pestë, projekti “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, mbrëmë e shënoi me një interpretim nga baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, i cili u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”. Nëpërmjet perlave shqiptare, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Myshketës që jehonte në hapësirë dhe kësisoj lëshohej rrëke nëpër secilin shpirt të pranishëm. Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë pasur një vend të veçantë, me ç’rast kanë dhënë ndjesi nga më të ndryshmet, duke dëshmuar se arti operistik zë një vend të rëndësishëm në audiencën shqiptare, dhe se dashuria e pasioni i artistëve që veprojnë në botë, për të interpretuar në mesin e shqiptarëve, asnjëherë nuk u shuhet, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të baritonit Myshketa. Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e këtij artisti në ndërlidhje me pianisten Elezi dhe “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Salla e mbushur nga artistë të njohur shqiptarë e jo vetëm, kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe e vjollcë në prapavijë afër perdeve të zeza dhe ato të kaltër në formë lulesh në pjesën e tavanit. Po ashtu, dy reflektorët e ngrohtë kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Elezi dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:10, errësira kaploi vendin dhe duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hap këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artistët në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Fillimisht, hapjen e edicioni të pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online KultPlus, Ardianë Pajaziti.

“Faleminderit të gjithëve që keni gjetur kohë për të ardhur dhe jeni bërë pjesë e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” tash e pesë vjet. Unë dhe stafi i KultPlus-it jemi shumë me fat që kemi arritur të nxjerrim baritonin Gëzim Myshketa nga skenat më prestigjioze, për ta sjell në Prishtinë, pavarësisht faktit që tash e shumë vite janë duke u bërë kërkesa për ndërtimin e një salle operistike. Kjo tregon shumë për dashurinë e madhe të artistëve që kthehen në këtë vend pikërisht për dashurinë që kanë për ju”, ka thënë Pajaziti.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur baritoni Gëzim Myshketa doli në skenë, i shoqëruar nga pianistja Lule Elezi. Mbrëmja u zhvillua herë me rrëfime jetësore e herë me këndime, që zinin vend në momentin më të duhur. Baritoni Gëzim Myshketa ka rrëfyer shumëçka nga jeta e tij qysh nga fëmijëria e deri më sot, por ajo që shënoi hapjen e mbrëmjes ishte kënga e parë “Ta dish”, një vepër kjo që depërtoi përtej fenomenales.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, baritoni Myshketa ka thënë se ka shumë emocione, pikërisht sepse ndodhet në mesin e shqiptarëve të tij.

“Jam shumë i emocionuar, më shumë se kurdoherë. Po këndoj mes shqiptarëve të mi dhe ju falënderoj shumë. Nuk kam fjalë! Unë kam zgjedhur një program të vogël me disa pjesë shqiptare që ia dedikoj atdheut tim, Shqipërisë e Kosovës. Kënga që e hap këtë mbrëmje është një këngë shkodrane “N’at Zaman” ose “Ta dish” dhe është pjesa e parë e albumit që unë bëra këtë vit me këngë të përzgjedhura shqiptare. Shpresoj të ju pëlqej”, ka thënë Myshketa i cili pas këtyre fjalëve e mbërtheu skenën dhe gjithë sallën me zërin e tij kumbor që rrëqethte secilin shpirt të pranishëm.

Pas këtij interpretimi të parë para publikut, Gëzimi u shpreh se të këndojë në Kosovën e lirë, për të, është goxha emocion.

“Kam ardhur në radhë të parë sepse jam në Kosovë, mes vëllezërve dhe motrave shqiptare. Të këndojmë së bashku në Kosovën e lirë dhe për herë të parë, është goxha emocion. Kanë kaluar gjashtë apo shtatë vite që kur isha në koncertin në Prishtinë në Katedrale. Jam shumë i emocionuar dhe dua ta falënderoj Ardianën për punën e jashtëzakonshme. Të kesh kaq shumë njerëz që vinë e të japin dashuri, vëmendje, në një mbrëmje të dedikuar ty, është shumë për mua. Jam shumë i lumtur dhe Kosovën e shoh më mirë dhe më mirë e pafsha edhe herëve tjera”, thotë ai.

Duke marrë parasysh se Opera e Kosovës për herë të parë është institucionalizuar, për Myshketën, të qenurit një nga emrat që luan për herë të parë në hapjen zyrtare të një titulli artistik siç është “La Traviata”, është shumë gjë e bukur. Ai thotë se po punohet shumë aty dhe beson që do të jetë një shfaqje shumë e bukur, kësisoj edhe ai do të kaloj dy javë të mrekullueshme në Kosovë.

Baritoni Myshketa ka përmendur edhe kohën kur ai ka dhënë një kontribut në një periudhë kur Kosova ka qenë jo në ditë të mira. Ai ka punuar si vullnetar në Durrës dhe i ka dhënë shumë shpresë shqiptarëve të Kosovës që kanë lënë vendin e tyre për tu strehuar.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e dhimbshme, një emocion ndryshe. Unë kam qenë vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç dhe po shihnim pamjet brutale të miliona njerëzve që linin vatrat e tyre. Dhe e ndjenim që duhet të bënim diçka. Ne ishim gati për luftë. Filluam të pastronim pallatet sepse ishte gati e sigurt që edhe Shqipëria do hynte në luftë. Gjëja e parë që bëra ishte që së bashku me miq, merreshim me shpërndarjen e rrobave për njerëzit që kishin nevojë, në shkollën e muzikës në Durrës. Gjëja më emocionuese, ishte që ne bënim koncerte sepse kishte njerëz që akoma qanin, por e ndjenim që kishim nevojë t’i jepnim shpresë. Këndonim këngë patriotike dhe besoj që kam bërë koncert në gjithë kampet e refugjatëve”, shpalos Myshketa.

