Refuzimi i rrjeteve sociale në krijimin e identitetit

Nga Ridona Berisha

Platformat e mediave sociale kanë një rëndësi në rritje në jetën tonë pasi ato janë vendet ku ne shfaqim përvojat tona të jetesës. Një rëndësi tjetër e tyre që vlen të përmendet është se ato shfaqin një larmi dimensionesh në lidhje me pozicionin tonë në jetën shoqërore virtuale dhe fizike. Kështu janë pikërisht këta dy faktor që bëjnë njerëzit të luajnë personazhe të caktuara në arenën sociale.

“Mediat sociale mundësojnë shprehjen, eksplorimin dhe eksperimentimin e identitetit: diçka e natyrshme për përvojën njerëzore”.

Përmes rrjeteve sociale individëve i’u mundësohet të paraqiten para të tjerëve dhe të përcaktojnë mënyrën se si ata do të donin të përceptoheshin, përveç se i ndihmon të lidhen dhe të ndërveprojnë me njerëzit e tjerë dhe të marrin pjesë në aktivitetet që ata dëshirojnë. Në rrjetet sociale komunikimi ofron mënyra për tu lidhur me të tjerët, poashtu individët mund të përdorin ose jo emrat e tyre po edhe mund të hapin aq llogari sa ata duan. Janë pikërisht këto arsye që disa individ i nxitin në qasjen në rrjetet sociale duke krijuar llogari në emrat e tyre dhe duke qenë mjaft aktiv, duke shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre aty, por në anën tjetër mund të theksojmë se janë pikërisht këto disa nga arsyet që individ të tjerë të mos parapëlqejnë hapjen e rrjeteve sociale. Gjatë intervistimit të disa personave të cilët nuk kanë rrjete sociale ose kanë pasur por tani i kanë mbyllur, ata theksojnë se rrjetet sociale i marrin shumë kohë dhe shkaktojnë lodhje psikike.

“Një brez i shpërqendruar që nuk mund të përqendrohet në asgjë”. Në mungesën e rrjeteve sociale sipas tyre ata janë më të aftë të organizojnë ditët e tyre, kështu këtë kohë e shfrytëzojnë duke lexuar libra apo duke u marrë me ndonjë aktivitet tjetër që ju ndihmon.

“Me mbylljen e rrjeteve sociale tashmë unë shumë më mirë e organizoj kohën time, gjumin, leximin, të mësuarit etj”. Poashtu theksojnë se kohën që e kanë humbur më parë në rrjetet sociale ata tani e shfrytëzojnë me miqtë dhe familjen, gjë që sipas tyre është shumë më e rëndësishme. Një arsye tjetër që ndikon në refuzimin e rrjeteve sociale është se individët në rrjetet sociale në të vërtetë nuk janë ata që janë në jetën reale, domethënë në jetën e tyre të përditshme. Në këtë rast një respondent është shprehur kështu: “Arsyeja kryesore ishte sepse jeta e rrjeteve sociale mua më duket e rreme”.

Personat në rrjetet sociale përpiqen të shfaqin një imazh të vetës që do të ishte i pëlqyer apo i favorizuar nga shoqëria dhe në këtë aspekt ne ndjehemi sikur po krijojmë identitete që nuk i përshtaten asaj që realisht jemi dhe bëjmë. “Pikërisht për shkak se rrjetet sociale përcjellin mënyrën e të jetuarit “lifestyle”, kjo sjell pasiguri tek të rinjtë por edhe tek të tjerët”. Kështu mund të shtojmë se rrjetet sociale ndikojnë negativisht në vetëbesimin tonë, këtë rast e lidhim me “like”, kjo nënkupton që disa persona bëhen shumë të varur nga pëlqimet që marrin në rrjetet sociale dhe në rastet kur ata nuk marrin pëlqime kjo i bën të humbasin vetëbesimin e tyre.

Në rrjetet sociale ne humbim një sens të të qënurit vetvetja. Duke përmbledhur të gjitha këto mund të theksojmë se rrjetet sociale krijojnë krizë identitare. Sipas tyre rrjetet sociale nuk janë aspak të mira për të njohur njerëz. Sa i përket pjesës që nëse ata ndihen më inferior në një shoqëri ku të gjithë kanë qasje në rrjete sociale, ata mendojnë që kjo nuk ju pengon aspak dhe që pothuajse po të njëjtat informacione ata mund t’i marrin nga gazetat apo televizioni.

“E kam rrethuar vetën me njerëz që më njohin më të vërtet, jashtë rrjeteve sociale dhe nuk më gjykojnë siç bëjnë disa të tjerë duke më thënë se njerëzit që nuk kanë rrjete sociale janë të prapambetur”. Pra duke e pasur parasysh që rrjetet sociale pasurojnë identitet tona, sipas tyre rrjetet sociale krijojnë identitete fallco tek ne, ndërsa joqasja në rrjete sociale të ndihmon të formosh një identitet të vërtetë, kështu ti vetë zgjedh për disa nga faktorët nga të cilët dëshiron të ndikohesh në aspektin e formimit të identitetit, duke qenë të aftë të zgjedhin vetë se çfarë është pozitive dhe negative nga shoqëria, në këtë rast theksohet shumë aspekti se ne mund të pasurojmë identitetet tona përmes ndërveprimit në jetën reale me familjen dhe miqtë e afërt. / KultPlus.com

“N’Kosovë kurrë s’ka pasë katunarë e qytetarë, ndarja ka origjinë tjetër”

Shkruan Nezir Kraki

Prej vitit 1912 deri në vitin 1999, n’Kosovë kanë ekzistu dy kategori tjera shoqërore:

1) Shërbyesit dhe ithtarët e bashkim-vllaznimit serbo/jugosllav të cilët jetonin në dhe për sistem dhe forcoheshin falë tij. Disa për hall por shumica me bindje.

2) Të panështruarit, atdhetarët dhe familjet e tyre të cilët jetonin kryesisht në armiqësi me sistemin dhe vuanin prej tij.

Pastaj krejt natyrshëm, kjo kategoria e parë « qytetërohej » më shpejt. Qasja në punë, në kredi, në banesa, në bursa…. pa u penguar as bezdisur kurrë nga Milicitë e Jugosllavisë, ishte rutina e tyre. Çdo ndjesi kombëtare apo ide anti sistem merrej nga ta si prapambeturi dhe sulm ndaj suksesit bashkim-vllaznues.

Ndërkohë, kategoria e dytë, në të cilën krenarisht bëj pjesë, e kalonte shekullin në periferi të çdo gjëje, jo veç të qyteteve. Ata jetonin, ne mbijetonim. Derisa fëmijët e ‘jugosllavistëve’ kishin qasje në kurse të anglishtes, në fusha sporti, në shkolla elitare me emra heronjsh kryesisht serbë, ne të linçuarit e sistemit mësonim këmbëkryç dhe shpiknim lodra pa e ditë që ato ekzistonin të gatshme në « zadrugat » e qytetit.

Kjo pastaj çoi në thellimin e ndarjes shoqërore. Ata u jugosllavizuan deri në palcë, ne mbetem atdhetarët e paditur dhe mosmirënjohës ndaj të mirave. që na vinin nga Beogradi.

Dhe a dini çfarë ndodhi kur vdiq Jugosllavia?
Brenda natës u bënë atdhetarë e nacionalistë dhe kur ne filluam të kërkonim Kosovën Republikë ata shkonin edhe më larg, kërkonin bashkim kombëtar. Eu vakia e Zotit!

Madje kur doli UÇK-ja, disa nga djemtë dhe nipat e bashkim-vllaznimit, ia mësyen uniformes, si momentin e fundit për shpërlarje patriotike dhe pas luftës na thanë neve që e kishim një shekull luftë anti Serbi, « ju shumë të butë valla ».

Edhe sot, çdo ditë shoh djem e nipa të Jugosllavisë duke na mbajt leksione patriotike publikisht thua se baballarët e tyre kanë jetu në shekullin 15 dhe gjithçka është harru ndërkohë. Jooo! Asgjë nuk është harru! As ‘rezervistët e fjetur’ që në mesin e protestave te vitit 1989 i dorëzonin revolet e Serbisë dhe « patriotizoheshin » papritmas, as ata që me zell e luftonin çdo ndjesi atdhetare për mbrojtjen e bashkim-vllaznimit, madje me shumë se vet serbët.

Normalisht që s’jam i çmendur te them se të gjithë nga qytetet ishin të tillë. Ka pasë përjashtime të shumta madje por kjo qe e thash me pak fjalë e ilustron ‘modën’ e asaj kohe. Modë të cilën do ta shtjelloj shkencërisht ne nje punim të detajuar dhe me burime të sakta. Poashtu, nuk mund të themi se qytetet nuk luftuan sepse i kemi shembujt e Gjakovës dhe Pejës që e thonë të kundërtën.

Por, sido që ta analizojmë këtë punë, edhe pas luftës, për arsyet që i thash këtu sipër, rruga drejt studimeve dhe karrierës apo drejt ‘qytetarisë’ ka qenë dhe mbetet shumëfish më e vështirë për neve që jemi lindë dhe jemi rritë në familjet e ‘periferisë jugosllave’. Kjo e sqaron edhe sot arsyen pse çdo natë në TV e në debate ju shihni ‘rini jugosllave’ ose si gazetarë ose si analista ose si politikanë.

Nejse… s’po e zgjas më shumë.

P.s. Mos e merrni si sulm këtë përgjithësim të qëllimshëm. Qëllimi është te rikujtohen disa gjera që janë ne origjine te ndasive tona sot.
Nese komentoni, rrini ne teme ju lutem dhe dijeni qe kur flas per kete pune e di per çka flas. Ata që ma njohin familjen dhe babain e kuptojne. / KultPlus.com

Kim Mehmeti: Kosova ka lind e ka rrit trima, por edhe mjeranë politikë

Kosova ka lind e rritë trima për të cilët ia ka zili bota, por edhe mjeranë politikë shkaku i të cilëve e tall dynjaja!

Siç duket, një ndër arsyet pse Kosova e vogël nuk e shijoi lirinë ashtu siç duhet dhe, pse aq shumë u varfërua, është se ajo ushqen e mbanë mbi shpinë shumë zhvatës, idiotë e mjeranë politikë!

Pra një ndër shkaqet pse Kosova ende nuk ia del të vetëmirëmbahet si shtet është se ajo lindi e rriti trima për të cilët ia ka zili bota, por atë sot e kanë marr peng mjeranë politikë, shkaku i të cilëve e tallë gjithë dynjaja!

Dhe duke qenë e tillë, asaj i ndodhë, për shembull që – për dallim nga izraelitët, që edhe pas tetë dekadave që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore, ata vazhdojnë t’i kërkojnë e t’i dënojnë të gjithë nazistët që kanë vrarë hebrenj – mjeranët mediatik e politikë të Kosovës të thonë se 20 vite pasi ka përfunduar lufta, është e pakuptimtë të kërkosh të dënohen vrasësit serb të shqiptarëve?!

Dhe paralajmërojnë amnisti për gjitha ‘palët’, duke i barazuar kështu luftëtarët për liri të UÇK-së me vrasësit e okupatorit serb?!

Pra duke qenë e tillë, Kosovës edhe i ndodhë që të ketë President njeriun që në kohë pandemia, pra në kohë kur populli nuk mundë të reagojë e të protestojë, kur populli është i mbyllur në ‘burg shtëpiak’, ai të ngutet ta rrëzojë qeverinë e shpresës rinore dhe në vend të sajë të sjellë në pushtet zhvatësit e dalë nga ‘Strofulli i Gjarprit! Me çka – jo për nga përmbajtja, por për nga forma – s’ka si mos të ta rikujtojë kohën kur shqiptarët e Kosovës i numëronin viktimat, e Millosheviqi e kremtonte ardhjen në pushtet të ‘Morinave” të tij!

Dhe siç duket, Kosova e sotme nuk ka ndryshuar shumë nga ajo e dikurshmja, kur trimat dhe njerëzit e dinjitetshëm e të vlefshëm të asaj më mirë i njihte armiku se sa ajo vetë, me çka edhe ia vriste dhe ia likuidonte me kohë!

Kështu bëri me të edhe Millosheviqi që vrau Adem Jasharin me gjithë familjarët e vet, që burgosi dhe e zhduki simbolin e diturisë dhe intelektualizmit shqiptarë Ukshin Hotin, që nga gjithë figurat politike likuidoi trurin dhe strategun e LDK-së, Fehmi Aganin, që vrau mbrojtësin më të mirë të të drejtave kolektive shqiptare, avokatin Bajrami Kelmendin me dy djemtë e tij…

Dhe jo se Millosheviqi nuk e dinte se me këtë shqiptarinë nuk e lë pa individët trima e të vlefshëm, por ai dinte diçka më shumë se kaq: kur një populli ia zhdukë simbolet e trimërisë, të qëndresës dhe të mençurisë kolektive, atëherë krijon parakushte që atij populli t’‘i shtohen e t’i fuqizohen injorantët, mjeranët dhe hajdutët politik!

Siç duket ka ardhur koha kur Kosova duhet të dëshmojë se tani më ajo i njeh vlerat e veta njerëzore më mirë se armiqtë e saj dhe se është e aftë që ata t’i mbrojë nga mjeranët politikë e mediatik. Dhe këtë do e dëshmojë nëpërmjet abortimit të qeveritarëve që duan të vijnë në pushtet përderisa populli është në ‘burg shtëpiak’! /KultPlus.com

Shqipëria do të ishte një vend më i mirë, nëse do të kuptonim se ajo ka shumë nevojë për ne

Nga: Ambra Hysa

Në ambientet ku gjendet rinia shqiptare, gëlon një dëshirë e fortë e përbashkët, të cilën nuk ngurrojnë ta shprehin hapur, dhe me zë të lartë: “Dua të largohem nga Shqipëria” , “Dua të iki sa më parë prej këtu”. “Dua të largohem me çdo kusht nga ky vend që nuk bëhet kurrë”. “Nga ky vend i keq, ku njerëzit e kanë humb njerëzillekun dhe çdo e mirë e këtij vendi ka rënë në kthetrat e hajdutëve, mashtruesve dhe të pangopurve”.

Për fat të keq, e tillë është Shqipëria jonë, ka këtë portret, është e bukur, e dashur, na pret me zemrën e dhembshur, por me sytë e ligështuar nuk mund të na kërkojë të qëndrojmë kur nuk ka çfarë të na ofrojë, nuk mund të na kërkojë të largohemi, kur ne jemi bijtë e saj, të vetmit të cilët mund ta shërojmë. E megjithatë, nuk flet… e vrarë, e gjymtuar, pa drejtim, pa shpresë, pa forcë, pa rrugëdalje…do të pranojë fatin e saj me dinjitet, do të jetojë, zgjedhjet tona.

Në syrin tim është një shqiponjë e madhe, e sëmurë, e cila lëngon, të cilën e vjedhin çdo ditë, e infektojnë çdo ditë, e copëtojnë çdo ditë. Do të marrin prej saj, deri kur mos të ketë më për të marrë, se Shqipërisë i ka mbetur vetëm shpirti.

Askush, nuk mendon ta shërojë, të shërojë plagën në mendjen dhe në trupin e vet. Do ta lëmë kështu të dergjet, duke u larguar, për një jetë jo më të mirë, siç është shprehja klishe, por për një jetë që së paku të mund të jetohet dhe konsiderohet e tillë.

Secili nga ne, ka absolutisht të drejtën dhe lirinë të bëjë zgjedhjen e tij, ama shpesh e pyes veten, çfarë do marrim nëse largohemi nga Shqipëria? Çfarë do marrim përveç vetes tonë?

Nuk ka asnjë “tokë të premtuar”, nuk ka asnjë “shkop magjik”, ndryshimi i vetëm fillon nga vetja jonë, ndryshimi i vetëm mund të krijohet nga vetë ti, në çdo vend të botës. Kudo që të shkojmë, ne do marrim me vete njeriun që kemi ndërtuar, veten.

Atë vete, e cila nuk ia doli dot në Shqipëri… për mijëra arsye, apo për mijëra “justifikime”, që ne ia ushqejmë vetes çdo ditë, si një formë e pandershme, për “të larë” papërgjegjësinë tonë.

Është komfortuese, është ngushëlluese, dhe funksionon gjithmonë. Në fund, ndihemi mirë me veten, sepse “Shqipëria i ka fajet” , sepse “të tjerët i kanë fajet”, sepse… “unë jam një dhe i vetëm, nuk mund të sjell dot ndryshimin”. “Kur Shqipëria i ngjan një katrahure, drejtësia ime nuk mund të lundrojë, do të mbytet.”

Kështu, paaftësia jonë rritet çdo ditë, ushqehet dhe zë vend në shpirt, në personalitet, në mënyrë jetese. Ne nuk reagojmë më mbi të keqen, nuk reagojmë dhe as pretendojmë të japim një shembull tjetër, me pretendimin e vetëm, se nga një njeri i vetëm nuk vjen dot ndryshimi i madh. Sjellja jonë si shoqëri është ngjitëse, është ngjitëse kur gabojmë, kur qëndrojmë të heshtur, kur dështojmë, kur qëndrojmë duarlidhur, dhe kur të gjithë ndajmë fatkeqësinë e përbashkët, dhe dëshirën e përbashkët: “Të largohemi”.

Sikur ne të përpiqeshim, në vend që të ankoheshim, Shqipëria do bëhej një vend më i mirë. Sikur ne të kuptonim se ndryshimin mund ta sjellë një njeri i vetëm dhe të jepnim shembullin tonë, kjo mënyrë të menduari do bëhej uniformë, do ishim bashkë, dhe do ishim më të fortë, për t’i bërë ballë padrejtësive që na bëhen.

Shqipëria do bëhej një vend më i mirë, nëse i pranojmë gabimet tona dhe reflektojmë, se me punë arrihet gjithçka dhe se ne vetë me zgjedhjet tona të përditshme e kemi sëmurur atë, të gjithë bashkë. Shqipëria do bëhej një vend më i mirë nëse kuptojmë, se forca e mendimit mund të ndryshojë gjithçka, se ankesa nuk është zgjidhje, por është një ves i keq, i cili mund të kthehet në zakon, në virtyt, në mënyrë të pashëndetshme jetese.

Shqipëria do të ishte një vend më i mirë nëse punën e sotme nuk do e linim për nesër. Nëse vendosim të investojmë më shumë mbi veten, nëse do të kuptonim, se asnjë vend në botë nuk ka më shumë nevojë për ne se Shqipëria, nëse do të kuptonim, se kur të ndërtojmë veten siç duhet, në çdo kuptim, do të kemi ndërtuar Shqipërinë.

Shqipëria do të ishte padyshim një vend më i mirë, nëse ti do të shkëlqeje në krahët e saj, por nëse do të dëshiroje të zgjerosh rrugëtimin tënd, duke e sfiduar veten përtej kufijve, ajo do të përcillte me krenari dhe me zemrën plot. Nëse ti ia del në Shqipëri, mund t’ia dalësh kudo në botë, të paktën përpiqu.

Shqipëria do të bëhej një vend më i mirë, nëse ti mëson në shkollë dhe nuk i lë asnjë hapësirë pedagogëve të përfitojnë nga mungesa jote e përgjegjësisë, nëse ti i jep makinës sipas rregullave të caktuara, nëse ti përpara ligjeve e konsideron veten të barabartë me të tjerët, nëse ti nuk jep ryshfet, as shoku yt nuk do e bënte, nëse ti nuk e ushqen korrupsionin në institucione, ai dalëngadalë do të vdiste.

Duhet shumë durim dhe duhet jetuar jeta me integritet. Duhet të bësh më të mirën, kur askush nuk të shikon, ky është çelësi. Duhet të edukohesh, të bësh më të mirën në familje e kur je vetëm me veten tënde.

