Sot në Bibliotekën Kombëtare, KultPlus me mbrëmje letrare për Ernest Koliqin

Në kuadër të Javës së Bibliotekës, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka organizuar shumë aktivitete të ndryshme në shënimin e kësaj jave, e në mesin e këtyre aktiviteteve, sot do të jetë edhe një mbrëmje letrare për Ernest Koliqin, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje organizohet nga KultPlus me mbështetje të Bibliotekës Kombëtare, kurse me kumtesa do të paraqiten: Agim Vinca, Albana Mehmetaj dhe Ndue Ukaj.

Kurse studentët e Fakultetit Filologjik do të prezantohen me poezi dhe fragmente nga veprimtaria e Ernest Koliqit.

Mbrëmja do të mbahet më 23 maj, në ora 18:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”./ KultPlus.com  

Pjesëtarë të QKLL në ambient të hapur shijojnë magjinë e vargjeve të autorëve të njohur (Foto)

Në ditën ndërkombëtare të librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ka mbajtur orë letrare në ambient të hapur duke lexuar vepra të autorëve të njohur, shkruan KultPlus.

23 prilli shënon datat e lindjeve dhe vdekjeve të tre autorëve të njohur, që llogaritet të jenë shtylla e kulturës universale: Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Garcilaso de La Vega.

Ndërsa si shtyllë e kulturës dhe letërsisë shqipe të kombit shqiptarë janë: Gjon Buzuku, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Fan Noli, Asdreni, Dora d’Istria, Migjeni, Sami Frashëri, Mihal Grameno etj, të cilët ndikuan edhe në krijimin e themeleve të kombit shqiptarë.

“Për ne shqiptarët është dita e Gjon Buzukut, e Jeronim de Radës, e Naim Frashërit, e Dora d’Istrias, e Gjergj Fishtës, e Asdrenit, e Migjenit! E shumë e shumë të tjerëve, poetë e shkrimtarë të shquar, që nuk jetojnë më sot, por që ngritën kështjellën e letërsisë dhe gjuhës shqipe. E të gjithë atyre që nuk rreshtin së shkruari dhe mbajnë gjallë letërsinë tonë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit./KultPlus.com

Magjia e poezisë u shpalos me ndjeshmëri të lartë në Orën Letrare të organizuar nga Pen Qendra

Në një ambient të qetë dhe të ndritshëm, siç është ai i KultPlus Caffe Gallery, disa nga poetët më të mirë të vendit u mblodhën sot për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Të pranishmit qysh në nisje u ngjallën nga një atmosferë e veçantë, nën dritën e ndriçimeve të buta që krijonin një efekt magjepsës, shkruan KultPlus.

Në këtë Orë Letrare të organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, morën pjesë poetë të dalluar si: Ibrahim Kadriu, Ibrahim Berisha, Dije Demiri, Lulzim Tafa, Binak Kelmendi, Naim Beqiraj, Blerina Rogova Gaxha, dhe nikoqiri i kësaj Ore Letrare, Sali Bashota, por hijeshinë kësaj ngjarje ja shtuan edhe studentët e vitit të dytë të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Prishtinës.

Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje me rëndësi kulturore, hapjen e bëri Jeta Zymberi, redaktorja e mediumit KultPlus, e cila njëkohësisht bëri edhe paraqitjen e asaj që do të prezantohej gjatë kësaj Ore Letrare.

‘Dita Botërore e Poezisë është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë botërore. Në këtë ditë, shkrimtarë, poetë, lexues dhe dashamirës të poezisë mblidhen për të festuar fuqinë dhe pasurinë e poezisë, ashtu siç jemi mbledhur edhe ne sot”, ka thënë Zymberi e cila pasi prezantoi shkrimtarët, poezitë e të cilëve do të lexoheshin në këtë orë poetike, fjalën ja dha profesorit Universitar në departamentin e Letërsisë, Sali Bashotës, i cili tha se poezia është një nga thesaret më të çmuara të letërsisë shqipe.