Sipas tij, një nga kujtimet e tij më të bukura ka qenë kur çdo natë, kanë ardhur dy-tre goca/çuna në shtëpinë e tij. Ishte një familje nga Peja që e kanë humbur babin e tyre dhe shkonin tek ai, dhe motra e Myshketës, bënte supë e rrinin bashkë.

“Jemi dëgjuar në telefon këto ditë dhe ka qenë jashtë mase emocionuese. Na presin në Pejë dhe besoj që do shkojmë aty. Unë vetëm kam kontribuar duke kënduar e duke i dhënë shpresë njerëzve. Ky ka qenë roli im si vullnetar. Ishte minimalja që do të bënte çdokush në ato momente të vështira. Atëherë ka qenë vaj dhe mundoheshim të qeshnim prej hallit, por sot është festë. Unë besoj që sot faktori shqiptar është më i fortë se asnjëherë më parë. Duhet t’i qojmë shtete tona si motra, më përpara”, tregon tutje.

Ndërsa, kur ndalemi tek karriera e tij dhe rrugëtimi i suksesshëm drejt majave të operistikëve botërore, baritoni Myshketa ka treguar se kur i lindi dashuria për këtë profesion.

“Në një tavolinë të një shtëpie shumë modeste në Durrës, ku ne ishim të internuar gjatë komunizmit si ish-familje borgjeze. Babai im ka qenë një baterist i jashtëzakonshëm. Gjithë xhaxhallarët e mi luanin instrumente por pasionin e kishte gjithë familja. Vendosa në këtë tavolinë ta bëja ‘show-in’ tim dhe kështu lindi pasioni. Ishim një familje shumë e thjesht por që bënte një jetesë në ato vite shumë të vështira, kur ishte pushtuar nga jugosllavët. Ne ishim poshtë një diktature që nuk lejonte shprehjen e lirë. Kemi qenë në situata shumë të vështira por në atë shtëpinë e thjesht, jetohej me muzikë dhe muzika jepte liri. Atë çka të tjerët nuk e kishin në jetën e përditshme, ne e gjenim duke kënduar këngët italiane fshehurazi”, thotë ai.

Sipas tij, ai ka nisur karrierën shumë i vogël dhe mendon që mund të dali edhe në pension për shkak se ai ka tridhjetë vjet punë.

“Kur shkova në Itali si tetëmbëdhjetë vjeçar e pas dy tri vitesh mësim, mora pjesë një nga konkurset më të rëndësishme operistike. Ka qenë konkurs i zërave operistik evropianë i të rinjve dhe unë zëra vendin e parë në mesin e 250 konkurrentëve. Mora familjen dhe i tregova që kjo është diçka serioze. Aty pastaj ka qenë kthesa kur kuptova që ky është rrugëtimi im”, thotë Myshketa.

Pastaj, pjesë e mbrëmjes u bënë edhe videot e shumta të shfaqura në ekran e që e surprizuan baritonin Myshketa në një mënyrë të bukur. Një kolazh i duartrokitjeve të adhurueseve të tij në Veronë kishte zënë vend. Për këtë moment, ka folur edhe vetë ai.

“E kam menduar gjithmonë që nuk jam vetëm këngëtar por është e rëndësishme që të jesh edhe personazh në skenë. Kam debutuar në vitin 2003 dhe janë gati njëzet vite nga ana profesionale operistike. Një kujtim shumë i afërt ka qenë debutimi këtë vit në Arena Di Verona dhe isha mes kolegëve më të mëdhenj që janë në botë. Ka qenë emocion kur mbaruam shfaqjen dhe po shkonim në restorant dhe gjetëm diçka të papritur. Gjithë sheshi po darkonte në një e gjysmë të natës dhe u ngrit në këmbë, e na duartrokiste neve. Më ka prekur ky gjest shumë”, shprehet ai.

Ndërsa, kur flasim për albumin e tij “Ta dish”, atëherë baritoni Myshketa thotë se ka lindur si ide gjatë periudhës së karantinës.

“Lindi si një ide gjatë karantinës dhe ideja ishte që do të doja ta bëja patjetër. Jam pak vonë për volumin e dytë sepse është një antologji e vogël e këngës qytetare shqiptare, e ripërpunuar për tercetë. Dua t’i marr ato perlat kryesore të muzikës shqiptare dhe t’i ri-sjellë për publikun, pa asnjë lloj përfitimi, veç pasion. Dua ta bëj një vetëm për Kosovën, me pjesët e Kosovës, një me Shkodrën, Korçën e kështu me radhë. Do të ishte një ëndërr që pas dymbëdhjetë viteve, të kem gjithë këto CD ku janë perlat e muzikë shqiptare, të përmbledhura. Në albumin ‘Ta dish’, këngët patriotike kanë më shumë emocion. Çdo këngë ka një histori të vërtetë”, shpalos Myshketa.

Pastaj, ishte kënga e pa-kënduar më parë nga baritoni, “Mallëngjimi” si dhe “Arbëreshe potpuri”, ato që shpërthyen jashtëzakonisht bukur. Inkuadrimi i publikut në këto këngë qe diçka që dëshmoi se mbrëmja “Ta zbardhi ftyrën” po kulmonte nga çasti në çast. Luhatja e kokës së baritonit Myshketa, lëvizjet e duarve, notat e larta që dilnin nga zëri i tij mahnitës, ishin elementet bazë që e bënin atë thjesht magjepsës. Të gjithë përhumbeshin pas interpretimit të tij dhe kjo dukshëm vërehej nga sytë dhe qëndrimi i gjithsecilit. Dukej sikur hynte në një botë tjetër kur këndonte, dhe në një tjetër kur fliste, por që të dyja këto, i bënte me një thjeshtësi të paparë.

