Thirrje për dialog: Fëmijët nuk duhet të instrumentalizohen

Organizata ETEA ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar nga institucionet relevante të arsimit dhe sindikatat, raportet e të cilëve po zhvillohen mbi kurriz të fëmijëve.

Sipas tyre, është krejtësisht e papranueshme që mohimi i të drejtës themelore për arsim dhe simbolikës së ditës së parë të shkollës për të vegjlit të shndërrohet në normë sociale e institucionale. Është po kaq e pajustifikueshme ngarkesa emocionale dhe konfuzioni mendor që u shkaktohet fëmijëve për pothuajse çdo fillim të vitit të ri shkollor. 

Sektori i arsimit në Kosovë është në krizë të thellë dhe për këtë janë të vetëdijshëm krerët e institucioneve dhe sindikatave. Por, në njërën anë Qeveria e Kosovës duke mos e prioritizuar arsimin, kurse në anën tjetër sindikatat duke shkaktuar bllokadë totale të arsimit në mënyrë të përsëritshme (instrumenti më ekstrem sindikal), qartazi po shpërfaqin papërgjegjësinë e tyre profesionale dhe humane në raport me fëmijët dhe vendin. 

“Organizata ETEA konsideron se është urgjente dhe kërkon nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të mos i shndërrojë fëmijët në instrument sindikal, por të shfrytëzojë mënyra tjera të të bërit presion ndaj institucioneve për mirëqenie të mesimdhënësve/eve, qëllim ky për të cilin ETEA padyshim se e mbështet dhe angazhohet vazhdimisht.”

Tutje, ETEA e konsideron urgjente dhe i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të vihet në krye të detyrës duke u angazhuar për dialog dhe gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e pakënaqësive pasi kjo është detyrë dhe përgjegjësi e plotë e kësaj të fundit.

Është e domosdoshme që, viti shkollor të fillojë jo më larg se më datë 05.09.2022 dhe mbi të gjitha, të prioritizohet arsimi në Kosovë. / KultPlus.com

Promovohet “Prishtinë, muza ime!”, libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive në kohë karantine

Libri “Prishtinë – Muza ime” që vjen si një libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohën e karantinës nga gjithsej 40 autorë sot u promovua në ambientin e Kino Armatës. Kur pandemia erdhi fuqishëm në vitin 2020, qytetarët e Prishtinës vendosën që t’i shkruajnë Prishtinës në kuadër të iniciativës së librarisë Dukagjini, Komunës së Prishtinës dhe organizatës ‘Etea’, shkruan KultPlus.

Përbrenda një afati të përcaktuar, libraria Dukagjini ka mirëpritur qindra shkrime fantastike nga më të ndryshmet. Tregime e poezi të shkruara nga qytetarët në një kohë të vështirë por njëkohësisht edhe një kohë në të cilën është reflektuar mbi atë se çka është e rëndësishme, janë jetësuar dhe kanë gjetur shtëpinë e tyre në librin e përjetimeve të titulluar “Prishtinë, muza ime!”.

Një libër i mbushur me tregime dhe poezi të cilat janë përzgjedhur nga juria profesionale si: shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës Hivzi Sylejmani, sot në mesin e një numri madh të pranishmëve, disa nga to u lexuan dhe ngjallën emocion dhe një ndjenjë tejet të veçantë.

Pak para se kjo ngjarje të fillonte, të pranishmit dalëngadalë zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër disa rrëfime që nisin qysh nga ideja për të krijuar këtë libër e deri tek botimi i saj. Ndërsa, teksa meloditë e këngës “Të dua Prishtina” luanin në prapavijë si dhe zëri i mahnitshëm i Nexhmije Pagarushës dëgjohej këndshëm në sfond, kjo ngjarje veçse kishte filluar me simbolikën e saj e që është pikërisht qyteti i Prishtinës.

Por fillimisht në një panel diskutimit të moderuar nga shkrimtari Arbër Selmani, të ftuar ishin: Ilirana Hasaj nga libraria Dukagjini, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha dhe drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti.

“Libri është nis qysh në vitin 2020 atëherë edhe kur është hapur thirrja dhe kur janë dërguar qindra shkrime prej të cilave më pas juria e ka bërë një punë modeste dhe i ka përzgjedhur dyzet prej tyre të cilat janë pjesë e këtij libri që mendoj se do të mbetet një dokument i rëndësishëm dhe i fuqishëm që tregon se si ne jemi mishëruar me Prishtinën në një kohë kur kemi qenë të izoluar, kohë kjo pak e papritur prej neve dhe për ata që janë mirë me fjalën e shkruar. Mendoj se me u përball me atë traumë ka qenë më së lehti për ti shkruar Prishtinës”, thotë Selmani.