‘Kjo ditë është ditë e promovimit të poezisë, ditë që njëherë në vit, secili nga poetët, krijuesit por edhe lexuesit mendojnë për rolin që ka poezia në jetën e njeriut. Gjuha, ligjërimi, figura, stili i poezisë është i veçantë nga të gjitha llojet dhe zhanret e letërsisë, prandaj edhe mësohet përmendësh, përjetohet më mirë, dhe ka fuqinë e vet e është pasuri shpirtërore e secilit njeri, poetëve që e shkruajnë, por para së gjithash edhe lexuesve që e përjetojnë”, ka thënë Bashota duke potencuar se letërsia shqipe ka poetë të njohur të cilët e prezantojnë poezinë shqipe edhe në arenën ndërkombëtare me vlerat e tyre, prandaj një kohë të gjatë ka ekzistuar mendimi se poezia shqipe e Kosovës është një nga thesaret më të çmuara në krejt letërsinë shqipe.

Pas fjalës së Bashotës, ishte koha që emocionet që vetëm poezia në veçanti di t’i sjell, të rrëmbenin të pranishmit.

Poetët nisën me leximin e poezive të tyre, ku dikush për dashurinë, dikush për nostalgjinë e kohëve të shkuara, me zërin e tyre të butë dhe të gjallë, frymëzuan të pranishmit me vargje të ndjeshme dhe të përsosura. Ata ishin në gjendje të sjellin në jetë imazhe të reja dhe të shumëllojshme, duke shkaktuar emocione të ndryshme në audiencë.

Në kombinim të hatashëm me poetet, hynë edhe studentët të cilët përkujtuan poetë të njohur të poezisë bashkëkohore shqipe përmes poezive të tyre.

Të lumtur dhe njëkohësisht të nderuar që po gjendeshin në mesin e këtyre poetëve të dalluar, leximin e nisi studentja Lorenta Ibraj e cila solli interpretimin e poezisë së Esad Mekulit, për të vazhduar tutje me poezitë e poetëve si: Martin Camaj, Vorea Ujko, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Edi Shukriu, Frederik Rreshpja e Basri Çapriqit që erdhën plot ndjeshmëri të interpretuara edhe nga studentët si Albin Shala dhe Rina Abdullahu.

Me zërin e tyre të përkryer ata arritën të shprehnin ndjenjat e poetëve me një mënyrë të veçantë që të gjithë të pranishmit ndjeheshin të prekur nga vargjet e tyre.

Një ngjarje e tillë është shumë e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë në mbarë botën. Në vendin tonë u shënua duke përmbledhur disa nga perlat e poetëve tanë më të njohur, këtu duke përfshirë edhe disa poezi të përzgjedhura në mënyrë të veçantë nga anëtarët, e PEN Qendrës.

Kjo festë për fjalën e shkruar, poezinë, u përmbyllë me një fotografi të përbashkët nga të gjithë të pranishmit të cilët e vazhduan diskutimin mbi poezinë duke u takuar nga afër me njëri tjetrin. / Vjollca Duraku / KultPlus.com

Konkursi i poezisë “Ora e Astritit” po vjen me edicionin e radhës

Për të katërtën herë me radhë, poetët do të takohen në qytetin e Ferizajit për manifestimin poetik “Ora e Astritit”, shkruan KultPlus.

Këtë e kanë konfirmuar organizatorët, Klubi letrar De Rada, përmes një postimi në Facebook, teksa poetët mund të aplikojnë deri më 30 gusht.

“Më 5 shtator do të shpallen titujt e poezive që kanë fituar të drejtën për pjesëmarrje në përzgjedhjen finale, të cilat edhe do të përfshihen në katalogun që botohet me këtë rast”, thuhet në njoftim.

Kjo orë letrare organizohet kushtuar Astrit Bytyçit, dëshmorit të lirisë dhe poetit nga Ferizaji. / KultPlus.com

LSHK mban akademinë letrare-artistike ‘Ora e Lirisë’

Në kuadër të “Epopesë së UÇK-së”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban akademinë letrare-artistike “Ora e Lirisë”, të martën, më 5 mars, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Ky manifestim që do të jetë tradicional, sivjet ka shpallur konkurs letrar, ku kanë marrë pjesë më shumë se njëqind krijues nga të gjitha viset shqiptare. Juria letrare ka përzgjedhur tridhjetë krijime letrare, tri nga të cilat do të vlerësohen me çmime I, II, III.