Pas këtij emocioni, Gëzimi foli pak edhe për periudhën e pandemisë, një kohë kjo jo e mirë për shumë kënd. E njëjta vlen edhe për baritonin Myshketa i cili është shprehur se kohën e ka kaluar nëpërmjet incizimeve të këngëve shqiptare në rrjetet sociale, të cilat janë mirëpritur tejet mirë nga shikuesit.

“Çdo person që është i detyruar të rri mbyllur, nuk gëzon. Ne artistët e ndjejmë pak më tepër. U mbyllën gjithë sallat koncertale, gjithë teatrot. Unë aty në shtëpinë time fillova të bëj disa incizime dhe gjithë këngët shqiptare ia përcolla njerëzve nëpërmjet rrjeteve sociale. Kështu e kam kaluar kohën”, thotë ai.

Po ashtu, kur ndalemi tek ëndrra e tij e paplotësuar, atëherë baritoni Myshketa shpalos këtë ëndërr, që për të është e vështirë të realizohet, nga angazhimet e shumta të karrierës së tij.

“Ëndrra ime është që ta hap një restorant diku. Kurse, nga ana e karrierës e kam përjetuar gjithmonë lehtë. Kur vinë gjërat e bukura, vinë. Unë mundohem që gjithmonë të rritem në nivelin profesional por nuk është se nuk më zë gjumi nëse nuk kam një sukses çdo ditë. Jeta ka shumë gjëra të bukura. Gëzimi mundohet që pas çdo shfaqje teatrore, të mbyll personazhin e të kthehet tek jeta me të mirat e të këqijat e veta. Unë tani kam shumë projekte. Kam një turne në Francë, në Kanë, në Luksemburg. Pastaj, kthehem në Japoni, në Marsei. Kam shumë projekte, falë Zotit. Shpresoj që në radhë të parë, opera ‘La Traviata’ këtu në Prishtinë, të dali bukur pasi që publiku i Kosovës është publik shumë i vëmendshëm. Isha shumë i gëzuar sot në provat e kësaj opere, sepse të gjithë ishin shumë të pasionuar për të bërë. Sigurisht, dua të kthehem edhe në Tiranë. Më pëlqen shumë edhe pjesa regjisoriale, pse jo, ta zhvilloj akoma më shumë”, shpalos ai.

Krejt për fund, dy nga veprat ikonike si: “Unë biri yt Kosovë” dhe “Dua më shumë Shqipërinë” sollën në skenë edhe Korin e fëmijëve “Okarina”, që në ndërlidhje me baritonin Myshketa dhe pianisten Elezi, dhanë një emocion që rrallëherë përjetohet. Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me baritonin Myshketa. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pa-ndalura, u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre.

Pastaj, ylli i edicioni të kaluar të mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën”, Gjon’s Tears, ka dhënë një video-mesazh, në pamundësi për të qenë i pranishëm në sallë.

“Mirëmbrëma për të gjithë ju atje në Kosovë. Ju falënderoj shumë për emocionet që mi përcjellni çdo herë. Shpresoj të jeni të gjithë mirë dhe doja ta falënderoja shumë për mbrëmjen “Ta zbardhi ftyrën”, Ardianë Pajazitin dhe KultPlus-in për evenimentin që është organizuar. Mbaj mend që e kam vlerësuar shumë edhe unë këtë natë artistike që kam pasur momentin për të treguar muzikën time. Do të doja shumë të isha aty për t’ia dhënë çmimin baritonit të madh, Gëzim Myshketës por jam në Paris, duke e krijuar albumin tim. Gëzim kënaqu këtë natë dhe jam i sigurt që është një koncert shumë i jashtëzakonshëm”, ishte shprehur Gjoni në videon e dërguar.

Për ta shpërblyer baritonin Gëzim Myshketa me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti, në ndërkohë u ftua edhe i gjithë ekipi i KultPlus-it si shenjë falënderimi për punën e madhe që bëjnë: Jeta Zymberi, Liridona Spahiu, Era Berisha, Flonja Haxhaj dhe Uranik Emini, të cilët dolën në skenë për të realizuar një fotografi që do mbetej gjatë në kujtesën e tyre e ku nuk munguan duartrokitjet e shumta nga publiku.

Për të finalizuar këtë mbrëmje magjike, Gëzimi kishte ruajtur për fund një ndër perlat më të bukura shqiptare, këngën “Luleborë” e cila u këndua njëzëri me publikun në sallë. Këto emocione të fuqishme që u përçuan nëpërmjet këngës kulmuan me duartrokitje të fuqishme duke e kthyer artistin edhe njëherë në skenë.

Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, tutje të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku baritoni Gëzim Myshketa gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli baritoni Gëzim Myshketa.

“Qe një natë e jashtëzakonshme me shumë emocione. Jam shumë i lumtur që u ktheva në Prishtinë pas 6-7 vitesh. Publiku ishte i mrekullueshëm me një program shumë të sinqertë. Çdo gjë ishte shumë mirë dhe falënderoj shumë KultPlus-in, e sidomos Ardianën për punën e jashtëzakonshme të këtij eventi. Edicionin vendosëm që ta zhvillojmë në dhjetor dhe kemi punuar goxha për përzgjedhjen e pjesëve. Ishte shumë kënaqësi. Sonte do e veçoja ngrohtësinë e publikut. E dua Kosovën shumë”, ka thënë Myshketa.

