‘Primordial Passion’, kryevepra që flet shqip, Pirro Ruço: Ora simbolizon energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar

Vjollca Duraku

“Primordial Passion” është ora e parë e prodhuar në hapësirat shqiptare nga mjeshtri i madh i artit të punimit të metaleve dhe gurëve të çmuar, Pirro Ruço. Ajo nuk është thjeshtë një orë. Konsiderohet KRYEVEPËR, dhe e tillë është. Në një diameter 46.5 milimetra paraqitet identiteti kulturor i një kombi të tërë. Në popull është emërtuar edhe si “Ora Shqiptare” që në një kuptim dytësor personifikon mbrojtjen e Shqipërisë, pasi thellë thellë paraqet një harmoni të paparë të të gjitha trojeve shqiptare, bukuria e së cilës qëndron te dallimet e tyre si në traditë, kulturë, fizionomi dhe gjithçka tjetër që përkufizon secilin rajon.

Përveç, elegancës dhe bukurisë së rrallë të paraqitur në formë skulpturore në miniaturë dhe filozofisë mbi unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptarë, unikaliteti i saj qëndron edhe në gërshetimin e mjeshtërisë tradicionale me teknologjinë moderne, si pasojë e një vizioni që e mat kohën me bukurinë e përjetshme,  duke tejkaluar trendet e të përkohshmes.  

“Primordial Passion” flet shqip përmes tik-takeve të saj, të cilat burojnë nga zemra e shqiponjës së stilizuar, e cila qëndron stoike mbi mbretëreshën kohë. Rreth saj, e praruar në ar paraqitet një skenografi folklorike perfekte e dymbëdhjetë vallëtarëve shqiptarë, që përfaqësojnë dymbëdhjetë rajone të ndryshme të Shqipërisë etnike, të cilët përmes kostumografisë autoktone nxjerrin në pah tipologjinë dhe psikologjinë e veçantë të secilës zonë.

Këmbët e shqiponjës përfaqësojnë akrepat e orës, rreth së cilëve qëndrojnë katër instrumentistë që luajnë me lahutë, fyell, gajde dhe çifteli duke krijuar një simfoni perfekte për valltarët që vallëzojnë mbi një mozaik artistik gurësh kuq e zi. E tërë kjo gjendje ruhet përmes një kupole të kristaltë, e cila rri mbi këtë solemnitet kombëtar si mburojë për të mos e dëmtuar nga ‘faktorë të jashtëm’. Ndërsa, korona e kurdisjes që përfaqëson një kapitel të antikitetit ilir, e dekoruar me gjethe të dushkut, paraqet një epokë historike e cila e kurdis rrjedhën e ngjarjeve pasuese dhe të simfonisë shqiptare.

Për të krijuar një kryevepër të tillë sikurse e mjeshtrit Pirro Ruço është e qartë që një personi do t’i duhej një vizion, vullnet, pasion dhe një atdhedashuri e madhe, por mbi të gjitha do t’i duhej të ishte i biri i një babai që ka qenë mjeshtër i madh i shumë zanateve, në mënyrë që kjo mjeshtëri artistike t’i ngjizej në identitet krejt natyrshëm, që nga lojërat fëmijërore në atelenë e punës të së atit, në fshatin Kuqovë.

Në gdhendjen e tij si artist edhe fati e luajti rolin e vet, ngase në kohën kur Shqipëria ishte në një kaos social dhe në një mishmash politik asokohe presidentit i mungonin edhe medaljet dhe dekoratat tjera me të cilat do të jepte vlerësim për një kontribut të caktuar. Kështu, si një artist fillimisht i afirmuar pas krijimit të stampës së Enver Hoxhës përmes një pantografi të cilin e kishte krijuar vetë në shtëpi, si një sajim për t’i shpëtuar internimit, e më vonë edhe si një artist i dëshmuar përmes ekspozitës së parë me punime të arit në Tiranë, argjendtarit Pirro iu dha leja që të merrej edhe me këtë pjesë.

