PEN Qendra e Kosovës organizon Orë Letrare për Ditën Botërore të Poezisë

Dita Botërore e Poezisë është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë botërore. Në këtë ditë, shkrimtarë, poetë, lexues dhe dashamirës të poezisë mblidhen për të festuar fuqinë dhe pasurinë e poezisë, shkruan KultPlus.

Një festë e tillë do të bëhet edhe në Prishtinë, përmes Orës Letrare të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës.

Me këtë rast, përmes poezive të tyre, do të përkujtohen poetë të njohur të poezisë bashkëkohore shqipe. Vargjet e Esad Mekulit, Martin Camajt, Vorea Ujkos, Fatos Arapit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Edi Shukriut, Frederik Rreshpjes, Basri Çapriqit etj., do t’i deklamojnë studentët e vitit të dytë të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Gjithashtu, në këtë orë poetike do të lexojnë edhe anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës.

Për të përjetuar këtë festë poezisë, bashkohuni në këtë udhëtim të mahnitshëm në botën e fjalës së shkruar, nesër më 21 mars 2023, në orën 13:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë.

Dita Botërore e Poezisë, 21 marsi, është shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Vendimi është marrë në Kongresin e 30-të të kësaj agjencie botërore në Paris. Dita ka për qëllim mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike, nxitjen e leximit, si dhe promovimin e krijimtarisë letrare. / KultPlus.com