Ndërsa, udhëheqësja e Korit të Fëmijëve “Okarina”, Elikona Hysaj Shala është shprehur e lumtur që fëmijët kanë ndarë skenën me baritonin e njohur Gëzim Myshketa.

“Gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë të organizuar nga KultPlus. Çdo detaj i menduar mirë ka respektuar artistin, gjë që i bie se KultPlus di të respektojë artistin ashtu siç vlen dhe duhet. Gjitha këto nuk do të realizoheshin pa mundin e organizimin për të krijuar një mbrëmje kaq mbresëlënëse sikurse sonte. Kur takohen fëmijët me një bariton të përmasave botërore siç është Myshketa atëherë është një fat tejet i madh sepse ai ka dhuruar një dashuri të madhe për skenën dhe fëmijët në atë mënyrën që ata të kenë motiv edhe më tepër të vazhdojnë tutje. Ishte një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë takim në skenë”, thotë Hysaj-Shala.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje kishte sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, AMC-në dhe Ujë Rugove. / KultPlus.com

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë nesër te “Ta zbardhi ftyrën” me Gëzim Myshketën

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus nesër po sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Pas katër edicioneve të suksesshme me artistë që kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare, si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, këtë vit vjen baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa.

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë ju pret në këtë mbrëmje të veçantë, ku baritoni Myshketa, do të shoqërohet nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi.

Perlat shqiptare do të ju rrëqethin gjatë kësaj mbrëmje e për t’i dhënë edhe më shumë madhështi, në skenë do të ngjitet edhe grupi i fëmijëve “Okarina” të cilët do të këndojnë bashkë me baritonin Myshketa.

Kjo mbrëmje ka sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe do të transmetohet direkt prej orës 20:10 minuta.

“Ta zbardhi ftyrën” vjen nesër, më datë 7 dhjetor 2022, në ora 19:30 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Hyrja do të jetë e lirë, por për të rezervuar vendin tuaj, ju lutem shkruani në emailin [email protected] pasi vendet janë të limituara.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

64 vjet nga premiera e operas “Berberi i Seviljas” në Tiranë

Më 18 shtator 1958, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë u dha premiera e operas “Berberi i Seviljas”, e kompozitorit italian Xhoakino Rosini.

Dirigjent: Mustafa Krantja. Regjisor: M. G. Gevorkian. Skenograf: Shadan Toptani. Mjeshtër Kori: Vangjo Nova. Konti Almaviva: Maliq Herri, Zihni Berati; Don Bartolo: Haxhi Tafaj, Hysen Pelinku; Rosina: Andromaqi Haderi, Nina Mula, Hamide Stringa; Figaro: Avni Mula; Don Basilio: Lukë Kaçaj, Mentor Xhemali; Fiorelo: Koço Timko, Shaban Kapllani; Berta: Shpresa Nishani, Dhimitra Keta; Oficeri: Lefter Besho, Fuat Merko, Gaqo Zdruli; Noteri: Shaban Kapllani, Muhamet Tomorica. Dekoret punuar nga: Hasan Reçi. /KultPlus.com

“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi mbrëmë yjet e mëdhenj botërorë për të përthekuar magjishëm edicionin e dytë të RLIOF

Uranik Emini

Opera ka pësuar ndryshime të vazhdueshme nëpër vite, që nga krijimi i saj në shekullin e 16-të, duke arritur që të bëhet një stil gjithëpërfshirës i artit të cilin e njohim sot. Teksti, i njohur sikurse “libretto”, muzika, këndimi dhe vënia në skenë janë disa prej pjesëve thelbësorë të një opere. Të gjitha këto u vënë bashkë në mënyrë magjike për të shpalosur madhështinë e edicionit të dytë të “Rame Lahaj Opera Music Festiva”, shkruan KultPlus.

Në opera përshkruhen të gjitha ndjenjat njerëzore. Tre temat kryesore të saj janë shpesh dashuria, tragjedia dhe vdekja. Njerëzit ndeshen me rrethana të jashtëzakonshme dhe tërhiqen nga emocionet e tyre të shtuara, shpesh të ndarë midis impulseve dhe detyrimeve të tyre. Të gjitha ekstremet janë të mundshme, duke përfshirë dashurinë me shikim të parë, vetëmohimin, magjepsjen, trimërinë, vetëvrasjen dhe vrasjen. Disa personazhe ndëshkohen për veprimet e tyre, ndërsa të tjerë gjejnë falje ose pendohen dhe herë pas here arrihet një përfundim i lumtur!

Mbrëmë në sheshin “Skënderbeu”, fundi, përveç gëzimit, i mërziti të pranishmit që po shijonin këtë festival të Rame Lahajt, i cili kishte mbledhur miqtë e tij me famë botërore, për t’i sjellë në Kosovë dhe për t’u dëshmuar se Kosova ka një histori të jashtëzakonshme.

© Arben Llapashtica

I pari për të hapur këtë mbrëmje padyshim që ishte Lahaj, i cili mes tjerash u uroi mirëseardhje të pranishmëve, të cilin ishin në numër të madh.

“Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni ndarë kohë për të ardhur këtu dhe për të shijuar këtë ambient. Dua të them se kjo do të ishte e pamundshme pa miqtë e mij, të cilën e bënë të mundur këtë festival. Kemi soprano që kanë udhëtuar 15-16 orë për të ardhur në Kosovë dhe për të performuar këtu. Ndërkaq, planet kanë ndryshuar dhe ka pësuar ndryshim edhe pjesa e performancave”, thotë Lahaj, duke shpjeguar se sopranoja Pretty Yende ka ardhur si rezultat i infektimit me COVID-19 të yllit, Angela Gheorghiu.