Prej atëherë ai do të perfeksiononte artin e tij shkallë- shkallë për tu shëndrruar në artistin e të gjitha krijimeve që përfshijnë medalje, dekorata, çmime e trofe për të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në dy dekadat e fundit ai e arriti kulminacionin e tij si artist pasi u specializua edhe në artin e bizhuterisë duke arritur nivele të larta në dizajn dhe teknologji.

Në këtë kulminacion të karrierës së tij, një vizitë e realizuar në Baselworld në vitin 2014, në një nga panairet më të rëndësishme në botën e orëve dhe bizhuterive për të do të paraqiste një pikëkthese të madhe në aspektin e zgjerimit të vizionit të brendit të tij “Pirro”. Mjeshtri i artizanatit aty ishte mrekulluar aq shumë sa zemra dhe mendja e tij i kishin ngelur te mjeshtëria mekanike dhe shpikjet novatore të industrisë së orëve.

“Ky moment ndezi një pasion të ri brenda meje. Fillova të vizitoja çdo panair orësh, duke u përkushtuar në krijimin e një ore që nuk ishte bërë kurrë më parë. Synimi im ishte të krijoja diçka që do të pasqyronte artizanatin dhe pasionin tim të thellë. Investova në makineri të fundit zvicerane dhe fillova eksperimente të reja. Krijimi i një ore që do të pasqyronte gjithçka që unë përfaqësoja ishte një sfidë e madhe, por njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme”, ka thënë Ruco, duke treguar se kjo eksperiencë në Zvicër e kishte ngacmuar thellë dellin e tij për të krijuar orë për herë të parë në Shqipëri, si dhe një të tillë që nuk ishte realizuar ende në botë, si mënyrë e vetme për të çarë në tregun ndërkombëtar.


“Kjo eksperiencë më frymëzoi të nis një projekt të ri artistik, ku do të krijoja një orë që nuk ishte realizuar kurrë më parë. Me këtë projekt, kam dashur të ndërthur identitetin kulturor shqiptar me vizionin unik të kompanisë sime. Krijimi i kësaj ore, që përfaqësonte këtë sintezë, u bë një qëllim ambicioz që më drejtoi në një udhëtim të jashtëzakonshëm krijues”, ka thënë Ruço, duke shtuar se arti është një pasion që të ngërthen në vazhdimësi nga i cili nuk mund të ndalesh së kërkuari dhe krijuari origjinalitet të bazuar në një masë eterne që rrjedh përmes ndjesive të tua si individ.

Megjithëse ideja për një krijim të tillë unik i ishte shfaqur më vonë, krjimtaria artistike me motive kulturore që e nderon trashëgiminë e popullit, kanë qenë një stil i punës që e kishte përcjellë argjendtarin përgjatë 30-të viteve të tij të karrierës. Kjo përvojë e shtresuar dhe e mjeshtëruar vit pas viti padyshim ka qenë e duhura që ai të krijojë besim te vetja për të krijuar “orën mbretëreshë” dhe për të konkurruar me brendet më të fuqishme botërore, që shpesh janë edhe me prirje komerciale, përmes këtij monumenti identitar.

“Për mua, valltarët folklorikë simbolizojnë energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar. Duke i integruar ata në dizajnin e kësaj ore, qëllimi im ishte të sjell në jetë këtë frymë kolektive, e cila është
thelbësore për historinë dhe identitetin tonë. Çdo figurë është konceptuar për të mishëruar psikologjinë dhe elementet unike të këtyre rajoneve, duke i pasqyruar ato përmes veshjeve tradicionale, shprehjeve dhe psikologjisë së secilit portret”.

Dëshira e tij  për të krijuar një orë që do të pasqyronte trashëgiminë kulturore shqiptare në një mënyrë unike dhe artistike u pasua nga një studim i thelluar i traditave kulturore të rajoneve shqiptare dhe i elementeve që mund të përfshiheshin në dizajn. Pas kësaj, ka filluar puna mbi konceptin e figurave dhe detajeve që do të shfaqnin veshjet tradicionale dhe shprehjet e valltarëve folklorikë.

“Pasi koncepti u formua, kaluam në fazën e dizajnit dhe krijimit të prototipit. Gjatë kësaj kohe investova
në makineri moderne dhe teknologji më të fundit zvicerane. Kjo fazë kërkoi shumë kohë për testim dhe përsosje, për të siguruar që çdo detaj të ishte i përsosur”.

