Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të organizoj koncert për nderë të 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur shqiptar, Rexho Mulliqi.
“Koncerti do të hapet me tingujt mahnitës të Simfonisë Kosovare të kompozitorit tonë të veçantë, Rexho Mulliqi. Përgatituni të mahniteni nga melodia magjepsëse dhe bukuria ritmike e kësaj vepre, me paraqitjen e Andi Durakun në piano, duke treguar talentin që Kosova ka për të ofruar”, njofton Filharmonia e Kosovës.
Gjithashtu përveç përkujtimit ndaj kompozitorit të këngës së famshme, “Baresha”, Filharmonia e Kosovës ka përgatitur program që do të dirigjohet nga Gregory Charette.
“Pas performancës së jashtëzakonshme të Simfonisë së 1-rë nga Sibelius, tetorin e kaluar, Orkestra Filarmonike e Kosovës është gati t’u mahnitë përsëri me Simfoninë e 2-të të Sibeliusit. Nën udhëheqjen e dirigjentit të shkëlqyer amerikan, Gregory Charette, kjo performancë do të shënoj një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e orkestrës”, vazhdon tutje njoftimi.
Koncerti do të mbahet më 10 nëntor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.