Lidhjet e hershme të karrierës mund të jenë përcaktuese për jetën.

“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi yjet e mëdha botërore duke filluar nga sopranot e famshëm: Pretty Yende, Anna Bondarenko, Maestro Jean Bernard Thomas, ndërsa Franco Vassallo si bariton, të gjithë të udhëhequr nga dirigjenti dhe miku i kahmotshëm i Ramës, Valerio Galli.

Dirigjenti Maestro Valerio Galli shfrytëzoi fuqinë e tij të jashtëzakonshme sugjestive të muzikës për të hapur në mënyrë të suksesshme natën Gala dhe për të krijuar në anën tjetër atmosferë të veçantë me veprën “Nabucco”, në koordinim total me Filharmoninë e Kosovës, për të cilët Rama ishte shumë falënderues.

© Arben Llapashtica

“Përtej universit”

Mehmet Murat Ildan ka thënë se nëse doni të përjetoni diçka përtej universit, duhet të shkoni në opera. E këtë për publikun e solli tenori tanimë me famë botërore, Rame Lahaj, me veprën “La Boeheme”, duke shprehur emocione të papërshkrueshme dhe portretizimin total të karakterit të tij.

© Arben Llapashtica

Zë unik e paraqitje briliante

Radhën për të ngjitur skenën e kishte Pretty Yende, një mike e cila ishte e pranishme për Ramen në momentin kur ky kishte më së shumti nevojë. Paraqitja e saj ishte briliante dhe kaloi pritshmërinë e të gjithëve, me ç ‘rast u përcoll me shumë duartrokitje.

© Arben Llapashtica

Forma e artit total

Pas disa veprave solo, Franco Vassallo me Rame Lahaj, bashkuan aftësitë dhe ekspertizën e tyre për të krijuar formën e artit total, ashtu siç edhe përshkruhet shpesh herë opera.

“Nexhmija e madhe”

Që kur ka filluar karrierën e saj muzikore, Erza Muqolli ka pasur përkrahje të vazhdueshme nga tenori Lahaj. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe në koncertin e parë, atëherë kur Muqolli ishte prezente. Gjatë prezantimeve të shkurtëra të cilat Lahaj i bënte për njerëzit që po performonin, ai tha për Erzën se është “Nexhmija e madhe”. Të dy performuan bashkë këngën “O moj bukuroshe”.

Opera është në thelb një lloj tregimi vokal dhe muzikor.

Sopranoja nga Ukraina, Anna Bondarenko rrënqethi publikun e pranishëm me performancën e saj. Opera, në thelbin e saj, është një mënyrë për të treguar një histori përmes muzikës dhe këndimit.

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Qershia mbi tortë

Bashkëpunimi i Korit të Zërave të Bardhë “Okarina” dhe Rame Lahajt, të cilët njëzëri performuan këngën “O moj e bukura Arbëri”, ishte pikërisht ajo që i dha kësaj mbrëmje bukurinë dhe shkëlqimin e duhur.

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Lulëzimi përfundimtar

Për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, Rame Lahaj ftojë të gjithë miqtë në skenë dhe të gjithë bashkë e dërguan publikun nga realiteti i përditshëm në një botë e në një dimension tjetër, ku muzika dominon.

***

Në një prononcim për KultPlus, Maestro Jean Bernard Thomas, njoftoi se është hera e parë që po vjen në Kosovë dhe është i lumtur e i befasuar nga numri i talentëve që Kosova ka.

“Jam shumë i befasuar dhe i lumtur që Kosova ka kaq shumë talentë, unë kalova disa ditë me ta dhe u befasova. Shpresoj që një ditë të kthehem dhe të jap edhe më shumë kontributin tim”.

Janë bërë shumë vite që punojmë bashkë me Ramen, mund të them që ne punojmë çdo ditë përkundër faktit që nuk jemi afër me njëri tjetrin. E bëjmë këtë gjë, çdo ditë përmes rrjeteve sociale. Ju duhet të mësoni çdo ditë dhe të mos ndaleni asnjëherë.

Thomas u befasua nga mikpritja e njerëzve në Kosovë dhe njoftoi se do të flas për Kosovën vazhdimisht, kudo që të jetë.

“Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë këtu, është e jashtëzakonshme se sa të thjesht janë njerëzit këtu. Ejani në Kosovë. Ata janë njerëz të hapur dhe të sjellshëm. Janë njerëzit më të mirë që i kam parë ndonjëherë në jetën time sa i përket sjelljes. Njerëzit këtu duan të bëjnë diçka, duan të bëhen dikush dhe kjo gjë më lumturon mua. Tani unë do të flas për Kosovën ngado që të shkoj”/

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Anna dhe Ninna Krasniqi, anëtaret e korit “Okarina” u shfaqën teper të lumtura pas koncertit.

“Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Të performojmë bashkë me një emër sikurse Rame Lahaj është gëzim i madh dhe shpresojmë që të vazhdojmë sukseset tona”.

FOTO: KultPlus

Ndërkaq, edhe e pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe sopranoja Marigona Qerkezi, tha për KultPlus se ishte me të vërtet një mbrëmje magjike.

“U kënaqëm sonte dhe me të vërtet ishte një natë magjike. I përgëzoj të gjithë organizatorët, me Ramën në krye, i uroj një jetëgjatësi festivalit me suksese të njëjta dhe më të mëdha se ky. Festivalet e tilla i duhen edhe më shumë Kosovë”, tha Qerkezi, duke shtuar edhe një herë pjesën se gjithçka ishte e mrekullueshme.