Gjatë krijimit të “Primordial Passion”, përballja me sfida të ndryshme padyshim që ka qenë  e pashmangshme, pasi për të ishte një përvojë e papërjetuar më parë. Momentet kritike dhe sfidat kanë qenë prezente deri në ditën e fundit për shkak të detajeve të imta që kërkonin shumë kohë e precizion, si dhe për shkak të problematikave teknike.

Për të ndërtuar mozaikun kuq e zi që shërben si bazë e figurinave është dashur që në tavolinën e punës të preheshin 20 mijë gurë Murano, prej të cilëve janë përzgjedhur 1500, ata më të përshtatshmit për të krijuar një vendosje me saktësi të hatashme në një hapësirë ndërmjet gurëve me tolerancë më pak se 3 mikronë – një nivel precizioni që thekson mjeshtërinë, durimin dhe përkushtimin e punës së tij në plotësimin e mozaikut artistik.

Edhe gdhendja jashtëzakonisht precize e valltarëve folklorikë në një madhësi prej prej vetëm nëntë milimetrash, ka kërkuar një nivel të lartë mjeshtërie dhe vëmendjeje ndaj detajeve, për të siguruar që çdo mikro-figurinë të përçonte denjësisht etnografinë dhe kustomografinë shqiptare.

“Gjatë përballjes me këto sfidë, më janë dashur netë e netë pa gjumë duke bërë kërkime të thella si dhe investime të konsiderueshme në makineri të avancuara zviceriane. Ky proces kërkonte një angazhim të plotë dhe një përkushtim të madh deri në sakrifica, por rezultati në fund ja vlejti. Sfidën më të madhe në këtë projekt e kisha me veten, ku gjithë kohës mendoja si do ta mbyllja këte orë në mënyrën më perfekte”, ka thënë Ruço.

Çdo figurinë ka një lartësi prej 9-10 mm, me detaje të cilat ruajnë origjinalitetin e një vepre skulpturale, ku secila prej tyre ka tipologji dhe kostumografi të veçantë. Ky mikro-mozaik përmban 1500 gurë në tetë ngjyra të ndryshme, të cilat janë pozicionuar gati në perfeksion një e nga një nga artisti Ruco. Kasa e orës përbëhet prej ari të verdhë 18 karatësh me diametër 46.5 milimetra, që së bashku me kristalin harkor prej zafiri të kupolës arrin një lartësi rreth 22 mm. Ora në tërësi karakterizohet nga tre ngjyrëshi arbënor: E artë, e zezë, e kuqe.

“Përfundimi i kësaj ore ka kërkuar shumë angazhim, përkushtim dhe përpjekje për të realizuar çdo detaj, dhe fakti që ia dola ta sjell në jetë një krijim kaq të veçantë është një arritje e madhe për mua. Ndjenja e kënaqësisë është e paçmuar, sepse çdo fazë e procesit ishte një mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar si artist. Kjo orë nuk është vetëm një produkt, por një dëshmi e pasionit dhe e përkushtimit tim për mjeshtërinë dhe artin”.

Sigurisht, një realizim kaq i vështirë dhe kaq i jashtëzakonshëm si ky ka impresionuar edhe arenën ndërkombëtare, dhe kjo gjë paraqet një ndjenjë të veçantë krenarie për mjeshtrin Ruco. Gazetarët më të famshëm të specializuar në fushën e horologjisë e kanë vlerësuar shumë nivelin e detajeve dhe mjeshtërinë e orës, si dhe përpjekjen për të përçuar kulturën dhe historinë shqiptare përmes një dizajni të tillë.

“Ora është promovuar në shumë publikime të huaja, gjë e cila më bën jashtëzakonisht krenar. Promovimi i orës në shumë media prestigjioze ndërkombëtare më ka mbushur dhe inspiruar. Ajo që më ka lënë më shumë mbresa janë reagimet që e krahasojnë “Primordial Passion” me orët e markave më të famshme botërore, si për mjeshtërinë dhe precizionin, ashtu edhe për origjinalitetin. Disa ekspertë e kanë cilësuar si orën më emocionuese dhe të papritur të vitit, një zbulim të jashtëzakonshëm që ka sfiduar përceptimet e luksit dhe artizanatit në botën e horologjisë”.

