Në një ambient të bukur, rrethuar me libra llojesh dhe zhanresh të ndryshme dhe me praninë e shumë pjesëmarrësve, në Bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë, u mbajt Ora e shkrimtarit me poeten Naime Beqiraj. Ky ishte takimi i dymbëdhjetë më radhë, i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili po organizohet në shumë qendra të Kosovës.
Aktiviteti u moderua nga shkrimtari Binak Kelmendi, i cili prezantoi Naime Beqirajn, si poete, gazetare dhe drejtoreshë e Bibliotekës së kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Duke i përmenduar veprat kryesore të saj të shkruara deri më tani, Kelmendi vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Beqirajt në kuadër të zhvillimeve të poezisë së sotme shqipe.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Xhenet Syka, drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, e cilësoi Naime Beqirajn si një zë të veçantë poetik që dallohet me vlerën e poezisë së saj. Pos kësaj, znj. Syka, foli edhe për kontributin e Naime Beqirajt në organizimin e edicionit XX-të jubilar të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.
Ndërkaq, poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili njëherësh është udhëheqës i këtij projekti, tha se takimet e tilla kanë vlerën e tyre, në radhë të parë, për rëndësinë e letërsisë kombëtare dhe për leximin në përgjithësi, sidomos për gjeneratat e reja. Prandaj takimi i sotëm është një mundësi e mirë për të biseduar për temat që ndërlidhen me arsimin, kulturën dhe për nxitjen e talenteve të reja, për t’u marrë me fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare.
Ora e Naime Beqirajt në Bibliotekën “Azem Shkreli”, në Pejë ishte e ndërlidhur me kujtimet e fëmijërisë së saj, pastaj me fillimet krijuese dhe me botimet e poezive të para në revistat letrare që botoheshin në Kosovë. Në këtë mënyrë, poetja Beqiraj shpalosi kujtime të shumta nga përvoja e saj krijuese, të ndërlidhura edhe me qytetin e bukur të Pejës, pikërisht me vendlindjen ku burojnë frymëzimet e shpirtit, si dhe me pasionin e dashurinë për librin, leximin, miqtë etj.
Pasi lexoi poezinë e saj “Xhubletë e n’ejme n’kambë”, e cila me përmbajtjen interesante dhe me ritmin e saj, veçanërisht në të folmen gege, para së gjithash, i emocionoi të gjithë të pranishmit, Beqiraj foli për përvojën e saj krijuese, për bashkëpunimin me Azem Shkrelin dhe me poetë të tjerë, për vitet e studimeve në Prishtinë, duke përfshirë orët letrare të organizuara nga Klubi
Letrar “Jeronim de Rada” i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, si dhe për shumë aktivitete të tjera letrare dhe kulturore.
Në vazhdim evokoi periudhën e botimit të librit të parë me poezi “Mbi Siparunt”, pastaj të librave “Maket Kosove”, “Njomja e fikut”, përfshirjen në antologji të shumta të poezive brenda dhe jashtë vendit, për përkthimin e poezive të saj, por edhe për profesionin e gazetares në disa mediume në Kosovë, para dhe pas luftës.
Në pjesën e fundit të këtij aktiviteti letrar u zhvillua një bashkëbisedim me poeten Naime Beqiraj, me ç’rast nga të pranishmit iu parashtruan pyetje të shumta, kryesisht që ndërlidheshin me krijimtarinë e saj poetike në të kaluarën dhe për projektet krijuese në të ardhmen, por u debatua edhe për probleme të ndryshme të letërsisë, kulturës, leximit, promovimit të vlerave krijuese etj./KultPlus.com
Aktiviteti letrar “Ora e Shkrimtarit”, i teti më radhë, u mbajt të hënën, më 21 tetor 2024, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Protagonist i këtij aktiviteti ishte shkrimtari, publicisti dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Në praninë e numrit të madh të pjesëmarrësve, mësimdhënësve, shkrimtarëve, veçanërisht të studentëve të Degës së Gazetarisë dhe të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, por edhe të interesuarve të tjerë, shkrimtari Milazim Krasniqi, foli për përvojën e tij krijuese mbi gjysmëshekullore përmes një kumtese për artin e të shkruarit, me titullin “Letërsia si udhëtim në imagjinatë e në realitet”.
Në fillim të Orës, shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili e moderoi këtë aktivitet, bëri një portretizim letrar Milazim Krasniqit, duke e dalluar veprimtarinë e tij letrare dhe kulturore në shumë fusha, veçmas në fushën e letërsisë. Berisha, në pika të përgjithshme e veçoi profilin krijues të Krasniqit, në radhë të parë, si poet, dramaturg, studiues i letërsisë, publicist etj., duke thënë se kontributi i tij në letërsinë shqipe, e bëri më të dallueshmin nga shkrimtarët e brezit të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, por edhe më gjerë.
Në fillim të fjalës së tij, Krasniqi theksoi se “kur flet shkrimtari për veten është mision i vështirë, duplifikim i rrëfimit, sepse në instancë të fundit çdo fjalë e veprës së tij flet pikërisht për të. Ndërsa kur shkrimtari flet për veprën e vet, ajo paraqet një lloj përsëritjeje, ngase vepra flet për vetveten. Megjithatë, shkrimtari mund të flasë e duhet të flasë për veten e veprën e vet, sepse ai e njeh më së miri veten dhe veprën e vet. Shembull ilustrues janë autobiografitë e shkrimtarëve dhe gjithsesi edhe fjalët e shkrimtarëve në raste aktivitetesh e solemnitetesh”.
Pastaj, Krasniqi tha se është një moment i veçantë kur flitet për përvojën letrare dhe për procesin krijues, duke shtuar se “në këtë orë diskutimi do t’ua shpalos një pjesë të raportit tim me letërsinë, që nga fëmijëria e deri në kohën tonë, kur letërsia po u ekspozohet ndryshimeve nën presionin e medieve të reja, rrjeteve sociale, post-truuthit, intelegjencës artificiale. Por po ia nis nga fillimi, nga takimi im me letërsinë në vitet 60 të shekullit XX, gjë që mund të fillojë edhe në stilin e përrallës, “na ishte njëherë…”
Në fjalën e tij, Milazim Krasniqi, shpalosi kujtime dhe përjetime për periudha, kohë e rrethana të ndryshme, duke u përqendruar te fillimet e tij krijuese, për momentet e botimit të poezisë së parë në gazetën për fëmijë, si dhe për botimin e librit të tij të parë me poezi “Imazhi gri” (1982). Më tutje, foli për rëndësinë dhe vlerën e shkrimit që e rritë vetëbesimin, për lidhjet emocionale me librin dhe leximin, në fakt për mesazhin që mund të jap poezia, pastaj për ardhjen e tij në Prishtinë, për jetën letrare në Kosovë në vitet 70 dhe 80, për t’u ndërlidhur me periudhën e studimeve ku disa prej shkrimtarëve të njohur i kishte profesorë, si Hasan Mekuli, Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Rexhep Qosja.
Gjithashtu, evokoi kujtime nga bashkëpunimi i tij me Ibrahim Rugovën në periudhën e viteve 1988-1999, në kohën kur Rugova ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa Krasniqi ishte sekretar i saj.
Në vijim të paraqitjes së tij, në esenë “Letërsia si udhëtim në imagjinatë e në realitet”, pas shpalosjes së përvojës së tij si poet dhe studiues i letërsisë, Krasniqi foli për procesin e të shkruarit të dramës. Ndër të tjera, theksoi se “drama kërkon kulturë letrare, përvojë jetësore dhe energji për të shkruar. Për të shkruar dramë më janë dashur disa njohuri themelore teorike. I kam gjetur te Platoni, Aristoteli, Nikolla Boalo, Bertolt Brehti. Platoni gjithë artin e cilëson si imitim (mimesis). Edhe drama e teatri janë imitime të realitetit jetësor. Bashkë me kulturën letrare, përvojën jetësore dhe energjinë për të shkruar, është i domosdoshëm edhe frymëzimi”.
Në esenë e tij, Milazim Krasniqi, përmendi edhe zhvillimin teknologjik në raport me sfidat e librit përbrenda këtij pikëshikimi, duke thënë se “në kohën e tashme letërsia është nën presionin e teknologjive të reja dhe të komunkimimeve të reja. Libri i epokës së Gutenbergut po zëvendësohet me librin elektronik, komunikimi i kulturuar po zëvendësohet nga komunikimi vulgar. Në këto rrethana edhe letërsia do të detyrohet të përshtatet, të ndryshojë në disa parametra”.
Përvoja e tij në artin e shkruarit, kohëve të fundit është orientuar në një lloj tjetër të shkrimit. Krasniqi tha se “ka disa vite që e kam përshtatë shkrimin me mediet e reja dhe me rrjetet sociale. Shkruaj tvit-tregime, pra tregime të vogla me 140 shenja, aq sa është teksti në tviter, në platformën X. Arsyeja është se njerëzit tash lexojnë pak, duan tekste të shkurtëra.
Një formë tjetër të tekstit e kam përshtatur portretin, duke marrë nga portalet disa personazhe reale dhe i kam portretuar si personazhe letrare. Në librin tim me titullin “Rruga për në shtëpinë e shpëtimit” i kam bërë këto eksperimente. Në momentin që po flasim në gjuhën shqipe tritregimin
e shkruaj vetëm unë. Shpresoj se ndokush nga ju do të më bashkoheni së shpejti”, tha ndër të tjera, Milazim Krasniqi në Orën e Shkrimtarit, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës
Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim i shkrimtarit me pjesëmarrësit, me ç’rast u diskutua për shumë çështje, dukuri dhe fenomene të letërsisë shqipe në përgjithësi, për rëndësinë që ka leximi sot, për vlerën që ka puna në çdo dimension të jetës, pastaj për edukimin e gjeneratave të reja etj.
Projekti Ora e Shkrimtarit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës, në fund të kësaj jave, të premten, më 18 tetor 2024, mbajti aktivitetin e vet të radhës nga projekti “Ora e Shkrimtarit”, që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Aktiviteti u zhvillua në Gjakovë, në ambientet e Bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova” dhe ai iu kushtua poetit dhe publicistit, Engjëll I. Berisha.
Poeti Sali Bashota duke e hapur këtë aktivitet letrar theksoi se “Gjakova ka dy shenja të përveçme që e simbolizojnë këtë institucion: emri i Bibliotekës ”Ibrahim Rugova” dhe salla e promovimeve të aktiviteteve letrare “Teki Dervishi”.
Pasi i njoftoi të pranishmit me historikun e PEN Qendrës së Kosovës dhe me projektet që kjo organizatë shkrimtarësh ka realizuar dhe po vazhdon t’i realizojë gjatë këtij viti, Bashota përkujtoi rolin historik e kombëtar që ka pasur Gjakova me intelektualët e saj, në mënyrë të veçantë shkrimtarët dhe artistët, në zhvillimin e gjithëmbarshëm kulturor të kombit. Ai me këtë rast përmendi edhe pena të shquara letrare që kanë dalë nga ky qytet dhe përkujtoi edhe fusha të tjera ku artistët gjakovarë kanë lënë gjurmë krijimtarie në mbarë Kosovën dhe jashtë saj.
Bashota pastaj foli për veprimtarinë letrare të poetit Engjëll I. Berisha. Duke e quajtur të veçantë e të rëndësishëm në brezin e tij krijues, Bashota për Engjëll I. Berishën tha se poezia e tij dallohet me figurën, ligjërimin dhe me porosinë që e bart. Bashota, pasi përmendi një varg veprash shkruar nga Berisha, veçoi veprat “Gjarpri në shishe”, “E diela e lutjes”, sidomos veprën poetike “Çati eshtrash” në të cilën Engjëlli i kthehet, me vargje, tragjedisë së familjes së tij gjatë luftës së fundit.
“Liria është një motiv i përhershëm i Engjëllit”, tha ndër të tjera, Sali Bashota.