Opera ofron një përvojë të përbashkët, multikulturore dhe magjepsëse që bashkon artin me virtuozitetin, fuqinë, epikën dhe personalen, derisa ajo vazhdimisht po e ripërcakton veten si “ekspozita” më e madhe në botë e arteve interpretuese e potencialit njerëzor. /KultPlus.com

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Balerinat e vogla të Operës

Çfarë fshihet pas vizatimeve, pikturave dhe statujave të Edgar Degas, në lidhje me jetën e përditshme të vogëlusheve balerina të Operës së Parisit në shekullin XIX?

Degas, piktor i balerinave. Degas, piktor i këngëtareve. Degas piktor i larëseve të lavanderisë… Të shumta janë shprehjet që na sillen ndërmend kur flasim për këtë artist të jashtëzakonshëm. Në të vërtetë, piktori përqendrohet tek lëvizja, me një kujdes të veçantë që i kushtohet dritës. Edgar Degas është një artist i kompletuar: piktura vaji, pastele, vizatime, gravura, skulptura dhe fotografi. Piktori madje ka provuar edhe poezinë: “Ai madje ka shkruar në periudha të caktuara të jetës së tij, sonete të shkruara për të cilat thuhet se janë shumë të bukura”.

I konsideruar për një kohë të gjatë si “piktori i balerinave”, gjithsesi Edgar Degas pati një karrierë shumë më të larmishme. Një nga mjeshtrat e Impresionizmit, Edgar Degas ishte i apasionuar pas fotografisë, vallëzimit dhe kuajve… I famshëm për valltarët e tij, Edgar Degas (1834-1917) shpesh konsiderohet një nga mjeshtrat e Impresionizmit, një klasifikim që ai e refuzonte, duke e mbajtur veten si realist dhe të pavarur. I pasionuar pas studimit të lëvizjes, ai u bashkohej të gjitha motiveve që përfaqësonin jetën: vallëzimi, natyrisht, por edhe garat me kuaj. Ashtu si miku i tij Manet, Degas ishte një nga piktorët e mëdhenj të jetës moderne, skena kafenesh, të shtëpive publike, kapelashitësve, lavanderive… Puna e artistit borgjez parizian, shumë i kulturuar dhe koleksionist, u shënua nga njohja e mjeshtrave të mëdhenj, veçanërisht e Ingresit, duke u konsideruar edhe si një prej trashëgimtarëve për nga cilësia e linjës së tij.

“Asnjë art, nuk është aq spontan sa i imi. Ajo që bëj unë është rezultat i reflektimit dhe studimit të mjeshtrave të mëdhenj”.

Degas përdorte bukur pastelin, të cilën e njihte mirë si teknikë, ndërkohë që gjithë piktorët e tjerë parapëlqenin bojën e vajit. Degas e konsideronte pastelin si “një pluhur mbi krahë fluturash”… Kështu u krijuan tablotë “Mësimi i baletit”, “Provimi i dansit”, etj. Megjithatë ai vazhdoi dhe me portretet e grave nëpër kafenetë, klubet e argëtimit, që atë kohë ishin të shumta në Paris, këngëtaret e kabareve, madje dhe larëset e rrobave, gratë që hekurosin, etj.

Lindur në Paris në 1834, në një familje borgjeze, Degas ishte mbartës i një kulture të trefishtë: italisht nga i ati, amerikane nga nëna dhe pariziane nga lindja. Studioi në Liceun “Louis-le-Grand”, ku u diplomua në vitin 1853. I talentuar për artet, projektues pjellor, ai iu bashkua ateliesë së Louis Lamothe. Pjesa e parë e krijimtarisë së tij shënohet nga tradita klasike. Fillimisht Degas ekspozoi piktura të historisë në Sallon, përpara se të bashkohej me qarqe të pavarura dhe të merrte pjesë në të gjitha ekspozitat impresioniste midis 1874 dhe 1886 (përveç në 1882), me tema frymëzuar nga jeta bashkëkohore. Në vitet 1870, Degas u interesua për botën e Operës dhe vallëzimit, e cila më pas do shndërrohej në temën kryesore në veprën e tij piktoreske, por edhe të skulpturës. Duke evoluar në një shoqëri ku muzika luante një rol kryesor (në mesin e Lerolle, Rouart), mik i Ludovic Halevy (libretisti i “Karmen” të Bizet), ai u fut në prapaskenat e Operës së Parisit.

Degas pikturoi skena orkestrale, portrete të muzikantëve, por veçanërisht klasa vallëzimi ku merrnin pjesë balerina të vogla. Artisti zbulon egërsinë e një bote kapur në të gjithë kompleksitetin e saj sociologjik: zotërinjtë që presin balerinat, rivalitetet, hierarkinë; asgjë nuk është harruar. Pjesa e fundit e jetës së Degas zymtohet nga verbëria, që e privon gjithnjë e më shumë nga arti i tij: artisti ndaloi të pikturojë në vitin 1912. Ai i kushtohet pastelit dhe prodhon vepra moderne, të lënë pas dore për një kohë të gjatë. Pas vdekjes së tij në 1917, në të njëjtin vit me Rodinin, shitjet e studios së tij dhe koleksionit të tij sublim të mjeshtrave (Ingres, Delacroix …) shënojnë vitin 1918.