Ora “Primordial Passion” është një vepër unike, e vetëmja në llojin e saj. Vlera e saj është CHF 1,200,000, megjithëse për vetë artistin i cili ende refuzon ta shesë, vlera e saj nuk ka çmim sepse në të janë të përmbledhura pesë vite jetë, punë durim dhe sakrificë. Kjo vepër është menduar për një grup të ngushtë koleksionistësh dhe adhuruesish të veprave të rralla, të cilët çmojnë artizanatin dhe lidhjen me identitetin kulturor.

“Edhe pse kemi pasur disa interesime, ora ende nuk është shitur. Për mua është shumë e vështirë ta shes, pasi për mua ajo është e paçmueshme. Megjithatë, jemi të hapur për mundësi dhe po presim të gjejmë koleksionistin e duhur që do ta vlerësojë me të vërtetë, përveç disa kërkesave serioze që kemi tani”, ka thënë mjeshtri Ruço, i cili për pesë vite i ishte shmangur krejtësisht punës në argjendtarinë e tij, duke ia bartur këtë pjesë bashkëshortes Ortencës dhe së bijës Albës, e cila është e kualifikuar në pjesën e gurëve të çmuar.

Meqë ora është një përfaqësim i artit, historisë dhe mjeshtërisë, Ruco dëshiron që mbajtësi i saj të ndjejë se është duke mbajtur një vepër unike dhe të veçantë, që ka një domethënie të thellë dhe një lidhje me identitetin kulturor. Për më tepër, mjeshtri dëshiron që ata të ndiejnë një ndjesi ekskluziviteti dhe elegance, duke pasur diçka që nuk mund të gjendet askund tjetër.

Nëse “Primordial Passion” do të fliste edhe me zë, do të tregonte për një krijues të përkushtuar ndaj mjeshtërisë dhe artit, që nuk ka frikë të sfidojë veten për të arritur perfeksionin. Do të fliste për pasionin dhe krenarinë që mbart çdo detaj, për dashurinë për krijmtarinë artizanale dhe për dëshirën për të sjellë një pjesë të historisë dhe identitetit në këtë krijim.

“Kjo orë do të tregonte për një individ që beson në fuqinë e artit për të përçuar mesazhe dhe ndjenja që kalojnë përtej kohës dhe hapësirës”.

Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm artisti planifikon të krijoj më shumë vepra unike në të ardhmen. Qëllimi i tij është të vazhdoj të prodhoj ora dhe koleksione që kombinojnë mjeshtërinë tradicionale me inovacionin modern, duke sjellë elemente të reja që i japin zë historisë dhe indentitetit shqiptar. “Çdo krijim do të jetë një vepër arti e personalizuar, që ka si synim të ruajë autenticitetin dhe të ofrojë një përvojë të paharrueshme për çdo klient”, ka thënë Ruço.

Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, artisti ka theksuar edhe rolin i krijimeve artizanale që sipas tij është më i rëndësishëm se kurrë, pasi shërben si një kundërpeshë ndaj automatizimit dhe vlerave komerciale. Sipas tij puna artizanale ofron autenticitet dhe vlera emocionale duke krijuar kështu një lidhje më të thellë midis krijuesit dhe konsumatorit- diçka e cila është e vështirë të kopjohet nga teknologjia.

“Teknologjia është një mjet për detyrat teknike, por kreativiteti duhet të mbetet në duart e njeriut. Megjithatë, artizanët nuk mund ta injorojnë plotësisht teknologjinë; por të mësojnë si ta integrojnë atë në punën e tyre për të qëndruar të rëndësishëm në treg. E ardhmja e krijimeve artizanale qëndron në
harmonizimin e inovacionit teknologjik me parimet e përjetshme të mjeshtërisë artizanale duke ruajtur
kështu trashëgiminë ndërkohë që përqafon modernitetin”, ka thënë Ruço.

