Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës vjen me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025

Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” vjen me Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025 nën dirigjimin e Vehbi Shosholli, shkruan KultPlus.

Më 16 dhjetor yjet e Korit dhe Orkestrës do të ngjiten në skenë me një muzikim të përbashkët, i cili vjen vjen si dëshmi e punës, pasionit e talentit.

Koncerti mbahet më 16 dhjetor, në ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Koncert nga Orkestra e RTSH – Pjesë e repertorit, kompozimet e Gustav Mahler dhe Andrea Scartazzini

Notat e hedhura në partiturë nga kompozitorët e dy kohëve, hebre-austriaku Gustav Mahler, i cili aktivitetin e tij artistik e ka pasur në shek. XIX-XX dhe Andrea Skaltacini, artisti bashkëkohor zviceran, do të luhen nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Maestros italian, Facundo Agudin dhe pjesëmarrjen e veçantë të sopranos shqiptare, Renisa Laçka.

Dirigjenti Facundo Agudin premtoi një program shumë të bukur.  

“Programi që do të luajmë premtoj se do të jetë bombastik dhe tejet i bukur. Bëhet fjalë për simfoninë Nr.4 në Sol Maxhor të Gustav Mahler, i cili më duhet të them se është shumë i ndërlikuar dhe po punojmë shumë së bashku me Orkestrën, si dhe një prelude para saj, premierën e kompozitorit zviceran Andrea Skaltacini. Është një pjesë shumë e shkurtër që ne do e luajmë, bashkë me solisten, Renisa Laçka, një soprano fantastike e Operas”, tha Agudin.  

Kjo nuk është hera e parë që dirigjenti luan një koncert në Shqipëri, por vepra e përzgjedhur luhet për herë të pare nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Por, pavarësisht kësaj, dirigjenti është i mahnitur nga skrupuloziteti i punës së Orkestrës dhe i artistëve të tjerë për të sjellë një shfaqje të paharrueshme për publikun.

“Çfarë mund të them për artistët shqiptarë?! Nuk e di në qoftë se je duke punuar me një artist rus, artist italian, artist gjerman… Artistët shqiptarë janë shumë njerëz interesantë, inspirues dhe kanë një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe kualitet vokal. Nga brumi që kanë artistët me të cilët kam punuar, më krijohet ndjesia që këtu çdokush mund të jetë potencialisht këngëtar, i çdo stili. Ndaj jam shumë i lumtur të luaj me ta. Është hera e parë që Orkestra e luan këtë pjesë por mund të them se është ndryshe dhe shumë e bukur”, shtoi ai.

Ky koncert, i cili do të mbahet ditën e premte, më 25 Tetor, në sallën e Universitetit të Arteve, organizohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, Ambasadës Gjermane në Tiranë si dhe fondacionit publik të Zvicrës “Pro Helvetia”, me qëllim mbështetjen e artistëve dhe promovimit të kulturës dhe artit zviceran jashtë vendit./rtsh/ KultPlus.com

Sonte mbahet koncerti i Orkestrës Frymore të Filharmonisë

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës sonte do të prezantohet me një koncert artistik para publikut, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi dhe me pjesëmarrjen e violonçelistit Konstantin Manaev.

Me një program dinamik, Orkestra do të sjellë vepra nga Donizetti, Lindpaintner, Vaughan-Williams, si dhe “Koncertin për violonçel” dhe orkestër frymore nga Gulda.

Koncerti mbahet sonte, më 12 tetor 2024, ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë/ KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës paralajmëron koncert madheshtor në hapje të sezonës 2024/ 2025

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet e Filharmonisë së Kosovës për hapjen e sezonit 2024/2025.

Sipas njoftimit, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, në hapjen e sezonit të ri dhe në ditëlindjen e saj të 24-të, do të sjellë një koncert madhështor, i cili mbahet të premten, prej orës 19:30, në sallën AMC. Nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisaëa, do të interpretohet Simfonia Nr. 1 nga Mahler (Premierë kosovare) dhe tri vepra simfonike nga Lorenc Antoni.