Kryeveprat e Degas:

Familja Bellelli (1858-1867) – Duke kaluar nëpër Itali, Degas viziton familjen e tij napolitane, ku vizaton një portret të denjë për mjeshtrat flamandë. Vepra karakterizohet nga

struktura dhe ashpërsia e saj e përsosur, një shkapërderdhje e detajeve dhe një paletë e zymtë, ku Degas arrin të kuptojë psikologjinë e modeleve të tij.

Kuaj garash para stendave (1866-1868).

Klasa e Vallëzimit (1873 dhe 1876).

Përfshirë në prapaskenat e Operës të rrugës “Le Peletier”, Degas interesohet për botën e vogël të balerinave. Kemi të bëjmë me një klasë vallëzimi, ku balerinat ushtrohen nën syrin vigjilent të mësuesit të baletit, prania e vetme mashkullore. Tensioni dhe predispozita janë të dukshme. Disa kryejnë lëvizjet, ndërsa të tjerat duken të lodhura, madje edhe të rraskapitura. Piktori, duke iu afruar përbërjes diagonalisht, kursen ndërhyrjen e jashtme në këtë univers të mbyllur përmes pasqyrës.

Valltarja e vogël 14 vjeçare (1865 dhe 1881).

Në ekspozitën Impresioniste të vitit 1881, Degas prezantoi në një kafaz qelqi një skulpturë dylli të një balerine të re. Vepra shkaktoi skandal. Përballë fytyrës së saj me tipare simiane (majmuni), për disa ajo mishëronte një imazh shthurjeje (Opera shpesh perceptohej si një nga pasdhomat e prostitucionit borgjez). Manifest i natyralizmit në skulpturë, kjo vepër është një përzierje e vërtetë, pasi Degas e veshi balerinën e tij me një tutu dhe pantofla, të cilat tregojnë obsesionin e tij për të kapur realitetin e kohës ku jetoi.

Karakteri i Degas ishte shumë i plotë, njëherazi ai dallohej për një besnikëri dhe një delikatesë që shkonte deri në ekstremin e mundshëm. Ishte besnik i pak miqve, por ishte absolutisht, ndër të tjerë, për vëllezërit Rouart, për skulptorin Bartholome, për Forain./Konica.al/ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi merr pjesë në koncert humanitar për Ukrainën: Të gjithë së bashku kundër luftës

Opera Shtetërore e Hamburgut i ka kushtuar tre koncerte Ukrainës dhe civilëve ukrainas, me ç’rast paratë e mbledhura nga këto koncerte do t’i kontribuojnë pikërisht këtij shteti që po kalon kohëra të vështira, KultPlus.

Pjesëmarrësit kanë qenë artistët ukrainas Natalia Klitschko, Andrei Bondarenko dhe artistë të tjerë siç janë Klaus Florian Vogt, Gregory Kunde, Guanqun Yu, Franco Vasallo dhe artistja shqiptare Elbenita Kajtazi.

Kajtazi përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur shumë e lumtur që po dhurohen para për këtë kauzë të madhe.

“Një mbrëmje për t’u mbajtur mend, të gjithë së bashku kundër luftës në Ukrainë. Jam shumë e lumtur që deri më tani janë dhuruar shumë para për këtë kauzë të madhe. Po lutem dhe shpresoj që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”. /KultPlus.com

Ermonela Jaho shkëlqen në operën “La bohème” në Madrid

Në mbrëmjen e djeshme në “El Teatro Real” në Madrid, Spanjë, u hap sezoni i operës “La bohème”, të kompozitorit Giacomo Puccini.

Në premierë shkëlqeu me performancën e saj të magjishme, sopranoja Ermonela Jaho.

Në rolin e Mimì-t, soprano Jaho dhuroi emocione të jashtëzakonshme tek publiku me një me kombinim të adhurueshëm të nivelit më të lartë artistik si në ekzekutim, ashtu dhe interpretim të këtij roli.

Në përfundim të shfaqjes artisten e përgëzojë edhe ambasadori, Gazmend Barbullushi. / KultPlus.com

Maria Kalas, fëmija i padëshiruar që u shndërrua në legjendën e skenave operistike

Maria Kalas, fenomeni i jashtëzakonshëm i një shpërthimi të beftë, që mbushi me dritë skenat e errta të tragjedive operitike dhe lartësoi në famë kumbimin drithërues të një zëri. Shkëlqimi i fuqishëm i këtij ylli do të reflektonte në një qiell që nuk ishte gjithnjë i kthjellët. Megjithatë ajo u shua duke mbetur një vezullim në universin e lavdisë.

U tha se ishte një fëmijë i padëshiruar, sepse lindi vajzë. Prindërit e Maria Kalas, pas vdekjes së djalit të vetëm Vassilis, të dëshpëruar, shkuan aq larg me padurimin e tyre për të patur një djalë, sa të këshilloheshin me një astrolog. Kur Maria lindi, e ëma ishte aq e shqetësuar dhe e zhgënjyer sa refuzoi ta shihte vajzën e vogël për katër ditë më radhë. Ndoshta edhe për shkak të këtij fillimi të keq, marrëdhënia e Marias me të ëmën kaloi për një farë kohe nëpër një terren të thyer. Vetë ajo rreket ta dëshmojë, duke shtuar se: “Motra ime ishte elegante, e bukur dhe miqësore dhe nëna ime preferonte gjithmonë atë. Unë isha rosa e shëmtuar, e shëndoshë dhe e plogët dhe jopopullore. Është mizore të bësh një fëmijë të ndihet i shëmtuar dhe i padëshiruar… Nuk do ta fal kurrë që më largoi tutje fëmijërinë. Gjatë gjithë viteve mund të kisha luajtur dhe të isha rritur, unë isha duke kënduar ose duke bërë para”. E megjithatë nëna mbetet nënë, dhe nëna e Marias e dëshmoi këtë përmes një sakrifice ngadhënjyese për të ndjekur me insistim ëndrrën e madhe të së bijës. Me mundësitë kundër ajo u përpoq dhe arriti.