Për fund, artisti Ruço ka dhënë një këshillë për krijuesit e rinj që aspirojnë të hyjnë në industrinë e orëve, për të gjetur një balancë mes inovacionit teknologjik dhe parimeve të përjetshme të mjeshtërisë artizanale.

“E ardhmja e orologjisë qëndron në harmonizimin e këtyre dy aspekteve. Magjia e një ore nuk qëndron vetëm tek precizioni dhe mekanizmi i saj por dhe tek historia, imagjinata dhe emocioni që ajo përcjell. Ndërkohë që industria vazhdon të evoluojë, është e rëndësishme të përdorim teknikat moderne pa humbur esencën e artit tradicional. Talenti i vërtetë qëndron në komunikimin e elegancës dhe thjeshtësisë, dhe ky është sekret i orologjisë si një formë arti që sheh përpara, ndërkohë që mbetet e lidhur ngushtë me të kaluarën”, ka thënë Ruço./ KultPlus.com

Rita Ora sëmuret, anulon koncertin në Hungari

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora ka anuluar koncertin e saj në Hungari vetëm disa orë para se të ngjitej në skenë, pasi ka kaluar natën në një spital të Budapestit.

Këngëtarja Ora këtë e ka bërë të ditur vet përmes një InstaStory, duke thënë se i duhet të ndjek udhëzimet e mjekut.

“Ju lutem më falni për këtë kthesë të papritur të ngjarjeve, por fatkeqësisht nuk do të jem në gjendje të performoj në Campus Fesztival sonte”.

“Pasi e kalova natën në spitalin e Budapestit, më duhet të pushoj plotësisht dhe të ndjek udhëzimet e mjekut. Më vjen keq për fansat e mi që do të jenë atje sot dhe jam vërtet mirënjohës për mirëkuptimin tuaj”, ka shkruar tutje Rita Ora./ KultPlus.com

Ora e Tokës fik dritat në gjithë globin

Zelanda e Re ishte e para sot në të gjithë globin që fiku dritat duke përuruar kështu fillimin e ngjarjen mbarëbotërore të Orës së Tokës.

Lëvizja globale nxit vendet të fikin dritat për një orë për të tërhequr vëmendjen ndaj  ndryshimeve klimatike.

Monumentet e Auckland duke përfshirë ”Sky Tower” dhe ”Harbour Bridge”, plus ndërtesat e parlamentit në Uellington mbetën pa drita në orën 20:30 (07:30 GMT).

Më vonë, monumente të tjera anembanë globit, përfshirë Shtëpinë e Operës së Sidneit, Syrin e Londrës dhe kullën Eifel, do të fikin dritat e tyre në shenjë solidariteti.

Tani në vitin e saj të 18-të, koordinatori i WWF International po kërkon gjithashtu që njerëzit të kontribuojnë në “Jepni një orë për Tokën” dhe të shpenzojnë 60 minuta duke bërë diçka pozitive për planetin.

Drejtoresha e përgjithshme, Kirsten Schujit tha në vitin 2023 se mbi 410 000 orë i janë dhënë planetit tonë nga mbështetës në 190 vende dhe territore, që përfaqësojnë 90% të planetit.

“Është thelbësore të përfshihemi, nëse duam të rrisim ndërgjegjësimin për sfidat mjedisore dhe të përkulim kurbën e humbjes së biodiversitetit deri në vitin 2030”, tha ajo.

“Mbrojtja e planetit tonë është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon veprim kolektiv nga çdo cep i shoqërisë”, theksoi Schujit.

Nisma filloi në vitin 2007 në Australi./atsh/KultPlus.com

Rita Ora në podcastin e famshëm amerikan: Jam lindur në Kosovë, dikur ishte pjesë e Shqipërisë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, së fundmi ka qenë e ftuar në podcastin e famshëm amerikan të ‘Dear Media Studio’.

Në këtë podkast ndër të tjera ajo ka folur edhe për origjinën e saj, Kosovën.

Teksa iu përgjigj pyetjes për rrënjët e saj shqiptare, Ora  tha se është e lindur në Kosovë, shtet ky që dikur ishte pjesë e Shqipërisë.

