Ansambli “Mati” fitues i çmimit të parë në festivalin “OPOJA Vallëzon” në Kosovë

Ansambli “Mati” u nderua me çmimin e parë në edicionin e dytë të festivalit mbarëkombëtar folkloriko-burimor “OPOJA Vallëzon”, të zhvilluar në komunën e Dragashit në Kosovë.

Në këtë festival ansambli Mati u paraqit me katër materiale valle brezash, melodi orkestrale, Ç’po ja merrka vasha, (këngë) dhe këngë për Kosovën.

Pas mbarimit të natës së dytë juria me kryetar Profesor Ukë Xhemaj e vlerësoi ansamblin dhe orkestrinën me çmimin e parë.

Në festival morën pjesë 12 shoqëri kulturo artistike dhe grupe folklorike nga mbarë trojet shqiptare.  Drejtori i festivalit Fesal Shaqiri dhe drejtori artistik profesor i mirënjohur i koreografisë Dilaver Kryeziu, bënë të gjitha përgatitjet që ky festival të vazhdonte traditën e vitit të kaluar.

Festivali u financua nga Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Dragash. Festivali  zhvillua konform kushteve të pandemisë, duke i respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe Udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosëvës./atsh/ KultPlus.com