“Ky koncert i përmasave të mëdha ka sjellë në Prishtinë instrumentistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Zvicra të cilët i janë bashkuar instrumentistëve të Filharmonisë së Kosovës , thuhet në njoftimin e këtij institucioni në Facebook.

Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor rikthehet në Durrës

66 instrumentistët nga 17 vendet e ndryshme të Evropës kanë performuar mbrëmjen e së premtes në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu “, nën drejtimin e dirigjentit, Desar Sulejmani. Duke e cilësuar si një sfidë, Maestro Sulejmani thotë ndër të tjera se dëshira është ta kthejnë në traditë këtë aktivitet.

Edhe për instrumentistët rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Megjithëse është hera e parë që marrin pjesë në këtë koncert janë të bindur se do t’ia dalin, pasi muzika i ka bërë bashkë, pavarësisht vendeve që përfaqësojnë.

Ndërthurja e muzikës klasike me atë moderne ishte e veçanta e këtij koncerti, që edhe këtë vit u mirëprit nga artdashësit durrsakë që mbushën sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu ” mbrëmjen e së premtes./ balkanweb/ KultPlus.com

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’, koncert në Tiranë

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës kanë mbajtur koncert në Tiranë, në sallën e liceut artistik “Jordan Misja”.

Fëmijët e kryeqytetit të Prishtinës, në dirigjimin e Vehbi Shoshollit, luajtën vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë.

Me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit të Kosovës, kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ janë paraqitur me një koncert para publikut të Tiranës.

Drejtoresha e korit dhe orkestrës, Hana Petrovci, falënderoi Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe MAShTI-n për mbështetjen derisa theksoi se orkestra e fëmijëve të Prishtinës tashmë ka filluar të ofrojë shfaqje edhe jashtë kufijve të Kosovës duke e përfaqësuar vendin në shtete të ndryshme.

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi.

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ është krijuar në shtator të vitit 2022 dhe përbëhet nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta të muzikës në Prishtinë, duke përfshirë fëmijë të shkollës publike të muzikës ‘Prenk Jakova’ dhe shkollave të tjera private./rtk/KultPlus.com

Kuarteti i Orkestrës Simfonike të FA, interpretim të shkëlqyer në Poloni

Kuarteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura interpretoi në koncertin e mbajtur në Krakov të Polonisë, me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e vlerësoi sot si të shkëlqyer interpretimin e Kuartetit, teksa theksoi se, “profesionalizmi i katër artistëve të OSFA dhe virtuoziteti i sopranos kroate Gabriela Hrzenjak u vlerësuan maksimalisht”.

“Muzika e mrekullueshme shqiptare solli emocione të mëdha, si një kujtim i veçantë për të gjithë të ftuarit”, nënvizoi ministri Peleshi./atsh/ KultPlus.com

Filharmonia nis muajin mars me harpisten turke Şirin Pancaroğlu

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e parë të muajit mars me harpisten turke Şirin Pancaroğlu, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

Në koncert pjesëmarrësit do të kenë rastin të dëgjojnë një program unik duke përfshirë veprën “Sinfonietta” për orkestër harqesh nga kompozitori kosovar Drinor Zymberi, “Valle për harpë dhe orkestër” nga kompozitori impresionist francez Claude Debussy dhe “Suita e Holberg-ut Op. 40” nga Edvard Grieg.

“Në këtë mbrëmje do të interpretohet edhe një vepër e harpistes Şirin Pancaroğlu e cila përveç instrumentit të harpës është një avokuese e literaturës së shkruar për instrumentin e harpës dhe çeng-ut (harpës turke)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë./KultPlus.com

Orkestra dhe kori i TKOB-së performojnë në Sofie të Bullgarisë

Muzikali “Callas and Onassis” ka bërë bashkë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe artistët e Teatrit te Varnës në Bullgari një një bashkëpunim të sukseshëm që tërhoqi vëmendjen e publikut në Sofie.