Sipas tij, libri është një punë e mahnitshme ku ai vetë si anëtar i jurisë është i kënaqur me poezitë, prozën dhe tregimet e shkurtra të cilat e shfaqin Prishtinën në dimensione të ndryshme dhe prej syve të ndryshëm.

“Unë mendoj që secili prej neve ka një dashuri për Prishtinën ose qoftë edhe një moment, një njeri, një këngë, një objekt me të cilin mishërohen në Prishtinë dhe më e mira e kësaj është se ajo është shprehur në këtë libër. Ky libër vjen si bashkëpunim midis tri institucioneve si: Komuna e Prishtinës, Libraria Dukagjini dhe Qendra Etea. Unë tutje po i lexoj të gjitha emrat e krijuesve në këtë libër për të respektuar punën e tyre”, thotë Selmani.

Ndërsa Ilirana Hasa tregoi për rrjedhën e idesë për librin që në fakt ishte paraparë qysh para pandemisë por që ajo u krijua pikërisht kur pandemia goditi botën.

“Libri ka qenë një rrugëtim shumë interesant por edhe tash që po mundemi për të reflektuar ngase kanë kaluar dy vite dhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe jemi marrë shumë me qejf me librin, tash po e shohim edhe më mirë se sa i rëndësishëm është dhe sa i veçantë është. Krejt ka filluar si një ide thjesht për një organizim para pandemisë mirëpo pandemia goditi gjithë botën dhe ishim në karantinë kur u rikthye ideja jonë për ti ftuar qytetarët që t’i shkruajnë Prishtinës dhe ta krijojmë një libër të cilin po ia falim kryeqytetit tonë”, thotë Hasaj.

Sipas saj, në këto kohëra të jashtëzakonshme shihet se çfarë ka dhuruar Prishtina. Në këtë situatë është parë ajo se çka është vërtetë e rëndësishme dhe çka i mungon çdo njeri.

“Edhe pse ishte një situatë jo e mirë, na ka falë një mundësi dhe një kohë që të pauzojmë, të reflektojmë apo edhe ti kthehemi kreativitetit që e kemi ndrydh brenda dhe andaj besoj që shumë prej nesh e kanë shfrytëzuar këtë kohë. E kemi hap thirrjen në grupin “Ri n’shpi me neve”, që ka qenë një grup i krijuar nga Komuna e Prishtinës dhe është bërë kështu një punë shumë e madhe. Kemi pranuar rreth 250 shkrime e po ashtu ne qysh në fillim kemi tregu se cili është qëllimi dhe si ka mu bo përzgjedhja”, shpalos Hasaj.

Ajo tutje tregon se faza e përpunimit dhe krijimit të librit ka qenë një periudhë tejet e mirë ngase është bërë ngadalë dhe me shumë dashuri për detajet e ndryshme.

“Juria është e përbërë nga shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’. Kur kemi ardhur në fazën e dizajnit të librit e kemi menduar që një pjesë e mirë e librit të përmbajë edhe fotografi sepse edhe fotografitë flasin shumë e sidomos pasi që syri i aparatit kap momente të ndryshme të qytetit apo të personave. Fotografitë janë fotografi nga fotografë profesionalë por edhe të zakonshëm”, përfundon ajo.

Po ashtu, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, tregoi për grupin “Rri n’shpi me neve”, grup ky që kishte për qëllim të zhvillojë aktivitete gjatë kohës së pandemisë.

“Ne jemi takuar në vitin 2019 kur kemi qenë pjesë e një grupi për realizimin e aktiviteteve socio-kulturore e sportive për nder të 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe është shfaqur edhe kjo ideja apo propozimi që të realizohet një projekt i tillë siç është ky libër por në atë periudhë kohore nuk kemi mundur ta realizojmë por sidoqoftë i ka ardhur koha në periudhën e pandemisë. Ne si Komunë në atë periudhë kohore e kemi hapur grupin “Rri n’shpi me neve” ku qëllimi ishte që të zhvillohen aktivitete interaktive”, thotë Berisha.

