‘Super Vullnetarët’ përmirësojnë gjendjen e dy shkollave në Kosovë (FOTO)

Kampistët e organizatës ‘Toka’, kanë përfunduar me sukses projektet e tyre të vullnetarizmit edukativ në dy shkolla fillore në Kosovë.

Ata gjatë kampit të “Super-Vullnetarëve” që është mbajtur në Qendrën Rekreative të Gërmisë (23-29 korrik) kanë ndërtuar dollapë dhe varëse nga druri të cilat i kanë vendosur në shkollën fillore “Liria” të fshatit Stroc, në Vushtrri dhe në shkollën “Sezai Surroi” të fshatit Bellobrad, në Dragash.

Idetë për ndërtimin e dollapëve dhe varëseve u dhanë nga mësimdhënësit Donika Selaci dhe Enes Misini si pjesë e fushatës “Jep ide, ndrysho një shkollë” të organizuar nga OJQ ‘Toka’ gjatë muajit qershor.

Kampi i “Super-Vullnetarëve” u organizua nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim ‘Toka’ me qëllim që të zhvilloj te pjesëmarrësit kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, po ashtu me synimin që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive tek të rinjtë.

Ky kamp u financua nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi gjithashtu u përkrah nga organizata mjedisore ËËF Adria dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com