Para 10 viteve u takuan për herë të parë në Kosovë, Ermonela Jaho dhe Elbenita Kajtazi ndajnë skenën e Operës në Hamburg

Sopranoja e suksesshme Elbenita Kajtazi të enjten do të performojë “Violetta” në Operën Shtetërore të Hamburgut, përcjell KultPlus.

Po ashtu, në skenën e Operës në Hamburg sonte do të këndoj edhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila vjen nën rolin e “Madama Butterfly”.

Me këtë rast, sopranoja Kajtazi është shprehur tejet e lumtur që po ndan skenën e njëjtë me të.

“Nuk i përshkruaj dot emocionet dhe krenarin që ndjej në këto momente! @ermonelajaho sonte këndon Madama Butterfly në @staatsoperhamburg dhe unë do kem knaqësinë të shijoj çdo sekond! Kurse ditën e enjte unë do këndoj Violetten dhe Ermonela do e dëgjoj për herën e parë. Se si do i mbaj emocionet dhe koncentrimin mos më pyesni sepse nuk e di 😂”, shkruan Kajtazi në rrjetet sociale.

Ajo tutje bëri të ditur se takimi i tyre i parë ishte para 10 viteve në Kosovë, teksa ajo tregon se fjalët e sopranos Jaho, do ti mbajë mend përgjithmonë.

“Para 10 viteve takova Ermonelen për herë të parë në Kosovë, dhe nuk do i harroj kurrë fjalët e saj dhe kujdesin që pati për mua, kurse këto dy javë të dyja do performojm në javët e operës italiane këtu në Hamburg! Krahët nuk më duken por më besoni ndjej sikur do fluturoj!”, thotë Kajtazi. / KultPlus.com