Edhe pse në sallë nuk ka patur mbështetjen e duartrokitjeve të publikut, Saimir Pirgu arriti të sjellë emocione të rralla në shtëpitë dhe familjet e shumë adhuruesve të tij duke ofruar një performancë të shkëlqyer.
Pas suksesit të shfaqjes operistike “Traviata” në Romë, ylli i muzikës klasike, Saimir Pirgu, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtarë me performancën e tij brilante në rolin e “Hoffmann-it” në Operën e Cyrihut.
Edhe pse në formatin stream (online), ku kanë munguar duartrokitjet e publikut në sallë, produksioni i regjisorit Andreas Homoki ka qenë një triumf mbi situatën momentale të pandemisë, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme dhe duke dhuruar shpresë për një kthim në normalitet, të cilin e shohim ende me nostalgji. Në një kohë të tillë këto projekte artistike kanë vlera të rralla për sa i përket mbështetjes emocionale nga publiku, edhe pse ai nuk i dha dot duartrokitjet direkt, por me siguri nga shtëpia apo nga zemra.
Këtu fillon në mënyrë definitive karriera mbarëbotërore e Saimir Pirgut. Ai hap një portë, e cila e katapulton në shkallë ende më të larta. “…për mua interpretimi i “Hoffmann” qe një sukses akoma me i madh personal.”,- shprehet Pirgu për albinfo.at, transmeton KultPlus.
“Hoffmann” i interpretuar nga Pirgu me pak fjalë është mahnitës, ai përmbledh lirikën, heroizmin, karakterin dhe zërin pa limit, duke kënduar në terma hyjnorë si një “Zot i ri” në aktin e “Giulietta-s”,- shkruan gazeta gjermane “Badische Zeitung”.
Pirgu mund të krahasohet pa dyshim me Nicolai Gedda apo Plácido Domingo në këtë rol tejet të komplikuar. Tenori shqiptar po i afrofet gjithnjë e më shumë një legjende të muzikës klasike, shkruan “Frankfurter Rundschau” për Pirgun. /albinfo/ KultPlus.com