Sipas tij, ky libër ka qenë një bashkëpunim trekëndësh, bashkëpunim ky që ka rezultuar në aktivitete të shumta e të ndryshme.

“Këta dyzet persona që janë në këtë libër kanë shkruar në kohën e karantinës dhe përmes shkrimeve të tyre kanë treguar përjetimin që qyteti jonë ia dhuron. Pra, Prishtina na bashkon dhe ajo është e përjetimeve tona të përbashkëta”, përfundon Berisha.

Në anën tjetër, drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti foli rreth përshtypjeve të tij të cilat i ka marrë përgjatë krijimit të këtij libri.

“Padyshim që ky trekëndësh bashkëpunimi ka rezultuar në një sukses të madh dhe i tillë po duket edhe produkti i këtij bashkëpunimi. Besoj që bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në të ardhmen. Një përshtypje të cilën do të doja ta tregoja është ajo se ndonëse e kemi nis këtë projekt qysh në vitin 2019, ne kemi marrë mesazhe të shumta nga krijuesit të cilët na kanë pyetur se a është akoma i qëndrueshëm dhe se do të krijohet ndonjëherë ky libër. Ka qenë shumë e bukur që t’i shohim ato mesazhe dhe është një kënaqësi e madhe për të lumturuar dikë që pretendon apo edhe është një shkrimtar apo shkrimtare”, shpalos Ahmeti.

Më pastaj vëmendja iu drejtua gjithsej dyzet krijuesve por që njëmbëdhjetë nga të cilët në një mënyrë të rastësishme janë përzgjedhur për t’i lexuar krjiimet e tyre sonte. Në një renditje të rastësishme krijimet e tyre i interpretuan: Flutur Mustafa  (“Mos qaj Prishtinë”), Agon Rexhepi  (“Kam mendu për ty Prishtinë”), Liridona Shehu (“Prishtinë”), Doruntina Golaj (“M’ka marrë malli Prishtinë”), Fatos Lleshi (“Ty, Prishtinë”), Jeta Lila Delija (“Gjakova po t’shkruan, Prishtinë”), Parisa Ratkoceri (“Prishtina në qiell të hapur”), Planeta Sllamniku (“Pse po hesht Prishtina”). Ndërkaq, edhe treshja e fundit që interpretoi poezitë e tyre ishin: Edita Malazogu (“Për ty Prishtinë”), Elita Ferati (pa titull) dhe Filloreta Hoxha (“Ta ndiej heshtjën, Prishtinë”), por paraprakisht ishte nënkryetari në panel për një fjalë rasti u ftua edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Në fakt unë u inspirova aq shumë nga leximet saqë vendosa për të lexuar edhe vetë një poezi për t’u bërë pjesë e këtij leximi. Është me të vërtetë kënaqësi për të marrë pjesë në këso ngjarje. Ngjarjet si kjo sot gjithmonë më japin një emocion dhe ndjenjë të veçantë andaj ju falënderoj shumë për këtë emocion që e mora nga ju. Jam i lumtur që Komuna e Prishtinës ka kontribuar që ky libër të jetë me ne. Nuk kam pasur rastin t’i lexoj më herët këto poezi por me të vërtetë u kënaqa. Tash e lexova edhe një poezi e cila më përfaqëson dhe e përfaqëson kohën që kam kaluar. Koha e karantinës na ka kthyer në kohën e luftës dhe nëse i hiqni datat e këtyre krijimeve, neve në fakt na kthejnë në atë periudhë të luftës”, thotë Zogaj.

Ai tutje veçoi poezinë “Natë e trishtë” e autorit Dren Loxha të cilin ai personalisht nuk e njeh por poezia e tij e ka kthyer Zogajn në kohë dhe i ka dhuruar ndjenjën të cilin ai e ka pasur gjatë luftës por edhe në karantinë. Po ashtu nënkryetari Zogaj kujtoi edhe kohën e karantinës ku muaji mars i vitit 2020 ka qenë për të një trishtim i tejskajshëm.