Të pranishmëve, që ishin të shumtë në Orën e poetit Engjël I. Berisha, pastaj iu drejtua kryetari Kuvendit Komunal të Gjakovës, Ardian Gjini.
Gjini, pasi ka përgëzuar punën që po bën PEN Qendra e Kosovës, përkujtoi angazhimin kulturor e artisitik të Engjëll I. Berishës. Veçoi siodmos punën e tij prej publicisti para dhe gjatë luftës dhe kontributin që po e jep tash e disa vite Engjelli në Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova”.
Në vazhdim foli poeti Engjell I. Berisha, për të cilin edhe ishte organizuar takimi.
Duke shpjeguar “Pse shkruan”, Engjëlli tha se “shkrimi reflekton ndjenjat dhe përvojat tona, për t’u lidhur me lexuesin. Për t’u rrëfyer, si një proces i lehtësimit të ngarkesës ideore, emocionale që mban në vetvete shkrimtari. Kjo vetvete është akumulim jo i vetëm ndjenjave, por edhe i përjetimeve, pse jo edhe i informacionit që ka, varësisht çfarë natyre të shkrimit bën autori. S’do mend se shkrimi bëhet për të ndarë mendime me lexuesin, për t’i dhënë lexuesit”.
Duke vazhduar trajtimin e kësaj teme, Engjelli tregoi kështu pse shkruan: “E kam nisur me poezinë në vitet kur ngacmohesha nga leximi, vjersha për fëmijë, romane përtej moshës sime. Janë virtytet e jetës, atë që marrim në fillim tonë, prej të cilave formohemi e ndërtohemi, për ta dhanë pastaj në shkrim e në përcaktim mora e human. Dashuria është indikatori i parë që ta nxjerrë shpërthimin, si zjarrmia kur e ke në trup, e donë t’u tregosh të tjerëve se po përvëlohesh brenda. Te poezia kërkohet kujdes më i veçantë te përdorimi i figurave stilistike që e interpretojnë kuptimin, për të qenë i kapshëm nga lexuesi, për ta ruajtur dramatiken, e që do të thotë shfaqja e veprimeve refleksive, sikur janë ndjenjat, apo efekte tjera”.
Duke zbërthyer artistikisht disa nga veprat e veta, Engjell I Berisha theksoi:
“Dita me hënë e me nuse”, kap metaforën e ardhjes. Dita me hënë, në vitet e robërisë, natën e kishim më të lirë dhe nusja, liria, diçka e re, po vjen në dritën e hënës për ta sjellë të bukurën.
Libër që shtrëngonte damarin, ta prodhonte metaforën frymëzuese. Frymëzi na duhej për të mbijetuar se po vjen ajo që donim. Durimi, motivimi, shtrëngimi rreth vetvetes, me njëri-tjetrin”.
Më vonë, tha autori, erdhi vëllimi “Avenytë e Muzgut. Alegoria që ka secila poezi, te lexuesi e çon edhe kërkesën time, liberalizuese, frymuese. Pastaj, portretizimi individual del nga po ai univers. Kjo niset nga përshkrimi i lashtësisë, që poetika e lejon të bartet te gjenerata që vjen.
Libri në vijim “Diaspora shqiptare”, nuk është vetëm gjeografi përshkruese e vendeve të bukura të Evropës, është klithma, vaji që bënin nënat duke përcjellë bijtë e tyre në mërgim. Është braktisja e vendit, e familjes, e dashurisë, e shkollimit. Janë reportazhe, rrëfime, ese, portretizime mërgimtarësh.
Lufta e fundit në Kosovë, përfshiu edhe mendimin krijues. Luftë e robërisë me lirinë. E jetës me vdekjen. E kapluar e thellë fryma e njeriut në kërkim të demokracisë, me shpirtin e rënduar për t’u çliruar, u krijua veçori e shkrimit meditativ, për të shpërthyer pastaj me ardhjen e lirisë.
Kritika po i klasifikon si poezi e luftës, edhe është në fakt, se i krijojë vetë lufta. Doli libri “Dyert e qiellit” dhe shumë shpejt “Çati eshtrash”.
Poezia ma nxirrte vajin si te Mjeda. Lufta e fundit në Kosovë, shkatërroi shumëçka. U dogj shtëpia, u dogjën njerëzit e gjallë, vëllezërit e mi e shumë të tjerë. Eshtrat, pas vrasjes, djegies, mbetën për disa muaj në vend të çatisë. Kjo është lirika më e dhimbshme që më ka dalë prej shpirtit. Këta janë personazhet që ta krijojnë poezinë, narracionin, semantikën e figurën, prej të cilës e krijon veprën me çarjen e zemrës. Kam pa, se arti ndërtohet vetë, kur je përballë ngjarjes. Ky është arti natyral, pa pasur nevojë për imagjinatë”, tha Berisha i cili përfundoi se “të jesh i kënaqur me atë që ke dhe të kërkosh më shumë, janë dilemë e leximeve biblike, e psikologjisë së sotme dhe e kupton se gabimet e së kaluarës e determinojnë të sotmen. Por ja që gjërat ecin deri aty që lejon mundësia jote, që t’ është caktuar për rriskë dhe sa ke aftësi ti jetosh”.
Në fund poezi të autorit lexuan nxënëset e Gjimnazit “Hajdar Dushi” Eltiona Muhadri, Arsa Saraçini, Aurela Thaçi dhe Albiona Muhadri ndërsa poetit iu shtruan edhe disa pyetje lidhur me krijimtarinë e tij./KultPlus.com
Sot, në orën 17:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës fillon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.
Në këtë kuadër sonte shqyrtohet tema “Liria dhe e drejta e autorit”.
Rreth kësaj teme flasin Ibrahim Berisha dhe Milazim Krasniqi, ndërsa moderon Avni Spahiu. Mirëpritet kontributi edhe nga të pranishëm të tjerë.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës.
PEN Qendra e Kosovës më parë ka realizuar disa projekte, poashtu me përkrahje të MKRS-së.
Nga këto projekte vlen për të përmendur ato që bosht kishin përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë. Kështu, në vitin 2020 janë mbajtur takimet me titull “Ora e Shkrimtarit”, dhe vjet, më 2021, takimet “Ora e Shkrimtarit2”./ KultPlus.com
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Musa Ramadanit, një krijues i veçantë i letërsisë bashkëkohore shqipe që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e çdo njeriu të pranishëm në mbrëmjen letrare që i dedikohej këtij poeti, dramaturgu, përkthyesi e shkrimtari unik, siç ishte vetë ai. Për publikun, ky përkujtim erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, e që shënon edhe fundin e këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Për të nderuar Ramadanin, në panel të ftuar ishin të ftuar: profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi dhe shkrimtari Agron Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Ramadani dhe vepra e tij.
Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili Ramadanin e konsideronte si një shkrimtar i cili ishte i përkushtuar vazhdimisht në fushën e kulturës. Ai identifikohej me përzgjedhjen e vazhdueshme të teatrit e ishte i spikatur për lidhjet e tij me atë se çfarë ka ndodhur me fushën e dramës. Ndërkohë, poezia e proza cilësohen si fokuset kryesore të krijimtarisë së Ramadanit.
“Me cigaren në dorën e majtë e kapelën që e mbante çdo herë, përherë me një libër në dorë, Ramadani ishte i vetmuar por shumë miqësor, i dashur vazhdimisht, krenar dhe gjithmonë i gatshëm të bisedojë për letërsi e çështje kulturore”, kujton Berisha Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.
Pastaj, duke e cilësuar Musa Ramadanin si ‘Avangardisti i Kosovës’, shkrimtari Agron Gashi e lartëson figurën e autorit i cili për të duket se ka sjellur një frymë të re në të gjitha zhanret letrare.
“Musa Ramadani, aristokrat në jetë e në letra, rreth pesë dekada më parë solli një frymë të re në të gjitha zhanret letrare: poezi, prozë, dramë, kritikë teatri dhe gazetari. Ai përherë ishte dhe mbeti konsistent në veprime e brilant në shkrime. Musa Ramadani jetën e bëri art, dashurinë, dhimbjen-letërsi. Dhe s’kishte se si të ishte ndryshe: Mik i Pashkut e i Teki Dervishit, i Beqir Musliut dhe i Jusuf Gërvallës, i Bekim Fehmiut, i Rugovës, dhe i shumë të tjerëve, që janë në amshim, por edhe në mesin tonë, e që ngushëllohen me librin e tij të gjallë. Musa Ramadani ishte sharmi dhe eleganca e këtij brezi. Ndaj, jeta dhe vepra e tij është një simbioze identitetesh e personalitetesh letrare, për të qenë vetë krejt unik, në kulturë e komunikim, kërkues dhe eksperimentues i madh, përgjithmonë i hapur ndaj frymës letrare evropiane”, thotë Gashi.
Sipas tij, Musa Ramadani ka lënë një bibliografi të pasur që kap mbi gjysmë shekulli krijimtari letrare, nga viti 1969 e deri më sot. Fitues i shumë çmimeve, vepra e Musa Ramadanit është cilësuar si e gjerë dhe e shumanshme, në prozë, poezi, pikturë, kritikë teatri, muzikë dhe gazetari.
“Shkrimtari Musa Ramadani ka motivuar që letërsia bashkëkohore shqipe të pasurohet me laramani formash, teknikash të rrëfimit e të shkrimit poetik. Kështu, vepra e tij paraqet një enciklopedi formash letrare, duke lëvizur nga dokumentariteti te fiksionaliteti i thellë. Ajo është e hapur ndaj teksteve dhe mediumeve të ndryshme, si: muzikës, pikturës, kinematografisë. Mirëpo, kur kritika dhe lexuesit menduan se Ramadani i kreu të gjitha provat e eksperimentimit në të gjitha zhanret, ashtu si sivëllezërit e tij letrarë, pikërisht kur në Kosovë u riaktualizua zezona si fatum, Ramadani shpërtheu me një tjetër model romani, roman sintezë siç është Antiprocesioni (1997), të cilin edhe vetë autori e ka cilësuar si roman metafizik, sintetik dhe mistik”, thotë ai.
Për Gashin, autori me poezinë e tij personale e mitike, herë me shenja autobiografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap me tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kësisoj, Ramadani është nismëtar dhe përfaqësues i poetikes voko vizuale, sinjalistike dhe intermediale në letrat shqipe.
“Shkrimtari Musa Ramadani me prozën e tij, qoftë ajo sipas skemës klasike, moderne e postmoderne, letërsisë shqipe i ka dhënë modele të veçanta dhe krejtësisht autentike. Ajo është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Proza e tij, përveç tjerash, përfaqëson më së miri golgotën shqiptare, siç është romani Zezona, e cila trandi pushtetin politik dhe për katër vjet mbeti e mbyllur nëpër sirtarë të zyrave të ish sistemit”, përfundon Gashi.
Ndërsa, për të treguar më thellësisht për prozën e shkurtër të Musa Ramadanit, foli profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi.
“Musa Ramadani është pa dyshim një nga krijuesit më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqipe të këtij krahu, një nga shkrimtarët më produktivë – romancier, dramaturg, poet, tregimtar, kritik teatri, publicist e përkthyes. Është i veçantë për shkak të vëllimit të veprave letrare, por para së gjithash, për shkak të risive që ka sjellë në të gjitha veprat e tij e që përgjithësisht janë në linjë me zhvillimet në letërsinë evropiane e më gjerë. Në fushë të poezisë, përveç tjerash ai e çon deri në skajshmëri tipin e poezisë associative, eliptike si dhe fut ndër të parët të ashtuquajturën poezi vokovizuale e kaligramin. Në prozë shquhet për asimilimin e teknikave moderne e postmoderne të shkrimit, monologun e brendshëm, kodimin e dyfishtë, asociacionin e introspeksionin, pastishin etj. Me disa tipare që e karakterizojnë, proza e shkurtër e Ramadanit na e kujton prozën e Borhesit e të Dino Buxatit, duke pasur parasysh elementet esesistike, përzierjen e mitit, historisë e letërsisë, misterin, fantastiken etj”, thotë Gashi.