Sepse ke vetëm atë, vetën tënde…me të do të qëndrosh ose do të shkosh…
Shqipëria nuk qan pse ti po largohesh, Shqipëria qan sepse ti po qëndron… Po qëndron pa bërë asgjë, duke i drejtuar gishtin vetëm asaj. /KultPlus.com

“Naim bej Frashëri ish njeri zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur”

Nga: Faik Konica

Naim Frashëri
(25 maj 1846 – 20 tetor 1900)

Të tjerë, që patnë lumturinë ta shohin, t´i qasen e ta dëgjojnë, do të thotë se ç´njeri, zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur ish Naim bej Frashëri. Të tjerë, në të bukura e të përmallshëme vjersha, do të qajnë për shojtjen e një yllit aq të ndritshëm – aq të rrallë – në qiell të Shqipërisë. Unë dua vetëm, në pak fjalë, të them se ç´punë të fortë e të pa lodhur bëri, ky burrë me fletë, për kombësinë tonë.
Naim beu, dihet prej kujtdo, u vu që pesëmbëdhjetë vjet e më tepër në shërbim të djelmërisë shqiptare. Kuptoi që ditën e parë se një punë nuk fortësohet mirë, përveç në rrënjë, në themele të saj. Andaj me gjithë zemër shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm që u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskëri. Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë tjera, mendjelëruar e ndjesëhollë, do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura. Po nevoja e vendit tonë, detyra t´u hapin sytë botës, e shtrëngonin të mos ngjitej më sipër se kuptim i popullit të Shqipërisë. U kufizua, pra, gjithnji në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar. Jo se nuk ndodhen në libra të Naimi beut faqe të hieshme e të mbaruara; janë, përkundër, të dendura; po rrëfejnë të gjitha veç dëshirën të mësohet kombi. E mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqipëtar, – e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare.
Naim bej Frashëri pati edhe një tjatër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombësia jonë nga bektashizmi. Iu qas, pra, kësaj feje me gjithë zemër; shkruajti libra e vjersha, që baballarët i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një nër themeluesit e kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të kombësisë, të dashur.
Po ky është nder i madh i Naim beut, që gjithë këto punë të mëdha i bëri në Stamboll, një mjedis armiqsh, i rrethuar prej spiunësh e spicetarësh. Po s´e kish për pesë. As frikësimet, as vobësia – rroi e vdiq i vobek, e nuk kish me se të mbulohej trupi i tij! – as pabesia e shqiptarëve nuk e turbulluan një herë. Gjer në firomë të fundmë, mendoi e foli për Shqipërinë.
Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshm që shkonin, muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri.
Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur. Thamë se e shpunë në Stamboll “në vend të fundëm”; po kjo nuk është përveç një mënyrë foljeje. Kemi shpresë, kemi besë të rrënjuar se, një ditë, do të vijë që shqiptarët do t´i sjellin të mbeturat e Naim beut në atë Shqipëri, që deshi e shërbenj aq miri. Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, po do ta presë një komb i tërë.
1901 /KultPlus.com

Quo Vadis, Akademi Suedeze?! Handke Nobelist. Turp!

Shkruan: Agim Vinca

Juria e Akademisë Suedeze i akordoi Çmimin Nobel për letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak Peter Handke.

Nuk dimë ç’thuhet në arsyetimin e saj, por është e qartë se ky është një vendim i turpshëm! Madje më shumë se kaq!

Fashisti Handke nderohet me çmimin më të lartë letrar në botë, ndërkohë që bota ka dhjetëra shkrimtarë më të mëdhenj se ai!

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur trupat hitleriane marshonin Evropës, nuk u dha Çmimi Nobel, për arsye morale, kurse tani i jepet një shkrimtari që ka përkrahur krimet fashiste në Ballkan!

Me këtë vendim skandaloz, Komiteti i Nobelit ua ka lëkundur eshtrat në varr Tomas Manit, Andre Zhidit, Alber Kamysë, Herman Heses,Visllava Shimborskës dhe sa e sa laureatëve të tjerë të këtij çmimi, që kanë qenë jo vetëm shkrimtarë të mëdhenj, por edhe humanistë të mëdhenj.

Njeriut që mori në mbrojtje shkaktarin e luftërave në ish-Jugollavi, diktatorin serb Sllobodan Millosheviq; që e vizitoi atë në burg në kohën kur gjykohej për krime të luftës në Hagë; që mori pjesë në varrimin e tij, i jepet çmimi më i lartë letrar në botë: Çmimi Nobel!

Kjo është fiasko morale e këtij çmimi dhe e institucionit që e jep atë.

Në vitin 2007, teatri më me renome në Francë, Comédie-Française, kishte marrë vendim për heqjen nga repertoari të një drame të Handkes, pasi drejtori i tij kishte lexuar në shtyp një artikull në të cilin flitej për pjesëmarrjen e shkrimtarit austriak në varrimin e Millosheviqit.

»Unë jam i gëzuar të jem pranë Sllobodan Millosheviqit, i cili e mbrojti popullin e tij», pati deklaruar Handke me atë rast, duke valëvitur flamurin serb.

Kaq mjaftoi që kryeadministratori i teatrit francez, Marcel Bozonnet, pas bisedës me aktorët dhe regjisorin, të merrte vendimin për ndalimin e shfaqjes së Handkes me arsyetimin se autori i saj: “ka fyer viktimat”.

Akademia Suedeze thuajse nuk ka dëgjuar për këtë.

Amoraliteti i saj ka arritur kulmin. / KultPlus.com

Turpi

Nga Mehmet Kraja

Titulli. Është i shkrimtarit nga Afrika e Jugut, J. M. Coetzee, i cili në romanin e tij “Turpi” (Çmimi Nobel për Letërsi, 2003), në rrethanat pas aparteidit, i çon personazhet e tij në skajin e fundit të moralit, deri aty ku nuk mban më, teksa përballen me degradimin dhe shkatërrimin moral. Mirëpo, këtu del njërrethanë pak e ngatërruar: turpi është vlerë morale, qëdomethënë se, për ta ndjerë, duhet të jesh i prirë nga vlerat civilizuese dhe ta pranosh një kod etik, sado minimal qoftë ai. Me një fjalë, kufizimet morale janë vlerë civilizuese dhe nëpërkëmbja e tyre, si pasojë, çon në degradim moral, nërefuzimin e rrethit shoqëror dhe në brejtjen e ndërgjegjes. Nga këto tre komponentë të turpit, si reagim i natyrshëm ndaj përballjes me kodin etik, klasa jonë politike e ka përvetësuar vetëm njërën, pra shkarjen morale dhe nuk njeh as refuzimin shoqëror dhe as brejtjen e ndërgjegjes. Më anë tjetër, Makiaveli ia njeh politikës të gjitha amoralitetet, duke e vënë edhe gënjeshtrën në piedestalin e “vlerave” të këtij “arti të sëmundshmes”. Politikanët tanë, natyrisht, nuk e kanë lexuar Makiavelin, me të cilin do t’i kundërviheshin “Turpit” tëCoetzee-s, por ndjekin instinktin e tyre primitiv të “ujqërisë” për ta vandalizuar Kosovën në të gjithë përbërësit e saj.

Por, Kosova nuk falë.

Historia. Që nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe deri më sot kauza e Kosovës i ka turpëruar disa herë radhazi klasat e saj politike, liderët, titullarët e pushtetit, përfshirë edhe ata që ishin luajalë ndaj tyre. Si të thuash, ishte ky një fatalitet për të gjithë ata që deshën të abuzonin me punët e rëndësishme të këtij vendi. Gjatë kësaj periudhe Kosova nxori “në anën e errët të historisë” shumë personalitete, të cilët në kohën kur sundonin nuk e kishin marrë me mend se mund të kishin njëfund të tillë, të përbuzur e të tallur edhe nga vetë trashëgimtarët e tyre. Ndoshta më shumë se fatalitet, më shumë se ogur i keq, mund të jetë se kauza e Kosovës gjatë kësaj periudhe të historisënuk ka duruar shkelje të vlerave themelore të lirisë dhe atdhedashurisë. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa kjo ka ndodhur me të gjitha klasat politike të Kosovës. Ka ndodhur me ata që në korrik të vitit 1945 në Prizren, në mbledhjen e tëashtuquajturit Këshill Krahinuer të Krahinës Autonome tëKosovë-Metohisë e miratuan aneksimin e Kosovës nga Serbia. Vendimmarrësit e këtij kuvendi ishin bartësit kryesorë tëpushtetit në njërën nga periudhat më të errëta të historisë së re tëKosovës, deri në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Serbia dhe Jugosllavia nuk i sakrifikoi bartësit shqiptarë të aksionit famëkeq të armëve, të shpërnguljeve masive për Turqi etj. por Kosova i stigmatizoi, i turpëroi dhe i la me faqe të nxirëpërgjithmonë. Më pas, të turpëruar dolën nga skena politike edhe bartësit e pushtetit autonomist të periudhës 1968-1974-1981, të cilët u mburrën në fillim, por dështuan ta mbronin Kosovën, kur ajo u përball me agresionin jugosllav për zhbërjen e autonomisë. Fatalisht të turpëruar dolën nga skena edhe “autonomistët e rinj” pas ’81-shit, të cilët më 1989, njësoj si pararendësit e tyre në Prizren, me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës miratuan unanimisht suprimimin e autonomisë. Shumë nga ne i mbajmë mend autonomistët, si u vërsulen mbi Kosovën në vitin 1981, me diferencimin e egër, me nëpërkëmbjen e çdo vlere; pastaj i mbajmë mend po ata autonomistë që kërkuan mbështetjen e popullit, kur u rrezikua pushteti i tyre. I mbajmë mend delegatët e Kuvendit të Kosovës më 1989, që miratuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa dhjeta protestues vriteshin anë e kënd Kosovës. Nuk e di nëse është bërë histori ose ka mbetur vetëm memorie kolektive, por të gjithëve që kemi jetuar vitet ’90 të shekullit të kaluar na kujtohen abuzimet dhe gënjeshtrat me “shtetin paralel”, na kujtohen ata që kërkonin të dilnin nëzgjedhjet e Serbisë dhe ata që ditën punonin për pavarësinë e Kosovës, ndërsa natën bënin prokopi me Milosheviqin.

Kauza e Kosovës i turpëroi të gjithë.

Viti 1999: Këtu duhej të ndryshonte çdo gjë. U mendua se rrjedha negative e historisë për Kosovën u ndal një herë e përgjithmonë: nga skena politike duhej të dilnin, që të mos ktheheshin kurrë më, të gjithë ata që e “luftuan luftën” nga prapaskena, jo vetëm bashkëpunëtorët e fshehtë dhe të hapur tëSerbisë, por edhe ata që i ngatërruan politikisht “anët e horizontit” edhe në rrafshin e ideve. Kosova e çliruar nga Serbia, e vendosur nën një protektorat të fuqishëm ndërkombëtar, sipas një rendi normal të gjërave, duhej të edukonte një klasë politike europiane, e cila hyn dhe del nga skena politike përmes njëprocesi të rregullt demokratik. Mirëpo, ndodhi që çlirimtarët bënë gabimin historik në dëm të Kosovës dhe të vetes së tyre: uzurpuan pushtetin, uzurpuan prona, instaluan korrupsionin, manipuluan zgjedhjet, më pas shkatërruan institucionet, veçmas institucionet e sigurisë, politizuan dhe korruptuan gjyqësorin, shkatërruan asetet ekonomike të vendit, ia bënë gjëmën idealit tëtyre dhe e turpëruan veten përballë kauzës së Kosovës. Për tëshpëtuar nga fundosja, pos kërcënimeve dhe shantazheve qëfilluan të mos pinin ujë, pas rekrutimit të një numri të madh të tërinjve të etshëm për pushtet dhe pasje korruptive, bënë edhe manovrën më të pabesueshme: rekrutuan vasalë dhe mbështetësnga radhët e kundërshtarëve të tyre “gjenetikë”, përfshirë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë apo trashëgimtarë të tyre ideologjikë. Shpesh u bënë mburojë politike e bizneseve që kishin lidhje tëforta me Serbinë, duke përdorur bisedimet e Brukselit në favor të këtyre bizneseve. Uzurpimi dhe mbajtja e pushtetit u bëkredoja e sundimit të tyre. Mirëpo, historia tregon se një sjellje e këtillë mund të mbajë për një kohë, por nuk mban përgjithmonë: kauza e Kosovës nuk i duron abuzuesit me idealin e saj të lirisë. Argumenti i fundit i çlirimtarëve, shpallja e pavarësisë sëKosovës, vetëm përkohësisht stabilizoi imazhin dhe pushtetin e tyre, por u zvjerdh dhe u shpenzua shpejt. Dështimi i turpshëm në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve të tij nuk mund tëfshihet më prej askujt. Por, mbi të gjitha, ajo që nuk është dashur t’iu ndodhte çlirimtarëve, kurrë dhe në asnjë rrethanë, pra nuk është dashur që disa syresh ta kërkojnë shpëtimin atje ku e kërkuan edhe pararendësit e tyre: te Serbia.

Po të mos ishte tragjike, do dukej patetike!

Gënjeshtra. E gjendur përball një erozioni të paparë, kjo klasëpolitike ka filluar ta kuptojë se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu, se nuk mund të bësh sikur jeton i kënaqur brenda gënjeshtrës që e ka krijuar vetë. Askush nuk mund tëfshihet më pas historisë, as duke e krahasuar veten me iliro-pellazgët, as duke u marrë me etimologji amatore, as duke projektuar konspiracione të muslimanofobisë. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se njerëzit e këtij vendi nuk janë aq budallenj, se nuk mund t’ua fyejnë vazhdimisht inteligjencën. Ata kanë njëmemorie dhe e dinë çfarë keni thënë dje dhe çfarë thoni sot; çfarë keni bërë dje dhe çfarë bëni sot. Kjo klasë politike duhet ta dijë se, mbase, shumë prej tyre kanë për të jetuar këtu edhe pasi të bien nga pushteti, se shumica syresh kanë prindër, kanëfëmijë, kanë njerëz që i duan dhe atyre nuk iu pëlqen tëturpërohen deri në këtë masë. Sepse, tashmë e kemi mësuar, kauza e Kosovës të vë medalje në kraharor kur e meriton, por edhe të turpëron kur shkon kundër rrjedhës. Atëherë, si mund tëlejoni që ndonjë eksponent i juaj të hedhë në etër kaq shumëgënjeshtra dhe ju prapë të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Si mund të lejoni të gënjehet kaq pa shije, pa pikë turpi, sa tëthuhet Kosova do të bëjë marrëveshje historike me Serbinë, duke bërë “korrigjim kufiri”, duke marrë Luginën e Preshevës dhe duke mos dhënë asgjë si kompensim, as tri ose katërkomunat e Kosovës veriore, as Trepçën, as Ujmanin, as asociacionin me kompetenca ekzekutive? Po kujt ia thoni ju këto? A është Serbia ajo që e njohim të gjithë, apo nëimagjinatën tuaj keni krijuar një Serbi tjetër, të zbritur nga qielli, që nuk i ngjan reales?! Kë mendoni se mund të gënjeni me terminologji, se nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës por gjoja për “demarkim” e gjepura të këtilla? Pse gënjeni, pse nuk keni kurajë ta thoni të vërtetën ashtu siç është: kërkoni shpëtim nga Serbia për dështimet tuaja të brendshme dhe të jashtme! Po tëmos ishit ju të tillë çfarë jeni, Kosovës do t’i shkonin mbroth tëgjitha punët, edhe liberalizimi, edhe integrimet, edhe njohjet, madje edhe OKB-ja dhe nuk do të duhej që tani, për të mbetur ju në pushtet dhe për të shpëtuar lëkurën, të kërkoni shpëtim, duke i dhënë Serbisë si kundërvlerë një “copë Kosovë”, që na e paska falur Rankoviqi! Edhe këtu gënjeni sa nuk mban më. Rankoviqi nuk i ka falur Kosovës asgjë, ju e dini këtë shumë mirë, por e thoni gënjeshtrën të “stolisur” me patriotizëm, që ajo të duket më bindëse dhe më joshëse për budallenjtë. Ata autonomistë qëju i sillni nëpër korridore si këshilltarë, e dinë shumë mirë se kur janë formuar komunat e Zubin Potoku dhe Zveçanit; Leposaviqi ka qenë komunë ngaherë, kurse Mitrovicën e Veriut e bëtë ju vetë komunë serbe, duke bërë marrëveshje me Beogradin dhe bosët e kontrabandës dhe duke mos lejuar kthimin e shqiptarëve në atë pjesë të Mitrovicës. Këto janë gënjeshtrat e fundit, që kjo klasë politike arrin t’i kullandris, para se e turpëruar, si varrmihëse e kauzës së Kosovës, të dalë përfundimisht nga skena.

Kjo mund të duket pak patetike, por nuk është.

Kushtetuta: Presidenti i Kosovës, ideatori i këtij galimatiasi, kërkon të përfshijë në projektin e tij gjithë spektrin politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë, i vetëdijshëm se vetë nuk nënshkruan dot një marrëveshje të tillë. Një ide e këtillë e çoroditur nuk ka sesi të mos jetë objekt i shqyrtimit kushtetues, sepse askush, sado i paktë nga mendtë, nuk shkruan kushtetutëpa ua kufizuar diabolikëve mundësinë e shkatërrimit të shtetit. Nëse ka kush sy me e pa, këtë kufizim e ka edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Pika 1 e nenit 1 të Kushtetutës, në preambulë, ku përkufizohet shteti, thotë se Republika e Kosovës është shtet sovran, demokratik, “unik dhe i pandashëm”. Hartuesve tëKushtetutës, sigurisht duke u mbështetur në modele të tjera, kjo nuk u është dukur e mjaftueshme, prandaj në nenin 2, aty ku flitet për sovranitetin, kanë vënë pikën 2, në të cilën është thënëtaksativisht se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohen me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe ligj”. Jo vetëm kaq. Në pakon e Ahtisaarit, e cila në një pjesë të mirë të saj është inkorporuar në Kushtetutë, është përcaktuar shumë qartë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (Kushtetuta e Kosovës, neni 1, pika 3) Atëherë, çfarë po ndodh? Në të vërtetë, presidenti me projektin e tij për ndarjen e Kosovës, apo këmbimin e territoreve, që është njësoj, gjendet në zgrip të shkeljes së Kushtetutës, vetëm se këshilltarët e tij kanë gjetur një zgjidhje “kushtetuese”: presidenti ende nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, të cilin nuk do të mund ta gëlltiste as Gjykata Kushtetuese, sado e kapur dhe sado luajale të jetë ndaj presidentit. Edhe ekipi negociator u bë me këtëprapavijë: të gjendet një person ekzekutiv, që të nënshkruajë njëtraktat tashmë të negociuar prej tij. Pra, një dredhi që pale si do të përfundojë. Vetëm se është e panatyrshme, krejt jonormale, qëpresidenti i një vendi, që afro një vit e këndej propagandon dhe angazhohet publikisht për një agjendë politike në shkelje tëKushtetutës. Nuk ka rëndësi nëse presidenti formalisht dhe juridikisht nuk është bërë ende “objekt i përshtatshëm” për Gjykatën Kushtetuese, por është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, për rendin kushtetues, për pozitën ndërkombëtare tëKosovës, që i pari i shtetit, bashkë me bashkëpunëtorët e tij(gjithnjë i refuzuar dhe pa autoritet, me përkrahjen e vetëm 11%), angazhohet “me mish e me shpirt” për kauzëantikushtetuese dhe antishtetërore: ngarendin korridoreve të Brukselit dhe të OKB-së, paguajnë lobues dhe analistë, të gjitha këto jo për ndonjë agjendë shtetërore, për të shtuar numrin e njohjeve, as për bashkëpunim bilateral dhe multilateral të Kosovës me shtete dhe organizatat ndërkombëtare, por për ta cenuar integritetin territorial të shtetit që e përfaqëson. Të gjitha këto për llogari personale dhe për Serbinë.

Edhe nëse vjen nga një histori çlirimtarësh, kjo më nuk kalon!