Muzikali “Callas and Onassis” ka bërë bashkë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe artistët e Teatrit te Varnës në Bullgari një një bashkëpunim të sukseshëm që tërhoqi vëmendjen e publikut në Sofie.

Pas suksesit që kjo vepër pati në skenën e TKOB-së, artistët shqiptarë morën këtë herë duartokitjet dhe vlërësimet e publikut bullgar, për talentin dhe profesionalizmin e treguar.

Kjo shfaqje me bashkëpunimin e TKOB-së dhe Teatrit të Varnës u ndoq nga afër edhe nga dy presidentët, presidenti bullgar Rumen Radev, dhe ai i Shqipërisë Bajram Begaj.

E pranishme për të parë nga afër këtë shfaqje në Bullgari, Drejtoresha e Përgjthshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, u shpreh se bashkëpunime të tilla i afrojnë më shumë dy vendet tona, duke treguar që artistët shqiptarë janë tashmë artistë të një niveli evropian.

“Prania jonë këtu vërteton edhe njëherë se muzika nuk njeh kufij, pasaportë dhe doganë, dhe vërteton edhe njëherë marredheniet e shkëlqyera mes dy vendet tona. Në Shqipëri ne kemi një shprehje “nuk bëhet festë pa miq” dhe jemi të nderuar që jemi këtu për të nisur së bashku edhe festimet e Vitit të Ri.

Shqipëria dhe Bullgaria kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh kulturore, dhe shpresoj që këto bashkëpunime, ti intensifikojmë dhe ti çojmë më tej në të ardhmen, edhe në art e kulturë. Ne nuk do ndalemi deri në ndërkombëtarizimin dhe evropianizimin e Teatrit tonë, nëpermjet rritjes së cilesisë artistike dhe ritmit të shpejte.” – u shpreh zonja Voshtina.

Ajo theksoi se bashkëpunime të tilla do të vijonë edhe në të ardhmen, për ta bërë Teatrin e Operës dhe Baletit, një Teatër të të njohur ndërkombëtarisht./shqiptarja.com/KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së, 3 vepra emocionuese për publikun

Orkestra Simfonike e RTSH-së entuziazmoi publikun e pranishëm në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse ndërsa performoi tre vepra të repertorit klasik, njëra prej të cilave premierë.

Koncerti nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski dhe interpretimin e solistes së mirënjohur, pianistes Anna Kravtchenko u shijua nga dashamirët e artit dhe mjaft të ftuar të njohur, protagonistë të jetës artistike në vend.

Koncerti u hap me premierën “Retrospektivë – Homazh për Ligetin”, e kompozitorit të ri Kris Sopiqoti i cili në fjalën e tij para të pranishmëve e cilësoi homazh për kompozitorin Ligeti në 100-vjetorin e lindjes.

Kompozitori Kris Sopiqoti ka qenë pjesë e Synergy Projekt, mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian me veprat e tij.

Vepra e dytë “Koncert për piano nr. 2, op. 21” nga Frédéric Chopin u realizua me performancën e pianistes Anna Kravtchenko e cila dhuroi plot emocione me interpretimin e saj, shoqëruar nga orkestra në sintoni të plotë.

Vepra e tretë “Simfonia nr. 1 – Pranvera” e kompozitorit Robert Schumann, po ashtu nhohu interpretim emocionues nga artistët e Orkestrës Simfonike të RTSH-së.

Ky ishte koncerti i dytë i sezonit që u hap më 15 shtator me tre vepra të tjera./atsh/KultPlus.com

Me ‘Një skenë plot yje’ bëhet inaugurimi i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës

Vjollca Duraku

Mbrëmë, me 80 fëmijë të moshës 7 deri 14 vjeç u mbajt koncerti i parë, e njëkohësisht edhe inaugurues i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës, të cilin e mundësoi shkolla e parë fillore jo-publike e muzikës në Kosovë, ‘Amadeus’, shkruan KultPlus.

