Pervjetori jubilar për heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun sot u manifestua me një orë letrare të quajtur “Ora e Gjergjit” që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm fetarë si Don Lush Gjergji, e shumë figura të njohura të artit letrar si: kryetai i Bashkimit të Shkrimtarëve Shqiptar, Reshat Sahitaj, dhe sekretari Asllan Qyqalla, po ashtu kryetari i Mergatës Shqiptare, Hasan Qyqalla.
Në këtë manifestim u tha se poezitë e poeteve e sjellin të gjallë figurën e Skënderbeut, këngëtarët e himnizojnë e aktorët e begatojnë figurën e Skënderbeut.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e hapi këtë manifesitm duke përshëndetur të gjithë të pranishmit, derisa tha se Skënderbeu vazhdon të jetë inspirim për shumë krijues, e mburojë përkrenare për ne ndër shekuj.
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu është krijues i lirisë dhe inspirim i krijuesve. Ai u përket shqiptarve dhe ballkanasve të tjerë, sepse u përkiste tri feve dhe fliste gjuhët e ballkanit. Gjergji ynë është parendes i multikulturalizimit dhe multifetarizmit që sot janë vlera të përbashkëta, por që ideali i tij ishte liria e kombit. Ai ishte i pari në Ballkan qe e kishte vizion rreshtimin me perëndimin”, tha kryeministri Haradinaj.
Më pas e mori fjalën Reshat Sahitaj, kryetari i Bashkimit të Shkrimtarve Shqiptar, i cili tha se është nder që këtë vit jubilar po e hapin shkrimtarët. “ Është nder që vitin jubilar po e hapin shkrimtarët, pasi që është hera e parë që në historinë e Kosovës së pasluftës që pendat shqiptare po respektohen nga Qeveria. Dua t’ua kujtoi personaliteteve politike dhe jopolitike se krijuesit janë luftetarët e parë të lirisë nga pendat e të cilëve u ngrit vetëdija kombëtare”, tha sonte Sahitaj duke shtuar se vargjet e poeteve që nuk u pajtuan me roberinë u shndërruan në plumba, ndërsa personalitetet politike dihet të kuptojnë kritikën e shkrimtarëve, pasi që kjo është për të mirën e përbashkët.
Më pas të pranishmit e shijuan këngën e Shkurte Fejzës, e një monolog nga aktori Ismet Krasniqi – Lala kushtuar figurës heroike Skendërbeu.
Pas kësaj u hap “Ora e Gjergjit”, e cila nisi me poezinë e profesorit Prend Buzhala “Zemrimi i Gjergj Kastriotit”, për tu pasuar nga poezitë e poetes, Vera Istrefi, Flamur Shala, Shaip Emërrllahu, e shumë poetë të tjerë nga mbarë viset shqiptare, si Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Po ashtu në këtë ceremoni Pjetër Marku nga Shoqata kulturore “Mirdita”i dhuroi kryeministrit Haradinaj Flamurin e Arbërit. Të pranishmit mbajtën një minut heshjte në nderim të profesorit Basri Çapriqit, i cili ndërroi jetën mbrëmjen e kaluar./ KultPlus.com