Në kuadër të akademisë letrare-artistike “Ora e Lirisë” do të ketë edhe disa pika muzikore artistike. / KultPlus.com

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës hap konkurs letrar-artistik “Ora e Lirisë”

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës hap konkursin Manifestimi letrar-artistik “Ora e Lirisë” që mbahet në kuadër të “Epopesë së UÇK-së” në shenjë të heronjve e të dëshmorëve të kombit, luftëtarëve të Luftës së lavdishme të Kosovës, tashmë do të jetë tradicional.

LSHK-ja këtë vit shpall konkurs letrar për këtë manifestim të rëndësishëm dhe është në pritje të vlerave të reja nga krijues të të gjitha gjinive. Tema është e lirë – preferohet ajo e luftës. Pjesëmarrja është e lirë, mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit nga të gjitha viset tona. Poezia të jetë deri në 30 vargje, krijimet e tjera jo më të gjata se tri faqe me nga 30 rreshta (shkronjat 14 pikë), me emër e mbiemër.

Pjesëmarrësit duhet të jenë të pranishëm në manifestim nëse marrin çmim, e nëse nuk do të jenë, çmimin e merr propozuesi i radhës. Jepen tri çmime për krijimet më të mira, kurse përzgjidhen disa nga juria për t’u lexuar në “Orën e Lirisë” më 5 mars 2019. Të gjithë të interesuarit punimet e tyre letrare mund t’i dërgojnë deri më 20 shkurt 2019 në adresën: [email protected]. Thuhet në njoftimin e Kryesisë së LSHK-së, me kryetar Shyqri Galica. /KultPlus.com

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, orë letrare për Gjergj Kastriotin Skënderbeun

Nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 15 janar, me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, organizohet ora e madhe letrare kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Më titullin “Ora e Gjergjit” e iniciuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ftohen të gjithë krijuesit nga bota e emigracionit dhe të gjithë ata që kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësisë së veçantë.

Pra më 15 janar me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, mbahet “Ora e Gjergjit”, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut./ KultPlus.com

Nesër fillon manifestimi “Takimet e Dom Mikelit”

Manifestimi tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, do të mbahet nesër, më 23 shtator, në Stubëll të Epërme të Vitisë.

“Pas mbylljes së shkollave shqipe dhe represioneve të tjera ndaj kulturës shqiptare, nga ana e pushtetit represivë të Serbisë në Kosovë, në vitin 1990 ne filluam këtë manifestim në fshatin Stubëll të Epërme të Vitisë. Që atëherë në këtë manifestim marrin pjesë njerëz nga gjithë vendi, nga trojet shqiptare dhe nga shumë shtete të jashtme”, i tha RTK-së Sarë Gjergji.

Ai tregoi se në këtë manifestim, po ashtu, do të mbahet edhe ora e madhe letrare, ku do të ndahet çmimi “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, si dhe një program argëtues për të pranishmit.

Kurse Dom Jeton Thaçi, tregoi se që nga janari i këtij viti ata kanë filluar përgatitjet për këtë manifestim.

“Tani gjithçka është gati. Për këtë manifestim na ka ndihmua edhe Ministria e Kulturës edhe institucionet komunale. Programi fillon nesër në orën 9, me mbajtjen e meshës nga Imzot Dodë Gjergji, dhe përfundon rreth orës 13 e 30”, tha Dom Jeton Thaçi. Po ashtu do të mbahet edhe tribuna shkencore me temën “Pesë anarkitë e Nolit në kontekstin e sotëm të shoqërisë sonë”. / KultPlus.com

Vjen manifestimi ‘Takimet e Dom Mikelit’ në Stubëll të Epërme

Më 23 qershor në Stubëll të Epërme (Viti) do të mbahet takimi tradicional kulturor e shkencor ‘Takimet e Dom Mikelit’, shkruan KultPlus.

Në këtë manifestim sikurse viteve të kaluara përpos debateve do të mbahet edhe ‘Ora e Madhe Letrare’, do të bëhet ndarja e çmimit ‘Agim Ramadani’ për tri poezitë më të mira si dhe do të ketë program argëtues me Dava Gjergjin dhe ansamble të këngëve dhe valleve.

‘Takimet e Dom Mikelit’ mbahen më 23 qershor me fillim nga ora 09:00, në Stubëll të Epërme (Viti)./ KultPlus.com