Sipas tij, Musa Ramadani ka qenë përkthyes i çmuar duke pasur parasysh prurjen e veprave të shkrimtarëve të njohur në gjuhën shqipe, si: Per Lagerkuist, Jezhi Andzhejevski, Dino Buxati dhe disa shkrimtarë të Lindjes ndër të cilët duhet veçuar romanin “Legjenda mbi Araratin” të autorit turk Jashar Qemal dhe “Bufi i verbër” të Sadek Hedajat, I cili është quajtur edhe Kafka I Lindjes. Nuk duket të jetë e rastësishme përzgjedhja e veprave nga këto letërsi, madje raporti i tij me Letërsitë e Lindjes shpesh sikur shndërrohet në një preokupim të përhershëm a obsesion.
“Temat e motivet kryesore që trajtohen në tregimet e tij janë: jeta e preokupimet e njeriut nga ambienti urban, njerëzit e margjinave, të braktisurit, pleqtë, gratë, kotësia, dilemat e njeriut të thjeshtë, përpjekja për shkëputje e distancim nga jeta publike si dhe a ajo politike. Që nga viti 1969, kur botoi veprën e parë, vëllimin me poezi “Mëkatet e Adamit”, Musa Ramadani u shqua si një individualitet krijues karakteristik me një botë të veçantë preokupimesh e observimesh artistike. Libri me tregime “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, i botuar më 1987 shpreh një avancim të dukshëm në planin përmbajtësor, tematik e stilistik të krijimtarisë së deriatëhershme të M. Ramadanit. Gama e interesimeve tematike të autorit është mjaft e gjere. Të tetëmbëdhjetë tregimet e këtij vëllimi na e shpalojnë një botë specifike, në dukje të parë të përshkruara me gjuhën e përditshmërisë, por ku fshihet tendenca për alegorizim e aluzione të mirëfillta”, thotë ai.
Për Osmanin, Musa Ramadani me sukses ka risemantizuar dhe riformësuar motivet e letërsisë sonë popullore, veçanërisht në tregimet: “Tri dritaret” dhe “Pogaçja e gurtë”.
“Në tregimin e fundit të përmbledhjes “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, autori ka vënë në spikamë dukurinë e shpërnguljes, jo duke e përshkruar atë, por përmes pasojave të mëvonshme që lë kjo dukuri në psikën e njerëzve. Takimet pas një kohe shumë të gjatë gjithsesi janë të dhembshme. Ato kurrsesi të vihen në raporte afrie e të natyrshme. Studiuesi amerikan i letërsisë Harold Blum i kishte identifikuar dy lloje tregimesh: ato që rrjedhin nga Çehovi dhe ato që rrjedhin nga Borhesi. Cili lloj dominon deri sot në letërsinë shqipe, nuk mund ta them tash me siguri, por jam i bindur se në thelbin e tregimit të Musa Ramadanit nuk qëndron trashëgimia e Çehovit”, përfundon Osmani.
Ndërkaq, në një mbrëmje letrare si kjo, përveç mendimeve të artikuluara dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u treguan histori të veçanta e kujtime të cilat vështirë se harrohen ndonjëherë.
Në anën tjetër, kësaj mbrëmjeje nuk i mungoi as fryma poetike e që mbrëmë erdhi pikërisht nga dy studente të Degës së Letërsisë si: Edlira Musliu dhe Festina Krasniqi, të cilat në një kontrast të dallueshëm nga njëra-tjera, po aq edhe të veçantë, para publikut recituan poezitë: ‘Manët nuk harrojnë’, ‘Miqtë e mi memecë’, ‘Një mëkat pranvere’ si dhe ‘Molla e Eridës’, duke bërë kështu që jehona poetike e autorit të dhurojë shkëndija frymëzimi tek të pranishmit.
Ky ishte aktiviteti i shtatë me radhë dhe njëkohësisht i fundit në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.
Më parë janë përkujtuar shkrimtarët si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti dhe Ramiz Kelmendi. / KultPlus.com
Jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë, Ramiz Kelmendit, sonte u përkujtua në aktivitetin e pestë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare u shpalosën jo vetëm analizat e ndryshme letrare por edhe momentet nga më të përzemërta të të pranishmëve që kishin ndarë me shkrimtarin, shkruan KultPlus.
Fillimisht, moderatori Haqif Mulliqi, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e shkrimtarit e më pas duke ndarë edhe ndodhi nga kujtesa e tij me të.
“Ramiz Kelmendi ka qenë një satirist, një tregimtar, ka shkruar radiodrama, është shquar si bashkë skenarist i filmit “Gjurmë të bardha” me Ekrem Kryeziun, ka shkruar romane, profesor i Universitetit, pra njihet si një personalitet kompleks. Ai ishte edhe një përkthyes i jashtëzakonshëm, i pasionuar me emrat më të shquar të letërsisë botërore”, thotë Mulliqi.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për botimin e Kelmendit, të titulluar “Nga ditari im”, ishte edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
“Emri i Ramiz Kelmendit me dekada ka gjetur hapësirë në të gjitha gazetat dhe revistat tona dhe në raftet e bibliotekave me aq shumë libra origjinal dhe përkthime. Ai paraqet një individualitet të veçantë si krijues e pedagog, duke dëshmuar individualitetin me kreativitet dhe angazhime organizative në krye të edicionit botues të “Rilindjes”, në teatër dhe së fundi si themelues i shkollës së gazetarisë nga e cila kanë dalë kuadro që u bënë kontribuues të mjeteve të informimit. Kur përmend edicionin botues, më kujtohen vitet e fundit të gjashtëdhjetave kur, falë angazhimit të drejtpërdrejt të Ramiz Kelmendit, u pasuruan bibliotekat tona me botimet e Tiranës pikërisht në kohën kur ende merrte frymë politika e etiketimit të botimeve të Shqipërisë”, thotë Kadriu.
Sipas tij, libri “Nga ditari im” si i tillë ka vlerë të shumëfishtë, meqë ngërthehet përmes rrëfimeve të “huazuara” në periudhën kohore prej dekadave, rrëfime që janë të pasuruar me referenca, por edhe me nuanca të asaj përditshmërie që na ndihmojnë ta kuptojmë atë realitet të hidhur përmes së cilit, autorit, i është dashur të kapërcejë gjithnjë me frikën e të ndjekurit.
“Duke lexuar Ditarin, duke shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte kaluar ai, më erdhi një si qortim për veten, se nuk e kisha njohur sa duhet, se pata fat (me këtë lexim) ta njihja më të plotë, sado që gjatë këtyre pesë dekadave prej kur këmbenim mendimet dhe përvojat, e kisha të qartë portretin e këtij krijuesi, si figurë komplete e letrave shqipe. Asaj njohjes sime paraprake, faqet e ditarit të tij, i erdhën si dëshmi për të deshifruar shumëçka biografike në veprat e shkrimtarit”, thotë Kadriu.
Për Kadriun, libri “Nga ditari im”, përkundër dilemës së autorit, të shkruhej apo të mos shkruhej, që e thotë në parathënie, është fat që, megjithëkëtë, është shkruar dhe, para lexuesve, del edhe si roman, edhe si dramë, edhe si tragjedi, por edhe si komedi. Për të gjitha këto zhanre ky ‘Ditar’ ka brumë të mjaftueshëm dhe, me atë brumë, i ndihmon teorisë mbi individualitetin e shkrimtarit si protagonist e veprave të veta.
“Kur e kemi parasysh Ditarin, na vjen keq që aq shumë tema të shtruara në faqet e këtij libri në mënyrë fragmentare, nuk janë realizuar si vepra (të tjera) të veçanta. Ndoshta për këtë ka ndikuar tërheqja, për një kohë të gjatë, e shkrimtarit nga shkrimi, e që mund të kuptohej si revoltë për shkak të ndodhurave politike përmes dhunës mbi shqiptarët. Largimi nga krijimi i këtij autori, prandaj, mund të kuptohet edhe si varfërim i letrave shqipe, por ja që, në moshë të shtyrë të autorit, na erdhi botimi: Nga ditari im”, përfundon Kadriu.
Tutje, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi foli rreth publicistikës tek shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke e cilësuar atë si rilindës i edicionit, rilindës i publicistikës dhe rilindës i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ramiz Kelmendi ka qenë rilindas i “Rilindjes”. Rilindas i edicionit, Rilindas i publicistikës. Dhe Rilindas i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Them se ka qenë rilindas i “Rilindjes” pasi që dy periudha të jetës së vet ia kushtoi kësaj gazete. Fillimin e parë në këtë gazetë e nisi në vitin e largët 1947. Këtë e pohon ai vetë, Ramizi, kur thotë se: unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, “Letra prej Ulgini” është një korrespondencë e sajuar e gazetarit Ramiz me dy rezidentë të Ulqinit (Muho Ficigi- Muharrem Fici dhe Hajro Doçiqit-Hajrudin Doçit) njohës shumë të mirë të situatës politike dhe të gjendjes së përgjithshme shoqërore të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi.
“Është evidente se “Letra pre Ulqini”, tejkalon krejtësisht konturat e rëndomta gazetarore, e do të thosha edhe ato publicistike jo vetëm të kohës kur është shkruar, fundi i viteve të gjashtëdhjeta. Si e tillë ajo mbetet një dëshmi me interes për zhvillimet te shqiptarët në ish-Jugosllavi që nuk ishte veçse një Serbi e madhe me apetite të pashuara për kolonizim e mbisundim ndaj të tjerëve dhe në veçanti me aspirata të qarta antishqiptare. Në fakt, “Letra prej Ulqini”, është një kronikë me frymë e me shpirt e një periudhe katandisëse në Kosovë”, thotë ai.
Për Kelmendin, vepra tjetër “Fytyra dhe turinj” është një përmbledhje polemikash e rilindasit publicist ku Kelmendi, duke u marrë me historikun e polemikës në letrat shqipe, ka përzgjedhur dhe ka analizuar polemika autorësh të njohur shqiptarë që nga mesjeta dhe deri në vitet e 70-ta të shekullit të shkuar.
“Kelmendi jo vetëm shkroi e bëri një kohë të gjatë gazetari. Ai e krijoi edhe shkollën e vet te gazetarisë me emrin “Faik Konica” e cila veproi deri pas çlirimit. Një kohë e botoi edh gazetën “Gazetari’. Ramiz është Rilindas i Edicionit ose i asaj që e njohim si Shtëpia Botuese e Rilindjes. Në kohën e qëndrimit të tij në Edicion, si kryeredaktor, Ramizi theu murin e madh që ekzistonte ndaj librave të botuar në Shqipëri duke sjellë dhe ribotuar në Kosovë tituj që deri në atë kohë konsideroheshin mollë e ndaluar. Pavarësisht se pa prozën e tij, romaneske e tregimtare, pa udhëpërshkrimet e tij, pa dramat dhe pa publicistikën e tij, letërsia, kultura dhe arti ynë, do të ishin shumë më të varfër ”, përfundon Kelmendi.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për gjuhën unike të shkrimtarit Kelmendi dhe magjinë e tij të të shkruarit.
“Mendoj se vendlindja e shkrimtarit është ka flitet gjuha e tij. Nëse flasim për art, duhet të flitet për magjinë e mençurisë së shkrimit. Nuk besoj se ka në letërsinë shqipe ajo idila erotike, ajo magjia e dashurisë, më shumë se sa në prozën e Ramizit. Ajo që më dhemb shumë, është se nuk po kemi fuqi institucionale e as të iniciativave të shoqërisë civile që të fshijmë pluhurin asaj gjenerate që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës me të gjitha. Kur e sheh Ramizin, e sheh madhështinë e një rruge që ka shtruar në një mënyrë shumë të bukur artistike. Vajza është më e bukur në jetën e vet kur bëhet nuse, e shkrimtari Kelmendi, gjuhën e ka pasur nuse”, thotë Demaku.
Sipas tij, promovimi i librave të tij për brezat e ri do të ishte një krenari serioze kombëtare ku secili do të thoshte: “I lumi unë që jam shqiptar se paskam pasur dikë para meje të këtij niveli.”
Krejt në fund, nën atmosferën e ngrohtë të rrethuar me muzikë shqiptare, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të tyre të cilat mbase edhe do të mbahen mend deri në frymën e fundit të qenies njerëzore.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com
Krijimtaria letrare dhe jeta e poetit e profesorit të ndjerë, Enver Gjerqekut, dje u përkujtua në aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga të pranishmit, u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që kjo mbrëmje të zhvillohej nën një frymë poetike e tejet të veçantë, shkruan KultPlus.
Fillimisht, moderatori Ibrahim Kadriu, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për fillet e veprimtarisë së tij.
“Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pasluftës së dytë botërore. Ai si student ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës së parë në gjuhën shqipe që ka dalur si zëri i mëvonshëm i rinisë, e andaj që atëherë ai e tregon interesimin për shprehjen poetike duke botuar për herë të parë vjershën e tij të parë”, thotë Kadriu.
Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e poezisë së Gjerqekut e për të shpalosur observimin në tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.
“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, disa nga poezitë e dy vëllimeve të para konceptohen si mjet i emancipimit arsimor e shoqëror, si mjet i afirmimit të revolucionit dhe ideologjisë së proklamuar të tij, me ateizmin si tharm ideologjik, etj. E po ashtu, tematizimi poetik i disa figurave dhe i disa ideve me prejardhje jashtë ambientit dhe historisë shqiptare, krahas tematizimit të figurave lokale të flijuara në revolucionin socialist, është konsideruar se ka të bëjë me jehonën e zhvillimeve politiko-sociale, të cilat synonin integrimin e shqiptarëve në një projekt ideologjik global.
“Poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, ‘Gjurmat e jetës’ e deri te ‘Flatrimi i fjalës’ dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet e poezisë “Agimi ynë” nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet nga vëllimi i fundit, (Duke kërkuar blerimin), është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike”, thotë ai.
Për Krasniqin, duke u bazuar në planin leksikor dhe sintagmatik, konsiderohet se poezia e Enver Gjerqekut ka ndjekur një rrugë standarde, duke futur në mekanizmat e vargut fjalë e sintagma që shprehin drejt për së drejti një realitet social, psikik dhe ambiental, me ç’rast Gjerqeku nuk ka ndjekur rrymimet dhe eksperimentimet e kohës, po ka ndjekur logjikën e motiveve dhe temave të poezisë së vet.
“Poezia e Enver Gjerqekut dallohet me intonimin dhe strukturimin e saj specifik në poezinë shqip, duke qenë edhe një urë lidhëse e poezisë bashkëkohore me poezinë e traditës, së paku në formë dhe në disa elementë leksikorë e konceptual. E lexuar pa ngarkesa për autorin dhe ambientin politiko-kulturor, sot kjo poezi shpalos vlerat e saj me një diskrecion që është tipar i saj”, përfundon Krasniqi.
Tutje, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.
“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon furishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.
Sipas tij, Gjerqeku kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore, me ç’rast gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepsëse, pra e funksionalizon, formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe.
“Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen varacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithmonë mendimin dhe duke disiplinuar gjithmonë gjuhën. Këto veçori shihen në relacione kuptimore përbrenda pikëshikimit: frymëzim-gjuhë figurë-komunikim. Këso mënyre, përbrenda botës së vet poetike, Gjerqeku e hulumton dhe e formëson kategorinë e së bukurës dhe kategoritë tjera estetike. Prandaj, ligjërimi i tij poetik krijon imazhe dhe struktura të veçanta gjuhësore e stilistike, qoftë përmes vargut të lirë, qoftë përmes vargut ritmik e të rimuar”, thotë Bashota.
Për Bashotën, shprehja poetike e Enver Gjerqekut duket se krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, aty ku buron fjala magjike për jetën, pikërisht aty poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke e zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.
“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundon Bashota.
Në këtë mbrëmje letrare, patjetër se nuk do të mungonte as edhe atmosfera poetike, që erdhi nën recitimin e gjithsej tri poezive të Enver Gjerqekut të interpretuara nga studentja e letërsisë shqipe, Edlira Musliu, e cila para publikut me një qëndrim preciz e zë të ëmbël, solli poezitë e titulluara “Dhoma e poetit”, “Syri i Pranverës” si dhe “Dilema e këngës”.
Krejt në fund, të pranishmit vazhduan bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com
Sot në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur takimi i parë i ngjarjeve ‘Ora e shkrimtarit’, organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, ku u përkujtua poeti, profesori dhe veprimtari, Latif Berisha, shkruan KultPlus.
Në takimin ku u fol për jetën e veprimtarit Berisha, moderatori Binak Kelmendi, fjalën ia dha kushëririt të tij, shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, i cili e nis fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për veprimtarinë e tij.
“Ai ngreh kokën e fjalës së shtypur në një qiell të dendur. Në fotot e tij, edhe në tekste shkollore që do të përfshihet nga vitet 1960, madje edhe shumë vite më vonë, shquhet fotoja, me ngjyrën e zezë, sikur ky njeri të kishte jetuar në kohë të lashta. Por nga fotografia kuptohet sa butësia po kaq edhe rezgnimi i tij. Ai sikur jeton me njërën dorë në degën e optimizmit dhe me tjetrën, në degën e pesimizmit. Cfarë thonë 30 vjersha për lexuesin e paktë, për shkak të anlafabetizmit masiv, për të parë si mendon dhe komunikon estetikisht shkrimtari i ri thuajse, nga modesita, ireal. Një libër që botohet në Prishtinë nga një i ri që vinte nga një familje pa traditën revolucionare të zakonshme të shumicës së shkrimtarëve të kohës, dhe nga një ambient tradicional rural, por ai i arsimuar maksimalisht për moshën dhe ambientin.” – thotë Berisha.
Ibrahim Berisha më pas analizon poezinë e tij, ‘Tufa’ e cila sipas Berishës jep një mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale.
“Për të gjetur këtë harmoni, prandaj kanga e tij do të jetë mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale. Është në poezinë e tij, bota, që e ai e ndjen dhe e transmenton vetëm si jehonë të largët, ambientale, po aq edhe emocionale, e shkrirë në detajet e pasura të natyrës së jetuar të tij dhe të njerëzve të tij. Edhe memorie sugjestive, edhe ëndërr ndëshkuese, po edhe mendim i pakryer qëllimshëm.”- shton më tutje Berisha.
Publicisti Berisha gjatë analizës së jetës dhe veprës së Latif Berishës, vë në pah edhe katër tematikat që e kanë karakterizuar atë, e që sipas tij janë Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria.
E fjalimin e tij në përkujtimin e Latif Berishës, Ibrahim Berisha e përmbylli me një maksimë të Horacit. “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të. Profesor Latif Berisha edhe jetoi edhe vdiq për atdheun. Domethënë vazdon të jetojë përherë në të”-përfundoi ai.
Në takimin ku u përkujtua profesori Latif Berisha, i cili u vlerësua edhe për kontributin në çështjet e atdheut, ishte i pranishëm edhe doktori i Letërsisë, Sali Bashota.
“Latif Berisha ishte njeri i letrave. Trazimet dhe shqetësimet e hershme shpirtërore, fillimisht i manifestoi përmes poezisë, kur më 1957 e botoi edhe vëllimin “Tufa”. Gjatë jetës së tij nuk botoi me libra me poezi. Veprimtarinë e tij e funksionalizoi me studimin letrar duke shkruar për autoret e traditës poetike shqipe: Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Hil Mosi, Ali Asllani etj., ndërsa projektet e tij shkencore të pambaruara mbeten epoka e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, si dhe krijimtaria letrare e arbëreshëve.” – tregon Bashota, shkruan KultPlus.
Duke folur më tutje, Bashota e cilëson vrasjen e tij në vitin 1999 nga serbët, një humbje të madhe për tërë kombin shqiptar.
“Portreti tij poetit e intelektualit mund të përplotësohet me visaret më të çmueshme që ka njeriu. Ai nuk urrente, nuk kishte zili, as nuk hidhërohej. Gëzohej për sukseset e të tjerëve dhe e admironte punën e vërtetë krijuese, talentin, dijen, përkushtimin. Latif Berisha me kohë e kishte formuar identitetin intelektual, si një krijues pasionuar, i cili punonte në fushën e letërsise, te kultures, por edhe për çështjen kombëtare. Kishte respekt dhe dashuri të madhe te njerëzit. Ai ishte veçante ne jetë dhe në vepër. Vrasja e tij me 24 mars 1999 nga serbët është humbje e madhe për letërsinë, kulturën shqiptare dhe tërë kombin.” – shton ai.
Profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në këtë fjalin nuk lë pa e përmendur dhe analizuar veprën e tij e sidomos vëllimin me poezi ‘Tufa’.
“Dialogu me veprën e Latif Berishës pas me shume se dyzet vjetësh të botimit të saj, i ngjan kujtimit, i cili ringjallet tashti në formë të dhembjes për njeriun dhe te dashurisë për poetin. Ky karakterizim ka të bëjë me “Tufën”, vëllim qe ndahet në tre cikle: “Vargje për lin”, “Mbresa katundi” dhe “Gjurmave të rinise”. Frymezimet e poetit mbeshteten në fatin njerezor, ambientin rural, temat intime. Ne pamjen e pare “Tufa” e Latif Berishës shtreson ide dhe imazhe qe funksionalizohen me vrullet dhe çastet e zgjimit të shpirtit krijues. Fati atdheut i ka ushqyer simbolet e enderrimit të tij poetik dhe teme themelore bëhet gjithsesi liria.” –shton më tutje Bashota.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, i cili foli para pjesëmarrësve për jetën dhe veprimtarinë e Latif Berishës, të cilin fillimisht e pati professor e më pas edhe bashkëpunëtor.
“Unë kam qenë student i Latif Berishës, ai ka qenë një professor komplet, në kuptimin më të mirë të fjalës, për shumë vite kemi bashkëunuruar me të dhe Ibrahimin në LDK dhe unë për disa vite kam qenë i komanduar bashkë me Fatmir Sejdiun të punoj në degët e Skenderajit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Leposaviqit ku ai ka qenë kryetar i degës. Dhe ne kemi pasur situatën më komode ë Mitrovicë sepse ai ka qenë një njeri që e ka ruajtur unitetin, e ka ruajtur fuqinë e e veprimit. Dega e LDK-së në Mitrovicë,në mësin e shumë gjërave të tjera ka furnizuar edhe UÇK-në me ushqime dhe me furnizime të tjera që kanë pasë nevojë, dhe profesori Berisha ka qenë ideatori dhe njeriu kryesor që është marrë me organizime të kësaj natyre. Vrasja e tij më 24 mars dhe e Agim Hajrizit e ka një simbolikë për ndarjen e Mitrovicës sepse këta kanë qenë dy liderë shumë të rëndësishëm të Mitrovicës pa të cilët nuk do të mund të shpërbëej kompaktësia e Mitrovicës.” – thotë profesori Krasiniqi.
Për fund, fjalën e mori edhe vajza e tij, Fatmire Berisha, e cila rrëfeu momente nga jeta e shkrimtarit, dhe lidhjen e veçantë që ajo kishte me babanë e saj.
“Ora e Shkrimtarit, sikur më lidhi për një moment me një orë që e kemi ndoshta atë kemi të vetmen gjë që na ka mbetur prej Latifit, dhe më vjen mirë që dëgjova shumëçka që edhe unë si vajzë e tij në faza të ndryshme të jetës së tij dhe times i kam jetuar bashkë me të, ndoshta kjo është pak personale por unë fillimisht kam qenë student e fakultetit të mjekësisë mirëpo ajo lidhja e veçantë që e kam pasë me të më ka bërë të riorientohëm dhe të kthehem nga letërsia, dhe pa modesti e them që gjithmonë e kam pyetur vetën se a jam e vetëdijshme se çfarë njeriu kam afër vetes se vërtet qëndron ajo që e tha profesori Bashota, se ai ka qenë një njeri shumë shumë i veçantë. “-rrëfen ajo
Ajo ndan me të pranishmit edhe një rrëfim të përpjekjeve që ajo dhe profesori Berisha bënë për të fshehur dorëshkrimet e tij, që të mos digjeshin nga forcat serbe, e për të cilat dorëshkrime, vajza e tij Fatmirja thotë se i ka mbetur peng që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë.
“Ka qenë dy ditë para fillimit të bombardimeve, provuam unë bashkë me të dhe e hapëm një gropë, shtëpia jonë qëndron ende, në lagjen më promblematike të qytetit të Mitrovicës, aty ku kemi jetuar më tepër se 40 vite dhe provuam që t’i shmangim ato dorëshkrimet e tij dhe dolëm bashkë në oborr e hapëm një gropë të madhe në oborr dhe aty filluam t’i strehojmë, mirëpo ai e ka ditur shumë saktë çfarë do të ndodhë, e hapëm gropën, por shtëpia jonë ka qenë në mesin e fqinjve serb, e në mometin e fundit ai tha t’i lëmë aty ku janë, sepse po t’i vendosim këtu është si t’i vëmë në gojën e ujkut. “– thotë vajza e Latif Berishës e cila për fund thotë se më së shumti mërzitet që serbët i kanë djegur dorëshkrimet dhe bibliotëkën e tij, duke mos u mbetur asgjë si kujtim.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani./KultPlus.com
Këto ditë ka dalur nga shtypi libri i titulluar ‘Ora e Shkrimtarit’, i cili vjen si rezultat i projektit me po të njëjtin titull. Aktivitetet këto që janë mbajtur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nga 13 tetori deri më 19 nëntor 2020, shkruan KultPlus.
Ky libër është rezultat i aktiviteteve kulturore, të cilat u organizuan nga PEN Qendra e Kosovës, me qëllim të përkujtimit të vlerave krijuese të autorëve të njohur të letërsisë shqipe, si dhe prezantimit të po këtyre vlerave letrare, estetike, kritike e të tjera, për lexuesit e sotëm.
Krijimtaria e shkrimtarëve, siç janë: Esad Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi, është trajtuar dhe vlerësuar nga kritikë dhe studiues të letërsisë shqipe si: Milazim Krasniqi, Haqif Mulliqi, Avni Spahiu, Anton Berishaj, Osman Gashi, Binak Kelmendi, Naime Beqiraj, Ibrahim Berisha, Ibrahim Kadriu, Gëzim Aliu, Sali Bashota, Lindita Aliu-Tahiri, Adil Olluri, Agron Gashi, Blerina Rogova-Gaxha, Dije Demiri-Frangu dhe Nerimane Kamberi.
“Ora e shkrimtarit” e cila për kryeredaktor të botimeve ka Binak Kelmendin dhe kryeredaktor Sali Bashotën, është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
KultPlus Caffe Gallery u bë mbrëmë vendtakim i artdashësve, për të kujtuar shkrimtarin, kritikun dhe profesorin Mensur Raifi, në “Orën e Shkrimtarit” të organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
Ish-studentë, lexues e dashamirë të tij kishin zënë vendet e tyre për të kujtuar përkthyesin e profesorin e Letërsisë frënge në Universitetin e Prishtinës, Mensur Raifin.
Për studentin e gjuhës dhe letërsisë frënge në Beograd, doktorantin në Zagreb, gazetarin e kulturës në ‘Rilindje’, përkthyesin në shqip të Bodlerit, Rimbautit, Verlaine e poetëve të tjerë francezë dhe autorin e një sërë kritikave, panelistët Gëzim Aliu e Flamur Maloku dhe moderatorja Nerimane Kamberi patën për të folur shumë.
Teksa nisi ta hap diskutimin, ligjëruesja universitare Nerimane Kamberi ndau mendimet e saja për ish-profesorin e saj. Ajo rrëfeu se në vitin 1990 në Paris kishte takuar profesorin Predrag Matvejeviç, me të cilin pati diskutuar edhe për Mensur Raifin.
“Biseduam për letërsi, për Jugosllavinë që po shpërbëhej dhe për profesorin tim Mensur Raifin. Predrag Matvejeviç e njihte atë. Dhe më tha: “Ai do të duhej të ishte në Sorbonë”. Sigurisht vlerësim i madh nga një personalitet i kalibrit të shkrimtarit ‘jugosllav’, u shpreh Kamberi.
Ajo vazhdoj tutje duke thënë se Mensuri pasuroi studimet shqiptare me hulumtimet dhe përkthimet e tij rreth Lasgushit, Nolit e sidomos me autorë francez.
“Profesor Raifi solli një mënyrë ndryshe të të shpjeguarit letërsinë në një sistem arsimor ende ‘tradicional’ dhe socio-realist. Lirisht mund të themi se ishte avant-gard si pedagog”, vlerësoj Nerimane Kamberi.
Duke e bërë pyetjen në fund “Avangarda paska vdekur me prof. Raifin?”, ajo ia dha fjalën panelistit të parë, Gëzim Aliut. Ai kishte përgatitur një studim të thellë rreth kritikës letrare që kishte dhënë ndër vite Mensur Raifi, teksa e nisi fjalimin për veprën “Mbi poezinë bashkëkohëse shqiptare”.
“Sipas Raifit, në zhvillimin e poezisë bashkëkohore janë vërejtur dy koncepcione dhe tendenca: ai mbi poezinë si rezultat i frymëzimit, kurse poetët e këtij koncepcioni i quan “gjenerata e Migjenit”; dhe koncepcioni mbi poezinë si kërkim i thënies poetike në format e mendimit dhe në mjetet ndihmëse shprehëse, kurse poetët e këtij koncepcioni i quan “brezi lasgushjan”, nisi Aliu të flas.
Pasi përmendi të gjithë autorët, veprat e të cilëve i kishte analizuar Raifi, ai kaloi te libri i radhës “Mbi prozën bashkëkohëse shqiptare”. Gëzim Aliu përmendi se kjo vepër nis me pyetjen “Si konceptohet proza shqipe?”, teksa vazhdoj ta vlerësoj.
“Ky libër i tij, siç shprehet edhe vetë, është skicë e strukturës bashkëkohëse të prozës shqipe që do të shkruhet pas disa vitesh”, tha Aliu, duke përmendur tutje tendencat që Mensur Raifi kishte vërejtur në prozën bashkëkohëse shqipe, duke përmendur tendencën që të insistohet në optimizmin e përgjithshëm jetësor të protagonistëve, në punët e veprimet e përditshme, në fjalët e mendimet, në pikëpamjet mbi njerëzit, jetën e artin; tendencën që synon unitetin e individit me shoqërinë; ajo që nxjerr në shesh një fabulë “të fortë” romaneske a tregimtare, të ngarkuar me aksione të përhershme; tendenca tjetër që tematikisht situohet si kërkim i identitetit të njeriut në përgjithësi, por edhe me indicje lokale e përcaktime kohore dhe ajo që tematikisht situohet si kërkim i identitetit të njeriut në përgjithësi, por edhe me indicje lokale e përcaktime kohore.
Mensur Raifi kishte shkruar edhe për çështjen e përkthimit, temë kjo të cilën e shtroi në librin “Polemika letrare”.
“Në këtë libër gjenden tekste të një polemike lidhur me përkthimin e Artur Rembosë zhvilluar në tri gazeta të ish-Jugosllavisë. Këto tekste Raifi i tubon në një libër, për të cilin thotë se është i pari i këtij lloji në Kosovë”, sqaron Gëzim Aliu.
Aliu poashtu përmend edhe veprën “Mozaik Letrar I” të Mensur Raifit, në të cilën autori flet për letërsinë e viteve të 30-ta dhe merret me dy situata të skajshme në Kosovë, euforinë e viteve të 70-ta dhe horizontet e viteve 80-90.
Përgjatë fjalimit të tij, Gëzim Aliu u ndal edhe te këndvështrimet e Raifit për krijimtarinë e Migjenit, të cilat janë të botuara në librat “Fan S. Noli dhe Migjeni” si dhe në veprën “Lasgushi, Noli, Migjeni”. Aliu përmend se profesori universitar i qaset Migjenit përmes metodës psikanalitike, duke futur edhe elemente të metodës sociologjike në analizën e tij.
Tutje, Gëzimi bëri të ditur për publikun se Raifi analizon veprën e Migjenit duke u bazuar në rrafshin ideo-sociologjik dhe atë personal.
“Migjeni, sipas Raifit, është posaçërisht i afërt dhe i dashur për adhuruesit e tij sepse ai e kishte identifikuar tragjiken e tij personale me tragjiken e kombit dhe anasjelltas”, tha Aliu.
Tutje, Gëzim Aliu u shpreh se shkrimi i Mensur Raifit qëndron në kufi mes kritikës e studimit shkencor dhe se gjërat që ai i shprehte ishin të parat që dikush i qasej dhe se ishin interesante.
“Mensur Raifi i shpreh mendimet e tij qartë, nganjëherë përdor edhe ironi të holla, duke e bërë tekstin e tij atraktiv për lexuesin. Nuk humbet në detaje, por e përqendron mendimin për gjëra të ndërlikuara në pak faqe, por duke thënë shumë”, theksoj Aliu,
Për fund, Gëzimi vlerësoj se veprat e Mensur Raifit janë pasuri e veçantë kritike, interpretuese e studimore.
Diskutimin e vazhdoj profesori Flamur Maloku, i cili theksoj se përherë është mahnitur kur ka lexuar Mensur Raifin.
“Është prej kritikëve që vazhdimisht më ka fascinuar për mënyrën e trajtimit të letërsisë dhe autorëve, e sidomos shija e tij e hollë ndaj autorëve të letërsisë shqipe por edhe botërore”, nisi të shprehet Maloku.
Për Malokun, mënyra e qasjes dhe trajtimit të veprave të autorëve të ndryshëm nga Mensur Raifi mbetet e veçantë, e veçmas te tri ikonat, ashtu siç ai i quan, e që janë Migjeni, Noli e Lasgushi.
“Raifi i sheh si një rrjet mendimi koncepsionet e tij filozofike, degëzimet, kërkesat e tij më përtej leximeve ideologjike e mitike, që ishte kundër çdo mitizimi të autorit sepse për Raifin, autori nuk i takonte mitizimit si jetë, edhe pse i ndjek shenjat autobiografike, madje ka raste kur të tre autorët i sheh si pjesë përbërëse e jetës së tyre”, u shpreh Flamur Maloku.
Tutje ai theksoj se Raifi ka pasur mendimin se nuk mund ta lexosh as Migjenin, as Nolin e Lasgushin pa i lexuar shenjat autobiografike të këtyre autorëve.
Për Mensur Raifin, Flamuri tha se ishte një person që i kritikonte autorët haptazi.
“Shpesh herë e përdorte edhe ironinë kur e gjuante kritikën sepse thoshte këtij autori i kanë dhënë kompetenca më shumë, e kanë veshur me diçka më shumë sesa që i ka takuar”, sqaronte Maloku.
Mirëpo përtej studimit të autorëve, Maloku tha se Raifi kishte studiuar edhe fenomenet letrare dhe se ato janë trajtesa të veçanta. Atij i kishte bërë përshtypje pikëpamja e Raifit ndaj tekstit si “diçka që është çdo herë e hapur”.
“Mensuri nuk e sheh të shkëputur sociologjinë në inkuperim të poetikave të autorëve, është evidente gjatë leximeve, interpretimeve, ballafaqimeve që ka ai me mendimet e tij karshi autorëve e fenomeneve letrare”, shtoj Maloku.
Pas panelistëve radha ishte te publiku që të ndanin pikëpamjet dhe përvojat e takimeve me Mensur Raifin. Nga të gjitha çka u thanë, më e rëndësishmja ishte çështja e ribotimit të veprave të këtij kritiku letrar, gjë të cilën publiku e vlerësoj se duhej patjetër të bëhej nga ndonjë institucion.
“Ora e Shkrimtarit” organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, kujton shkrimtarin e fundit përgjatë një periudhe një mujore të aktiviteteve, më 19 nëntor. KultPlus Caffe Gallery herën e ardhshme do të hap dyert e saj për të diskutuar rreth krijimtarisë së Mirko Gashit. /KultPlus.com
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e shkrimtarit të shquar, Rifat Kukaj, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, të ftuar në panel ishin, miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Dije Demiri Frangu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e përjetshme të një shkrimtari të madh si Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.
“Me 11 shtator të vitit 2005, në rërën e bregdetit të Ulqinit nga sulmi në zemër mbeti i vdekur Rifat Kukaj, duke pasur afër ‘Pshurranin e gjyshit’, nipin e tij të dashur të cilit ia kushtoi një libër të tërë”, filloi kështu fjalimin e tij Ibrahim Kadriu.
Ibrahim Kadriu ka shtuar se Kukaj ngrinte lartë nivelin e manifestimit me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Sipas tij ishte pikërisht sharmi i tij i veçantë që bënte të pranishmit të kërkonin më tepër nga ai.
“Rifat Kukaj ishte ai që ia ngrinte nivelin manifestimit me paraqitjen e tij të jashtëzakonshme me recitime, humor e aktrim. Sharmi i tij ishte i veçantë, i kapshëm për të pranishmit të cilët me duartrokitje në vazhdimësi kërkonin që sa më shumë të qëndronte përpara tyre”, tha Kadriu i cili tutje shprehu keqardhje që shumë nga paraqitjet e Rifat Kukaj nuk janë xhiruar me kamerë, sepse sipas tij shkrimtari ishte një humorist i lindur, që kishte dhënë shumë spektakle origjinale.
“Rifat Kukaj ishte një humorist i lindur i cili arrinte që rastet ti shoqëronte me mahitë shumë origjinale. Kur kihen parasysh ato prezantime të tij, që lirisht mund të thuhet spektakle shumë origjinale, të vjen keq që nuk janë xhiruar për të mbetur vlera të pa kapërcyera”, shtoi Kadriu.
Ndërkaq, nata e mbrëmshme e kthej pas në kohë studiuesen Demiri Frangu dhe e dërgoi pikërisht aty ku ajo kishte marrë hapat e saj të parë dhe kishte botuar librin e parë me poezi “Buzëqeshja s’është larg”, redaktor i së cilës ishte Rifat Kukaj. Dije Demiri ka shtuar se shkrimtari Rifat Kukaj posedonte një kreativitet të atillë që u shmangej rimave konvencionale dhe temave të shterura. Sipas saj ai nuk e ngarkonte poezinë me figura personifikimi.
Tutje Demiri ka thënë se “Rifati u jepte poezive deklamacion dhe bënte lojë kur i recitonte”.
Për Demirin, Rifat Kukaj mbante në vete intuitën e lindur prej krijuesi. Ajo ka shtuar se historia e letërsisë për fëmijë, por edhe antologjia e poezisë nuk mund të shkruhen e të bëhen një, nëse mungon Rifat Kukaj të cilën e cilësoi si një nga mësuesit tanë të letërsisë, që kishte lindur në një shoqëri analfabete.
“Rifati është ndër mësuesit tanë të letërsisë, sepse në një shoqëri analfabete, siç ishte Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vështirë të lindnin krijues”, ka pohuar Demiri.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe dy mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Mensur Raifi dhe Mirko Gashi. Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, mbahet nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e gazetarit, publicistit e shkrimtarit të shquar, Xhemail Mustafa, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, të ftuar në panel ishin Blerina Rogova Gaxha dhe Ibrahim Berisha, nën udhëheqjen e Avni Spahiut, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e përjetshme të një shkrimtari e gazetari të madh si Xhemail Mustafa, shkruan KultPlus.
Për Ibrahim Berishën, i cili njihej personalisht me Mustafën, kjo mbrëmje ishte tejet e veçantë për të. Edhe pak ditë bëhen 20 vjet nga vrasja e këtij të fundit, dhe siç shprehej Berisha, ishte një vrasje që nuk u zbulua dhe aq më keq nuk pati asnjë përpjekje për t’u zbuluar.
Ai ndër të tjera, tregonte se si edhe Mustafa edhe Gërvalla ishin të dy miq që punaun në të njëjtën rubrikë, në atë të kulturës në gazetën ‘Rilindja’ dhe se të dy këta punuan për lirinë e shqiptarëve. E, sipas Berishës, të dy këta u vranë për të njëjtën arsye, Jusuf Gërvalla u vra që të pamundësohej fitorja e lirisë, ndërsa Xhemail Mustafa për të vrarë lirinë e fituar.
Urtësia e tij fisnike, dituria paqësore, modestia publike e ideali i tij i përhershem: Liria.
‘Kurdo që kalin kah Elida, mendon se e ke përpara, duke pirë expreso dhe, duke folur qetë e plotkuptimshëm. Gjithmonë me disponim dhe asnjëherë i vetëm. E kishte të vështirë të qëndronte vetëm, sepse të gjithë donin të uleshin e t’pinin kafe me të. Ai nuk kishte për askënd mori, kjo e rrallë, por e vërtetë. Për 25 vjet miqësi e kam dëgjuar të flasë vetëm për njerëz të mirë. Një ditë para vrasjes, në Elida, ku zakonisht pinim expreso, më foli për përgatitjen e librit të ri me kritikë letrare. Ishte i preokupuar me Besianin se do të vazhdonte shkollimin në një kolegj në Amereikë. Pastaj biseduam për Coelon e Sabaton’, rrëfente Berisha me një nostalgji që hetohej thellë në secilën fjalë të tij.
Në anën tjetër, Blerina Rogova Gaxha ishte fokusuar më shumë në veprimtarinë kritike të Mustafës, e cila konsideronte se në kohën kur mendimi shqiptar luhatej në kolovajzën e tranzicionit, Mustafa kërkon në botën e letrave aspekte të veçanta të veprave, që i përshtaten konceptit të tij për atë çfarë ai konsideron të rëndësishme në një vepër, në krijim të modelit të shkrimit e mendimit kritik-letrar orientuar në pikat kryesore dhe çështjet themelore që shtron vepra e zgjedhur.
‘Në vitet e 90-ta, kohën kur Mustafa ishte më aktiv, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sikur në poezi e prozë ashtu edhe në mendimin kulturor e kritik letrar, kanë dalë emra që me punën e tyre kanë zhvilluar hapësira të reja të mendimit shqiptar për letrat. Mendimi letrar dhe kulturor shqip i këtyre viteve ka zënë të rishohë marrëdhënien e vet me ideologjinë, me diskurset kritike, kulturore e filozofike’, potencoi Rogova Gaxha.
E mbrëmjet e tilla, që i dedikohen figurave të shquara si ajo e Mustafës, nuk kanë si të mos bartin edhe emocion. Ajo që emocioni e përloti të gjithë ishte vajza e të shkrimtarit e cila mes lotësh falenderoi PEN Qendrën e Kosovës për këtë përkujtim e nderim që i është bërë babait të saj, për të cilin tregoi se kishte qenë shumë e rë kur ai kishte ndërruar jetë.
‘Falemnderit që po ndani kujtime për të, detajet që kemi pasë mundësi me i dite e nuk i kemi ditë sepse kam qenë në moshë relativisht të re. Sot kur miqtë e tij po shpalosn citate e shkrime të tij, është emocionuese por edhe po mburrem që e bëjnë figurën e babait tonë të njihet më në detaje. Ju falenderoj për iniciativën, jo vetëm për të por për të gjithë që duhet me u përmend, të gjithë ata që kanë bërë diçka për këtë vend’, u shpreh mes lotësh vajza e Mustafës, Beriane Mustafa.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe tre mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.
Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, është nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Jusufi i këngës, i lapsit e letrës, shkrimtari e poeti, zëri i këngës shqipe, por edhe veprimtari i çështjes kombëtare, për disa minuta që ishin pak, u bë i gjallë në mesin e të pranishmëve që kishin zënë karriget për të marr pak nga ajo që Jusufi la pas. Dikur fëmija i një fshati të vogël, kurse sot një ndër krenaritë më të mëdha, Jusuf Gërvalla, shënoi një tjetër përkujtim, natën e dytë të nëntorit, në ambientet e ngrohta të KultPlus Caffe Gallery, në kuadër të Orës së Shkrimtarit të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Lajmin për vrasjen e Jusufit e mora në Algjer ku gazetarët shqiptarë të Kosovës me gazetarë jugosllav qëndronin për një vizitë. Dhe lajmi më shokoi shumë. Por më shumë se lajmi më pati shokuar gëzimi i gazetarëve të Beogrdit tek flisnin me britma ngazëllimi rreth vrasjes së tij”, tha kështu Binak Kelmendi, teksa bëri hapjen e ‘Orës së Shkrimtarit’, natës së Jusufit e veprës së tij.
Ndonëse me një fat tragjik, Jusuf Gërvalla i fali letërsisë shqipe poezi, përkthime e romane që i qëndruan kohës, po njëlloj si vetë figura e Jusufit. Por, për poeten Naime Beqiraj, Jusufi, sikur të mos kishte një fat të tillë, Jusufi krahas letërsisë, do t’i dhuronte artit edhe vetë kombit shqiptar një shije ndryshe për muzikën, zëri tij do t’na bënte të dashuronim rishtas.
“Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në një marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbet. Ashtu siç mbeti i ri, vetëm 36 vjeçar – Jusuf Gërvalla”, tha me zërin përplot emocione poetja.
Beqiraj theksoi faktin se poezia e Jusufit, e rikthen lexuesin në fëmijërinë e vet autorit. Sipas saj, sikur Jusufi t’i përkushtohej më shumë poezisë, sot nën emrin e tij do të ishin të jetësuara poezi edhe më të arrira.
“Mjeshtër i përzgjedhjes së fjalëve, i ndërtimit të togfjalëshave, Gërvalla, po t’i ishte përkushtuar poezisë, sot do të kishim nën emrin e tij krijimtari të bollshme e poezi edhe më të arrira. Fëmijëria, herë e nxjerrur jashtë hullinave, herë e thelluar në hullinat e saj bashkë me hithërat që ia djegin këmbët fëmijës ëndërrimtar, e risjellin në një ditë kur do ta ndiqte rrugën e dëshirave të veta, do të bëhej poet plot muzikalitet kur do të shkruante për fëmijërinë”, shtoi ajo.
Jusuf Gërvalla nuk shkroi vetëm për fëmijërinë, fjalët që hidhte në letër nuk i dhanë jetë vetëm fshatit ku ai jetoj jetën. Fëmijës të kullës së Dubovikut, të pashlyer në kujtesë, e mbi të gjitha kujtimet e veprimtaritë e tija, qëndronte Nëna Ajshe.
E për poeten Beqiraj, pikërisht nëna e Jusufit ishte ajo që u kthye në simbol të qëndresës, Ajshen që lexuesi para se ta njihte si qënderstari, u njoftua me Nënë Ajshe, personazhin poetik, të letrave, poezive e këngëve të Gërvallës.
“Ajo grua e cila u kthye shënjesë e qëndrestarisë, ishte person i gjallë, i prekshëm, ajo grua e cila pas vrasjes së të bijëve, e dyfishoi ashtin e qëndresës e të kujtesës dhe u bë ngushllimtare e qindra nënave shqiptare që i humbën bijat e bijtë për ta luftuar armikun. Nënën Ajshe, lexuesi, më parë e njohu si personazh poetik, pastaj si qëndrestari”, theksoi Beqiraj.
Naime Beqiraj shtoi se Jusuf Gërvalla mbetet poet, shkronjës e artist. Ai arriti që ti shoqëronte vargjet e tij me atmosferë muzikore, përshkrimi i të cilave krijoj në mënyrë vizuale katër dimensione. Ai ishte autori modern i kohës, por edhe një këngëtar modern i tingujve.