Prapaskenat. Maqedonia i bie të jetë njëri nga kapitujt e fundit i serisë së krizave ballkanike. Suksesi i referendumit dhe përfshirja e saj në NATO është shërbimi më i madh që i bëjnëshqiptarët një agjende globale: mund të mbahet mend si njëmemorial mirënjohjeje për kontributin e Aleancës në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Por ky referendum njëkohësisht duhet tëshënojë edhe fundin e ndërhyrjes tepër të gjatë të Rusisë në këtështet të ri. Pas dështimit në Mal të Zi dhe në Maqedoni, mund tëpritet ose një zmbrapse e Rusisë edhe nga Kosova, ose e kundërta, një ndërhyrje më intensive e saj në Ballkan, veçmas nëSerbi, Bosnjë dhe në Kosovë. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Rusisë i duhet precedenti i ndarjes territoriale të Kosovës, për çka ka arritur të tërheq në anën e vet edhe një pjesë të korruptuar të Brukselit. Krimeja, Abhazia, Osetia dhe Transnistria janëraste që kërkojnë një analogji të përshtatshme ndërkombëtare, për të legalizuar pushtimin rus të këtyre ish-krahinave sovjetike, respektivisht legalizimin e ndarjes së tyre nga shtetet përkatëse, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Pavarësisht se ngjan si konspiracion, nuk është rastësi që rikthimi i krizës së Kosovës ngjau në të njëjtën kohë me përkeqësimin e marrëdhënieve tëErdoganit me SHBA-në dhe afrimin e tij me Putinin, si dhe me një lidhje të tij të koordinuar me tre liderët ballkanikë, Ramën, Thaçin dhe Vuçiqin. Nëse ka ndodhur kjo në prapaskenë, dhe është krejt e mundur të ketë ndodhur, pavarësisht nëse është bërëpër arsye pushteti, faktorizimi ose Gjykate Speciale, dy liderët tanë mbajnë përgjegjësi historike që i kanë përfshirë shqiptarët dhe shtetet e tyre në një agjendë ruse-turko-serbe, duke i larguar dhunshëm nga bota perëndimore, të cilës natyrshëm i përkasin.

Epo, Zot, kësaj radhe mos i fal, sepse këta e dinë shumë mirë se çfarë bëjnë!

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazeta Express.

“Sot fjala “shka” tregon shovinizmin tonë”

Nga Ag Apolloni

Historia mes shqiptarëve dhe serbëve nuk është model miqësie, përveç nëse flasim për shekullin e pesëmbëdhjetë, kur Gjorgj Brankoviqi e përkrahu, financiarisht, Gjergj Kastriotin. Por konfliktet e shumta ndërmjet dy popujve (serb dhe shqiptar), nuk duhet të na shërbejnë si arsyetim për përdorimin e gjuhës shoviniste. Kur Jeronim de Rada në shekullin e nëntëmbëdhjetë e përdorte termin “shka” (“hapa derën e shklavunit”, thotë te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, 1866) nuk e bënte për të ofenduar, por thjesht e shqiptarizonte trajtën italiane “schiavone”, që do të thotë “sllav”. Pra, deri në shekullin 19, fjala “shka” nuk kishte kuptim pezhorativ.

Ndërsa, pas Lidhjes së Prizrenit (1878), kur nacionalizmi arrin kulmin, sllavët dhe, veçmas, serbët, quhen “shka” (shumësi: shkije, apo shkje) me konotacione përçmuese. Sot, në gjuhësi, fjalët e tilla quhen “etnofaulizma” (sharje me bazë etnike).

Në momentin që serbit i drejtohemi me emrin “shka”, ne e kemi përjashtuar mundësinë e dialogut me të. Fatkeqësisht, letërsia shqipe e viteve të fundit të shekullit 19 dhe, sidomos, e gjysmës së parë të shekullit 20 është e mbushur me etnofaulizma, kurse “vulgu” ende e bluan këtë fjalë pa e menduar, edhe pse sot, kur bota e qytetëruar po i lufton me të madhe këto fjalë fyese, do të duhej të ishim më të kujdesshëm ndaj gjuhës shqipe. Duke i thënë tjetrit “shka”, në shprehim injorancën tonë mbi etnofaulizmat dhe qëndrimin tonë shovinist ndaj fqinjëve, me të cilët ndajmë një histori të gjatë bashkëjetese (herë miqësore, herë armiqësore).

E di që disa do të thonë “edhe ata na ofendonin neve kur na quanin shiptari, shiftari, allbanci, shiptarski gjubre”, por as kjo nuk është arsye për shovinizmin tonë gjuhësor. Dikush mund të thotë “pse nuk merresh me deklaratën e Vuçiqit për Millosheviqin, po me postimin e një ish-gazetareje që paska thënë: N’Gjakove e n’Drenice, kamb e shkaut me shkel jo”.

Me Vuçiqin duhet të merren serbët, sepse deklarata e tij shpreh shovinizimin millosheviqian, kurse mua më shqetëson shovinizmi ynë.
Po i afrohemi dekadës së tretë të shekullit 21 dhe nuk na lejohet mendësia e kohës së Lidhjes së Prizrenit./KultPlus.com

(Këndvështrimet e shprehura në rubrikën e opinioneve të gazetës online KultPlus, jo domosdoshmërisht paraqesin qëndrimet e redaksisë së KultPlus.com)

“Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona”

Shkruan: Kushtrim Mehmeti

Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona. Nuk dolëm të shesim trimëri, dolëm që të ruajmë dinjitetin e personave që dhimbjet i kanë ende të freskëta, që familjarët nuk ua kanë kthyer ende, që pamjet e tmerrit nuk ju kanë larguar nga memoria. Mos u tregoni injorantë, faqezi e diletant.

Sot në Drenicë nuk u tregu trimëri por dinjitet. Sot protestuam kundër shtetit tonë se Kanadaja nuk i dha leje Vuciqit. Sot u besatuam që me sa kemi forcë t’i mbrojmë familjet e mira të vrarëve, të masakruarve, të dhunuarve, sot ata nuk ndiheshin rehat nga prania e një krimineli.

Drenicën mos e lidheni me Hashimin e Kadriun, por lidheni me Dëshmorët, martirët, dhe personat që dhanë gjithçka në këmbim të asgjëje.

Ne jemi kundër Hashimit, i kemi besuar por na ka tradhëtuar, dikush është bindur që sa kohë, dikush ende pret, dikush nuk do të bindet kurrë, por Drenica është e drenicasve të përbetuar kundër armikut, kushdo qoftë ai, Serb apo edhe shqiptar.

Një version i ri i këngës “Tring zilja”!

Nga Alfred Peza

Fëmijët e brezit tim, ndryshe nga ato të pas ’90, çdo 1 shtator niseshin për në shkollë dhe si kolonën e tyre më të dashur zanore, kishin këngën: “Tring zilja”! Një këngë me ca vargje të thjeshta, gati naive, por që bashkë me muzikën dhe ritmin, e bënin atë të ishte ndoshta një nga këngët më të pëlqyera për nxënësi e arsimit fillor, sidomos.

Kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo kohë dhe shumë gjëra që atëherë, kanë ndryshuar si për nxënësit e ashtu edhe për këngët dhe simbolet e tyre. Shkollat nuk fillojnë më me 1 shtator. Arsimi fillor nuk është më 8, por 9-vjeçar. Shkolla e mesme nuk është më 4, por 3-vjeçar. Arsimi i lartë, nuk është më 4 por 3 plus 2-vjeçar…

Dikur i gjithë sistemi arsimor, nga parashkollorët e deri tek universitetet, e fillonin vitin e ri në ditën e parë të muajit të nëntë. Ndërkohë që tani ca e fillojnë më 17 shtator, ca më vonë, e arsimi i lartë në tetor. Pa llogaritur këtu më pas, edhe shkollat e doktoraturave, magjistraturës, e kështu me radhë.

Por kjo nuk do të thotë se 1 shtatori nuk është më një ditë e rëndësishme.

Përkundrazi. Sepse pavarësisht raportit të ri me sistemin arsimor shqiptar, 1 shtatori i kësaj epoke është një ditë që po i rritet rëndësia gjithnjë e më shumë. Sepse, 1 shtatori është bërë një kufi i ri, një stacion i ri qendror, një “pit stop” i ri, një “Yll Polar” i ri në kostelacionin e 365 ditëve të kalendarit tonë gregorian, që në Shqipëri përdoret që nga dhjetori i 1912.

1 shtatori është kufiri i mbarimit të pushimeve verore, sidomos për administratën publike, për shumicën e bizneseve private dhe emigrantët përgjithësisht.

1 shtatori është një lloj “1 janari” i ri në praktikën e jetës sonë të përditshme, po ta konsiderojmë 31 gushtin, si ditën e fundit të një viti pune që lamë pas.

1 shtatori është kufiri kohor, që mund të konsiderohet edhe praktikisht edhe psikologjikisht si:

Dita e parë e vitit të ri të punës.
Dita e parë e një sezoni të ri politik.
Dita e parë e një sezoni të ri qeverisës, qoftë në nivel qendror, apo edhe në atë lokal.
Dita e parë e një viti të ri Parlamentar.
Dita e parë e një viti të ri mediatik në përgjithësi, por veçanërisht televiziv.
Dita e parë e një sezoni të ri sportive.
Dita e parë “de facto” e një viti të ri fiskal.

1 shtatori, mund të konsiderohet edhe si dita e fundit e pushimeve për të gjithnjë nxënësit dhe studentët. E për rrjedhojë, edhe si starti i një fillimi të ri. Periudha kur kuptohet se bashkë me rikthimin e prindërve nga pushimet në punë, ka nisur edhe numërimi mbrapsht, për të filluar edhe ata pas disa ditësh, vitin e tyre të ri shkollor.

Ndaj, edhe nëse ka shumë nxënës të këtij brezi që ndoshta nuk e dinë këngën “Tring zilja”, janë prindërit e tyre që e kanë kuptuar, se 1 shtatori është dita e tyre e parë, e një fillimi të ri./KultPlus.com

Krimineli – pjellë e çmendurisë kolektive

Nga Mimoza Hysa

Një krim makabër e ka vënë në provë shoqërinë tonë, që prej ditësh mundohet t’i japë kuptim këtij akti ekstrem. Por, si gjithnjë, përsëritim gabimet e përhershme, duke i bishtnuar fajit e duke e kërkuar atë përtej vetes. Gjetja më e thjeshtë është ta kthejmë kriminelin në të sëmurë. Kjo mënyrë kategorizimi na çliron nga përgjegjësitë dhe na e bën të arsyeshme një ngjarje përtej çdo arsyeje. Nuk është i pari rast dhe nuk do të jetë i fundit: kjo jo sepse “kështu ndodh në gjithë botën”, që është sërish një shprehje parashutë, e cila na nxjerr nga situata, duke harruar se shifrat e krimeve për frymë janë dëshmuese të një shoqërie që nuk po mëson të piqet dhe të nxjerrë mësim nga historia e saj. Ka të tjerë tregues kjo ngjarje, që dëshmojnë për thelbin që përpiqemi ta shmangim: si ka mundësi që një gjysh, që e ka rritur atë fëmijë, të shfaqet natyrshëm para kamerave dhe të mos arrijë të kuptojë përgjegjësinë e thellë të familjes në këtë krim? Si ka mundësi, që banorët përqark flasin për një familje të nderuar dhe një djalë që papritur i çuditi me gjestin e tij?

Përgjigja e shkurtër do të ishte: sepse një shoqëri e sëmurë nuk e dallon dot të sëmurin që ka para syve, sepse ai përsërit po të njëjtat veprime si të gjithë, bën të njëjtën jetë si të gjithë dhe reagon pak a shumë si të gjithë. Prandaj, jeta e tij nuk na çudit, sepse ai është njëri nga ne, një kriminel potencial i rritur në një shoqëri me probleme të rënda, që kthehet në “kriminel” vetëm kur bën aktin final, zbraz armën. Por, a arrihet deri të zbrazja e armës?

Ritvan Zykaj

Nëse do të donim të njihnim shkaqet e kësaj ngjarjeje, mund të provonim një pyetësor, në dukje të pafajshëm, për vrasësit mendjeftohtë. T’i pyesnim në dy nivele: si e ndërtojnë jetën e përditshme dhe si kujdesen për jetën shpirtërore. Pra, konkretisht, çfarë bëjnë sa hapin sytë? Me siguri shumica prej tyre do të thonë se shkojnë të pinë kafenë me kaçurrel a një gotë raki në klubin e fshatit. Në qofshin më të pasur e me prindër më zullumqarë, e pinë në bllok të shoqëruar me një pije më të shtrenjtë se rakia e rrushit. Po t’i pyesim se si e nxjerrin bukën e gojës, një pjesë e mirë do t’ia vënë fajin qeverisë, edhe pse vetë nuk e kanë marrë mundimin ta kalojnë klasën e katërt e të mësojnë të punojnë bahçen para shtëpisë, ose, nëse i kanë paratë me shumicë, do t’ju shesin mend se si bëhet paraja mal duke shitur motrën, komshien, gruan apo duke shitur drogë. Po t’i pyesim se çfarë muzike dëgjojnë, do të rreshtonin zhurmë Noizi, Stresi apo Kallashi. Po t’i pyesim se çfarë emisionesh shikojnë, do të përmendin të gjitha batutat e gallataxhinjve të ekraneve, që kanë ditur të përqeshin veten, pa ditur të stigmatizojnë e të turpërojnë veset e qelbura të kësaj shoqërie. Po t’i pyesim nëse kanë lexuar ndonjë rresht, do ta kuptojmë se kanë qenë potencial i gatshëm krimi i përgatitur nga vetë shoqëria jonë, që pasi i prodhon, i zbraz jashtë si jashtëqitje, duke dashur të pastrohet.

Thirrja e hapjes dhe mbushjes së çmendinave nuk na shpëton: ne vetë kemi kontribuar për të ngritur një Çmendinë gjigante. Kur Franco Basaglia, psikiatri italian, ia doli më 1978-ën të fitonte luftën për të miratuar ligjin e mbylljes së çmendinave, kishte në mendje ndërmarrjen e një hapi revolucionar të trajtimit të çmendurisë si një sëmundje që shërohet përmes komunikimit dhe jo përmes izolimit. Po kjo nënkuptonte një angazhim të madh shoqëror, jo një lënie në gjendje të lirë, duke e kthyer në barut mendjet e sëmura. Për Basaglia-n, mbyllja e çmendinave ishte vetëm hapi i parë që shënjonte fillimin e një këndvështrimi të ri ndaj shëndetit mendor, si një çështje të cilën shoqëria nuk mund ta shmangë me eliminimin dhe mbylljen, por duhet ta përballë me një angazhim total. Por, edhe pse revolucionar si hap, në një shoqëri si e jona mbetet utopi, sepse kërkon nga shoqëria pikërisht atë që i mungon: ndërgjegjësimin për detyrën.

E vetmja fushatë ndërgjegjësuese që pati efekt në shoqërinë amerikane ka qenë ajo kundër duhanit, gjë që bëri që duhanpirësit të shihen ende sot e kësaj dite në atë vend jo vetëm si dëmtues të vetvetes, por edhe si ndotës të ambientit e për më tepër të stigmatizohen për vesin e tyre. A nuk duhet ta kishte bërë me kohë një gjë të tillë edhe shoqëria jonë me pijanecët, kur rezulton se pas shumicës së krimeve në familje fshihet alkooli? A nuk duhet ta kishte etiketuar pijanecin si një figurë dështake, që prodhon dhunë, krim dhe degjenerim? A nuk do të kishte qenë e udhës që shoqëria dhe shteti të kishin marrë masa serioze për një dukuri të tillë, kaq karakteristike për Shqipërinë? Si ka mundësi, që kudo të shitet alkooli kaq lirshëm për adoleshentët, të porositet pa problem nëpër lokale, pa u kërkuar kartë identiteti, të mbyllen sytë kur gjimnazistët dehen paq netëve nëpër klube nate? Si ka mundësi, që një shoqëri që ka mbushur rrugët e botës me prostituta, nuk stigmatizon kofshët e gjoksin jashtë të gjimnazisteve në ambientet e shkollës dhe vend e pa vend në ekranet televizive? Çdo qeveri ka për detyrë të studiojë veçantitë e vendit dhe shoqërisë së saj, duke marrë masa konkrete në përgjigje të plagëve konkrete. Nëse lojërat e fatit apo klubet e lotove janë një çerdhe dembelizmi dhe lulëzimi vesesh, atëherë është detyra e shtetit të ndërhyjë me dorë të fuqishme. Por, natyrisht, kjo është si të heqësh pjesën e kalbur e jo të shërosh burimin e kalbëzimit.

Ajo çka përbën burimin është gjithnjë e më e vështirë për t’u evidentuar e gjithnjë më e pamundur të eliminohet. Edhe pse ne tashmë nga një shoqëri e kontrolluar me darë të hekurt, kemi kaluar në lirinë pa kufi e të keqinterpretuar, pa kaluar fazën kryesore, atë të ndërgjegjësimit dhe të civilizimit. Kemi keqkuptuar konceptimin e kufirit në emër të “emancipimit”, fjala e përditshmërisë në fjalorin e rinisë së sotme, ku çdo gjë është e lejueshme. Kjo lëvizje është kuptuar kundër çdo institucioni dhe pengese që vë kufi: familja si burg, shkolla kazermë ushtrie, puna tjetërsim dhe ligji si dhunë nga e cila duhet të çlirohemi. Por, si ta kuptojnë të rinjtë kufirin mes lirisë seksuale dhe abuzimit seksual e prostitucionit, mes përmirësimit të imazhit nga të meta të lindura dhe transformimit tërësor të paraqitjes, deri në tjetërsim dhe sëmundje; kufirin mes njohjes dhe mbajtjes nën kontroll të gjendjes emocionale dhe abuzimit me droga gjithfarë për të arritur gjithnjë kulmin e energjisë dhe të lumturisë; kufirin mes të qenit i dobishëm dhe të qenit i njohur, pa dalluar në është për të mirë apo për të keq; kufirin mes lirisë për të plotësuar dëshirat e tua dhe përgjegjshmërinë për të mos cenuar të drejtat e tjetrit?

Do të besoja se kemi filluar të kuptojmë, nëse do të kisha dëgjuar gjyshin e vrasësit që të merrte përgjegjësitë e të thoshte vetëm dy fjalë në ekran: kam dështuar me familjen time; të shikoja dy prindër që të kërkonin ndjesë për papërgjegjshmërinë në rritjen e një krimineli, ose, së paku, nëse flasim për një të sëmurë mendor, të kishin kërkuar ndihmë. Është e vërtetë që kapacitet mendore janë të ndryshme, por një familje, edhe pse nuk është e thënë të kultivojë mendimtarë dhe filozofë, e ka për detyrë të rritë qytetarë që respektojnë ligjin dhe detyrimet shoqërore. E kjo arrihet kur fëmijët rriten me dashurinë për të bukurën e për të mirën.

