Shqipëria u vendos drejtuese e sesionit të 33-të të Konferencës Rajonale Evropiane të FAO.
Kjo tryezë përbën themelin më të rëndësishëm për të ardhmen e bujqësisë në botë, duke vendosur në fokus sigurinë ushqimore dhe stabilizimin e tregut global.
Zgjedhur mes 53 vendesh pjesëmarrëse ministrja e bujqësisë, Frida Krifca kryesoi sesionin e kësaj konference. Në hyrje të fjalës së saj, ministrja shprehu mbështetjen e shtetit shqiptar krah Ukrainës, e cila edhe pse një vend i pavarur dhe evropian, është nën sulm të armatosur nga Federata Ruse.
Duke përmendur krizat aktuale ekonomike që po kalon mbarë globi, me luhatjen e tregjeve dhe çmimeve, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se Shqipëria ka marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e situatës.
Krifca theksoi se fokusi mbetet e ardhmja, ku synohet rritja e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor shqiptar për të përballuar këtë goditje dhe për të vazhduar prodhimin.
Sipas Krifcës orientimi aktual nevojitet të jetë drejt zbutjes së sfidës së ardhur si pasojë e ndërprerjes së furnizimeve nga Ukraina në mënyrë që të stabilizohen rrugët ndërkombëtare të ushqimit dhe të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm për bujqësinë.
Ministrja kërkoi mbështetjen e vendeve pjesëmarrëse për mbajtjen e tregjeve të hapura, duke kërkuar gjithashtu suport për vendet që janë më të ekspozuara nga mungesa e ushqimit dhe ekonomive që kanë më shumë nevoja.
Takimi vjen në një kohë krizash të zgjatura, pasi rajoni po përballet me sfidat e shkaktuara nga COVID-19. Ndërkohë, konflikti në Ukrainë po ndikon në prodhimin dhe tregtinë e produkteve kryesore agroushqimore dhe po kërcënon jetën dhe jetesën e miliona njerëzve në Evropë dhe Azinë Qendrore, e më gjerë.
Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë çështje që prekin sigurinë ushqimore dhe bujqësinë në nivel botëror, duke përfshirë rritjen e çmimeve globale të ushqimeve dhe do të ndajnë qasjet e tyre për transformimin e sistemeve agroushqimore në Evropë dhe Azinë Qendrore për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerës së ushqimit./ atsh / KultPlus.com