Poetja vuri në pah faktin që ndonëse për vrasjen e Jusufit është shkruar shumë, madje janë krijuar edhe dokumentar, këngë e intervista, fati i krijimtarisë së tij poetike ishte ndryshe. Kompleti i librave të tij që u botua një herë të vetme, sot nuk arrin të gjej vend në librari, e të rralla janë rastet kur ato i gjen në bibliotekat publike.
“Veprimtaria ta quajmë atdhetare, jetën e Jusufit e ndau në dysh. Përgjatë këtyre gati katër dekadave është shkruar aq shumë për aktin e vrasjes së Jusufit me vëlla e me shok, janë punuar dokumentarë, janë bërë këngë e intervista, akademi e komemoracione, tubime e përvjetorë, janë shkruar libra: romane, novela, drama e mijëra poezi, por është botuar vetëm një herë kompleti i librave të tij. Librat e Jusufit nuk gjenden as në librari, e rrallë në biblioteka publike”, përfundoi poetja, Naime Beqiraj.
Ndërkaq Agron Gashi tha se Gërvalla më mirë se kudo tjetër, la gjurmë në poezi. Sipas tij poezia e Jusuf Gërvallës vie me e pasur me figura, por edhe më e pasur për nga ana stilistike.
“Jusuf Gërvalla më mirë se ku tjetër la gjurmë në poezi. Poezia e Jusuf Gërvallës parë në kontekstin kohor a hapsinorë, përgjithnjë vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në të shprehun, gjithnjë duke latue vargun e shkri fjalën”, pohoi Gashi.
Tutje ai shtoi se Gërvalla ishte edhe erudit, veprat e të cilit vënë në pah figurën shumëdimensionale të tij. Sipas tij vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij që ka mbetur gjallë në jetë, zëri prej këngëtari, poeti, prozatori, kitaristi e piktori.
“Jusuf Gërvalla ishte erudit. Vepra e tij, duke qenë e gjerë dhe e larmishme, vë në pah figurën shumëdimensionale të tij, si publicistin e regjur e këngëtarin e ndejës së hollë. Në tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij i mbetur gjallë në jetë, është zani i tij prej këngëtari, poeti e prozatori, kitaristi e piktori, është zani i thelllë i medituesit të madh”, përfundoi Agron Gashi.
Përkujtimi për Jusuf Gërvallën ishte mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com
Nesër, duke filluar nga ora 17:00 në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, PEN Qendra e Kosovës organizon një mbrëmje kulturore në kujtim të shkrimtarit, poetit, këngëtarit e veprimtarit Jusuf Gërvalla.
Për veprën e gjithanshme të Gërvallës, do të flasin Naime Beqiraj dhe Agron Gashi, ndërkaq mbrëmja do të udhëhiqet nga Binak Kelmendi.
Përkujtimi për Gërvallën është mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Hasan Mekulit, një intelektual i shquar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë shqipe. Kjo mbrëmje që i dedikohej këtij kritiku të madh, për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës.
Për të nderuar Mekulin, në panel të ftuar ishin Sali Bashota e Osman Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Mekuli dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.
Mbrëmjen e hapi Ibrahim Berisha, i cili Mekulin e konsideronte një intelektual të jashtëzakonshëm. ‘Ishte një intelektual i tejguximshëm, i panënshtrueshëm. Këtë e ka treguar edhe në vitet e 80-ta kur fillon fushata shtetërore e Serbisë, po në fakt e Jugosllavisë, kundër shqiptarëve’, potencoi Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.
Sali Bashota e kujtonte me shumë emocion e nostalgji Mekulin, pasi ky i fundit kishte qenë edhe profesor i tij. Ai tregoi para të pranishmëve se profesorin, për të cilin edhe ishin mbledhur, e kujtonte gjithmonë me çantën e zezë në dorë e me plot libra, duke potencuar se kishte mësuar shumë nga Mekuli, pasi sipas Bashotës, ai ishte një enciklopedi.
Veprimtaria e Hasan Mekulit fokusohet kryesisht në kritikën letrare, për të cilën vlerësohet shumë lart nga pasuesit e tij. Bashota e kosnideron largëpamës gjykimin e tij, të drejtë, parimor e të formësuar estetikisht. Ndër të tjera, potencon se gjykimi i Mekulit ishte i veçantë dhe i pajisur me kulturë të gjerë teorike e shkencore.
”Pa dyshim, Hasan Mekuli është njëri ndër mjeshtrit e rrallë të mendimit kritik shqiptar. Ai gjithnjë prej tekstit poetik nxirrte nuanca të imëta kuptimore duke i shkokëluar veçoritë esencuale të vëprave në dritën e fakteve dhe argumenteve të qëndrueshme letrare. Gjithnjë, Mekuli dallohej për përgatitjen e gjerë e të thellë, në radhë të parë, teorike, letrare, metodologjike, me stilin e veçantë, shprehjen e guximshme, vlerësim-gjykimin e pavarur, origjinalitetin e theksuar. Kritik i qartë. Me ide të forta. Me dije të pashtershme kreative”, përfundoi Sali Bashota.
Osman Gashi, i cili kishte qenë edhe asistent i Mekulit e kujtonte atë me një respekt të pashoq, duke u shprehur se të gjithë ata që kanë pasur rastin ta kenë profesor kanë qenë shumë me fat, ndërsa pjesa tjetër që nuk ka pasur rastin ta njohë Mekulin apo së paku të ketë pasur një herë kontakt me të, sipas Gashit, atyre ju mungon diçka në jetën e tyre.
‘Ka qenë një shpirt i madh edhe pse shpesh thojnë që ka qenë i ashpër. E vërtetë, ka qenë shumë i ashpër, deri në pikën ku studenti e shihte se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij’, theksoi Gashi.
‘Pa dyshim se sot tek ne ekzistojnë përgjithësisht botëkuptime të tjera mbi letërsinë, qasje të tjera, konepte e preferenca të tjera leximesh, por vendi i kritikut letrar Hasan Meuli, mbetet krejtësisht i veçantë. Bota e tij e ideve, gjerësia dhe thelësia e këndvështrimeve nuk është e largët as sot’, përfundoi Gashi.
Përkujtimi për Hasan Mekulin ishte mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.
PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com
Autori ikonik i letërsisë shqipe, Anton Pashku, shkrimtari i letërsisë së shekullit njëzet u përkujtua sonte në ambientet e KultPlus Caffe Galery, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
Diskutimi mbi jetën dhe veprën e Pashkut filloi me fjalimin hyrës të moderuesit Binak Kelmendi, i cili tha se Pashku shquhet për stilin e tij karakteristik dhe për ngritjen kundër normave që ekzistonin në atë kohë.
“Antoni shquhet për stilin e tij karakteristik, modelin që e kishte vetëm ai për shpërfilljen e normave letrare që atëherë aplikoheshin ose zbatoheshin nga krijues të ndryshe, krijues të kohës dhe ai ishte hapur, ose fshehtas bashkë me një grup tjetër intelektualësh kundër normave të realizmit socialist”, theksoi Kelmendi.
Ndërkaq profesori Anton Berishaj gjatë fjalimit të tij mbi veprën kolosale të Anton Pshkut tha se do të fokusohet në veprën ‘Oh’ të Pashkut, me të cilën ai kultivoi trashëgimi të madhe.
“Unë sonte do të fokusohem në romanin ‘Oh’ të Pashkut, me të cilin ai kultivoi trashëgiminë e dadaizmit dhe surrealizmit, trashëgimi kjo që besohet se ishte kyqe në poetikën e Pashkut. Tre kategoritë që janë përdorur shumë në poetikë nga Pashku janë loja, ëndërrimi dhe shkrimi automatik si trashëgimi e surealizmit”, tha ndër të tjera Berishaj.
Shkrimtari Adil Olluri tha se ndonëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet që prej herës së parë kur kishte lexuar tregimin ‘Kulla’, për të ky tregim mbetet tregimi më i bukur i prozës së shkurtër shqipe.
“Megjithëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vite nga leximi i parë, ende kam qëndrimin tim se tregimi ‘Kulla’ është një nga krijimet më të bukura të prozës së shkurtër shqipe. Një krijim imagjiantiv simbolik që mund të lexohet nga kënde të ndryshme, gjë që e bënë krijim të arrirë”, pohoi Olluri.
Ai ka shtuar se rrëfimi i Anton Pashkut në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ sepse ka si armë të fortë idetë që janë gjëja parësore e letërsisë së shkrimtarit.
“Rrëfimi i Pashkut në prozën e tij të shkurtër në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ, jo i drejtpërdrejtë, dhe tregimet e tij janë tregime të ideve, sepse përveç reprezentimit figurativ e stilistik, armë e fortë e tregimeve të Pashkut janë pikërisht idetë, që shpesh herë janë lënë në plan të dytë nga interpretuesit e teksteve të tij për t’u trajtuar forma dhe struktura letrare e tregimeve si gjëja parësore dhe shpeshherë edhe e vetme e letërsisë së këtij romani”, ka thënë shkrimtari Olluri.
E pranishme gjatë kësaj nate ishte edhe e bija e vetme e Pashkut, Lule Pashku e cila e konsideronte përkujtimin për babain e saj si një ndjenjë të bukur sepse siç tregoi ajo, ai ishte nga ata shkrimtarët që ka punuar shumë dhe çdo herë ka përkrahur personat që kanë pasur dashur për artin.
“Është ndjenjë e mirë që kohë pas kohe të përkujtohet meqenëse ai me të vërtetë ka punu shumë, ka qenë një njeri që e ka dashtë shumë artin edhe njerëzit të cilët janë marrë me artin i ka përkrahë gjithmonë. Ai ka pas diapazon te gjere te dijes, pavarësisht qe ishte shkrimtar njohurit e tij ishin të gjëra edhe për degët e tjera të artit. Ai i ka përkrah të gjithë, sidomos ata që ju kanë qas, mirëpo mua më erdh mire që pash njerëz që ishin mirënjohës për atë pjesë”, tha për KultPlus Lule Pashku.
Ajo ka shtuar se është krenare që ka pasur një baba si Anton Pashku, sepse ai nuk ka qenë një baba autoritativ, por mbi të gjitha ai i ka udhëzuar çdo herë. Sipas saj Anton Pashku ka qenë një shpirt i madh.
“Unë jam krenare që kam pas baba meqenëse ka pasë shumë vlera, përveç këtyre letrare ai edhe si njeri ka qenë shumë i formuar, nuk ka qenë nga ata prindërit tradicional e të pasurit autoritetin në shtëpi. AI na ka mësu me e ngrite zërin kur nk na ka pëlqyer diçka, ai çdo herë na ka udhëzuar por nuk ka paneguar që të shprehim mendimin tonë. Ai ka qenë një shpirtë shumë i mire, shumë i madh edhe shumë i bardhë. Më vie mirë që e përkujtojnë dhe e falenderojnë për punën e tij”, ka përfunduar Pashku.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi të cilat do të mbahen javëve në vazhdim./ KultPlus.com
Nata e parë e ‘Ora e Shkrimtarit’ frymoi jetën e autorit që udhëtimet nga Prishtina në Gjakovë me qëllim për të takuar shkrimtarët e rijnë që i dërgonin letra i kishte të shpeshta. Por, veprat monumentale të shkruara e të përjetuara, Esat Mekulti nuk i kufizoheshin në këtë rrëfim të vetëm, shkruan KultPlus.
Nën qetësinë e një publiku që me padurim priste të dëgjonte rrëfimet e njohura e të panjohura deri më sot, folësi i parë dhe moderuesi i ‘Ora e Shkrimtarit’, Ibrahim Berisha, filloi që më rrëfimet dhe faktet që kishte lexuar, të dëgjohej në secilin cep të ambientit të KultPlus Caffe Gallery, që natën e mbrëmshme kishte marrë një hije ndryshe.