Nëse krimineli i drejtohet në rrjetet sociale kryeministrit të vendit, kjo nuk përbën asnjë çudi, përderisa e kemi ngritur vetë një platformë të tillë komunikimi, ku siç thotë Umberto Eco, ia japim fjalën në kuvend edhe të paditurit, edhe të pakultivuarit, edhe budallait, që dikur ia qepnin gojën edhe te klubi i fshatit. Jemi vetë ne ndërtuesit e një sistemi të tillë, pasojat e të cilit po vuajmë. Atë armë vrasësit ia fali politika e degjeneruar e gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ia mbushi padija e bërë mullar, që prodhojnë institucionet tona shkollore dhe ia zbrazi keqedukimi, apo më mirë mosedukimi, indiferenca familjare. Ai djalë është pasqyra që na nxjerr zbuluar, që ne nuk mund ta thyejmë dhe ta zhdukim as duke e kategorizuar si të sëmurë, as duke e varur e as duke e kalbur në burg. Ai është pasoja e jetesës që kemi ndërtuar, e cila nuk pasqyron vetëm atë që Niçja paralajmëroi një shekull më parë, rrënimin e vlerave njerëzore, por edhe të një indiference absolute. Nëse përpiqemi që këto tri instanca të një shoqërie, si familja, shkolla, shteti, të mos i vëmë para përgjegjësisë e ta kategorizojmë edhe kësaj here thjesht si një vrasje të radhës së një të çmenduri, atëherë le të presim në heshtje edhe vdekjen tonë./KultPlus.com

Kush e urren Kadarenë

Rexhep Shahu

Ismail Kadareja ka shkruar se Dantja është i pashmangshëm për planetin tonë të vogël, ka shkruar se Dantes nuk mund t’i iket siç nuk mund t’i iket ndërgjegjes. I bindur them se Kadaresë nuk mund t’i iket, nuk mund t’i shmangesh sepse ai tashmë është ndërgjegja jonë, ndergjegja jonë kombëtare, është pasaporta dhe identiteti i çdo shqiptari, krenaria e mburrja e çdo shqiptari jo analfabet dhe jo bir i urrejtjes, i çdo shqiptari jo shpirt shitur, i çdo shqiptari jo argat i djallit e të keqes që han bukën e vet e ban dertin e huaj. Edhe qortuesit më të mëdhej të Kadaresë, edhe kundërshtarët që e urrejnë sepse i fut nën hije, ua zë diellin dhe nuk i le të rriten, të gjithë armatat e mediokërve, armatat e lilipuëve hidhen me furi në sulme kundër Kadaresë të armatosur deri në dhembë me arsenalin e fjalëve të mësuara prej Kadaresë, me stilin shfarosës të Kadaresë.

Ai, atje në majë, qesh dhimbshëm dhe mendon se ende nuk kanë mësuar të shkruajnë letërsi këta kundërshtarët e mi të vobektë që mendojnë se janë të mëdhej por nuk punojnë për t’u bërë të mëdhej. Kadareja është bërë tashmë ndërgjegja jonë, krenaria jonë, është bërë i pashmangshëm për ne dhe për letësinë botërore, është bërë sundues, është bërë “tiran” për “armiqtë e kundërshtarët e tij”, është bërë ‘i padurueshëm”, po ua zë diellin gjithë kundërshtarëve.

Por ata që nuk e durojnë Kadarenë dhe nuk ngopen edhe sikur ta shohin të coptuar, që knaqen sikur atë ta mbulojë harrimi, si armatat e pafundme të mediokërve që shkruajnë letërsi për të kompensuar dashurinë që s’e patën kurrë ose për të kërkuar famën, që s’e mbërritën kurrë në jetë me punët e bëmat e tyre si ushtarë të partisë apo oficerë aktivë e rezervë të ish sigurimit të shtetit apo të shërbimeve sekrete të huaja, famën që i përbuzi me neveri, ata e kërkojnë famën në letërsi, bëhen adoleshentë e dashnorë të shpifur në poezi, ose pleq që u ka ikë treni dhe duan të rendin pas trenit me të cilin u ka ikë e dashura por s’kanë këllqe të bëjnë as dy hapa vrap se ju del gjuha një pash.

Kadarenë e urren Serbia, e urrejnë shërbimet e fshehta të saj, e urrejnë komunistët shqiptarë që janë rracë në zhdukje (s’kam asgjë si njerëz por si mendësi, si filozofi), dhe ish sigurimi i shtetit shqiptar që i ka ngulë rrënjët thellë në të ardhmen tonë. Sulmi ndaj Kadaresë është melodi serbe, është i frymëzuar nga qarqe serbe, i orkestruar nga qarqet serbe, është histeri serbe, është hakmarrje serbe. Për shkak të qëndrimeve dhe përplasjeve të Kadaresë me serbët në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar, në mbrojtje të Kosovës dhe shqiptarëve dhe ndëshkimin e dhunës serbe. Nuk duhet që letërsia shqipe të ketë Nobelist, nuk duhet që gjuha shqipe të ketë një Nobelist, thonë serbët se pastaj edhe gjuha e letërsia shqipe do të hyjnë në rangun e kulturave të mëdha. Nobelistë duhet të ketë Serbia se ata mendojnë se janë gjuhë e madhe, popull i madh, letërsi e madhe. Ata serbët bëjnë letërsi të madhe, ata kanë nxjerrë Nobelistë, an ipse Nobelistë autor platformash shfarosëse ndaj shqiptarëve.

Në korin e korbave shqiptarë anti Kadare përçohet kjo deshirë serbe. Shqiptarët janë gati ta vrasin njëri – tjetrin që të mos jetë asnjë më i madh se tjetri. Shqiptarët që shkruajnë libra, libra që duhen djegë për shkak të cilësisë së dobët, për shkak se janë anti libra që duhen ndaluar për të mos e përllomë edhe më keq mjedisin dhe shijet e lexuesve, janë më të zellshmit kundër Kadaresë. Në fakt, si dritëshkurtër që janë, ata anti Kadaretë nuk janë kundër Kadaresë por janë kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve se ashtu duan serbët. Janë kundër gjuhës shqipe, kundër letërsisë shqipe. Por dritëshkurtërit nuk e dinë ose e dinë por duan të bëjnë ashtu, që duke sulmuar Kadarenë të sulmojnë shqiptarët, gjithë shqiptarët e globit, gjithë shqiptarët në hapsirën e tyre jetike. Dhe jo pak herë kemi dëgjuar të thuhet se “serbët kanë letërsi të madhe…”.

Po, kanë, dhe ne nuk na ka ardhë keq kurrë pse kanë letërsi të madhe, pse kanë Nobelistë edhe Nobelistë antishqiptarë të zellshëm. Por ne si shqiptarë nuk jemi kundër serbëve, ne jemi kundër tonëve, jemi kundër vetes tonë, edhe pa e ditur edhe duke e ditur se veprojmë për llogari të serbëve, nuk duam askënd në mesin tonë, matemi sejcili me hijën e mengjesit, matemi sejcili me Homerin, Danten, Xhojsin, matemi me Kadarenë që tashmë është bërë i pashmangshëm nga jeta jonë, nga kujtesa jonë kombëtare, nga memoria jonë, për të mos thënë se është bërë memoria jonë, është ylli në pasaportën tonë kombëtare me Nënë Terezën e Skëndërbeun se ai ka shkruar historinë tonë në letërsi.

Një popull që e ka të shkruar historinë në letërsi, ai popull nuk vdes sepse historia e mirëfilltë shkruhet nga letërsia Shajmë e kritikojmë Kadarenë me fjalët që i kemi mësuar prej Kadaresë, me stilin që kemi mësuar prej Kadaresë. Shajmë Kadarenë dhe harrojmë se letërsia e Kadaresë është përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës dhe është pëlqyer, pranuar, lavdëruar jo prej çobanëve të botës apo lexuesve çobanë por prej ekspertëve, prej figurave më të mëdha të letërsisë, prej popujve që lexojnë dhe që kanë kult librin, prej popujve që quhen popuj libri. Duke sharë Kadarenë për llogari të serbëve, sharësit mendojnë se maten me Kadarenë, mendojnë se bëhën të famshëm si ai duke u marrë me Kadarenë dhe presin që ai t’u thotë se më mirë po marr në dorë një kovë me mut se sa po u përgjigjëm ju sharësve të porositur e me pagesë ndoshta prej Serbisë. Kadarenë e shajnë komunistët e zellshëm shqiptarë, më të paditurit, më idiotët, gjithë komunistët të cilët e kanë parë gjithmonë Kadarenë si armik në radhët e partisë, si armik të brendshëm por që s’kanë patur çfarë t’i bëjnë, thjeshtë janë detyruar ta lexojnë e bile bile ta mësojnë përmendësh për të gjetur në rrjeshta e mes rrjeshtave armikun e partisë.

Kadarenë e shajnë komunistët, ata komunistë që kanë menduar se e kanë të tyrin e të partisë së tyre dhe ndjehen të tradhëtuar prej tij, kur në fakt Kadareja i tyri nuk ka qenë kurrë, kurrë. Ia përmendin poemat për partinë, për komunizmin, për stalinin etj etj, që ai i ka. Por edhe ato i ka art të vërtetë. Por i ka haraç që ka paguar për jetën e vet se diktatura kërkonte domodo haraç që ta linte gjallë. Komisioni i Nobelit dhe anti Kadaretë nuk arrijnë ta kuptojnë këtë gjë, këtë marrëveshje, këtë kontratë. Inatin e kanë me Kadarenë, inat që s’e kalb dheu kurrë, se Kadareja si askush ia ka bërë autopsinë diktaturës, komunizmit.

Komunistët të gjithë e shohin veten tek Nëpunësi i pallatit të ëndrrave e disa duan vërtetë të jenë, ndjehen të lumtur të jenë e disa kanë turp, disa kanë frikë mos identifikohen. Rrinë dhe ia kujtojnë Kadaresë një e dy se ka qenë shkrimtar i diktaturës. Po çfarë të bëjë ai që i ra të jetojë atë kohë, atë periudhë historike. Por edhe pse kanë kërkuar edhe letrat në koshat e nevojtoreve, nuk kanë mundë t’i gjejnë Kadaresë flirte me diktaturën e tiranët e vendit. Diktatura është dridhë prej Kadaresë dhe Kadareja është dridhë prej diktaturës, – kjo ishte epoka. Dostojevski – ndërgjegja apo pasqyra e shpirtit rus kur ishte në pranga, në galerë në Siberi, i dënuar me vdekje prej Carit, ndërsa ishte i pafajshëm, i thur një ditiramb të famshëm Carit me një pendesë të thellë si puthje dore për ndëshkimin që ia kishte bërë (sipas Cvajgut).

Populli rus kurrë nuk ia përmendi, kurrë nuk ia bëri të madhe këtë gjë Dostojevskit të vet. Sepse ai është popull i Dostojevskit, ndërgjegje e tij. Ne nuk ngihemi kundër Kadaresë dhe jemi gati të paguajmë që të zhduket e të mos ekzistojë më çmimi Nobël, vetëm e vetëm të mos e marrë Ismail Kadareja, shkrimtari i famshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare, shkrimtari që ka shkruar si askush historinë shqiptare dhe shpirin shqiptar, shkrimtari që i ka bërë avokati si rrallë kush çeshtjes kombëtare shqiptare. Cinizmi e dashakeqësia e kumunistëve është e jashtëzakonshme, urrejtja është e përjetshme, Akademia e Nobelit nuk e kupton këtë se duke nderuar Kadarenë ka ndëshkuar diktaturën më të egër në Europë, diktaturën më të shpikur.

Duke nderuar Kadarenë, nuk kuptojmë se do të nderohej rajoni ynë i vogël që është sa një lagje Europe. Duke nderuar Kadarenë do të nderohej gadishulli Ballkanik. Duke urrye Kadarenë do të vazhdojmë të mbetemi gadishulli i urrejtjes edhe për shumë kohë. Kadarenë e urren për vdekje ish sigurimi i shtetit. Sepse ish sigurimit të shtetit Kadareja i ka thënë se nderi i atdheut nuk është te vrima e shurrës së vajzave e grave shqiptare. Se po të jetë nderi i shqiptares aty do të thotë që ai nder është i pistë sepse aty pshurret dhe i vjen era shurrë. Dhe nderit të shqiptarit nuk duhet t’i vijë era shurrë, ani se lejohet t’i vijë era hajni, mashtrim, tradhëti, besë prerje, mos mbajtje fjale e bese, shpifje, etj etj. Ish sigurimi e partia e komunistëve ushqeu popullin me idenë se nderi është te vrima e shurrës dhe nuk është e pandershme të tradhëtosh atdheun, të gënjesh e të mashtrosh, të vjedhësh, të presësh në besë, të shpifësh, të spiunosh vëllanë, motrën, gruan, babën, nënën, e të bësh një mijë e një të zezat e tokës. Alfred Nobeli po të ishte gjallë do të ndjehej i turpëruar me mosvlerësimin e Kadaresë.

Ai çmim ka nevojë për Kadarenë sepse Kadareja përfaqëson një gadishull ku urrejtja është lulja që gjindet gjithkund në këtë rajon, gjendet në gjithë tavolinat e zyrave të shtetarëve të këtij rajoni ku jetojnë njerëz që “n’mëni të shoi-shoqit kemi le” siç thotë kandidati i parë shqiptar për çmimin Nobël, Gjergj Fishta, i quajtur Homeri shqiptar./KultPlus.com

Pak femra, shumë plastikë… Shumë meshkuj, pak burra!

Nga Holta Heba

Keqardhja sa vjen dhe shtohet kur sheh se femrave të sotme i ka humbur pastërtia dhe dlirësia shpirtërore e fizike.

Kanë humbur gjithçka.

Të gjitha gati njësoj.

Të mbushura me botokse e ndërhyrje kirurgjikale me qëllimin e vetëm për të qenë moderne dhe të pranuara nga kjo shoqëri që me keqardhje po i kthen femrat në imituese të shëmtuara të ashtuquajturave femra seksi.

Janë aq shumë njësoj sa hera-herës të krijohet përshtypja se i ka lindur e njëjta nënë.

Në imitimin më të shëmtuar të buzëve si patë apo si viç, me takat 12 pond, të lyera rëndë që në pikë të mëngjesit, nisin ditën e tyre.

Të merr malli të dëgjosh një femër që flet qartë dhe pastër për një problem aktual të shoqërisë ku jetojmë.

Mjafton t’i bësh një pyetje të thjeshtë dhe ato nuk do dinë të hapin gojën.

I pyet se ç’mendim kanë për modën e kësaj vere të nxehtë dhe ato të përgjigjen: E pe atë që doli te Çani dje?

I pyet se ç’libër do të lexojnë këtë verë dhe ato të përgjigjen: Të shohim ç’po ndodh tani në facebook.

A kanë ideal?

Patjetër që kanë?

Të bëjnë një jetë si nëpër videoklipet e Noizyt dhe Stresit.

Dëshira e madhe e tyre për të qenë të ashtuquajtura moderne i kthen në skllave të shëmtimit shpirtëror dhe fizik.

Plastike jashtë dhe plastike brenda, ato nuk zgjedhin më djalin inteligjent dhe punëtor, por djalin që duket i fortë dhe i pushtetshëm në këtë shoqëri me lekët dhe makinën e babit.

Harrojnë këto femra se njeriu ka një staturë të vetën dhe e krijon atë në mënyrë individuale dhe kështu me dashje apo pa dashje, veshjen dhe sjelljen e kthejnë në diçka kolektive.

Në kolektive kthejnë dhe ndjenjat e tyre.

Jetojnë për të tjerët.

Nuk quhesh më vajzë trendy nëse nuk nxjerr në rrjetet sociale foto me tufën e luleve, mundësisht më të madhe se shoqja, ushqimet nëpër restorante dhe pushimet në jug.

Të përvillet kur sheh se sa shumë femra dalin nga vetja e tyre dhe krijojnë këtë vetveten “në thonjëza” që nuk ka lidhje fare me prejardhjen dhe formimin e tyre.

Intrigojnë pafundësisht për të arritur atë që duan.

Madje dhe puthjen dhe përqafimin e të ashtuajturës dashuri e japin të mirëprojektuar me plan pune të paracaktuar.

Shiten si të vërteta, kur në fakt janë thjesht një falsë e dhimbshme e shoqërisë.

Janë gati të ndyjnë çdo njeri që u del parpara vetëm e vetëm për të arritur aty ku duan.

Lyhen dhe zhgërryhen për të shkëlqyer, por në fakt vetëm shtojnë pisllëkun.

Zhyten në pisllëk dhe harrojnë normat e shoqërisë.

E ç’ rëndësi kanë normat dhe etika për to?

Rëndësi ka të duken bukur dhe të ngulen fort diku, por këtë herë me këmbë në makinën lluksoze dhe jo me këmbë në tokë.

A ka femra të mençura që nuk bien pre e papastërtive shoqërore?

Sigurisht që ka, por janë pak.

Meshkujt sot…

Nëse do të kthejmë kokën disi pas në kohë, do të shohim se figura e burrit ka ndryshuar shumë.

Dikur një mashkull i vërtetë ishte ai punëtori, zjarrfikësi, makinisti kasapi etj me duar të pista dhe gjithë djersë.

Një mashkull i vërtetë nuk binte pre e thashethemeve të grave dhe fliste shumë pak.

Sot?

Me dhimbje ndihet se gjërat kanë ndryshuar.

Dashtë zoti të mos bëhesh pjesë e thashethemeve të një mashkulli se të bëhet një analizë që as ti vetë nuk do ta kishe menduar.

Mashkullit të sotëm i mungojnë mustakët dhe të qenurit leshtor.

Madje sot ai është edhe më i kuruar, me vetulla të hequra dhe më i depiluar se vetë femrat.

Mashkullit të sotëm i mungon fraku dhe veshja mashkullore.

Ato janë zëvendësuar me streçe dhe këmisha mëndafshi me lule.

Pantallonat e kostumit janë bërë treçerekëshe dhe këpucët fosforescente si balerina.

Ti nuk arrin të kuptosh se ku dallon femra nga mashkulli i ditëve të sotme nëse do t’i shohësh nga koka tek këmbët.

Për të nuk ka më rëndësi se si ndihet personalisht me femrën që ka në krah, por se si e shohin të tjerët.

Sa më e zhveshur dhe e stukuar të jetë femra e tij, aq më i pushtetshëm duket ai përpara të tjerëve.

Nuk kam asgjë kundër modës, por edhe modernizmi ka kufij.

Nuk mundesh ti që nuk di të lidhësh dy fjalë të jesh i mirëpranuar nga shoqëria vetëm se lekët e babit të bëjnë me një makinë luksoze.

Nuk mundesh ti të jesh mashkulli ideal kur nuk investon për veten me shkollim dhe me punë.

Po, po, meshkuj ka plot, por burra thuajse fare!!

“Në një moment të gjithë u bëmë autorë dhe krijues”

Shkruan: Nezir Kraki.

Në sallonet letrare të fejsbukut vlonin poezitë e shkrimet filozofike. Çdo fjalë, sado naive dhe e keqshkruar të ishte, shpallej fjalë e urtë dhe krenarisht n’publik dilte. Botoheshin edhe libra për t’u fotografuar me to dhe në to, jo për t’u lexuar. Shumë autorë të tillë, nga urgjenca e dukjes intelektuale, s’gjenin kohë as për t’i lexuar librat që mbanin emrin e tyre. Shpërndahej epiteti ‘shkrimtar’ siç shpëndahen bukët e nxehta në furrë.

Por…s’kaloi shumë kohë dhe një lodhje sikur i kapi të gjithë. U hetua që, në fakt, të gjitha krijimet po shkonin huq…sepse s’kishte më lexues. Tensioni u rrit kur u kuptua se madje edhe autorët e denjë për këtë emër kishin mbetë pa lexues. Edhe lexuesit e tyre, duke mos e dalluar lirinë e shprehjes nga liria e krijimit, shkruanin, ishin bërë autorë edhe ata.

Aty u kuptua se cikli ishte mbyllur.
Lufta lexues-autorë nxori fitues autorët.

Gjithë ato shkrime, libra, poezi e krijime mbeten pa u lexuar.

A të bëhëmi prapë lexues dhe t’i shpëtojmë krijimet e mirëfillta?

Jam i bindur se pas leximit edhe ne do shkruajmë më mirë, më thjesht, më shkurt dhe sidomos më sinqerisht.
***

P.s. Realisht, jam fort dakort me guximin e disave. Shume mire nese secili krijon diçka. Krijimi eshte pasoje e mendimit. Ky tekst eshte me shume thirrje per mendim me te gjate e me te thelle para krijimit. Se krijimi nuk do nguti. Keshtu kam lexu diku se as vet krijues nuk jam. Jam lexues.