“Unë jam lindur në Kosovë, Shqipëri. Mirë, tani është Kosovë por dikur ishte pjesë e Shqipërisë. Dhe pastaj u shpërngula në Londër kur isha një vjeçe”, tha Ora.

Pas potencimit të moderatores së podkastit tha se ka shumë shqiptarë të famshëm në industrinë e muzikës botërore, Ora u pajtua plotësisht dhe u shpreh se ndihej shumë krenare për të arriturat e tyre.

“Po është bukur t’i shohësh. Kur unë fillova në vitin 2012, nuk kishte. Kështu që tani ne kemi Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe është e mrekullueshme”, deklaroi Ora.

Orët më të bukura të Europës

Europa njihet për arkitekturën dhe historinë e veçantë që kësaj arkitekture i ka mveshur koha, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell orët më të njohura të Europës.

Big Ben në Londër

Ora e qytetit në Pragë

Ora e kohës së rrjedhjes në Berlin

Kulla e orës Zytglogge në Bern

Ora Astronomike në Strasburg

Ora më e madhe në botë e kuzhinës në Triberg

Glockenspiel në Mynih

Ora Anchor në Vjenë

Ora Anchor në Vjenë

Kulla e Orës në Graz

Torre dell’Orologio në Venecia

Shtëpia e Magjisë në Blois – Kjo nuk është një orë e vërtetë, por kokat e dragoit në qytetin francez Blois ende tregojnë kohën.

Rita Ora uron 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (FOTO)

Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Rita Ora, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me fotografi nga vizita e saj në Kosovë.

”Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri nga familja jonë tek e juaja!”, ka shkruar Ora në Instagram,  përderisa shkrimin e shoqëron me disa fotografi nga mbrëmja e organizuarnga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me figurat vendore të artit dhe kulturës/ KultPlus.com

Rita Ora fiton çmimin ‘Artistja muzikore më e mirë’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora është shpallur “Artistja muzikore më e mirë e vitit” në një ceremoni për ndarjen e çmimeve vjetore në Londër, në ngjarjen ‘Ethnicity Awards 2023’, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje të organizuar nga panelistja e Loose Women, Judi Love, u vlerësuan të arriturat jetësore të shumë yjeve të famshëm në fusha të ndryshme.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rita Ora përmes një postimi në Instagram:

Pas koncertit në Hungari, kjo është videoja e parë që e shpërndanë Rita Ora (VIDEO)

Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore, këto ditë ka qenë në cak të kritikave dhe reagimeve të shumta, si shkak i një koncerti në të cilin ajo mbajti gabimisht në duar flamurin serb, shkruan KultPlus.

Megjithëse, Rita Ora disa orë më vonë doli me një sqarim se nuk kishte qenë e vetëdijshme se ai të cilin e kishte mbajtur në duar kishte qenë flamur serb, kritika të shumta morën kahje drejt saj.

Sot këngëtarja shqiptare me famë botërore ka vendosur t’iu kundërpërgjigjet kritikuesve të saj përmes një videoje në instagram, ku shihet Mbreti Charles III, që flet për emrat e shquar me origjinë shqiptare në mesin e të cilëve përmend edhe Rita Orën dhe Nënë Terezën.

Publikohet traileri i filmit ‘Wonderwell’ në të cilin luan edhe Rita Ora (VIDEO)

Është publikuar traileri i filmit ‘Wonderwell’, në të cilin luan edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, shkruan KultPlus.

Filmi është një fantazi aventureske për një vajzë 12-vjeçare (Kiera Milward) e cila bie në një mbretëri tjetër ku një shtrigë e mirë me emrin Hazel (Carrie Fisher) jeton përkrah natyrës. Megjithatë, duket se jo gjithçka është ashtu siç duket në botën reale si stilistja dhe shtriga e mundshme e keqe, Yana (Rita Ora) është e mërzitur me Hazelin për marrjen e vajzës. Ajo që shpaloset duket si një film vizualisht mahnitës me shumë imagjinatë dhe një ton zemër.

Pra një përrallë që zhvillohet midis Italisë së ditëve moderne dhe një mbretërie imagjinare pak më përtej, Wonderwell ndjek Violet, një vajzë naive dhe kureshtare 12-vjeçare, në një udhëtim emocionues që e transformon botën e saj përgjithmonë.