Maria Kalas ishte dhe mbeti legjendë e shekullit që lamë pas. Çdo përpjekje e saj për të arritur majat do të kalonte nga një dritë e fuqishme si një shkrepëtime. Ajo diti se si të hidhte hapat për tu ngjitur në skenën e operës dhe atë të lavdisë. Kishte gjithnjë diçka ndryshe, një vezullim të hirshëm dhe një vokal të fuqishëm, melankolik, të mallshëm, pikëllues dhe shpërthyes. Zotëroi skenat e mëdha dhe pushtoi zemrat e një admiruesi të rafinuar mbarëbotërorë.

I ra të hidhej hovshëm në krahët e dashurisë dhe t’i blatonte një shpirt të pastër dhe të dritshëm këtij vullneti. U desh edhe të rrëzohej me plagë të rënda, të ringrihej dhe të luftonte, të dashuronte dhe të rrezatonte. Jetoi tragjikisht në skenë, në personazhe, por edhe në jetë.

Vallë po e ndiqte mallkimi i fëmijës së padëshiruar? Ndoshta shpesh shumë gjëra janë të parathëna, sepse përvojat e kaluara i ushqejmë hera-herës, siç bëri Maria, e cila megjithëse arriti të ngjitej ndoshta më lart se asnjëra e kohës së saj, zemra e çoi në delir, sikurse e degdisi në zemërthyerje. Faji i saj, i fatit, apo çfarë?!

Megjithatë ajo ishte dhe mbeti Maria Kalas, legjenda e një shekulli që u shua më 16 shtator 1977, nga një atak në zemër, kur ishte vetëm 53 vjeçe, kur kishte bërë të pavdekshëm kreshtat operistike, Violetta, Tosca dhe Norma,

“Shpërndani hirin tim në detin Egje. Do të përqafoj Ariston tim, nëpërmjet ujërave të detit?”.

Ky do të ishte amaneti i fundit i divës, këngëtares lirike Maria Kalas. Shkoi me paqe në shpirt dhe me plagë në zemër. Vdekja e saj ishte shuarja e një ylli. Ishte mbyllja e një sipari që magjepsi botën, fikja e një zëri që ende përshkon kujtesën e sublimes së artit. Ishte kapitulli mbyllës i një legjende, i një jete mbushur me lavdi dhe humbje, përshkruar nga lumturia e pamasë dhe hidhërimi i thellë; nga duartrokitjet e pambarimta, shprehje e suksesit në skenat botërore si dhe vuajtjet e shpirtit; një karakter dëshmues i një force të madhe dhe i një brishtësie delikate; një gërshetim cilësish dhe dobësish njerëzore, si rrallë herë të ndeshura tek një njeri, të mbizotëruara nga fama dhe dështimi, që përcaktojnë dritëhijet e jetës së artistes, por dhe të femrës së jashtëzakonshme.

Kalvari i gjatë i jetës artistike dhe i asaj private do të gërshetohej në mënyrë të tillë sa duket e pabesueshme për të qenë e vërtetë. Bota e artit do të kishte të pamundur të pikaste mes yjeve të shkëlqimta të skenës së një shekulli një personalitet të përmasave të tilla si Maria Kalas. Ajo jetoi duke rrokur një interesim të pagjasë të publikut, një ngulm të medies, një lavdi që ishte shkruar në skenë për të reflektuar në qiell. Edhe vdekja e saj e parakohshme rroku një pikëllim të të njëjtave përmasa sa dhe të gjallët, gjithçka e saj, nga hapi fillues në sfidat e skenës deri në pragun e beftë të ndalimit të zemrës. /albertvataj/ KultPlus.com

6 vjet pa arbëreshen e skenave operistike, Licia Albanesi (VIDEO)

Sot shënohet 6-vjetori i vdekjes së një prej zërave më të bukur të skenës operistike botërore, arbëreshes Licia Albanese.

E njohur si heroina lirike e Verdit dhe Puçinit, ajo lindi me 22 korrik 1909 në Torre a Mare, afër Barit të Italisë dhe u nda nga jeta me 15 gusht 2014, në moshën 105-vjeçare.

Karrierën e saj e zhvilloi fillimisht në Itali dhe më pas në SHBA. Repertori artistik i Licia Albanese karakterizohej nga larmishmëria, sepse me zërin e saj brilant arrinte të realizonte një gamë të gjerë të efekteve tragjike, komike e lirike. Ajo është nderuar me një sërë çmimesh prestigjioze ndërkombëtare.

Në një intervistë të vitit 2004 me Allan Ulrich e San Francisco Chronicle, vetë Licia do të sqaronte se pas suksesit të saj fshihet fakti se ajo nuk bie në rutinë gjatë punës: “Unë gjithmonë kam ndryshuar çdo performancë. Unë kurrë nuk jam mërzitur, jam kundër kopjimit. Çka kam mësuar nga këngëtarët e mëdhenj ishte të mos kopjoni….”

Në vijim, mund të ndiqni interpretimin e saj. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=R4gdLWw2bW8&t=43s

Në përvjetorin e vdekjes së Franz Liszt, përkujtojmë operën e papërfunduar të tij, “Sardanapalo”

Sot shënohen plot 135 vite nga vdekja e kompozitorit të njohur, Franz Liszt.

“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.

Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet.

Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.

Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.

Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.

Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.

“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.

Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.

Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. / KultPlus.com