Nga Anton Pashku tek Migjeni, kombinimi i autorëve të ndryshëm shqiptarë vjen në trilogjinë e Liburn Jupollit

Jeta Zymberi

U konsiderua si një projekt që shënoi kthesë në jetën kulturore kosovare. Është kjo opera e parë bashkëkohore kosovare, e paketuar tërësisht me një kastë emrash nga arti dhe letërsia kosovare, në bashkëpunim edhe me artistë nga Shqipëria, shkruan KultPlus.

Si një formë e artit, në të cilin këngëtarë dhe muzikantë performojnë  një punë  dramatike duke kombinuar tekstin (libreton) dhe bazë muzikore, zakonisht në një mjedis teatral, opera bashkëkohore ka munguar deri më  tani në  Kosovë. Duke qenë  pjesë  e traditë së  muzikës klasike të perëndimit, tek ne ndonëse me vonesë, tashmë ka arritur falë punës së palodhshme të  një prej kompozitorëve tanë më të mirë. 

Bëhet fjalë për operën “Gof’ të krijuar nga kompozitori postmodern kosovar Liburn Jupolli e të bazuar në dramën ‘Gof’ të shkrimtarit tonë modern, Anton Pashku, dramë kjo e cila me personazhet e saj Lulashin, Lulanin dhe Luluan, pasqyron një realitet të hidhur politik i cili fatkeqësisht vazhdon të jetë aktual edhe në ditët e sotme. Kjo operë u jetësua në Kino Armata vetëm pak ditë më parë, por ende pa kaluar entuziazmi për emocionet  që ofroj kjo operë, Liburn Jupolli shpalos një tjetër operë e cila është vazhdimësi e të parës.

Foto: Arben Llapashtica

Kësaj radhe veprat e autorit Millosh Gjergj Nikollës (Migjenit), janë shkrirë në operën “Mal” e cila premierën e saj e pat më datë 22 tek Reja në Tiranë.

Stili ‘portrait’ dhe ‘chamber’ i kompozitorit Jupolli, paraqet një ndërthurje stilesh moderne me elemente mahnitëse në forma video projeksionesh dhe përpunimesh instrumentale tejet të vlerësuara veçanërisht gjatë dekadës së fundit. Së bashku me vokalin e Tomor Kuçit dhe kërcimin koreografik të Rosella Pellicciottit, kjo operë mahniti publikun në Tiranë.

Por, për të treguar më shumë rreth këtyre krijimeve, kompozitori Liburn Jupolli në një intervistë për KultPlus ka shpalosur gjithë rrugëtimin e këtyre krijimeve që ende janë në vazhdimësi.

“Opera ‘Gof’ bën pjesë në një koncept trilogjie ku shfaqet ideja e izolimit dhe disa nivele të shtrirjes së ideve dhe përjetimeve të ndryshme në Kosovën bashkëkohore. Trilogjia vjen si kombinim i autorëve të ndryshëm shqiptarë me tekstet e të cilëve kam dashur të punoj që një kohë të gjatë dhe poashtu ngërthen në vete tri forma kontemporane të shfaqjes dhe shkrimit operistik gjë që e shohim nga Philip Glass me formalizmin e operës “Einstein on the beach” e deri tek Peter Maxwell Davies me “Eight songs for a Mad King” e sidomos tek veprat e Michel Van Der Aa si “One” për solo soprano elektronike dhe ansamble kamertale e video veprat e të cilit, forma e punës shihet shumë në këto opera”, ka treguar Jupolli për KultPlus.

Në vazhdën e këtij stili rastësisht lidhen datat në një javë rresht, por janë produksione që kanë kohë që përgatiten, thotë Jupolli përderisa vazhdon të tregoj që “Gof” ka një vjet e gjysmë e më shumë që punohet, ndërsa “Mal” ka më shumë se tetë muaj që përgatitet me festivalin REJA në Shqipëri, këto janë si premiera të para të cilat Jupolli do të vazhdoj ti trajtoj në kuadër të doktoratës.

Sipas Jupollit, opera e tretë me radhë e cila nuk është shkruar ende, vazhdon rrugëtimin konceptual skenik të “ngushtimit” kur flasim për ansambël dhe do të jetë plotësisht në realitet virtual ku gjithkush në botë do të mund ta shkarkoj dhe ta shikoj nga shtëpia.

Tutje Jupolli sqaron se “Gof” realisht është shkruar për 14 instrumentistë, video elektronike, tenor, bariton, por që është realizuar për më pak instrumentist për shkak të buxhetit të vogël fillon kështu si ansambël më i madh. Ndërsa në operën “Mal”, ansambli është me dy instrumentistë, 2 kitare elektronike, octo, sintetizer, video, dy këngëtar, valltare dhe REJA-n, instilacionin e Sou Fujimotos i cili është i amplifikuar dhe shndërrohet në instrument perkusiv.

“Libreto e operës “Mal” është plotësisht ripërpunim dhe fragmentim formalist i tetë poezive të Migjenit, nëpërmes të cilave synohet në stilin e Operës portretiste të krijohet përmes multimediumeve të jepet një perspektivë e re ndaj veprimtarisë së Migjenit ku potencohet humaniteti dhe rezilienca dhe forca njerëzore ndaj shtypjes dhe gjendjes së rëndë ne vend të potencimit të dhimbjes dhe varfërisë. Për mua në shumë nivele Migjeni ka qenë autor i njeriut që e trajton gjendjen njerëzore dhe se si njeriu përballet dhe sa i afërt është me natyrën. Gjithnjë e kam pa si një “Mal” punën e tij, kjo është perspektiva d.m.th. që synohet të jepet, kjo është vazhdimësi e “Gof”, në këtë aspekt ku trajtohet shtypja dhe izolimi”, ka folur kështu Jupolli rreth idesë së kësaj opere.

Nëse “Mal” do ta ketë një premiere edhe në Prishtinë, Liburni ende nuk kishte diçka të definuar, “për premiera të tjera do të shikojmë gjatë kohës”, pohon ai.  

“Ne kemi pasur një buxhet shumë të vogël për këto dy opera, pavarësisht që kemi bashkëpunuar me organizata, ky është problem i vazhdueshëm në kulturë por pavarësisht kësaj Kosova dhe skena e saj vazhdon të punoj dhe të sfidoj tregun e punës edhe me pak elemente”, thotë kompozitori.

Krejt për fund ai shprehet i lumtur që si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë salla ka qenë plot. Madje ai potencon se në Tiranë pas performancës është zhvilluar edhe një diskutim shumë interesant dhe se kjo është një formë e re e cila nuk është shfaqur më herët e që është dashur të ndodhë edhe në Prishtinë. / KultPlus.com

Foto: Arben Llapashtica