Orari i ri i ëndrrave

Sali Bashota

Një natë vjeshte me hënë
Vetmia pajtohet me mllefin e vet
Pa përfunduar orari i ri i ëndrrave
Derisa shikimet luajnë me zjarr
Çka më thua Jorge Luis Borges
A duhet të verbohem edhe unë
Një ditë kur hesht shpirti
Kush ma kthen dritën e syve
Kur e lidhin vdekjen me zinxhirë
Për ta emërtuar një rrugë me emrin tim
A duhet t’i zbusim gjarpërinjtë
Për ta pakësuar zemërimin
Kur pëlcet ai çast i frikësuar
Disa dhimbje të tjera
Shkojnë atje ku s’vdes malli i shpirtrave
Çka më thua Jorge Luis Borges
A i harrojmë gjithmonë hijet e dehura
Kur shtrëngata e humb rrugën
Ndoshta vjen ajo ditë e lumtur
T’i japim fund lojës së mëkatit
Çka më thua Jorge Luis Borges
Nëse i grisim të gjitha fjalët e pathëna
Edhe kur toka sillet rreth dashurisë
Një natë vjeshte me hënë.

(Prishtinë, 9 janar 2024) / KultPlus.com