Ju lutem prindër, kontrolloni fëmijët çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë

Shkruan: Sidrit Bejleri

Nuk është hera e parë që e them:

Ju lutem prindër, kontrolloni fëmijët çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë, sepse këtu zë fill brumosja e tyre dhe ajo çfarë do bëjnë në të ardhmen.

Po ju serviret “muzikë” që nuk është muzikë, nga njerëz që i thonë vetes “artistë”.

Tekste bastarde që i “shkruajnë” tipa që dyshoj në dinë të shkruajnë edhe emrin e tyre. Kuptojeni një herë e mirë që ata duan të shesin “muzikën” dhe “tekstet” e tyre, por po shkatërrojnë brezin e sotëm dhe jo vetëm. Fëmijë dhe adoleshentë që këndojnë me shpirt llumin që përçohet nga tregtarë të shpifur që në thelbin e ditës së tyre kanë vetëm paranë, duke harruar se kanë fëmijë vete ose do kenë një ditë.

Po na krijojnë modë dhunën, po na i thurin lavde drogës, prostitutave dhe lakuriqësisë. Po mundohen të na mbushin mendjen se e keqja është e mirë,

se alkoli dhe droga të burrërojnë, se imoraliteti duhet të jetë kult i ditëve tona duke harruar që familja është e shenjtë dhe një ditë nuk do donin as ata që t’u cënohej.

Sot gjykoj si prind, por edhe si një person që para pothuaj 20 vitesh isha në moshën e atij djali që mbrëmë ndërroi jetë nga një zënkë banale…

Nuk do i uroja askujt të ishte në vendin e familjes së viktimës ose të vrasësit!
Kontrollojini që në fëmijëri!

Muzika është profesioni im dhe ndikon shumë, më besoni. Mesazhi i saj kthehet në mënyrë të jetuari dersa njeriu fillon dhe kupton realisht, pra piqet!
Të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë.

Gjërat e mëdha bëhen duke filluar nga të voglat!
Drejtojini tek e Vërteta, larg gënjeshtrave të përditshme që gjenerojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim të vlerave!

Helmimit të trupit edhe mund t’ja gjejmë ilaçin, por helmimi i shpirtit vetëm në një vend e ka shërimin…

Me dashamirësi,

Sidrit Bejleri

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët?

Nga Marin Mema

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët? Qoftë edhe një pjesëz të vogël nga ato dengje të pafundme që disa kanë mbledhur…

Sigurisht që jo sepse politika është kthyer për shumicën në mjet përfitimi që s’ka asnjë lidhje me dëshirën e vërtetë për të zhvilluar vendin e për ti dhënë frymëmarrje të gjithë pasurive që ai ka.

Kjo është e vërteta që këlthet e që çdokush prej nesh e ka provuar mbi shpinën e tij. Ndaj nuk ka interes të përkujtohen siç duhet patriotët, rilindasit, figurat e mëdha të kombit sepse në fakt ata risjellin në vëmendje një periudhë tërësisht të ndryshme, një kohë kur mbi të gjitha qëndronte kombi, ndryshe nga sot, kur i njëjti komb shikohet për ta rrjepur./KultPlus.com

“Eja rregullojmë shtëpinë, se mos vjen njeri”, 10 shprehjet që nuk u thuhen fëmijëve

Nga Klodiana Beshku

Disa shprehje nga jeta e përditshme, të cilat nuk do të doja t’ia thosha fëmijës sim.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të ndryshojë; krahas nevojës për një sistem vlerash të riunifikuar, ajo ka nevojë edhe për një ndryshim të mentalitetit.

Sipas studiuesve të shkencave sociale, mentaliteti është më i vështiri për t’u ndryshuar, e këtë sidomos psikologët e dinë mirë.

Duke qenë se, siç do të thoshte Giddens-i, janë fjalët ato që kthehen në mendime, mendimet në vlera, vlerat në sjellje, sjelljet në norma e normat në kulturë, ndonjëherë mund të fillojë ndryshimi nga vetë përdorimi i ligjëratës me fëmijët tanë, nëpërmjet dekonstruktimit të zhargonit të përditshëm.

Në këtë mënyrë do të kishim një shoqëri më pak konfliktuale, me një sistem të homogjenizuar vlerash, ku antivlerat nuk do të ishin virtyte të “të fortit”, ndërsa vlerat tipare karakterizuese të “të dobëtit”.

(Një reflektim dekonstruktivist)

Është interesant fakti sesa mund të thotë për një individ mënyra e të shprehurit apo ajo e të shkruarit.

E njëjta gjë ndodh edhe me shoqërinë apo me grupet shoqërore.

Ka disiplina të shumta, si për shembull sociolinguistika, psikologjia konjitive, konstruktivizmi e strukturalizmi të cilat, të aplikuara si qasje në disiplina të ndryshme, mund të thonë shumë gjithashtu për një shoqëri apo popullsi të caktuar.

Në këtë drejtim arsyetonte qysh përpara një shekulli Faik Konica, i cili vërente se “Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.

Nën këtë vazhdë mund të gjejmë shumë syresh, si për shembull: “Po ha bukë” (e jo drekë ose darkë), togfjalësh i cili mund të jetë formuar si rezultat i vakteve të varfra e me bazë bukën e përditshme të popullit tonë.

Ka shumë shprehi të kësaj natyre, të cilat bashkëjetojnë me ne e na janë bërë aq të mirëqena, sa shpeshherë nuk i vëmë re fare.

Në përdorimin e përditshëm ka shumë të tilla, të cilat të ngërthyera në përdorimin e përditshëm, nuk janë vetëm subjekt anekdotash e batutash, po mund të ndikojnë sadopak në formimin kulturor të fëmijëve tanë.

Nëse shoqëria shqiptare do t’i adresohej një psikologu, një psikologu të zotë ama, kam përshtypjen time imagjinare se ai, pasi t’i bënte një analizë frojdiane pacientit-shoqëri, do t’i thoshte se duhej të kuptonte më mirë raportin me prindin-shoqëri.

Nisur nga ky reflektim, mund të thuhet se prindërit shqiptarë u kanë përcjellë fëmijëve të tyre, shpesh me naivitet e pa dashje, disa thënie të cilat mund të jenë kthyer më pas në vargonj të ndërgjegjes të gjithsecilit prej nesh, duke krijuar individë të vrazhdë, të ngrysur, intaçinj, ziliqarë e ambiciozë deri në anulimin e tjetrit.

Janë disa thënie të jetës së përditshme, të cilat unë do të mundohesha t’ia evitoja së thëni fëmijës tim, pikërisht për nivelin e lartë të manipulimit kulturor e individual që ato fshehurazi mbartin, si për shembull:

1. “Shikoje filanin/filanen, vajzën e filanit/filanes se sa mirë është me mësime, sa mirë sillet/vishet/kërcen/pikturon/i bie një vegle muzikore etj.”

Ky lloj krahasimi nuk nxit, ose më mirë jo vetëm nxit fëmijën për të vepruar ashtu siç duhet, por e vendos fëmijën në një konkurrencë të vazhdueshme, e cila nuk është gjithnjë e shëndetshme.

Fëmija nuk mësohet t’i bëjë këto veprime për të qenë i realizuar me veten, por për të dalë “i pari” në garën e padukshme në të cilën e ka vendosur prindi, pra në të ardhmen për të tjerët.

Risku është se, nëse dikush ia kalon, ai do ta vendosë veten përsëri në garë me dikë tjetër e do të mbetet keq e i palumtur nëse nuk e fiton garën.

Ky krahasim i vazhdueshëm, besoj, ka bërë atë që në shoqërinë shqiptare të ekzistojnë togfjalësha të tillë si: “u bë ky që erdhi nga andej apo nga këtej” apo u bë kjo që “deri dje ishte e bija/i biri i filanit (i një njeriu të thjeshtë)”.

Si pasojë, ndodh që në shoqërinë shqiptare të mos besohet a vlerësohet arritja nëpërmjet “ashensorit social”, produkt i globalizmit të epokës aktuale, por të mbetemi peng i paragjykimit apo inatit të ngushtë personal ndaj çdo arritjeje apo suksesi të tjetrit.

2. “Të mbajmë në rregull shtëpinë se mos vjen njeri”, “të vishesh e të mbahesh se mos takojmë njeri”, “të sillesh me edukatë se mos të sheh njeri” etj.

Bëhet fjalë për këshilla shumë të vlefshme e të dobishme, por këtë “njeriun” si nuk e pamë ndonjëherë?!

“Njeriu” është një nocion abstrakt i cili më konkretisht do të përkthehej:

“Ki mendjen se ç’mund të thonë të tjerët për ty”.

E kështu, “të tjerët” kthehen në vetë-veten dhe ndarja bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Ti jeton për të tjerët, vepron për të tjerët, ke sukses që ta shohin të tjerët, krijon familje që të jesh në rregull me të tjerët.

Presioni social i vazhdueshëm bën që, edhe pasi t’i kesh realizuar qëllimet që i ke vënë vetes (për të tjerët), përsëri të mos jesh asnjëherë plotësisht vetvetja: fasada dhe maska bëhen po aq të rëndësishme sa vetja.

Shoqëria shqiptare është plot me individë, të cilët edhe në moshë të pjekur sforcohen të mos tregojnë qoftë edhe një dobësi të vogël në publik, pasi vigjilenca e tyre, e stërvitur mirë qysh në fëmijëri, nuk ua lejon këtë.

Në epokën e rrjeteve sociale apo të “selfie”-ve, të kësaj shpikjeje të re të njerëzimit, e cila na lejon t’i tregojmë botës atë se si ne duam që ajo të na shohë ajo, bëhet akoma e më i dukshëm ky transformim psikologjik.

3.“Mos qaj, çunat nuk qajnë, vetëm gocat qajnë. Pse, gocë je ti?!”

Nuk besoj se ka shprehje e cila të mund të ushqejë më shumë maskilizmin e vrazhdë shqiptar sesa kjo.

Një fëmijë, djalë, i vogël ose i rritur qoftë, nuk mund të përlotet, nuk mund të humbasë, nuk mund të dështojë në jetë.

Vetëm vajzave mund t’u ndodhë kjo.

Si rrjedhojë, ndodh që meshkujt shqiptarë mospërlotjen e kanë si tregues të burrërisë së tyre, ndërsa çiltërsinë e të sjellurin me kulturë e quajnë dobësi, një dobësi e cila “u shkon” vetëm femrave.

Presioni shoqëror ndaj meshkujve shqiptarë vepron fort, shpesh më fuqishëm se ndaj femrave, ndonjëherë deri në pikën që, për t’i konfirmuar vetes “burrërinë” e tyre, ata arrijnë deri në dhunë fizike ndaj femrës, derisa ta shohin atë të qajë, në fund të fundit, siç i takon.

4. “Mos dil se vajzat e mira nuk dalin, vajzat e mira nuk kthehen vonë, vajzat e mira gatuajnë për vëllain/babain ose bëjnë punët e shtëpisë”.

Te këto shprehje nuk janë për t’u kritikuar dhe aq këto këshilla apo porosi të cilat ushqejnë ndarjen stereotipike gjinore mes femrave/meshkujve, aq sa mund të vihet në dyshim togfjalëshi “vajzë e mirë”.

Kush e vendos kur është e mirë një vajzë?

Sipas cilave rregulla mund të jetë e mirë një vajzë?

Kujt i duhet një vajzë e mirë?

Vajza është e mirë atëherë kur ajo është në përputhje me kornizat shoqërore?

Po një vajzë e përkushtuar ndaj vetes apo shoqërisë, nuk është e mirë?

Një shkencëtare, studiuese, aktore, muzikante apo revolucionare, e cila nuk gatuan apo pastron, nuk është e mirë?

Një femër e pamartuar, e divorcuar, e rimartuar, e cila ka refuzuar t’i shërbejë një mashkulli për gjithë jetën pa marrë asgjë në këmbim, mos vallë nuk është e mirë?

Në vend të vendosim kategori të tilla abstrakte, përse të mos promovojmë “njeriun e mirë” e jo “vajzën e mirë” apo “djalin e fortë”?

5. “Mos ia jep këtë lodër atij fëmijës tjetër se e thyen, mos ia lër biçikletën tënde se ai/ajo e prish, mbaje fort këtë gjënë tënde se është e jotja”.

Unë do të doja që, në të kundërt, t’i mësoja fëmijës sim konceptin e “të ndarit” me të tjerët.

E para për arsyen se të mirat materiale nuk mbeten të tilla përjetë, ato prishen, oksidohen, thyhen e copëtohen për shkaqe të ndryshme, shpesh edhe natyrore, si rrjedhojë, pasi të mbetesh pa këtë të mirë materiale, ke mbetur edhe pa shokun/shoqen të cilit ia refuzove atë.

Në këtë botë ka gjasa të mbetesh pa disa të mira shpirtërore, të cilat janë shumë të lira, kushtojnë pak, por të bëjnë të lumtur.

E dyta, për një arsye shumë të thjeshtë: Nëse njerëzit që të rrethojnë nuk kanë ose nuk janë të lumtur, as ti vetë nuk mund të jesh plotësisht i lumtur.

Kjo ngjan si puna e të bardhëve të pasur në Kongo, të cilët jetojnë në shtëpi luksoze pak metra nga lagjet e varfra kongoleze afrikane.

Ata nuk mund të ndajnë asgjë me fqinjët e tyre, përkundrazi, jetojnë me frikë prej tyre gjatë gjithë kohës.

6.“Ti je më i miri/e mira, më i zgjuari/e zgjuara, më i bukuri/e bukura në kopsht/shkollë/farefis apo mëhallë”.

Unë kam përshtypjen se ky lloj etiketimi veçse e bën fëmijën të krijojë një imazh të shtrembëruar për vetveten dhe kur ky imazh nuk përkon me atë që të tjerët mund të kenë për të në të ardhmen, mund të gjenerojë një sërë problemesh.

Me këtë nuk dua të them se fëmijës duhet t’i mungojë vetëbesimi apo nuk i duhet ushqyer ai, por ky vetëbesim duhet të jetë i ekuilibruar e me masë.

Në vendin tonë ka një numër të madh individësh të cilët janë të bindur se shumica e atyre që i njohin i kanë zili, i urrejnë apo nuk bëjnë gjë tjetër veçse merren me ta.

Për këtë, mjafton një sondazh me sy të lirë në rrjetet sociale.

Mjafton të vëresh me kujdes pohimet në lidhje me veten nga individë të publikuara në muret private.

Më e bukura është se këto lihen të hapura enkas që t’i shikojnë “ziliqarët”.

7.“Jepja lodrën vëllait/motrës se është më i/e vogël ose hapi rrugë vëllait/motrës se është më i/e vogël”.

Shoqëria shqiptare është një shoqëri tejet emocionale e pak racionale.

Me thënie të kësaj natyre veçse ushqehet më tepër përdorimi i “zemrës” në vend të “mendjes”, duke zgjeruar fushën e aplikimit të emocionalitetit në vend të racionalitetit në shoqërinë tonë.

Do të ishte më mirë, ndoshta, që më të voglit t’i “hapej rrugë” nëse ai kishte të drejtë, jo sepse është thjesht “më i vogël”, po kështu edhe më të madhit apo më të “fuqishmit”.

8.“Dëgjoje vëllain/motrën se është më i madh ose bëj atë që të thotë ai/ajo”.

Këtë thënie nuk e gjykoj të drejtë për të gjitha arsyet e shprehura në pikën më sipër, por gjithashtu kësaj i shtohet edhe një argument tjetër në disfavor të përdorimit të saj; ai i nënshtrimit ndaj autoritetit, edhe nëse ky autoritet nuk është legjitim apo abuzon me pushtetin e tij.

Kjo thënie, e ngulitur në shoqërinë shqiptare qysh nga fëmijëria e hershme, nuk është dhe aq naive sa duket.

Ajo mbart një sërë derivatesh të tjera të tipit: do të bëhet kështu se kështu them unë, babai ka gjithnjë të drejtë, e si rrjedhim xhaxhai apo daja etj.

Në një shoqëri patriarkale, autoritariste e bajraktare, përdorimi i këtyre shprehive duhet të dalë jashtë përdorimit për arkaizëm e dëmtim të personalitetit.

Argumentimi i përse-së ndoshta do të ishte një alternativë më e mirë në këtë rast.

9.“Mësuesja/mësuesi të vuri katër ose të la roja e shkollës jashtë orën e parë”.

Kjo është paksa si puna e trenit të Konicës.

Mendoj se në shprehje të tilla duhet të zëvendësohen medoemos foljet në trajtën pësore të tipit: “Ti more katër ose ti mbete jashtë orën e parë”.

Në këtë mënyrë diskursi bëhet me realist dhe te fëmija përcillet ideja se ai është vetë farkëtar i veprimeve të veta dhe pasojat si rrjedhojë e veprimeve ose mosveprimeve të tij bien vetëm mbi të.

Kjo do të reflektohej më pas te qytetarët e nëpunësit e ardhshëm të kësaj shoqërie, të cilët do të ishin më të përgjegjshëm në veprimet e tyre.

10.“Kë do më shumë, mamin apo babin?”

Për mendimin tim kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet një fëmije të vogël dhe njëkohësisht pyetja më absurde që mund t’i bëhet një fëmije pak më të rritur, i cili mund të ketë tendencën që të përgjigjet ashtu siç mund t’i volitet më mirë për momentin.

Kjo pyetje ngulit te fëmija idenë e pabarazisë sipas së cilës, prindërit mund edhe të mos i duash njësoj e në të ardhmen edhe vetë njerëzit mund të mos jenë të barabartë.

Duke qenë se zakonisht duhet më shumë ai që sjell më shumë dhurata në shtëpi apo ai që rri më pak me fëmijën dhe si rrjedhojë e argëton atë më shumë (në rastin shqiptar këtë rol e luan kryesisht babai), fëmija mund të mësojë të preferojë gjithnjë fitimtarin, argëtuesin, njeriun e zotë, liderin, sesa të nënshtruarin, përkujdesësin dhe njeriun që të rri më pranë./ Psikologjia/ KultPlus.com

Në kujtim të Bekim Lumit, rrebelin që e përzunë nga provinca

Diku kah mbramja e 20 qershorit në një dhomë në fund të korridorit në të majtë kur futeshe në katin e dytë të Spitalit Amerikan në Prishtinë, shkova ta vizitojë një shok timin që kishte operuar krahun. Llaf pas llafi mora vesh se në dhomën përballë, luftonte Bekim Lumi me sëmundjen e keqe.

Shkruan: Uran Haxha

Dola n’korridor prej dhomës ku ishte shoku dhe thash të provoj me e pa mas një kohe relativisht të gjatë, që vetëm kisha komuniku virtualisht. Në korridor e takova motrën e tij të vogël. Dihej që ishte motra e tij, ngaqë kokërdhokët e syrit që i kishte dallues në fytyrën e tij Bekimi, ishin pothuajse të njëjtë te motra e tij. Fola me të pasi u prezantova. Mora vesh se çdo zhurmë në korridor i pengonte dhe e dëgjonte.

Më pas u afrova ngadalë tek dritarja e derës në dhomën e tij. Dhoma ishte e errët, pakëz dritat e aparaturave mjekësore e zbulonin profilin e tij. S’munda me hy me e pa, edhe me e mbajt atë pamje mend si pamjen e fundit të kontaktit me të. Motra e tij më tha se me zor po i shtyn ditët, e motrat medicinale më thanë se “ditët e fundit po i jeton”.

Fort u mërzita, amo bash fort u mërzita! E tash kur e mora vesh që ka ndërruar jetë, disi për 20 sekonda m’u sollën të gjitha kujtimet ndërmend.

Me Bekimin sa herë jemi pa n’Prishtinë gjithnjë i kemi nda disa minuta, kemi pi kafe vend e pa vend, kohë e pa kohë. Folshim në fillim pak për Suharekën, e tani herë për teatrin, herë për gazetarinë e çka jo tjetër. Ishim pasë njoftu në rrjete sociale, edhepse unë kisha shumë njohuri për punën që bën ai. Pasi kisha fillu me punu në disa media nacionale, Bekimit i kishin ra n’sy do shkrime të mijat, edhe një ditë më shkroi do fjalë të mira. Fort m’u ba qejfi. Nuk shkuan shumë ditë e u pamë bash para shtatores së Zahir Pajazitit. Ndejtëm ndoshta 3 orë në një kafe pranë duke mos u ndalë tu fol për Suharekën.