“Lindi në Plavë dhe vdiq në Prishtinë. Studio veterinarinë në Beograd dhe u bë doktori i parë në këtë fushë. Është themelues dhe redaktori i revistës ‘Jeta e Re’ si dhe një ndër themeluesit e gazetës ‘Rilindja’. Ai ka shkruar me pseudonime si Esat Nokshi dhe Esat Hoxha. Ka botuar 16 përmbledhje poezish dhe ka përkthyer 80 libra të zhanreve të ndryshme”, e filloi kështu rrëfimin e tij Ibrahim Berisha, me të cilin pak nga pak sillte një copëz poeti tek të pranishmit.
Berisha veçoi një nga shkrimet redaksionale të Esat Mekulit në numrin e parë të gazetës ‘Rilindja’ në të cilën ai ishte përqendruar në barazinë e gruas dhe të burrit. Sipas Berishës, Mekuli kishte shkruar se ‘e vetmja perspektivë e shoqërisë tonë është që burri dhe gruaja të ecin bashkë drejt përparimit’.
Tutje ai ka përmendur edhe një letër që Esat Mekuli në vitin 1941 i kishte dërguar inspektorit të lartë për komisariatin në Kosovë, Dibër dhe Strugë. Sipas tij në rreshtat e asaj letre Mekuli kishte përshkruar pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi, duke kërkuar që të bëheshin edhe investime për të rinjtë që vinin nga Kosova.
“Esat Mekuli më 17 qershor 1941 i shkruan një letër të gjatë inspektorit të lartë për komisariatin për Kosovë, Dibër e Strugë. Në emër të pesë studentëve shqiptarë të Pejës, ai përshkruan në mënyrë të hollësishme pozitën e shqiptarëve në mbretërinë e Jugosllavisë e njëkohësisht kërkon që të bëhen investime për të rinjtë shqiptar nga Kosova për studime edhe avancime në këtë aspekt nisur nga vendimi në Itali dhe vende të tjera”, ka potencuar kështu moderuesi i ‘Ora e Shkrimtarit’.
Minutave që filluan ti kushtoheshin Mekulit nuk kishte si tu mungonte profesori universitari, analisti, e publicisti, Milazim Krasniqi. Që në fillim të fjalimit të tij Krasniqi rrëfeu se rileximi poetik i Esat Mekulit e riktheu atë në fëmijërinë e tij të cilat ndonëse të fashitura në kujtesë, kishin sjellur në mendje emocione dhe përjetime të fëmijërisë dhe të mënyrës si propozohej njohja e vlerave dhe e botës brenda një formacioni ideologjik. Ai madje veçoi poezitë ‘O vëlla me sharrë në krahë”, “Ramiz o vëlla”, ”Popullit tim” dhe “Shqiptari këndon”, mësimi fjalë për fjalë i të cilave qoi në përjetimin e një bote jo realiste dhe pa një liri të vërtetë mendimi.
Ndërkaq për rileximin e poezive jorevolucionare e joideologjike, Krasniqi ka thënë se janë pikërisht këto vargje që e rizbulojnë Esad Mekulin si mjeshtër të rrëfimit të mirëfilltë poetik, rrëfime nëpërmjet të cilave në gjenerata të tëra është injektuar atdhedashuria.
“Ndërsa, duke i rilexuar poezitë jorevolucionare, joideologjike, më rizbulohen në kujtesë vargje brilante, mbresëlënëse estetikisht, të cilat e rizbulojnë Esad Mekulin mjeshtër të deskripcionit, të meditimit mirëfilli poetik. Të kësaj kategorie, estetikisht mbresëlënëse, janë pozitë: “Prej fëminisë”, “Mbramja”, “Andrra e vajzës”, “Malli për të pambërrijtshmen”, “Në mëngjes”, “Metohi”, “Në grykë”, etj. Të fisnikëruar me imazhet dhe mesazhet e poezive të kësaj kategorie, ne si gjenerata kemi marrë një edukim estetik të mirëfilltë, me çka na është rritur ndjenja për të bukurën në natyrë e në jetë dhe na është injektuar edhe atdhedashuria”, ka pohuar profesori.
Publicisti Krasniqi teksa shpaloste mendimet e tija për Mekulin pohoi se ai ka qenë një mjeshtër për të fiksuar imazhin, për të hetuar natyrën e fshehur të gjendjeve e të gjërave me anën e krahasimeve befasuese. E ai këtë mendim të tij e mbështeste në pesë krahasime.
“Ja disa nga krahasimet në të cilat e mbështes këtë hipotezë: ‘si tufa mëndafshi t’artë në të kaltren shami’, ‘retë luejnë n’naltësi si qingjat n’kodrina.’; ‘Fushat erënjoma shtrihen/si trup’i gufuem femne’ dhe ‘Qiella tash bëhet si çerep i zi Bari asht i butë si mëndafshi”, ka thënë Krasniqi.
Milazim Krasniqi teksa shpaloste detaje mbi jetën e Esat Mekulit deklaroi se Mekuli dhe shkrimtarët e tjerë të kësaj kohe duhet të mirëkuptohen për pjesën e poezisë që ka ngarkesa ideologjike e motive revolucionare dhe që glorifikon edhe figura që tashmë dihet se janë figura mostruoze në raport me ne shqiptarët sepse sipas publicistit dokumentet që faktojnë këto gjëra janë bërë të njohura në kohën tonë, mirëpo atëherë kur Mekuli dhe shkrimtarët e tjerë kanë shkruar ato nuk kanë qenë as të njohura e as e mundshme që të thuhej diçka jashtë klishesë së diskursit dominant.
Profesori universitar në ata pak minuta që ndau për të shpalosur njohuritë e tij për Mekulin rrëfeu se njëherë atij i kishin treguar se shkrimtarit kur i vinin zarfe me poezi nga autorët e rijnë, ai udhëtonte nga Prishtina në Gjakovë për t’ju dhënë më shumë motiv dhe për t’i shtyrë ata përpara që të vazhdonin punën si shkrimtar.
“Mbaj mend se më kanë treguar se kur i vinin zarfe me poezi, Esat Mekuli udhëtonte nga Prishtina në Gjakovë, për të takuar autorët e këtyre poezive që t’ju jepte shtysë që të vazhdonin përpara me shkrimin e poezive dhe të mos hiqnin dorë”, rrëfeu me nostalgji Krasniqi.
Për Krasniqin ishte puna këmbëngulëse dhe e guximshme e Esat Mekulit që nuk e zbehi dhe e largoi nga zymtësia letërsinë shqipe në Kosovë përgjatë viteve pesëdhjetë – tetëdhjetë.
Kurse për profesorin Sali Bashota, Esat Mekuli ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë kombëtare që i ka lënë shenjat autentike mbi të cilat projektohen idetë e shoqërisë drejt një perspektive njerëzore, shoqërore dhe kombëtare. Sipas tij Esat Mekuli u ka prirë proceseve kulturore përmes të cilave brezat e poetëve kanë mësuar me përkushtim për avancimin e vlerave letrare në Kosovë.
Bashota ka thënë se ishte pikërisht poezia e Esat Mekult ajo që e ka shqiptuar në mënyrën më të mirë të mundshme ekzistencën e njeriut shqiptar në një periudhë të mjaft të vështirë të asaj kohe.
“Bota e tij krijuese, e mbushur plot vuajtje, dhimbje, sakrificë, por edhe ideal e krenari kombëtare, e ka fuqizuar rolin dhe misionin që duhet ta kishte gjuha dha fjala shqipe në jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë profesori përgjatë aktivitetit ‘Ora e Shkrimtarit’.
Bashota ka shtuar se veprat poetike të Esat Mekulit janë ato që dëshmojnë përkushtimin e bardit të poezisë shqipe të Kosovës e cila tipizonte fatin e njeriut të këtij vendi përballë shumë të panjohurave që ngriheshin në ekzistencën e tij.
“Esad Mekuli e shpjegon gjenezën e dhembjes së tij shpirtërore e krijuese për të zbuluar dramën e heshtur të fatit të shqiptarit të Kosovës në një realitet të mbushur me kundërthënie të shumta dhe të ndryshme ehe kur populli i tij ishte i detyruar të shpërngulej nga trojet e tij, madje edhe kur ishte i detyruar t’i përshtatej lirisë së vet të kufizuar, sipas dëshirës së të tjerëve”, ka pohuar profesori.
Sali Bashota ka thënë se poezia e Esat Mekulit dëshmon vlera të rëndësishme estetike dhe letrare të poezisë shqipe.
“Poezia e Esat Mekulit është si një mbështetje historike përbrenda paradoksalitetit të vet edhe kur shkruan dhe boton poezi në një gjuhë tjetër, gjuhë e cila projekton atakun në lirinë e popullit të tij, duke projektuar një liri të rreme. Megjithatë dokumentariteti i saj shpjegon domethënien dhe dimensionin e fjalës shqipe në rrethana të caktuara historike, sociale e politike, ndërsa mesazhi i saj ngrihet si një kult shprese, vullneti e besimi për vetëdijen kombëtare”, ka përfunduar kështu rrëfimin e tij për Esat Mekulin, profesori Bashota.
Në diskutimin që ishte i hapur edhe për të pranishmit e natës së mbrëmshme u rrëfyen edhe momente që ishin jetuar së bashku me poetin Mekuli. Ishte pikërisht shkrimtari Ibrahim Kadriu ai që rrëfeu se si Mekuli i kishte treguar se arsyeja se pse gazetat e Beogradit kishin shkruar për të, ishte fakti se ai ishte vënë përpara një kurthe.
“Në vitet e 90-ta një gazetë e Beogradit shkruante se si Esat Mekuli i ka pritur gjermanët me brohoritje në Pejë. Unë u takova me Esatin dhe teksa shëtitnin në park i thash se ku ke qenë kur kanë ardhur gjermanët në Pejë. Esati më rrëfeu se Ramiz Sadiku i kishe bërë lojë. Unë kam qenë në rrugës për Karagaq, kur kam taku Ramiz Sadikun më tha Esati, ai më pyeti se a po i shoh se çka po bëjnë populli pas tyre. Dhe pikërisht atëherë ai ka shkuar të më lajmëronte në mbledhjen e atij komuniteti”, tregonte me mallëngjim dhe emocione Kadriu.
‘Ora Shkrimtarit’ e cila me Esat Mekulin shënoi natën e vet të parë, do ta vazhdoj edhe takimet e tjera deri më datën 19 nëntor. Takimi i radhës do të mbahet të hënën e javës tjetër, e ku do të flitet për figurën e ish-presidentit të vendit, Ibrahim Rugova. Takimi do fillojnë në po të njëjtën orë dhe në po të njëjtin ambient ku u shënua edhe nata e parë e këtij manifestimi./ KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës, gjatë muajit tetor e nëntor të këtij viti, do të zhvillojë një sërë aktivitetesh kulturore me qëllim përkujtimi të disa emrave që kanë lënë gjurmë jo vetëm në letrat shqipe në Kosovë.
Në kuadër të projektit të vet “Ora e Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës përmes kumtesave, punimeve studimore e të debateve, do të përkujtojë veprimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera të shkrimtarëve të ndjerë: Esat Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj,Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.
Për veprën letrare të këtyre autorëve të ndjerë do të flasin: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarrizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Flamur Maloku, Qibrije Demiri, Lindita Tahiri, Haqif Mulliqi dhe Binak Kelmendi.
Të gjitha aktivtetet kulturore do zhvillohen në Caffe Galeri KultPlus dhe ato fillojnë në orën 17.00.
Aktiviteti i parë kulturor i kushtohet poetit Esat Mekuli dhe ai mbahet më 13 tetor.
Projektin “Ora e shkrimtarit” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pas përfundimit të aktiviteteve, PEN Qendra do të botojë librin përmbledhës me kumtesat e autorëve dhe me punime letrare të shkrimtarëve të përkujtuar në këtë aktivitet kulturor./ KultPlus.com