45 organizata rinore, kanë nisur një peticion drejt Ministrisë të Kulturës Rinisë dhe Sportit, për mbështetjen e organizatave rinore gjatë dhe pas pandemisë por me theks të veçantë për Qendrat Rinore dhe Këshillat e Veprimit Rinor Lokal si dy mekanizmat që përfaqësojnë të rinjtë dhe organizatat rinore që janë pjesë e tyre.
“Ne jemi të preokopuar në mungesën e përkrahjes nga ju, duke marrë parasysh që tash më shumë se kurrë duhet të ndihmohet secili sektor, pa dallim, që ofron shërbime për qytetarët e Republikës së Kosovës e sidomos organizatat rinore të cilat pas masave të ndërmarra nuk po kanë mundësi të ofrojnë shërbimet e tyra për të rinjtë të cilët janë rreth 40% e popullates së Kosovës. Mbyllja e shkollave, mbyllja e bizneseve të ndryshme dhe masat preventive të marra, po ndikojnë në gjendjen e shëndetit mental të të rinjëve me mungesën e aktivizimit të tyre. Sikur institucionet e arsimit dhe institucionet tjera të cilat po i ofrojnë shërbimet e tyre përmes platformave të ndryshme online, poashtu edhe ne si organizata rinore kemi kapacitetet për t’i ofruar ato, por mungesa e financave po na e pamundëson atë, thuhet në shkrimin e këtyre organizatave.
Ata tutje shprehen të gatshëm të ofrojnë aktivitete për përmisimin e gjendjes të të rinjëve të cilët tash po përballen me një gjendje të paprecedentë sikur edhe të gjithë qytetarët tjerë. Duke qenë të informuar për përkrahjen e organizatave të profileve të ndryshme, ata besojnë që është shumë e rëndësishme që rinia të përkrahet poashtu nga subvencionet të cilat janë të parapara për ta.
Ato kërkojnë përkrahje financiare që t’i ofrojnë shërbimet për të rinjtë e Republikës së Kosovës.
“Shërbimet tona do te jenë falas për të gjithë të rinjtë e Republikës së Kosovës, por kjo nuk mund të arrihet pa përkrahjen tuaj. Ne deri tash me mundësitë minimale kemi ofruar shërbimet tona, por që tash e tutje duket se do të jetë e pamundshme për vazhdimin e tyre duke pasur parasysh që financat tona tashmë kanë rënë në zero (0). Shërbimet tona do të jenë shumë efektive për të rinjtë e Repbulikës së Kosovës, trajnime profesionale online falas, diskutime të ndryshme virtuale, emisione argëtuese të cilat do të mbushin orët e kohës së lirë, ofrimi i shërbimeve profesionale për përgatitjen e të rinjëve etj. Të gjitha këto shërbime organizatat rinore janë të gatshme t’i ofrojnë. Mbetja jashtë e financimit të Qendra rinoreve dhe KVRL-ve mund të vjen deri edhe në shuarjen e tyre, e poashtu edhe organizatave rinore të cilat janë pjesë e tyre”, thuhet tutje në kërkesën e tyre. / KultPlus.com