Ky projekt i shkollës së muzikës ka ardhur si konkludim i profesionistëve të kësaj shkolle, të cilët mendojnë se edukimi muzikor luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, dhe kjo orkestër që për analogji të shkollës mund të quhet qershia mbi tortë , duke bërë që fëmijët qysh në mosha të hershme të kenë mundësi të performojnë me orkestër, të njihen me skenën dhe të krijojnë bazë të qëndrueshme për karrierën e tyre.

Një sallë, enterieri i së cilës ishte me plotë shije, elegancë dhe finesë, tashmë ishte mbushur përplot me prindër dhe me familjarë të fëmijëve të cilët pas pak pritej të perfomonin. Me një nur që u shëndrriste, shumica e të pranishmëve kishin zënë vendet e tyre, edhe pse një pjesë mjaft e madhe qëndruan në këmbë pasi nuk pati ulëse në sallë, aq sa pati pjesëmarrës.

Koncertin e hapi përfaqësuesja e shkollës ‘Amadeus’, Hana Petrovci-Fetahu, e cila me një fjalë rasti i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe tregoi për procesin e punës në përgjithësi, për t’i lënë radhë pastaj grupit të kitaristëve  ‘Amadeus’,  me veprën e Zequinha De Abreu- ‘Tico Tico’, në të cilën performuan  Allegra Bajrami, Dastid Ymeri,  dhe Reina Zejnullahu.

Pika e dytë e performanës u shënua me grupin e solokëndimit, të cilët interpretuan Këngë Arbëreshe, të cilat krahas tingëllimës së tyre të bukur, shfaqnin edhe emocione mallëngjyese, pasi vinin nga një trevë në të cilën jetonin shqiptarë të mërguar.

Interpretues të kësaj pike ishin: Era Latifi, Morea Fetahu, Noa Basha, Viktoria Ibrahimi, Rea Curri dhe Eta Svarça. Kënga ‘Lule, lule-mace, mace’ ishte ajo e cila shndërroi ngjyrën e emocioneve duke dhënë entuziazëm dhe duartrokitje me takt në sallë gjatë gjithë kohës derisa interpretohej kjo këngë, në fund të së cilës pati duartrokitje edhe më të fuqishme për të dhënë falënderimin për këtë interpretim kaq të bukur.

Pikat tjera interpretuese qenë ‘Për ty atdhe’ e Pjetër Gacit me soliste Leona Ferati, ‘Central Park’ e James Newton Howard me soliste Arjona Ramadani (piano), ‘Pse jemi të ndarë’ e Selami Kolonjës nga kori i shkollës dhe solistja Leona Ferati, ‘Swan Lake’ e Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ku interpretuan edhe blerinat e shkollës, Era Bajrami, Hana Bajrami dhe Ajla Talla, të cilat me vallëzimin e tyre prej fluturash e bënë mbrëmjen mjaft të bukur. Në këtë pikë orkestra u kompletua  në tërësi dhe po ndiqej një mbrëmje pothuajse profesionale pasi  publiku tashmë para vetes kishte orkestrën, korin dhe solistët dhe balerinët, duke dëshmuar kapacitetin e tyre.

Ndërsa interpretimi i fundit ishte ‘O vendi im’, e Rashid Krasniqit, nga Kori i shkollës dhe solistët Arjona Ramadani dhe Art Grajçevci. Në këtë pikë dukej sikur edhe vetë fëmijët u përmbushën nga perfomanca e tyre. Të koncentruar te programi i tyre, me shumë kujdes përcillnin edhe dirigjentin e tyre Vehbi Shosholli, i cili me mjaft elegancë dhe butësi arrinte të shpaloste punën e tij me sukses.

Në këtë pikë në të cilën të pranishëm qenë pothuajse më shumë se 80 fëmijë, violinistët qenë ata që për t’i dhënë një ton pak më ndryshe perfomancës filluan që të prodhoin tinguj me gishtrinjtë e tyre të  vegjël. Lëvizja e gishtinjëve të tyre të vegjël, si dhe një pozitë trupore duke u munduar për të qenë profesional dhe elegant në skenë dhuronte një pamje vërtetë simpatike, të cilën familjarët e tyre dhe të gjithë të panishmit, e shijuan vërtetë shumë.

Pas koncertit të gjithë pjestarët e orkestrës, korit, solistët dhe balerinat u shpërblyen me mirënjohje nga shkolla e muzikës ‘Amadeus’, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për suksesin dhe gatishmërinë e treguar për të realizuar një koncert të tillë, i cili me plotë bindje do të mbetet i paharruar në mendjet e secilit prind që ishte i pranishëm në sallë.

Me rezultatet e koncertit ishte e kënaqur edhe njëra nga organizatoret Hana Petrovci-Fetahu e cila në një prononcim për KultPlus, tha se pritshmëritë e tyre për koncertin janë arritur në maksimum pasi sipas saj fëmijët kanë treguar pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël në moshë.

“Koncerti ka shkuar shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur me performancën e fëmijëve. Kanë treguar një pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël. Fëmijët janë në këtë orkestër prej moshës shtatë vjeçare deri në 14.  Mirëpo kanë mbajtur shumë gjatë prova. Që nga muaji mars, e kanë treguar vlerën e tyre, kanë tingëlluar shumë bukur dhe jemi të gjithë shumë të kënaqur me perfomancën të cilën na dhuruan”, ka thënë Petrovci.

Petrovci për KultPlus ka treguar edhe anën tjetër të medaljes, pasi për të arritur një perfomancë të tillë nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në këtë orkestër kishin të bënin me fëmijë, të cilët për të ndjekur ushtrimet ishin të varur nga prindërit e tyre të cilët kanë edhe angazhimet e tyre profesionale.

Ndërsa dirigjenti Vehbi Shosholli në një prononcim për KultPlus, tha se është shumë i lumtur për performancën dhe se pritshmëritë e tij janë arritur ne maximum 

“Koncerti ka qenë jashtëzakonisht mirë. Jam shumë i këënaqur me nivelin interpretues të fëmijëve. Pritshmëritë e mija janë arritur dhe besoj që edhe publiku janë ndarë të kënaqur”, ka thënë Shosholli.

Ai po ashtu tregoi edhe për procesin e punës, i cili fillimisht nuk kishte qenë aspak i lehtë, por se me punë dhe përkushtim tanimë kishin arritur rezultatet e dëshiruara, gjë që e bënte të ndihej mjaft i lumtur.

“Realisht kjo gjeneratë është pak e  vështirë për të performuar në grup kaq masiv, sepse nuk kanë përvojë të madhe që të luajnë me orkestër. Fillimi ka qenë goxha i vështirë mirëpo gradualisht duke punuar kemi arritur që të përgatitemi për performancë”, ka thënë Shosholli.

Dirigjenti Shosholli më tej tha se në të ardhmen do të tentojnë që të rrisin numrin e fëmijëve pjesëmarrës dhe numrin e perfomancave.

“Mendojmë jo vetëm me vazhdu por edhe me rrit numrin e fëmijëve për të të qenë pjesë e orkestrës edhe pa dyshim ta rrisim edhe numrin e performancave. Totali i fëmijëve që marrin pjesë në orkestër është rreth 30 që varion në bazë të veprave p.sh pjesa e fundit ka qenë ‘O vendi im’ ka qenë një vepër ku kanë performuar më shumë se 30 instrumentistë dhe një kor prej 50 personave”, ka thënë Shosholli.