Filmi është bërë me regji të Vlad Marsavin dhe skenar të William Brookfield, përderisa aktorët të cilët marrin pjesë në film janë: Rita Ora, Carrie Fisher, Kiera Milëard, Nell Tiger Free, Sebastian Croft, Vincent Spano, Megan Dodds, Lloyd Oëen, Niccolò Besio, Romany Gilmour etj./KultPlus.com

Rita Ora dëshiron që njerëzit të kujtojnë se ajo shkoi në Angli si refugjate

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka shpjeguar pse dëshiron t’i kujtojë publikut se ka qenë refugjate para se të bëhej një superstar botëror.

32-vjeçarja u largua nga vendi i saj i lindjes, Kosova në fillim të viteve ’90 përpara se të kërkonte strehim në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan metro.co.uk, transmeton klankosova.tv.

Pas 10 vjetësh në industrinë e muzikës, ajo mendoi se ishte e rëndësishme të përhapte histori pozitive për refugjatët dhe t’i kujtonte të gjithëve se nga vinte.

Ajo foli për të kaluarën e saj në një intervistë të re me ‘Big Issue’ dhe rrëfeu për udhëtimet e saj në Mbretërinë e Bashkuar para se t’ia dilte mbanë.

Ylli i popit zbuloi: “Në këtë pikë të karrierës sime – unë jam në lojë qe 10 vjet – ndjeva se ishte e rëndësishme t’i kujtoja publikut, si dhe vetes, udhëtimin”.

Rita vazhdoi duke thënë se donte të theksonte “perceptimin e njerëzve për një vajzë si unë që vjen nga një vend i botës së tretë si Kosova, dhe po, të qenit refugjate dhe ardhja në MB dhe ëndrrat e mia të realizoheshin”.

Këngëtarja ‘Let You Love Me’ foli për mundësitë e saj dhe vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes së gjithçkaje që i është dhënë deri më tani.

“Nëse nuk do të kisha mundësi të shkoja në Londër dhe prindërit e mi nuk do ta bënin atë ndryshim të guximshëm, nuk do të mund të ulesha këtu dhe të flisja me [Norman Cook], një nga heronjtë e mi, filloi fytyra e famshme”.

“E di që e meritoj sepse punoj shumë. Por ka shumë fëmijë si unë, prej nga jam, për të cilët nuk ndodh vërtet. Kështu që nuk e marr kurrë si të mirëqenë”./klan kosova/KultPlus.com

Tërmeti rikthen në funksion orën në Japoni që u ndal para 10-vjetësh si pasojë e cunamit

Për gati dhjetë vjet, ora e vendosur në tempullin “Bunshun Sakano” ishte një kujtesë e forcës natyrore që ishte afër shkatërrimit të madh të Japonisë. Ora, e cila besohet se është rreth 100 vjet e vjetër, u ndal së punuari pasi një tërmet dhe cunami goditën fuqishëm Japoninë duke marrë jetën e mbi 18 mijë njerëzve, më 11 mars 2011.

Tempulli, i cili është i vendosur pak qindra metra larg nga baza e cunamit, një qytezë në rajonin Miyagi, u godit nga valët, me disa pjesë të saj që u shkatërruan. Aty shpëtoi ora, e cila u pastrua, por që refuzoi të riniste funksionimin.

Më 13 shkurt të sivjetmë – pak javë para se të shënohej 10-vjetori i tragjedisë – rajoni i njëjtë u godit nga një tërmet i fuqishëm, me sizmologët që thonë se ishte pasgoditje e tërmetit të marsit të atëhershëm.

Në ditën e nesërme, Sakano, kryesuesi i tempullit budist, shkoi për të shikuar dëmet që ishin bërë. Ora, e cila kishte qëndruar e heshtur, po bënte zhurmë.

Dy muaj më pas, ajo ende po funksionon, shkruan “The Guardian”. Ora duket se është kthyer në funksion pas dridhjeve të muajit shkurt./ KultPlus.com

Vidhet në një dyqan antik, ora e xhepit e dhuruar nga ish-presidenti i Amerikës

Një orë xhepi me vlerë rreth $27,000 e dhuruar nga ish-presidenti amerikan Woodrow Wilson është vjedhur në një dyqan antikitetesh, njoftoi sot policia e Londrës.