Kështu krejt në fund ishin duartrokitjet e shumta që iu drejtuan drejt këtyre krijuesve të cilët patën rastin të interpretojnë shkrimet e tyre tashmë të botuara në librin “Prishtinë, muza ime!”. Ndërkaq, autorët tjerë krijues që janë përzgjedhur për këtë libër janë edhe: Ardit Mehmetaj, Argjenda Selmani, Dafinë Bajrami, Dearta Zeqiri, Donarta Sh.Uka, Donika Hamiti, Dorina Imami, Dren Loxha, Edlira Maloku, Elvira Sh.Ukiqi, Fadil Halimi, Fatlinda Imeri, Fitim Majkovci, Fjolla Hajrizaj, Jakob Ëeizman, Kaltrinë Uka, Kosovare Xh.Leskovci, Linda Jakupi, Mimoza Sapiqi, Mirjeta Zekaj, Rrona Jaka, Sala Jashari, Salim Memishi, Sara Tahiri, Saranda Rugova, Saranda Stuja-Tara, Teuta Berisha, Vesa Ferizi dhe Vlora Konushevci.

“Prishtinë – Muza ime” është libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohë karantine përgjatë muajve mars – prill të vitit 2020. / KultPlus.com

“Java e Librit të Ndaluar” po shënohet sot edhe në Kosovë si ngjarje një ditore

Kryeqyteti i Kosovës, për herë të parë i është bashkuar nismës “Java e Librit të Ndaluar” e cila shënohet në shumë qytete të shteteve perëndimore, shkruan KultPlus.

Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të
Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave.

“Java e Librit të Ndaluar” si ngjarje ndërkombëtare e cila synon ngritjen e vetëdijes mbi lirinë e të
shprehurit dhe përkujtim për librat e ndaluar dhe artistët dhe intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare, mbahet për herë të parë në Kosovë, si ngjarje një ditore e cila organizohet nga “ETEA” në kuadër të “Prishtina Lexon”, shkruhet në komunikatë.

Si ngjarje, e cila është inicuar nga Asociacioni i bibliotekave amerikane, “Java e Librit të Ndaluar” promovon mendimin jokonformist, sfidues dhe kritik. Edhe kjo ngjarje sot shkon në linjën e idealeve të promovuara përmes ngjarjes si festim dhe përkujtim ndërkombëtar i rëndësisë së lirisë të të shprehurit dhe rëndësisë fundamentale që mendimet dhe publikimet t’i nënshtrohen vlerësimit
publik dhe të mos mbeten të cenzuaruara.

Në Prishtinë, aktivitete dedikuar kësaj ngjarjeje do të realizohen nga Organizata “ETEA” gjatë gjithë ditës së 24 shtatorit 2018. Duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, është shfaqur një performancë artistike me karakter satirik, kjo e fundit e pergatitur nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim Mehmeti. Në ambientet e sheshit do të ketë edhe aktivitete tjera të cilat vënë theksin te rikujtimi i shkrimtarëve, gazetarëve dhe intelektualeve të tjerë shqiptarë që në kohëra të ndryshmeu persekutuan dhe cenzuruan nga pushteti dhe grupacione sociale që i shkojnë për shtati njerëzve të politikës dhe pushtetit.

Më tej, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në ora 15:00, të interesuarit do të kenë mundësine t’i bashkohen diskutimit të hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi, autor i librit “Këmbët e gjarprit”, libër ky ndaj të cilit, në vitin 2014, u organizuan aksione përmes së cilave u dogjën publikisht kopjet e tij në Skënderaj e Ferizaj. Ky diskutim do të moderohet nga Liridona Sijarina.

“Dita e Librit të Ndaluar” përmbyllet në mbrëmje, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, me shfaqjen e filmit “Fahrenheit 451” nga ora 19:00. Filmi është i bazuar në romanin po me këtë emër, autor i të cilit është shkrimtari Ray Bradbury. Romani “Fahrenheit 451” paraqet një shoqëri të ardhshme ku librat janë te jashtëligjshme ndërsa “zjarrfikësit” kanë për detyrë të djegin çdo libër që gjendet në qytet.

“Librat digjen, (por) idetë jo” është tema për këtë vit, ndërsa “Dita e Librit të Ndaluar” në Kosovë synon të shndrrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një apo tjetër mënyrë atakojnë cenzurën ndaj mendimit të lirë dhe mentalitetin konzervator apo dogmatik.

AGJENDA
12:00 – 12:30 Performancë artistike nga skenaristi Florent Kurtalani dhe regjisori Kushtrim
Mehmeti
/ @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
12:00 – 13:00 Libri yt i ndaluar & Rikujtim i shkrimtareve të persekutuar dhe cenzuruar
/ @ Sheshi “Zahir Pajaziti”
15:00 – 16:00 Diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat
digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina
/ @ Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës
19:00 – 21:00 Shfaqja e filmit “Fahrenheit 451”
/ @ Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës