Gonxhja: Në gjurmët e teatrit antik të Orikumit, aty ku koha duket se ka ndalur

Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, Vlorë, është një nga destinacionet kulturore që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, është një destinacion që po tërheq çdo vit vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota, “si një dëshmi e gjallë e lashtësisë, aty ku janë vendosur veprat madhështore të parardhësve tanë”.

“Teatri Antik i Orikumit nuk është vetëm një udhëtim në histori, por një përvojë frymëzuese, midis kulturës, natyrës dhe pasurisë shpirtërore”, shprehet Gonxhja.

Ky teatër përfaqëson një nga ndërtesat me monumentale të zbuluara në Orikum. Monumenti daton në fillimin e shekullit III para Krishtit dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike.

Shkallarja e teatrit pjesërisht mbështetej në pjerrësinë e kodrës shkëmbore dhe pjesërisht ka qenë e ndërtuar me mure radiale. Prej saj na ruhet vetëm radha e parë e ndenjëseve, e vendosur mbi një podium, e cila i rezervohej elitës së qytetit.

Orkestra ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha prej guri, ndërsa skena ka qenë e dekoruar me kolonada dhe gjysmëkolona.

Ky është një nga teatrot më të vegjël të njohur deri më sot në Shqipëri, me një kapacitet rreth 500-600 spektatorë.

Duke marrë në konsideratë veçoritë e këtij teatri mendohet se ai mund të ketë luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ceremonitë dhe procesionet fetare të qytetit./atsh/ KultPlus.com

Misteret e Orikumit shfaqen për publikun më 20 shtator

Dokumentari mbi gadishullin e Karaburunit, pasurive detare dhe ato arkeologjike të qytetit antik të Orikut, do të shfaqen në datën 20 shtator në Njësinë Administrative Orikum, të bashkisë Vlorë.

Dokumentari është projektuar për të nxjerrë në pah bukuritë natyrore dhe ato materiale të Shqipërisë së Jugut.

Bashkia e Vlorës bën me dije se gjatë projektimit të filmit do të jenë të pranishëm arkeologët që kanë zhvilluar gërmimet në Parkun arkeologjik të Orikut, të cilët do të jenë të hapur ndaj pyetjeve që mund të vijnë nga të pranishmit.

Dokumentari “Misteret e Orikumit” do të shfaqet në orën 18:00 te sheshi përpara godinës së Njësisë Administrative Orikum./ ata

Laguna e Orikumit, një mrekulli për turistët dhe një mister për arkeologët

Laguna ndodhet në brigjet e Gjirit të Vlorës dhe Detit Adriatik. Sipërfaqja ujore e kësaj lagune është 1.5 km2. Në periferi dhe nën ujërat e lagunës gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër të Orikumit.

Kjo lagunë veç vlerave historike është e pasur dhe me specie të ndryshme të florës e faunës. Laguna e Orikumit është në një zonë përherë e lidhur me detin nëpërmjet një kanali. Gjiri është shumë i përshtatshëm për zogjtë migrues.

Rezerva e madhe e peshkut rrit mundësinë për Karabullakët, Çafkat e mëdha të bardha dhe Çafkat gri. Peshkimi dhe rritja e peshkut në lagunë nuk janë shumë të shfrytëzueshme.

Kryesisht peshkohen Ngjalat, Venerupis pullastra dhe Koca.

Poshtë shtratit të ngjelmët të lagunës, ndodhet misteri i pa zbuluar i një qytetërimi të hershëm, Oriku.

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që e ndanë nga laguna e vogël nga gjiri (Pasha-Liman).

Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme.
Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në vërshimin e turistësh të shumtë vendës dhe të huaj, që vijnë dhe e vizitojnë atë.

Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara.

Ende një pjesë e tij, mbase më intriguesja, nuk është zbuluar akoma apo mbahet peng nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.

Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman tek Gjiri i Bristanit duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit.

E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.
Edhe laguna zë pjesën e vetë në aktivitet turistike dhe mjedisore të kësaj zone të pasur me vepra arkeologjike që dëshmojnë historinë e saj. Misteri nuk është zbuluar akoma i gjithi, nuk dihet çfarë ka nën shtratin e Lagunës?!… / KultPlus.com