Performanca e jashtëzakonshme me instrumentin e Organos përmbyll edicionin e 19-të të DAM Festival

Vjollca Duraku

Një performancë e jashtëzakonshme me një zhanër të ri që gërsheton muzikën klasike, elektronike dhe artin vizual është dhuruar në natën përmbyllëse të edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “DAM”, nga organisti Ràkàsz Gergely.

Plateja e Pallatit të Rinisë, me gjithë mangësitë e saj, të dielën mbrëma u shëndrrua në një sallë interpretimi të rrallë artistik. Instrumenti i Organos ishte kryefjala. I vendosur në qendër të sallës, ky instrument i veçantë me tre palë taste dhe shumë butonë fillimisht tërhiqte vëmendjen e publikut, duke shtuar pastaj edhe kuriozitetin mbi atë që do të dhurohej në koncertin “Lords of the organ”.

Pak pas orës shtatë të mbrëmjes, në podium doli artisti karizmatik Gergely, dhe  pas përshëndetjes me “Mirëmbrëma” ai filloi interpretimin e tij të jashtëzakonshëm, të kalitur me realizimin e mbi 2000 koncerteve  të mbajtura në Hungari, Evropë dhe Amerikë.

Krejt e veçantë ishte edhe loja e tij. Një profesionalizëm i paparë. Interpretimi të merrte me vete, kur në ekranin përballë tij paraqitej kjo performancë unike, që dhurohej me shtypje të tasteve dhe pedaleve me duar dhe këmbë. Ndërsa tingujt që jehonin në sallë përmes veprave të kompozitorëve të shquar botërorë, duke paraqitur periudha të ndryshme artistike, shënonte vërtetë një lloj arti të veçantë, të paparë deri më tani.

Veprat të cilat u interpretuan  në këtë mbrëmje ishin: “The four sesason’s- Winter”- Antonio Vivaldi, “Rhapsody in Blue”- George Gershwin, “The Planets”- Gustav Holst dhe “Beautify Thyself, O Dear Soul”- Johann Sebastian Bach.

Vepra e parë e cila u dha në koncert qe kryevepra e Antonio Vivaldit “Katër Stinët-Dimri”, e cila në prapavijë shoqërohej edhe me imazhe të stinës së dimrit. Ashpërsinë e stinës e theksonin tingujt me tone më të larta, përderisa pamjen panoramike të vendbanimit me borën kristal e paraqisnin tingujt fare të lehtë.

“Beautify Thyself, O Dear Soul” nga Johann Sebastian Bach ishte pika e dytë interpretuese e cila po ashtu shpërfaqi gjithë mjeshtërinë e solistit që këtë herë vinte së bashku me violonçelisten Dorottya Dénes, e cila dhuronte tinguj që jepnin ndjesi të thellë, pasi vetë vepra konsiderohet himn i repertorit liturgjik . Në prapavijë një fontanë klasike plotësonte mozaikun e mbrëmjes.

“Rapsody in Blue” kryevepra e kompozitorit George Gershwin vazhdonte rrëfimin e saj  e treta në radhë, përmes imazheve të qytetit të New York-ut dhe tingujve që ngjasonin në pianistikë. Ndërsa, vepra  “Planetet”    nga Gustav Holst u dha krejt në fund të ngjarjes, me melodi të jashtëzakonshme të cilat sikur paraqisnin harmoninë e sistemit diellor. Në prapavijë paraqiteshin edhe pamje me planete, një grua shtatëzënë që lindtte jetë të re, dhe një bimë në rritje që ndërlidhej me rritjen e fëmijës.

Solisti Rakasz Gergely i cili për herë të parë ka interpretuar në Prishtinë, në një prononcim për media ka thënë se publiku në Prishtinë veçse ia ka rrëmbyer zemrën.

“Shumë njerëz kur mendojnë për organon u shkon mendja për muzikën në kishë, por ky është edhe një instrument për të bërë show. Organot e para janë prezantuar në Romën antike të konstruktura për t’u bartur me karroca kau në arenat e gladiatorëve, ato ishin forma e argëtimit për masën dhe të gjitha koncertet e mia janë të tilla, argëtuese për publikun”, ka thënë Gergely, me shpresë që ky nuk do të jetë koncerti i tij i fundit në Prishtinë.

Ndërsa drejtori i Festivalit, Dardan Selimaj, ka falënderuar Ambasadën Hungareze për mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij koncerti.

“Jemi të lumtur që Ambasada Hungareze ka qenë e gatshme për të realizuar këtë koncert, i cili është i veçantë sepse në skenën tonë nuk kemi mundësi që të dëgjojmë organistë sepse në momentin kur ne dëshirojmë t’i ftojmë ata, ne nuk kemi instrument ku mund të luajnë. Kjo ka qenë një mundësi e rrallë, dhe për ne ka qenë kënaqësi qe kemi arritur ta kemi pjesë të festivalit”, ka thënë organizatori Selimaj, duke i dhënë disa detaje për instrumentin e Organos, dhe për zhvillimin e idesë për të realizuar një koncert të tillë.

“Ekziston një Organo në Katedralen e Prishtinës, mirëpo nuk është e përshtatshme për të dhënë një koncert të formatit të tillë. Kjo është një Organo elektrike, që megjithatë e sjell magjinë dhe tingullin e Organos. Kam dëgjuar koncerte të organistëve nëpër salla koncertesh ku Organot janë të jashtëzakonshme dhe kam pasur gjithmonë dëshirë që atë tingull ta sjellim edhe në Prishtinë. Me vjen mirë që sonte sadopak publiku ka pasur mundësi për ta dëgjuar dhe për ta parë”, ka shtuar më tej organizatori.

Gjithashtu, Selimaj ka bërë të ditur se edicioni jubilar i 20-të i Festivalit do të shënohet me vetëm një ngjarje, nga i cili vit edhe do të ndryshojë rrjedha e “DAM” duke u fokusuar në Garën e Kompozitorëve të Ballkanit.

“Viti i ardhshëm nuk do të ketë një edicion të 20-të, do të ketë vetëm një ngjarje e cila do të përmbledhë rrugëtimin 19-vjeçar të Festivalit. Festivali DAM në formatin kështu siç është përmbyllet me këtë edicion. Nga viti i ardhshëm organizata do ta ketë fokusin te gara e Kompozitorëve të Ballkanit, ngjarje që do të organizohet një herë në dy vjet”, ka përfunduar drejtori Selimaj.

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës- DAM Festival është mbajtur nga data 18 deri më 22 shtator, dhe para publikut ka sjellë artistë të shquar botëror./ KultPlus.com