Më kujtohet që më pat thanë një përafërsisht kështu: “Suhareka është vendi i kujtimeve të mia të mira, por është provincë. Provinca të han, nuk t’len me shku nalt. Je kap mirë në Prishtinë e mos u kthe në provincë. Dije që është shumë me rëndësi me kalu provincialitetin. Unë kisha hjek shumë, por kam ardh’ herët. Uran ngom mu, mos u kthe pa naj zor”. Aty edhe m’u pat mbush mendja bukur shumë që mos me e pa të ardhmen time profesionale në Suharekë. Kohë më vonë u pata skuq kur më patë tregu për një drejtor kulture në Suharekë që i kishte thënë Bekimit: “mfal kush jeni ju?”, pasi që Beka i kishte thënë: “Unë jam i gatshëm me ju ndihmu nëse keni diçka”.

E Bekimi ka pasë një jetë plot aktive në Suharekë. Ai ka qenë djali i një mësuesi që kishte ardh nga Bllaca në Suharekë dhe kishin jetuar pranë Shtëpisë së sotme të Shëndetit. Bekimi si i ri kishte spikat në recitime e imitime. Një fqinje e imja tregonte se kur shkonte në shtëpinë e tyre për të ndejtë, si fëmijë i vogël njëherë ulej tek dera e dhomës “inqizonte” e tani i imitonte të gjithë aty ndërsy.

Ai në Shtëpinë e Kulturës recitonte dhe të gjithë e donin, siç dëshmohet në këtë fotografi që publikohet për herë të parë. E respektonte pa masë profesorin Ramadan Shala. Më 1979 edhe gazetat i kishin bërë profil si nxënës i dalluar në recitim e këngë. Dikur duke u rritë brenda tij ishte zgjuar fuqishëm dashuria për atdheun kombëtar – Shqipërinë.

Vjersha, këngë, veshje kuq e zi, parulla e gjëra të tilla bënte Bekimi. Mendja kreative i punonte mirë. Më trengonte se si disa e quanin “nacionalist”, “irredentist”, e besa-besë edhe “terrorist”. Për kuriozitet, disa prej atyre njerëzve ende normal rrugëve të Suharekës edhe sot.

Si tregonte vet ai, dikur me disa shokë iu mbushë mendja me dalë ilegalisht në Shqipëri. Kishin qenë një grup që u nisën ngadalë, e diku tek rruga që kthehet për Dragash në drejtim të Vërmicës, i kishte ndalë një plak. Këta e kishin pyetur më detajisht për kufirin dhe njëfarë forme ishin dekonspiruar. Por, siç thoshte vet Bekimi, “ishim të rinj me ditë që banorët e zonave kufitare punojnë gjithmonë për shtet”. Kishin organizu gënjeshtër dhe kishin përdorë pretekst se po shkonin për ta vizituar liqenin, që të shpëtonin nga policia.

Më vonë do ta përjashtonin prej Gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë, duke ia hedh dokumentat fytyrës, kështu thoshte Bekimi bukfalisht, dhe ai do të shkonte në Prishtinë. Kështu pavullnetshëm i iki Suharekës.

Vitet kishin kalu dhe Bekimi në kohën kur rrinim ishte profesor në Fakultetin e Arteve, teksa në teatër shkëlqente. Në
shfaqje i kam shku pothuajse gjithmonë dhe gjithmonë më kërkonte mendim për shfaqjen, që sinqerisht më bënte të ndjehesha shumë shumë mirë.

Unë nuk kam mbajt mësim me të, sepse nuk kam qenë student i atij fakulteti, por thonin se ka qenë shumë serioz në punë. Për lëshime gjithashtu thonin se nuk ka bërë. Këtë ma patë dëshmu, “Uran po vijnë kandidatë për studime në drejtim të regjisë e aktrimit prej Suharekës. Unë nuk mundem me intervenu, nuk vjen në shprehje. Unë ju kam ofru me i mbajt orë përforcuese me mua, po i bajnë disa e po lodhen. Intervenimi s’ka shanca te une”.

S’po zgjatem më shumë, po i mbaj disa kujtime për ndonjëherë tjetër.

P.S. Sot kërkova në telefon nëse e kisha numrin e tij ende, për kuriozitet. Aty e pata dhe do ta kem. S’di, s’mundem me e fshi. Bekimi ka qenë i veçantë dhe një shpirt rrebel!

Prehu në paqe Beko zemlaki (kështu u thirrshim me hajgare mes vete)!

Provokacia e prostitutës së vëmendjes

Nga Faton Ismajli

Ideja e paargumentuar e Mustafa Nanos se shumë shqiptarë, sidomos ata të Kosovës, kanë gjak serbi nuk duhet para si tragjike. Duhet të shihet si një ide e një njeriu që prej kohësh ka zgjedhur provokimin për të marrë vëmendjen e publikut si “prostitutat e vëmendjes”. Për gjakun e shqiptarëve duhet të diskutohet në kontekst të atij të derdhur prej 100 vitesh, prej 50 mijë shqiptarëve të vrarë nga pushteti i Titos e 15 mijë të Milloshevicit.

“…në gjakun serb ka shumë prej Shqipërie, ashtu si në gjakun shqiptar, sidomos në Kosovë, ka shumë prej Serbie…”.
Kjo fjali është marrë seriozisht në Kosovë sikur të dilte nga goja e ndonjë shkencëtari të gjenetikës molekulare. Ose të ndonjë hulumtuesi i ndonjë instituti që merret me prejardhjen e popujve të Ballkanit.

Kjo fjali, saktëesisht është thënë nga analistit Mustafa Nano, i cili prej kohësh ka zgjedhur provokimin për të marrë vëmendjen e publikut si “prostitutat e vëmendjes”.

Shpjegimi për togfjalëshin “prostitutë e vëmendjes”, që përdoret nga anglisht-folësit si “attention whores”, sipas fjalorëve të gjuhës angleze, është kur një person bën gjithçka që të marrë vëmendjen e publikut. Për të arritur këtë, ai bën edhe provokime me të vetmin qëllim që të bie në sy qoftë për mirë qoftë për keq.
Fjala provokim, sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ka kuptimin e një veprimi që bëhet qëllimisht për të provokuar dikë, për të nxitur njërin kundër tjetrit, për të shkaktuar grindje, për të provuar dikë a për të zbuluar synimet e vërteta të dikujt.

Pra dy shpjegimet për ‘prostitutën e vëmendjes’ dhe të fjalës “provokim” i bien tamam Mustafa Nanos, i cili në shkurt të këtij viti nisi një emision duke e emërtuar në serbisht “provokacia” me të vetmin qëllim që të provokojë shqiptarët, sidomos ata të Kosovës, në mënyrë që të marrë vëmendje sa më të madhe. Ndoshta, nuk duhet parë gjithmonë negativisht një përpjekje të tillë kur dihet se jetojmë periudhën e hiperinformacionit, të kohës kur mediet e llojllojshme ofrojnë mijëra informacione në ditë; kur për një ditë transmetohen qindra emisione vetëm në hapësirën shqiptare, diskutohen e mbyllen dhjetëra tema sa “hape e mbyll sytë”. Por, thuajse nuk kanë fokus në asgjë. Në këtë zallmahi është vështirë të biesh në sy, prandaj, duhet të bësh provokime të tilla.

Në këtë frymë, idetë e Nanos si për gjakun serb, si për emërtimin e emisionit “Provokacia” janë në funksion të marrjes së vëmendjes së medieve, e të publikut për më shumë famë. Rrjedhimisht, të fitojë sa më shumë lekë. Tipike në natyrën pragmatike dhe praktike të Mustafa Nanos që pati tentuar të bëhet “lajm botëror” kur në një emision televiziv tha se rri në shtëpi pa brekë.

Funksioni i dytë i konstatimit të paargumentuar të Nanos, se shqiptarët e Kosovës kanë gjak serbi, në thelb, është nxitja dhe thellimi i ndarjeve ndërmjet shqiptarëve që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Ballkanit. Në njëfarë mënyrë, ideja e Nanos është e ngjashme me teoritë mediokre të ‘prostitutave të vëmendjes’, që dikur nisën të shpikin idenë se shqiptarët nuk janë vetëm shqiptarë, por janë edhe kosovarë se jetojnë në Kosovë, se janë maqedonas se jetojnë në Maqedoni, se janë edhe serbë se jetojnë në Serbi, se janë grekë se jetojnë në Greqi.

Pra, dëmi i shkaktuar nga këto debate të bëra nga ata që dëshirojnë vëmendje më çdo kusht, me pseudeo tema, është i madh kur shihet mungesa e përfshirjes së publikut në debate përmbajtjesore për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve; për përmirësimin e arsimit e shëndetësisë; për ngritjen e ekonomisë e kulturës së dy vendeve.

Është antishqiptare dhe johumane që për shkak të Nanos t’i gjykojmë vajzat shqiptare që shiten dhe martohen tragjikisht për pleqtë serbë dhe t’i bëjmë pjesë e këtij debati për t’u treguar shqiptarëve se kush është më serb se tjetri.

Në anën tjetër, kur Nano i quan shqiptarët e Kosovës se janë serbë, ose kane gjak serbi, nuk e besoj te ketë fyer asnjë prej nesh nga Kosova, sepse atij nuk i dhamë shansin të përjetojë delirin e tij të përuljes së Kosovës.

Kur Nano thotë se vajzat shqiptare kanë fjetur me serbë, ndoshta është e padrejtë që këtu t’i rrëfehet një prej mijëra viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. E po ia kujtojmë: në trupin e saj ka të gravuara me thikë kryqin ortodoks serb. Te përdhunuesit të saj. Të atyre qe lanë gjurmë të vdekjes në Kosovë. Tek ne i thonë: të flesh me armikun. Por Nano nuk e ka gjetur armikun tek Zorani në Beograd. E gjeti ne Kosove tek akëcili shqiptar, sepse Kosova iu bë barrierë për miqësitë e tij. Dhe, armiku për Nanon është cilido që do ta pengonte të ecte drejtë Beogradit. Por sërish, rruga për në Beograd kalon nëpër Kosovë.

Vazhdimi i diskutimit se “shumë shqiptarë të Kosovës kanë gjak serbi” është i njëjtë sikur të vazhdojmë me debatin e nisur në shtator të vitit 2014, nga një korçar, kur tha se gjithë shqiptarët që jetojnë në veri janë kriminelë sikurse Hitleri që kishte thënë për hebrenjtë. Megjithëse, Hitleri i vogël nga Korça ishte tërhequr nga përgjithësimet për një pjesë të shqiptarëve.

Se kush prej shqiptarëve ka gjak serbi, është punë e shkencëtarëve ta vërtetojnë.

Në vend të kësaj teme ne duhet të diskutojmë e të shkruajmë për temën që lidhet, po ashtu me gjakun e derdhur të shqiptarëve për t’u çliruar nga serbët.

Për gjakun e derdhur nga 50 mijë shqiptarët e vrarë nga Tito e 250 mijë të tjerë të depërtuar në Turqi.
Për gjakun e 15 mijë viktimave që derdhën gjakun në luftën e fundit për çlirim nga Serbia e Milloshevicit. / kultPlus.com

Lineariteti narrativ dhe imagjinata e bujshme e Jurij Hudolinit

Nga Adil Olluri

Me shkrimtarin slloven dhe mikun tim, Jurij Hudolin, përpos letërsisë më ka lidhur edhe një sensibilitet që ai ka karshi problemeve humane, me të cilat përballen njerëzit e sotëm, qoftë në Kosovë, qoftë në Slloveni. Andaj, mezi prisja ta lexoja një roman të tij të përkthyer në gjuhën shqipe, ani pse kisha lexuar pjesë a fragmente nga proza e tij, të prezantuar nga ai në festivalin e letërsisë “Polip” dhe në aktivitete të ndryshme letrare në Prishtinë. Miku im Jurij e do shumë vendin tonë dhe ka një simpati të veçantë, andaj ai është i prirë që të vijë pa asnjë përtesë në qytetin tonë.
Përkthimi dhe botimi i romanit të tij “Thjeshtri” në gjuhën shqipe ishte një lajm i mirë për të gjithë ne miqtë e tij shqiptarë që e njihnim Jurij Hudolinin dhe besonim në cilësitë e tij artistike. Para se të flas për këtë roman, do të dëshiroja që edhe romani tjetër i tij “Trst via Ljubljana” të jetë i përkthyer në gjuhën tonë, meqë botimi i tij ka ngjallur një interesim të madh në opinionin kulturor slloven.

“Thjeshtrin” në gjuhën tonë e solli Nikollë Berishaj, një përkthyes i palodhshëm, i cili e shqipëroi edhe romanin “Nekropoli” të Boris Pahorit, veprën e Drago Jançarit, atë të Milan Daklevas e shumë vepra të tjera, duke shndërruar në përkthyesin kryesor të letërsisë sllovene në gjuhën shqipe.

Ky roman i Jurij Hudolinit ka një linearitet narrativ, ku ajo që shihet dhe ndodh merr zhvillim evolutiv, duke pasur zhvillim të natyrshëm nga fillimi deri në klimaksin dramatik. Pra, nuk kemi të bëjmë me eksperimentime të panevojshme formash e stilesh letrare, të prirë nga njohuritë teorike rreth formacioneve letrare, por kemi një krijim romanësor që si pikë të tij esenciale e ka rrëfimin bazik, rrëfimin origjinar. Këtë roman e karakterizon narracioni dinamik që i jep dramacitet asaj që ndodh në të. Pra, nuk kemi situata e përshkrime të stërzgjatura që do ta mundonin lexuesin. Zhvillimi i shpejtë në një ambient minimalist (thuajse e tërë ngjarja zhvillohet në shtëpinë dhe kafe-barin në një fshat periferik, që quhet Panula), është një shenjë se kemi të bëjmë me një prozator, që përpos të tjerash, ka një imagjinatë të bujshme.

Loris Çivitko, Benjamin Zakarshjeku dhe nëna e tij, Ingridi, janë tre personazhet që e përbëjnë boshtin e rrëfimit,
rreth të cilëve ndërtohen të gjitha situatat në këtë roman. Ingridi ndahet nga burri i saj i parë, slloveni Valter Zakarshjek, i cili ishte alkoolist dhe nuk kujdesej aq shumë për familjen. Por, ky rezulton të mbetet problemi më i vogël në jetën e vështirë të Ingridit, që besonte në dashurinë dhe idilin familjar, deri në atë pikë sa nuk mund të merret me mend. Ky naivitet atë e shpie në kurthin e Loris Çivitkos, një tregtar i vogël dhe një fshatar kroat, i cili i premton asaj atë që synonte. Ajo e mori me vete Benjaminin dhe nga Ljublana u zhvendos në fshatin kroat, Panula, që gjendej në pjesën kroate të Istrës, jo shumë larg qytetit të Pula-s. Lorisit i interesonte vetëm ta kishte një trashëgimtar nga gjaku i tij dhe deri në lindjen e Frederikut të vogël, nuk sillej edhe aq keq me gruan e tij të ri dhe me thjeshtrin e tij, Benjaminim. Pas kësaj filloi ferri i vërtetë për këta dy të fundit. Tortura e vazhdueshme psikologjike ishte më e pakta që e ushtronte ndaj tyre, meqë sa herë që i jepej rasti i dhunonte fizikisht, duke i rrahur edhe për më të voglin shkak. Dhuna ndaj tyre eskalonte çdo ditë e më shumë, deri në tentimin për ta mbyllur Ingridin në çmendinë dhe për ta vrarë Benjaminin. Lorisi, përpos i dhunshëm, ishte edhe tip psikopatik, meqë vazhdimisht frikësohej se thjeshtri i tij mund t’ia merrte pasurinë, çdoherë dyshonte në të, ndërsa Ingridin e trajtonte vetëm si skllave të pavlerë, që nuk meritonte më asgjë, meqë e kishte realizuar qëllimin pse ishte martuar me të, lindjen e djalit, Frederikut. Përkundër rrahjeve të vazhdueshme, Ingridi sërish besonte se Lorisi do të kthehej një ditë në gjendjen e tij të mëparshme dhe do të realizohej ai idili i ëndërruar i familjes së përkryer. Ndërkaq, frikë-respekti fillestar i Benjaminit për Lorisin më vonë do të zbehej krejtësisht, ngaqë me t’u rritur ai do t’i kuptonte gjërat. Shikuar në këtë aspekt, secili mund të hamendësojë se fabula e këtij romani është e thjeshtë, por është thellësia e portretizimit të personazheve dhe karaktereve të tyre ajo që e bën të veçantë këtë krijim narrativ të Jurij Hudolinit. Andaj, mund të themi se ky autor ia bën një zbërthim të hollësishëm karaktereve të romanit të tij, duke e trajtuar dramën e tyre të brendshme dhe të jashtme, përjetimet dhe ëndërrimet e tyre.

“Thjeshtri” është një dramë familjare, më mirë të themi një tragjedi familjare e zakarshjekëve, që gjatë leximit na bën të bashkëndjejmë me fatin dhe pafajësinë e tyre. Është një rrëfim që na mbanë pezull dhe na bënë kureshtarë të vazhdueshëm për atë se ç’do të mund t’ju ndodh personazheve tona në situatat dhe kapitujt e ardhshëm. Andaj, kjo është cilësia e një letërsie të mirë, që të mbanë pezull dhe të shqetëson, duke të bërë që të parashtrosh pyetje për njeriun dhe njerëzoren.

Duke e njohur dhe duke e pasur mik Jurij Hudolinin, pa hamendje mund të them se gjërat për të cilat flet e shkruan ai në këtë roman janë shqetësime të tij njerëzore. Ai shkruan për ato gjëra që e shqetësojnë, duke qenë i vërtetë dhe i sinqertë në shpalimin e emocioneve që dalin brenda tekstit. Pak a shumë tema të tilla kemi diskutuar së bashku gjatë kohës sa ishte në Prishtinë. Dhe kjo më bëri përshtypje, meqë ai nuk shkruan për gjëra që nuk i ndjen. /KultPlus.com

Pashku-Shkrimtar i ripagëzimit të letërsisë shqipe

Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare. Vepra e tij e ka madhështinë e shkrimtarit të së ardhmes. Ai na vjen si Modeli pashkian, që paraqet si vetëdije e pastër letrare, si vizion i rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare.

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Në një pranverë shumë të hershme të moshës sime të re e kisha njohur Anton Pashkun, por jo me emrin Anton, po me emrin Nue. Isha fëmijë kur nëpërmjet bashkëshortes së kushëririt tim, që ishte motra e Anton Pashkut, e kisha takuar Antonin e me të cilin më vonë edhe jam shoqëruar.
Meqenëse vimin nga i njëjti vend (Zymi i Hasit) sa herë takoheshim përherë bisedonim për Hasin, për visin prej nga e ka prejardhjen i madhi Gjergj Kastrioti, pastaj Pal Hasi, familja Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani), bisedonim për viset ku punoi Gjon Nikollë Kazazi, Pjetër Karragiqi, Mihill Suma, Lazër Lumezi, Ndue Bytyçi, visin ku u varros Atë Luigj Palaj, ku jetoi dhe u vra Shtjefën Gjeçovi, ku u lind dhe u varros Katarina Josipi… Pra, Anton Pashku vinte nga gjiri i kulturës dhe trashëgimisë së lashtë shqiptare.
Atëbotë me Antonin na lidhte shumëçka, kurse tash na lidhin kujtimet e ëmbla për të dhe për veprat e tij të mëdha, që ia fali kulturës shqiptare.

Anton Pashku u lind në Grazhdanik, afër Prizrenit, më 1 janar 1937. U pagëzua në Konkatedralën e Zojës Ndihmëtare në Prizren, më 8 janar 1937, datë kjo që zyrtarisht edhe I mbeti si datë e lindjes. Nënën, Getë Nikë Kërhanaj (mbiemri i vajzërisë), e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin, nga Karashëngjergji afër Zymit.
I ati i Antonit punonte bukëpjekës. Kishte punuar në Gjakovë, Prizren, Fushë-Kosovë, Prishtinë e gjetkë, andaj edhe kishte pak kohë t’i përkushtohej fëmijëve të vet – Ndout (Antonit) e Verës. Kjo kishte ndikuar që edhe Nou (Antoni) përherë të ishte i tërhequr, i vetmuar. Ai e kishte zgjedhur vetminë si në familje e po ashtu edhe në shoqëri. Vetëm gjatë pushimeve dimërore apo atyre verore Antoni shkonte në Zym te dajat e vet – Nikë Dodë Kërhanaj.

Me mbiemrin Pashku e pagëzoi gjyshi i tij, pasi vetë e kishte mbajtur në pagëzim. Pra, gjyshi – Pashku, emrin e vet ia dha për mbiemër nipit, të cilin gjatë e kishte pritur familja të vinte në jetë. Familja e Anton Pashkut kishte zbritur në Prizren nga fshati Karashëngjergj, që në një mënyrë ishte si lagje e Zymit të Hasit. Sot më të afërmit e tij në Shëngjergj (lagja Dodaj) e mbajnë mbiemrin Kolëndrekaj, kurse pothuajse të gjithë kushërinjtë e tij, që janë shpërngulur nga katundi i përmendur e mbajnë mbiemrin Bytyçi, si dhe një pjesë e tyre e mbajnë mbiemrin Gjoni.
Antoni ishte brezi i 12 i Bytyçasëve që kishin ardhur nga krahina e Bëtyçit dhe që ishin vendosur në vendbanimin që dikur njihej si Shgjeq, pastaj Bëtyç e më vonë Karashëngjergj, kurse nga tetori i vitit 1996 njihet si Shëngjergj, që është afër Zymit të Hasit, komuna e Prizrenit.
Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene familja e Antonit e mbante mbiemrin Gjoni, mirëpo administrata e pushtuesit sllav ia kishte ndërruar në Gjonoviq. Megjithatë, me ndërrimin e pushtuesve, në vitin 1947, kur kërkohej riemërimi i familjeve, kjo familje e ktheu mbiemrin e të parëve – Kolëndrekaj (Kolë Ndreka). Këtë e bëri vetëm e vetëm për t’i ikur mbiemrit që ia kishin sllavizuar në Gjonoviq.

Gjyshi i Nout (Anton Pashkut) Pashku, me familjen e vet kishte bërë shumë lëvizje për kushte jetësore. Ai me familje ishte shpërngulur nga Shëngjergji dhe ishte vendosur në Gjakovë, pastaj në katundin Kushavec, afër Gjakovës, më vonë në Prizren e nga aty në fshatin Grazhdanik (ku u lind Nue Pashku alias Anton Pashku) dhe përsëri në Prizren. Me kalimin e familjes nga vendi në vend ata edhe e kishin ndërruar mbiemrin në Bytyçi. Nga Grazhdaniku familja e madhe Kolëndrekaj ishte ndarë. Gjysma e tyre ishte vendosur në Prizren, kurse pjesa më e madhe ishte kthyer në Shëngjergj, ku edhe tash gjenden. Ndërkaq, babai i Anton Pashkut – Toni nga Prizreni ishte vendosur në Fushë-Kosovë, ku për mbiemër e kishte marrë emrin e stërgjyshit – Pashku, andaj edhe Antoni u quajt Pashku.

Anton Pashku së bashku me motrën e vet Verën kryesisht u rritën pa nënë. Nëna u kishte vdekur kur Antoni i kishte shtatë vjet. I ati – Toni qe martuar tri herë. Bashkëshortja e parë i vdiq pak muaj pasi kishte lindur një vajzë. Më pastaj Toni u martua me Getë Nikë Kërhanajn (1913-1944). Me te pati katër fëmijë – dy i vdiqën, kurse dy të tjerë (Nou alias Anton Pashku dhe Vera) u rritën. Më vonë Tonit i vdiq edhe gruaja e dytë (nëna e Anton e Vera Pashkut) e më pas Toni (i ati i Anton Pashkut) u martua për të tretën herë. Kësaj radhe me Lubicën nga Janjeva, me të cilën ka pasur pesë fëmijë.
Nue (Anton Pashku) shkollimin fillor e filloi në shkollën fillore “Bajram Curri” në Prizren, ku mësues e kishte Pal Lumezin (i njohur edhe si Pal Shkollari), që ishte me prejardhje nga Zymi e njëherësh në Prizren e kishte edhe fqinjë të parë. Po ashtu, në shtëpinë e Antonit në Prizren banonte edhe Frrok Nikë Hilë Pecolli, nga Zymi, i cili ishte mësues në fshatrat e Suharekës, i cili edhe i ndihmonte Antonit të nxënte sa më shumë njohuri të reja. Pas shkollës fillore Anton Pashku e kishte filluar në Prizren gjimnazin, të cilin më vonë e kreu në Prishtinë.
Gjithë kohën punoi në “Rilindje”, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Redakësinë e botimeve “Rilindja”. Shkrimet e para letrare filloi t’i botojë në revistën “Jeta e re” në vitin 1955. Me krijimtari letrare është marrë plotë 40 vjet (1955-1995).

Ka botuar edhe në revistat shkencore e letrare, si me “Jeta e re”, Zani i rinisë”, “Dituria”, “Thema”, “Flaka e vllaznimt”, “Bota e re” e me “Fjala”. Ka qenë edhe redaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe revistës “Fjala”. Kryesisht ka shkruar me iniciale e më së shumti shkrimet gazetareske i ka nënshkruar me a të vogël në kllapa – (a).
Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe nga viti 1993 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Antoni ishte martuar me Paulina Miten, nga Prizreni, që jetonte në Prishtinë. Fëmiu i parë që u kishte ardhur në jetë kishte qenë Gjoni, i cili u kishte vdekur, kurse ky çiftë bashkëshortor ka lënë në jetë dy fëmijë: Paulinin dhe Lulen, që jetojnë në Prishtinë.
Antoni shpirtërisht ishte i lidhur ngushtë me Shëngjergjin, me Zymin, me Hasin e Thatë. Për këtë edhe fëmijët përherë i kishte mësuar të krenohen se janë zymjanë, se janë hasjanë, se rrjedhin nga ato vise shkëmbore, që e mbajnë ngjyrën e hirit, ngjyrën e gurit, ngjyrën e thatësisë…
Anton Pashku vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995 dhe u varros (më 1 nëntor 1995) afër babait të vet, Tonit, në varrezat e Kishës së Shën Prenës në katundin Karashëngjergj (Shëngjergj i sotmë).

Veprat e Anton Pashkut:

TREGIME, “Jeta e re”, Prishtinë, 1961
NJI PJESË E LINDJES, “Rilindja”, Prishtinë, 1965
KULLA, “Rilindja”, Prishtinë, 1968
SINKOPA, “Rilindja”, Prishtinë, 1969
OH, “Rilindja”, Prishtinë, 1971, 1979, 1986, 1990, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2003, “Berati”, Prizren, 2012
MBI KOMUNIKIMIN POETIK, “Dituria”, Prishtinë, 1972
KJASINA, “Rilindja”, Prishtinë, 1973
GOF, “Rilindja”, Prishtinë, 1976
LUTJET E MBRËMJES, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, “Berati”, Prizren, 2011, “Piramida”, Prishtinë, 2015
TRAGJEDI FANTASTIKE, “Rilindja”, Prishtinë, 1986, 1989
TRAGJEDI MODERNE, “Rilindja”, Prishtinë, 1986
GALTINA (e përgatiti Shaip Beqiri), “Faik Konica”, Prishtinë, 2005
Shtëpia Botuese “Rilindja” në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime: TREGIME FANTASTIKE, OH dhe TRAGJEDI MODERNE.

Veprat e Pashkut të përkthyera në gjuhë të huaja:

PRIPOVETKE, përktheu në gjuhën serbe Vehap Shita, “Nolit”, Beograd, 1967
KJASINA, përktheu në gjuhën maqedone Luan Starova, “Misla”, Shkup, 1975
OH, përktheu në serbisht Ismet Memiç, “Prosveta”, Beograd, 1983, “Jedinstvo”, Prishtinë, 1983
KULLA / Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
THE LASSLAY UNDER THE TURKEY-OAK / Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
FLOÇKA / Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
GLÖD (Gof), përktheu në gjuhën suedeze Ullmar Qvick, Studiekamraten, Tollarp (Suedi), 1996
FIÈVRE (Gof), përkthyen në gjuhën frenge Eqrem Basha e Christiane Montecot, Petite Véhicule, Paris, 2000
FIÈVRE (Gof), përkthyen në gjuhën frenge Eqrem Basha e Christiane Montecot, L’espace d’un instant, Paris, 2003
APARAT PROFESORA KOSA, e përgatiti për shtyp Voja Cariç, e përktheu në gjuhën serbe Halil Jupa e A. Pashku, “Rilindja”, Prishtinë, 1961

Veprat e të tjerëve për Anton Pashkun:

Rexhep Qosja: SHKRIMTARË DHE PERIUDHA, “Instituti Albanologjik”, Prishtinë, 1975
Rexhep Murtez Shala: CD LIBRIS – antidrama e autorit, “Papyrus”, Prishtinë, 2001
Alfred Uçi: ESTETIKA E GROTESKUT: grotesku në letërsinë shqipe, “Akademia e Shkencave të Shqipërisë”, Tiranë, 2001
Sabri Hamiti: LETËRSIA BASHKËKOHORE (vepra letrare 10), Libri për Antonin, “Faik Konica”, Prishtinë, 2002
NË MBRETËRINË POETIKE, zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, “Kuvendi Salezian”, Prishtinë, 2002
Kujtim Rrahmani: INTERTEKSTUALITETI DHE ORALITETI: E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku, “AIKD”, Prishtinë, 2002
Kujtim M. Shala: VOX-i I ANTON PASHKUT, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2002
Nysret Krasniqi: LIBRI I PASHKUT, (romani Oh – interpretim letrar), “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2005
ANTON PASHKU – GJENIU I MODERNES, (kujtime, poezi, vlerësime, krijimtari figurative në 10-vjetorin e vdekjes), përgatiti Frrok Kristaj, Sh.B. “A. Pashku” Prishtinë e K.L. “A. Pashku” Kukës, 2005
Kujtim M. Shala: SHEKULLI I LETËRSISË SHQIPE, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2006
Mehmet Kraja: E SHTUNA IME, publicistikë, Shpërpjestimet Pashku, “PEN Qendra e Kosovës”, Prishtinë, 2009
Vjollca Dibra: MOZAIKU I JETËS MODEL I ARTIT. Poetike e tregimeve të A. Pashkut – studime, Sh.K.K. “A. Pashku”, Prishtinë, 2009
Abedin Koiçiçi: FORMIMI I FJALËVE DHE VLERAT E TIJ NË PROZËN E STME SHQIPE NË KOSOVË, (mbështetur në veprat e autorëve A. Pashku e R. Qosja), “Geer”, Tiranë, 2011
Anton N. Berisha: VETËDËSHMI TË ISMAIL KADARESË PËR LETËRSINË, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2013
Zana Memedi: GJUHA DHE STILI NË PROZËN E ANTON PASHKUT, “Logos-A”, Shkup, 2015
ANTON PASHKU – STILIST I LIGJËRIMIT, zgjodhi dhe përgatiti Frrok Kristaj, K.L. “Shtjefën Gjeçovi”, Zym-Has, 2016
Rexhep Murtez Shala: ANTIDRAMA, intervistë e improvizuar me Pashkun, “Neokultura”, Prishtinë, 2016
Nysret Krasniqi: LETËRSIA E KOSOVËS 1953-2000, Autorët e letërsisë së refuzimit, “AIKD”, Prishtinë, 2016
Sabri Hamiti “ANTON PASHKU” (studim), “Albas”, Prishtinë, 2017

Modeli pashkian

Anton Pashku ishte dhe mbeti shkrimtari shqiptar më i dallueshëm i këtij shekulli. Ai ishte shkrimtar i formatit të papërsëritshëm. Ishte pra një lloj fenomeni letrar. Vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, shumësinë figurative të fjalës dhe njëkohësisht vetëdijen e lartë estetike të ngritur deri në model. Shenjat e gjuhës së tij janë të gjuhës poetike, që e bëjnë të cilësohet dhe të mbetet shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.
Anton Pashku për nga mënyra e krijimit ishte shumë i veçantë, sidomos për nga kodi letrar. Ishte i veçantë edhe për veprën e tij të madhe të letërsisë moderne, që mbetet model në letërsinë shqiptare
– MODELI PASHKIAN. Proza (tregime, novela e roman) dhe drama e tij poetologjike mbetet e papërsëritshme dhe me vlerë gjithëkohore.
Në fakt, Pashku e solli frymën e modernes në traditën e prozës shqiptare. Ishte gjeniu i prozës moderne dhe simbol i shkrimit bashkëkohor. Veprat e tij janë të ndërtuara nëpërmjet ligjëratës – sintaksës poetike. Prandaj, edhe është shkrimtari më i realizuar artistikisht. Renditet si stilisti më i mirë në letërsinë shqiptare. Anton Pashku, ky kolos i artit letrar, në fakt, është Xhojsi, Prusti, Sartri, Orveli apo Kafka i letërsisë shqiptare.

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike letrare; Qarku tematik i dashurisë, qarku tematik i vetmisë, dhe qarku tematik i dhunës mbi individin.
Ai paraqet një vetëdije të pastër letrare, një vizion të rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare. Anton Pashku është shkrimtar i ripagëzimit të letërsisë shqiptare të ardhmërisë, si do ta vlerësonte Sabri Hamiti.
Vlen ta përmendim faktin se aty kah vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, së bashku me një grup krijuesish të tjerë (Mensur Raifin, Gani Bobin, Ali Podrimjen e Rexhep Ismailin), ngrihet fuqimisht kundër ideologjizimit të artit, që shkaktoi trandje në krejt mjediset letrare.

Anton Pashku i ringjallur

Menjëherë pas kalimit në amshim të Anton Pashkut, kërkova nga shumë njohës të tij të më jepnin me shkrim kujtime për të. Një pjesë e njohësve të tij, përkatësisht 21 veta m’i dhanë 31 kujtime. Në anën tjetër, shtrirja e tij (Anton Pashkut) në arte (poezi, krijimtari figurative e vlerësime kritike) më shtyri që me kujdes t’i mbledhi të gjitha krijimet poetike të poetëve tanë (28 poetë kanë shkruar 35 poezi), që ia kishin kushtuar A. Pashkut nga një apo dy poezi. Mblodha edhe krijimet figurative (10 artistë figurativ kanë punuar afro 20 portrete), ku artistët figurativ në mënyrën e vet e kishin shprehur kujtimin për Antonin me ngjyra apo grafit, përkatësisht vlerësimet letrare (të mbledhura nga 59 kritikë), e të cilat, për shkaqe objektive, i kam paraqitur me nga një vlerësim të shkurtër duke i shkëputur nga vlerësimet më të gjata, të cilat i kam rënditur sipas alfabetit.
Bile, që nga dita kur Anton Pashku u nda fizikisht nga ne, për veprën e këtij shkrimtari janë shkruar dhjetëra e dhjetra libra, që lexohen me ëndje sikurse edhe vetë veprat e Pashkut. Mu për këtë Anton Pashku mbetet krijues i papërsëritshëm i letërsisë sonë kombëtare, që rileximi i veprës së tij sjell gjithmonë një zbulim të ri. Kjo edhe e bënë që Anton Pashku të cilësohet dhe të mbetet shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.

Njëkohësisht, pas kalimit në amshim të Antonit, ndodhi edhe ringjallja e tij nëpërmjet pagëzimit me emrin e tij të: “Ora e Anton Pashkut”, që mbahet tash e 21 vjet në kuadër të manifestimit “Takimet e Gjeçovit” (manifestim ky që në vitin që shkoi (2017) u mbajt për të 46-tën here me radhë) në Zym të Hasit; Klubi letrar “Anton Pashku” në Kukës; një rrugë në Prishtinë me emrin e Pashkut, Shoqata kulturore e Kosovës “Anton Pashku” në Prishtinë, e kështu me radhë.
Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet zhvillimi ynë në rrugën e sigurt të letërsisë moderne shqiptare. Vepra e tij e ka madhështinë e shkrimtarit të së ardhmes. Ai paraqet një vetëdije të pastër letrare, një vizion të rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare.

Legjenda:
Nue Pashku alias Anton Pashku

Shpend Ahmetit, demagogut parekselancë

Marrëdhënia e Kryetarit të Prishtinës me qytetarët është marrëdhënie jo-estetike. Kohë më parë, Kryetari i Prishtinës, me nonshalancë dhe prepotencë të pakuptimtë, refuzoi të takonte investitorë potencial të ardhur enkas nga jashtë, të investojnë në infrastrukturën artistike dhe kulturore të qytetit.

Ndërkohe që gjatë orarit të punës, ai gjen kohë për t’u deklaruar për problemet partiake, për t’ju përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, dhe për tu krekosur në intervistat e shumta. Sikur gjysma e energjisë së tij e shpenzuar në selinë partiake, rrjetet sociale dhe intervista të investohej në punë, do të arrinte të rregullonte ndonjë gjë të vockël të dukshme. Se të padukshmet përmirësime i shikon vetëm ai (dhe stafi i tij i afërt). Mua, Prishtina më duket si një qytet i mbarsur me tmerr.

Demagogu i përkryer Shpend, nuk sillet si kryetar komune por si Rock Star. Dhe këtij Rock Star-i, këtij kryetari të varur nga vëmendja, më duhet t’ia kujtoj disa fakte, që të zbres nga lartësitë e botës së tij imagjinare.

Shpend, në Prishtinën tënde imagjinare, të janë bërë njësh dëshira dhe imagjinata. Prishtina për të cilën flet ti, kur i referohesh të arriturave, është qytet imagjinar. Tmerrësisht bukur i përshkruar. Madje më ngjason me shtetin e presidentit aktual, ku çdo gjë është perfekte në këtë vend. Ju (ti dhe ai, Kryetari i Kosovës) silleni dhe veproni me një komoditet të tepruar. Në habitatet tuaja përkatëse, keni gjetur “gjërat” e munguara. Por, qytetarët s’kanë pse ua ushqejnë egot. Sepse qytetarët kanë preokupime madhore ekzistenciale, për të cilat ju (ti dhe ai, kryetari) s’keni dijeni.

Mjaft u krekose me refrenin tënd të tejpërsëritur për kungja dhe kifle. Është banalitet të gjesh strehë në një klishe. Deklaratat tua janë mizantropi vetëvlerësuese. Në Prishtinën tënde të arrirë, nuk arrin të ç’nervozohesh. Për pasojë, izolimi të bëhet përditshmëri.

Mjaft u solle si një superkryetar i një superkryeqyteti. Mjaft u solle si totem, qytetarët e së cilit duhet të të falen për “gjithë të mirat” që ua paske sjellë. Qytetarët nuk janë të detyruar të të adhurojnë. As të të trajtojnë si tabu. Përkundrazi, duhet të ti kujtojnë problemet e pafundme. Qytetarët e kryeqytetit e meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Nuk përmirësohet cilësia e jetës duke i larguar investitorët dhe as nga deklarata tua optimiste. Unë habitem me cilësimet që ti i bën punës tënde, arritjeve tua, veprës tënde madhore. Ti ma ofendon inteligjencën, sepse më trajton si të paditur. Si miop. Që s’arrij të shikoj atë që shikon ti. Mjaft me këto mediokritete të rafinuara. Mjaft më me “brain pollution”. Ka kohë që ne kemi humbur aftësinë për t’i gëlltitur gënjeshtrat. Edhe “macchiato society” e qytetit është vetëdijesuar. Dëshmi janë rezultatet e fundit…

Mjaft u solle si Rock Star. Dil nga membrana jote dhe “ekzaminoje” qytetin. Shikoje se ç’gjendje është, në realitet. Ti, (me punën tënde) je kontribuues madhor i kaosit dhe anarkisë. Ti (me të arriturat tua) je kontribuuesi kryesor i dhimbjes konstante që na shkakton përditshmëria. Ti (me projektet tua madhore) je kontribuuesi më i madh i depresionit kolektiv. Ti (me eksperiencën tënde) je kontribuuesi kryesor i gjendjes se mjerë artistike dhe kulturore.

