Kryeministri Kurti pas suksesit në ‘Oran 2022’: Krenar me secilin prej juve, jo vetëm unë, por e gjithë Kosova

Lojërat Mesdhetare tashmë kanë marrë fund përmes një ceremonie mbyllëse.

Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.

“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.

Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.

Për gjithë këtë sukses, sot ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili është shprehur se është krenarë me secilin prej tyre:

Kosova kthehet me gjashtë medalje nga kryeqyteti i sportit mesdhetar për vitin 2022, nga Orani i Algjerisë.

Tre medalje të arta dhe tre të bronzta nga pjesëmarrja e dytë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare.

Si çdo herë tjetër, xhudistët tonë ishin ata të cilët bënë dallimin e rezultateve të Kosovës karshi shteteve tjera pjesëmarrëse. Distria, Laura, Loriana, Akil, dhe Flaka, së bashku me pjesën tjetër të ekipit, jeni krenaria më e madhe e Kosovës.

Kësaj radhe, arritje të rëndësishme për Kosovën shënoi edhe Shpejtim Bajoku, boksieri i talentuar me grushtin e shtrënguar. Shpejtimi, ashtu edhe si emri i tij, nuk priste grushtin e tjetrit. I shpejtë, i shkathët dhe fitimtar, i siguroi Kosovës medaljen e bronztë të Lojërave Mesdhetare pas 31 vitesh nga Athina 1991, kur Ilir Mustafa fitoi medaljen e argjentë në boks (nën reprezentacionin e ish-Jugosllavisë).

Krenar me secilin prej juve, jo vetëm unë, por e gjithë Kosova.

Sukseset mos i’u ndalshin kurrë. / KultPlus.com