Ora me vlerë të llogaritur nga $22,800 deri në $26,860), është vjedhur mesditën e të shtunës, tha në njoftimin e saj policia e Londrës. Sipas saj autori i vjedhjes ishte një burrë që kishte hyrë në dyqanin e objekteve antike Pierrepont Arcade, në Islington në veri të Londrës, dhe tha se dëshironte të blinte një vazo dekorative.

Burri kishte tentuar të blinte vazon por karta e tij e bankës nuk kishte funksionuar. Policia beson se burri kishte hapur vitrinën për të vjedhur orën, kur punonjësi i dyqanit po vendoste vazon përsëri në vend.

Ora e vjedhur ishte ndërtuar me flori 14 karat dhe është dhuruar nga presidenti Wilson.

Në anën ballore të saj shihet vula presidenciale e SHBA me një shqiponjë, ndërsa në pjesën e prapme është gdhendur mbishkrimi i  Wilson.

“Nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për Charles J Lawrenson, kapiteni i avullores britanike Nubian, në nderim të shërbimeve humane për shpëtimin në det të ekuipazhit të anijes amerikane Julia A Trubee, më 7 mars 1914”, shkruhet në mesazh.

Policia publikoi fotot e orës si dhe ato të një burri me të cilin dëshirojnë të flasin në lidhje me krimin.

“Pronarët e orës janë shumë të shqetësuar,” tha oficeri Joshua Brown në njoftim. “Objekti ka qenë në familjen e tyre prej shumë kohësh dhe nxisim personin që e vodhi ta kthejë sa më shpejt që është e mundur”.

Wilson ka qenë presidenti i 28-të i SHBA nga viti 1913 deri në 1921. Ai kishte qenë më parë president i Universitetit Princeton dhe guvernator i New Jersey. /express/ KultPlus.com

Ditën kur vodha orën e shokut mësuesi nuk më turpëroi, por më dha mësimin më të madh të jetës

Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.

– A më mbani mënd?

– Jo.

– Kam qenë nxënësi juaj.

– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?

-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.

-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?

-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.

I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.

-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.

Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:

-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.

-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?

-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!

Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.

Shqipëruar nga M. Sota

Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com

Sonte akrepat shkojnë 60-të minuta prapa

Në natën e të shtunës 24 tetor dhe të dielës 25 tetor, në orën 3 të mëngjesit, akrepat do të shkojnë 1 orë prapa, duke u pozicionuar në 2.

Ky orar do të na shoqëroj deri të dielën e fundit të marsit 2021, kur do të spostojmë sërish akrepat e orës. Ndoshta kjo do të jetë hera e fundit që ne do ta bëjmë këtë, pasi parlamenti evropian ka votuar që ora mos të ndryshojë më.

Çdo vend do të vendosë vetë se ke orë do të mbajë. Edhe vendi ynë duhet të vendosë nëse duhet të mbajë orën diellore apo të përshtaten me atë verore për të gjithë vitin.

Në verën e 2018 rreth 5 milion qytetare evropian kanë marrë pjesë në një konsultë të ndërmarrë nga disa vende Europiane, me Finlandën dhe Poloninë në rresht të parë, mbi një propozim për të hequr detyrimin për të ndërruar orën dy herë në vit për vendet anëtare. Pavarësisht se 76% e pjesëmarrësve shprehën mbështetjen e tyre, një debat filloi për ketë temë brenda BE-së, pa arritur një vendim. Sidoqoftë me një shumicë të madhe u vendos që detyrimi për të ndryshuar orën e verës dhe të dimrit të mos ekzistojë më.

Secili shtet do të jetë i detyruar deri në prill të 2021 të miratojë kohën që do të përdorë përgjithmonë. Vendet e Evropës Jugore duket se me shumë gjasa do të mbajnë orën verore, ndërsa vendet me veriore (të cilat tashme kanë më shumë dritë në mbrëmje gjatë verës) mund të mbajnë orën diellore. / KultPlus.com