Por, ti për çdo mossukses ke arsyetim. Çdo “sukses” ia atribuon vetes. Paralelisht, je shndërruar në krekosës profesionist dhe vajtues profesionist. Duhet të jesh shumë naiv për të qenë i lumtur. Qeverisja jote, nëse mund të quhet qeverisje, quhet: zhgënjim dhe dëshpërim.

Ka kohë që je shndërruar në politikan profesionist, vetëm flet dhe asgjë s’punon. Ka kohë që e konsideron veten gjigant. Ti je një gjigant, por një gabim gjigant.

Besoj që e ke arritur moshën kur duhet të hysh në fazën e shqyrtimit të ndërgjegjes. Merr shembull kryeqytetet e rajonit dhe bëj krahasime. Zgjohu. Dil nga bota jote imagjinare në realitet. Dhe fillo nga pastrimi. Por, fillimisht nga pastrimi i mendjes tënde.

****

P.S.

Sa për të ta kujtuar. Ti nuk fitove se kishe program dhe do t’i sillje të mira Prishtinës. Ti fitove sepse qytetarët deshën ta ndëshkonin tjetrin, që pretendonte se do të vazhdonte të qeveriste me duar në xhepa. Sepse në zgjedhjet parlamentare, ti dhe partia yte FER, fituat pak mbi 1 %. Ti qëllove të ishte kundërkandidat në një moment të caktuar. Rrethanat të sollën në krye të Prishtinës. Që pastaj të na dënoje me të “arriturat” tua.

Arroganca di të të ndëshkoj. E provove. Fitorja jote e dytë është fitore e hidhur. Dhe nuk e pate atë buzëqeshje të gdhendur në fytyrë. Trete disa kilogram në pritje të rezultateve. (Dhe shumë të tjera ke për të tretur deri në fund, me këtë përbërje dhe këtë mentalitet…)

Pa asnjë respekt për ty
Arben I Kastrati

Fenomeni i frikës deri në obsesion

(Adil Olluri “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, Parnas, Prishtinë, 2015)

Shkruan Izet Abdyli.

Udhëtim përditshëm me tren të jep komoditetin të soditësh peizazhet e bukura të natyrës që shtrihen në të dy anët e hekurudhës, por edhe të meditosh e t’i hapësh rrugë imagjinatës duke nxjerr ndonjë varg të bukur poezie. Herë-herë ke mundësinë të lexosh ndonjë libër dhe koha prej 35 minutave sa zgjatë udhëtimi në relacionin Drenas-Prishtinë ose anasjelltas, ikën saora. Kështu më iku edhe mua kjo javë duke lexuar romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” të shkrimtarit Adil Olluri. Madje si për koincidencë leximi në tren korrespondon me ngjarjet e romanit të cilat zhvillohen në tren. Por ka dallimi “treni i Ollurit” dhe “treni im”. Përderisa “treni i Ollurit” bartë njerëz të frikësuar, me fytyra të ngrysura, me fëmijë e gra në buzavajë e burra që orë e çast mund të rrëmbehen nga njerëzit e zinj e me një rafal automatike të rrëzohen përdhe, “treni im” bart fytyra të qeshura, të rinj e të reja që mësyjnë të lirë kryeqytetin për të marr dituri, punëtor që ngarendin në punë për të siguruar vetën e familjen, por edhe fëmijë të gëzuar e pensionistë që për pikë qejfi duan ta kalojnë ditën në kryeqytet.

Por, t’i kthehemi romanit. Çfarë ofron romani, cili është syzheu, çka e bënë të veçantë lëndën që ka shtjelluar autori? Ngjarjet e romanit shtrihen në tri ambiente: Në qytetin e izoluar të Prishtinës pas bombardimeve të NATOS, ku mbizotëron frika e tmerri. Në trenin si rrangallë e hekurt që bart njerëzit që braktisin shtëpitë e banesat për të shpëtuar kokën e tyre dhe Kampi i Bllacës, i mbytur në baltë,ku shpresa për jetë firon e gjallë.

Vetë gjetja metaforike e titullit të romani, të intrigon dhe të cytë për ta lexuar dhe hyrë në botën e tij, e që fillim e fund ka obsesionin e frikës së kryepersonazhit Bardhylit. Ngjarjet e romanit zhvillohen gjatë luftës së fundit në Kosovë. Karakteristikë e narracionit të romanit është rrëfimi në veten e dytë. Kjo është zgjedhja e shkrimtarit i cili përmes monologëve na shpie në situatat ku shpaloset bota individuale e njeriut të gjendur në situata të absurdit, ku jetën dhe vdekjen e ndanë një pe i hollë. Dhe kjo varet nga ata që kanë formën e njeriut por në brendi të shpirtit të tyre rri zgjuar pasioni i bishave. I gjendur në këtë katrahurë frika e kryepersonazhit mund të duket e natyrshme, por kur ajo tejkalon përmasat reale me mendimet fiktive dhe parashikimet ndjellakëqija që i sillen vërdallë mbi kokë bëjnë që njeriu nganjëherë del jashtë vetvetes. Ndaj imagjinata jep mundësi të krijimit të situatave të paqena, sado që ngjarjet reale që ndodhin ngjasojnë shumë me ato që janë krijuar në psikikën e Bardhylit. Ky roman psikologjik përshkohet me situata ku gjithçka mbërthehet nga një rrjet i errësirës dhe drita në fund të tunelit duket larg. Mbyllja brenda mureve të banesës në Prishtinë dhe droja se orë e çast siluetat e zeza herë të maskuar e herë me shirita kobësjellës mund të trokasin apo shkallmojnë dyert bëhen përditshmëri duke mbajtur përherë në presion psikologjik deri në traumë shpirtërore. Kulmi i tërë kësaj arrin kur tërë ngarkesa psikike nganjëherë zbrazet në dialogun me veten … Bardhyl, ti po flet me veten… i thotë gruaja, sado që ai mohon këtë duke u munduar të shfajësohet për diçka që tashmë po i përsëritet në jetën e tij. Janë imazhet e përditshme rrugëve të qytetit ku tallja e pushtetmbajtësve me qytetarin e thjeshtë fillon nga një absurd i tekeve të tyre për çështje banale deri të marrja e jetës në mënyrën me çnjerëzore. Pasiguria për veten, gruan dhe vajzën e vogël Jetën, bënë që edhe Bardhyli të ketë të njëjtin fat me tjerët, duke u përfshirë në valën e eksodit. Peripecitë e tij në “Bartësin e shpirtrave të përzënë” japin dramën e një populli. Prandaj edhe drama kryesore e romanit zhvillohet në tren, përkatësisht në aktin e dytë, siç e ka bërë autori konceptin e romanit në tri akte, e që lirisht mund të adaptohet edhe si një skenar filmi apo drame. “Treni i Ollurit” tashmë bart njerëz drejt një Golgote, ku shpresa për të mbijetuar e gjithsecilit udhëtarë, që në këtë rast janë të barabartë, sikur zbehet kur shohin se si para syve të tyre rrëmbehet profesori dhe jeta e tij për pak minuta shuhet nga krismat e shurdhëta, që mezi ndihen nga uturima e trenit, apo si fiket jeta e plakut brenda në tren pa pasur mundësi për ndihmë mjekësore. Po edhe vajet e fëmijëve, madje edhe vajzës së Bardhylit, e cila e ndrydhur në atë “gërdallë të hekurt” kërkon kthimin në banesë pa qenë e vetëdijshme për rrezikun qe mund t’u kanoset atje.

Udhëtimi drejt kufirit, sado që zgjat disa orë, Bardhylit i duket sikur janë ditë. I stërlodhur nga pagjumësia, atij herë i parafytyrohen skena tmerri, madje edhe vetën për disa çaste e sheh të rrëmbyer në tren, duke e zbritur e futur në një bodrum me njerëz të tjerë të rrahur e të dërmuar që presin aktin e pushkatimit. Pikërisht në momentin kur pritej të zbrazeshin rafalët mbi të, si shpëtimtare i vjen gruaja Valdetja, e cila e tund nga kjo ëndërr trishtuese, ,,Zgjohu se arritëm” i thotë ajo. Por ndjenja e frikës nuk mposhtet lehtë, ngase ajo tashmë ka hyrë në palcë dhe e përcjellë deri në çastin kur këmbët e tyre shkelin në baltën e Bllacës. Akti tretë si një epilog përmbyll dramacitetin e ngjarjeve të romanit, ku obsesioni i frikës individuale më nuk ka vend, por brenga e shqetësimi për njerëzit e mbetur në malet e Kosovës gëlon në shpirtrat e përzënë. Me këtë roman ku jepet vetëm një anë e medaljes së luftës së fundit në Kosovë, mund të themi se Olluri ka arritur me sukses të ndërtojë një strukturë romani për luftën, mbase një nga më të veçantët me këtë temë.

Në Vendlindje
16 dhjetor 2017

Mozaik nga monizmi

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku është një dëshmi e qartë se autori i teksteve mimetike po kthehet në një zë unik të teksteve diegjetike. Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë

Ag APOLLONI

Stefan Çapaliku (1965), poet, tregimtar, studiues, eseist, dhe, veçmas dramaturg, së fundmi ka ndërmarrë një projekt të madh në prozë, të quajtur Secili çmendet simbas mënyrës së vet, i cili, është realizuar në dy vëllime, por që mund të vazhdojë edhe me ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore, kurse element konstant mbetet narratori, i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij, e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik. Jo rastësisht, paragrafi i parë i romanit mbaron duke e theksuar unin. Autori bëhet narrator, narratori – fokalizator, vokalizator dhe personazh, njëkohësisht. Pra, si zakonisht në rrëfimet autobiografike, i njëjti person kryen pesë funksione: shkruan, rrëfen, fokuson, tonalizon dhe vepron. Romanin nuk e bëjnë të veçantë këto pesë funksione, atë e bën të veçantë strukturimi, që shfaqet si temë dhe teknikë.

Tema e romanit shtrihet në kohë (përfshin tri dekada diktaturë) dhe në hapësirë (qyteti i Shkodrës). Pra, romani fillon me kohën kur në Shqipëri u ndalua feja dhe mbaron me vdekjen e diktatorit. Krejt kjo periudhë shihet me sytë e një fëmije që vjen duke u rritur e burrëruar bashkë me zhvillimin e rrëfimit. Ky personazh-narrator që i përket një lagjeje katolike të Shkodrës, kontrollohet kujdesshëm nga autori për të mos i tejkaluar kompetencat e rrëfimit. Historitë e tij janë histori të shtëpisë, të lagjes, të qytetit. Gjithçka tjetër vjen nëpërmjet televizorit, ose nëpërmjet thashethemeve. Dhe kur televizorit i ndalen valët nga zhurmuesit e Partisë, personazhi nuk mund ta shohë as televizionin jugosllav, as atë italian, por vetëm atë shqiptar, rrjedhimisht bota e tij ngushtohet. Ky pengim i valëve, siç thotë autori, e kthen televizorin nga dritare ku shihnin botën, në pasqyrë ku shihnin veten.

Romani, edhe pse ndjek një kronologji, nuk ka një linjë rrëfimi. Ai e shpërfill kompozicionin tradicional për t’i lënë hapësirë eksperimentit dhe për t’u ndërtuar si një album narrativ me imazhe të ndryshme nga jeta e një kohe dhe e një qyteti. Fotografitë diegjetike ndërrohen, duke u kthyer në motive dinamike që e zhvillojnë temën e romanit, e lëvizin rrëfimin nëpër kohë. Kjo provohet me ndarjen e madhe të romanit në tri pjesë: Para, Gjatë dhe Mbas. Kjo ndarje ka për bazë televizorin si religjion të ri. Siç thuhet para Krishtit e pas Krishtit, mund të thuhet edhe para Televizorit dhe pas Televizorit. Shkodra me rreth njëqind mijë banorë kishte vetëm pesë televizorë. Pra, një televizor për njëzet mijë veta. Kështu, televizori kthehet në qendër të rrëfimit. Ai imponon sjelljet e njerëzve, diskutimet e tyre, ai ndryshon jetën e familjes, të lagjes dhe të qytetit. Ashtu siç konstaton Bodriari me teorinë e simulacionit, jeta ndikohet thellësisht nga televizioni, i cili ka forcën e transformimit të shoqërisë. Njerëzit mblidhen te shtëpia që ka televizor dhe shikojnë emisione të ndryshme informative, sportive, apo argëtuese. Kështu, fillimisht shfaqet nevoja e përkthimit, pastaj organizohen kurse gjuhe në mënyrë që shikuesit të aftësohen për t’i kuptuar vetë filmat. Lidhja e njerëzve me televizorin bëhet lidhje emocionale, prandaj ai nuk fiket për gjashtë vjet rresht, derisa vdes një anëtar i familjes. Ironia e kësaj lidhje nxjerr krye disa herë në roman, si në rastin kur të gjithë katolikët e lagjes i gëzohen humbjes së Muhamed Alisë në një ndeshje boksi, pasi ky ishte konvertuar në musliman, apo si në rastin kur shoku Hysen zbritjen e njeriut në Hënë e sheh si miratim të ateizmit të tij: “Ata shkuen atje në Hanë dhe ku ishte Zoti? Ku ishte Zoti po ju pyes. Më thoni. Zoti kërkund. Nuk e gjetën”.

Televizori e gjallëron shtëpinë dhe qytetin, por vjen një ditë kur lirisë së tij i vjen fundi. Vendosja e zhurmuesve që ndalojnë ndjekjen e kanaleve të “botës së degjeneruar” është dritarja e fundit e mbyllur në ngrehinën komuniste:

“E tmerrshme. Po tashti? Çfarë ndodh tashti? Të shohim Tiranën?!!! Vetëm Tiranën?!!! Asgjë tjetër?!!! Aha…Domethënë kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi duke parë shëmtinë tonë.”

Dhe kështu, mungesa e kanaleve të huaja televizive i jep kohës epitetin e një faze post-television, kohë kjo kur, në mungesë të filmave të huaj, realiteti fillon të bëhet prapë “interesant”, madje më dramatik se filmat. Një nga këto momente “interesante” ndodh në sheshin e qytetit kur i ekspozojnë kufomat e të vrarëve në kufi, për t’ua futur frikën në palcë qytetarëve të lodhur dhe të mërzitur nga izolimi.

Njeriu i vogël dhe Njeriu i Ri

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është rrëfim për njeriun e vogël në kohën e Njeriut të Ri. Njeriu i vogël, me jetën minore, të zakonshme, të pabujë, ishte njeriu që shihte jetën e vet, punën e vet, njeri i parëndësishëm në rrjedhat politike të vendit. Mirëpo, ky njeri po i humbte cilësitë e tij për shkak të ideologjisë komuniste që proklamonte Njeriun e Ri, njeriun pa të kaluar, njeriun në shërbim të Partisë. Dhe pikërisht te kjo përplasje mes dy tipave të njeriut qëndron tema tragjike e romanit. Shqiptari rrezikon t’i humbë vetitë e tij dhe të kthehet në njeri robot që i bindet vetëm sistemit. Pra, njeriu rrezikon të dehumanizohet për shkak të ideologjisë së barazisë. Si revoltë ndaj këtij rrafshimi ideologjik, autori Stefan Çapaliku sjell para lexuesit personazhe të ndryshme, secili i veçantë në mënyrën e vet: Gjush Kodheli, që i ka kthyer helmetat e gjermanëve në saksi të luleve si një instalacion për paqen; Rozar Dodmasej që derisa të vdesë nuk pranon të dalë nga shtëpia, sepse nuk pranon të veshë pantallona të qepura me stofin e Kombinatit “Stalini”; Marilda, apo Malena e Shkodrës; Daja Pjetër që të gjithë e thërrasin kështu, edhe pse askush nuk e ka dajë; kompozitori që e bënte orkestrën filarmonike të qytetit të luante pjesët më të vështira të botës, duke thënë se është më mirë ta luash keq Beethoven-in sesa ta luash mirë Filan Fistekun; Cen Pinuci që e shet veten për së gjalli që, kur të vdesë, trupi i tij t’u dhurohet doktorëve të anatomisë; apo shkrimtari satirik Dik Zeka që thoshte “për femrën më të keqe jap shokun më të mirë”. Po ashtu, në roman shfaqen edhe personalitete të rëndësishme si: Kolë Ashta me fjalorin e tij, Gjon Shllaku që sapo ka mbaruar “Iliadën”, Zef Zorba me teatrin e kukullave, Frederik Rreshpja duke qëndisur në gjergjef, Pjetër Meshkalla, jezuiti që sjell pak heroizëm në kohën e “rinisë servile” etj.

Reagimi i regjimit ndaj fesë jepet më së miri nëpërmjet dënimit të Patër Pjetër Mushkallës, reagimi ndaj kulturës perëndimore jepet me shpikjen e zhurmuesve të antenave të televizorëve, kurse reagimi ndaj letërsisë jepet nëpërmjet një skene ku shqyhet poezia e Frederik Rreshpjes:

“Hyri në klasë mësuesja e leximit dhe tha me të prerë:
– Hapeni të gjithë librin e leximit në faqen 55. Po aty, aty te poezia “Rapsodi shqiptare” dhe me kujdes…griseni!
-Ta grisim?!!!
-Po, ta grisni – tha ajo.
-Të grisim librin?!!!
-Po, po, librin. Se autori i saj është shpallur armik i Partisë dhe i Popullit, – dhe as që ia zuri në gojë emrin Frederikut të shkretë.”

Romani nis me vizitën e autorit në moshë të vogël në një burg dhe i gjithë rrëfimi zhvillohet si një film që del nga burgu i kujtesës së autorit. Prandaj, pavarësisht ironisë verbale dhe ironisë së situatave, romani është një homazh për njeriun e vogël që rrezikohej nga Njeriu i Ri:

“Ngaqë jetonim brenda dhe pa kurrfarë pikash të tjera referimi, nuk po e kuptonim se sa shumë po shëmtohej qyteti. Dita ditës ai po bëhej edhe më i vogël, tkurrej, imtësohej, anemik, plakej dhe po e linin fuqitë. Inercia qytetëruese e paraluftës kishte marrë fund dhe nuk ia shtynte më velat asnjë centimetër. (…) Njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë, ishte një përbindësh që ia hante dhe ia bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë këtij qyteti.”

Si refuzim autorial ndaj përbindëshit të Partisë, në fillim dhe në fund të romanit, citohet filozofi danez Soren Kierkegaard: Njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja.
Romani i Stefan Çapalikut është një minirrëfim për kohën e metarrëfimit komunist. Nëpërmjet historive të vogla të njerëzve të vegjël dhe nëpërmjet imazheve të konstruktuara kryesisht sipas modelit të kinematografisë italiane (De Sica, Fellini, Bertolucci, Tornatore etj.), autori ka krijuar panoramën e vendlindjes së tij si një mozaik me gjithë shkëlqimin dhe mjerimin e saj, duke u përpjekur të mos i gjykojë personazhet, por thjesht t’i paraqesë ashtu siç janë, teknikë kjo më shumë dramatike sesa diegjetike. E, siç thotë Milan Kundera, mungesa e gjykimit moral nuk është imoralitet i romanit, por është sakt morali i tij.