Një koncert i tillë i radhës, pritet të mbahet për festat e fundvitit, pasi pas kësaj pune të madhe, fëmijët presin t’i shijojnë pushimet verore . Organizatorja e koncertit Hana Petrovci- Fetahu ka thënë që planifikojnë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke zhvilluar turne nëpër qytete të ndryshme të Kosovës./KultPlus.com

Rikthimi magjepsës i Anila Aliut, premiera “Simfoni Epike” dhe ekselenca e Orkestrës Filarmonike të Kosovës në harmoni të përsosur mes veti

Uranik Emini

Në përkufizimin e saj, Orkestra përfaqëson një grup interpretuesish në instrumente të ndryshme muzikore, duke përfshirë veçanërisht instrumentet me tela të klasës së violës, klarinetat dhe flautat, kornetat dhe trombonat, daullet dhe cembalet, për të luajtur muzikë, si simfonitë, operat, muzika popullore ose kompozime të tjera. E veçanta e Orkestrës Filarmonike të Kosovës është pjesa ku ata veprojnë dhe luajnë sikur të jenë një. Aftësia më e madhe që tregon edhe madhështinë që ata posedojnë, përfshin kapacitetin e tyre për të tingëlluar si një entitet koheziv, që të gjithë luajnë të njëjtin stil për të prodhuar tinguj unikë dhe kësisoj shtojnë edhe më shumë entuziazmin e publikut, shkruan KultPlus.

Mbrëmja e së dielës për shumë qytetarë ishte e rezervuar për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, e cila koncertin e saj e filloi nga ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë. Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, koncerti u hap me uverturën “Coriolan” të Ludwig van Beethoven për të vazhduar me “Koncertin në G major” të Maurice Ravel të interpretuar nga pianistja e re por e shquar kosovare Anila Aliu e cila u rikthye në një koncert me Filarmonia e Kosovës pas 10 vitesh. Ajo debutoi me Filarmoninë kur ishte vetëm 12 vjeçe, si fituese e çmimit “Pianistja e re”.

Pjesa e dytë e koncertit ishte e rezervuar për premierën botërore të “Simfoni Epike” nga Fatos Qerimaj me tekst të Robert Wilton dhe me soliste mexosopranon Diellza Sylejmani.

Në një intervistë për KultPlus, Anila Aliu është shprehur e lumtur për rikthimin e saj në Filarmoninë e Kosovës.

“Sonte ka qenë një koncert i mrekullueshëm, kam pasur nderin dhe kënaqësin që të performoj me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës pas 10 viteve. Gjithmonë është një nder i veçantë që të performosh në skenën kosovare përpara një publiku kaq entuziast, para shumë profesorëve të mi, para familjarëve dhe dashamirëve të artit”.

Kushtet e krijuara nga vështirësitë nuk e “thyejnë” Filarmoninë e Kosovës

Anila Aliu ka marrë pjesë në festivale të ndryshme nëpër botë, duke udhëtuar kështu në vende të ndryshme. Ajo beson se përkundër faktit se Kosova dhe kushtet e saj në këtë fushë nuk janë aspak në të njëjtin nivel me shtetet e tjera, megjithatë punohet shumë për të arritur rezultate.

“Këtë koncert do ta mbaj në mend gjithmonë, edhe pse kushtet të cilat i kemi këtu nuk janë aspak në nivel me ato të koncerteve ndërkombëtare. Përkundër kësaj, vlen të përmendet fakti që edhe pse në kushte të vështira, muzicientët këtu punojnë shumë edhe jemi munduar që të japim maksimumin dhe të shijojmë këtë mbrëmje, po besoj që edhe për publikun ka qenë një koncert fantastik në bazë të duartrokitjeve dhe entuziazmin që shfaqën. Të performosh para publikut tënd është një përgjegjësi më e madhe, më sfiduese sigurisht, mirëpo natyrisht që performimi përpara njerëzve të tu është diçka që nuk përshkruhet me fjalë”, përfundon ajo.

Nga ana tjetër, Fatos Qerimaj shpjegon për KultPlus se si erdhi te momenti për të shkruar veprën që pati premierën botërore këtë natë, “Simfonia Epike”, me tekst të Robert Wilton.

“Unë shkëputa një fragment nga Edit Dura që thotë The Land of The Living Past, e kjo më bëri që të shkruaj këtë simfoni në kohën e pandemisë, duke përfshirë konceptin epik dhe lirik të natyrës shqiptare, konkretisht atë të veriut. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa ta realizoj këtë vepër premierë në Prishtinë, duke pasur parasysh epizmin dhe lirikën e trevës përkatëse”.

Energji e pashtershme për të prodhuar magji pranë publikut

“Ajo që unë mora sot nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte një energji teper pozitive, e cila shpalosi me të vërtet një krenari orkestrale që është brenda veprës, për të treguar trashëgiminë dhe të ardhmen”, shpjegon kompozitori Qerimaj.

Dirigjenti Gridi Kraja pohon se bashkëpunimet me Filarmoninë e Kosovës janë të shpeshta, ndërsa e vlerëson shumë performancën nga kjo këta të fundit dhe veçanërisht nga pianistja Anila Aliu.

“Ky ishte një koncert i veçantë do të thosha, sepse në këtë koncert luhej një vepër krejtësisht premierë. “Simfonia Alpine” e Fatos Qerimaj, e bazuar në motive veriore të Shqipërisë. Simfoni shumë e veçantë e fuqishme dhe me mesazh e të gjitha. Një performancë shumë, shumë e mirë edhe nga Anila Aliu. Një koncert që është shumë sfidues për orkestrën, por mund të themi se u arrit shumë mirë. Solistja bëri një lojë shumë të mirë dhe gjithashtu edhe uvertura e njohur “Coriolan” nga L. V. Beethoven. Jam shumë i kënaqur me koncertin, gjithmonë mbetem i kënaqur me orkestrën, me të cilët kemi një bashkëpunim gjithmonë, janë kolegët e miqtë e mi”, shprehet Kraja.

Edhe solistja mekso-soprano, Diellza Sylejmani, tregon për KultPlus se përkundër vështirësive të shumta në mungesë të kushteve, sidomos mungesës së sallës adekuate, në Kosovë ka artistë të jashtëzakonshëm.

“Për mua ishte një nder së pari dhe sigurisht edhe një kënaqësi të isha pjesë e veprës premierë të Fatos Qerimajt. Kjo vepër është shkruar nga kompozitori në periudhën e pandemisë dhe për të e ka pasur një domethënie të veçantë. Pjesa ku unë këndoj fillon e këndohet për tokën, për malet, për shqiponjat, të cilat e karakterizojnë Shqipërinë. Paraqitja mund ta keni parë edhe vetë që ishim shumë afër me publikun, saqë e kisha ndjenjën që po i këndoj te veshi i dikujt. Në Kosovë ka artista, këngëtarë e instrumentista shumë të mirë që nuk po mund ta shprehin veten e tyre më së miri si shkak i mungesës së një salle adekuate”, thotë Sylejmani.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, në një prononcim për KultPlus, bën të ditur se janë duke u planifikuar disa hapësira të mirëfillta për Filarmoninë e Kosovës.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovë janë të mrekullueshëm, jam pothuajse në çdo koncert të tyre. Jemi duke punuar shumë që të krijojmë hapësira të mirëfillta për ta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës jemi duke punuar për të transformuar hapësira që të krijojmë mundësi të performancës së Filharmonisë së Kosovës. Edhe Salla e Kuqe është e vjetërsuar, por edhe tani e kemi një projekt për të rigjeneruar këtë hapësirë, por përkundër kësaj orkestra ishte e mrekullueshme, sigurisht edhe pianistja Anila Aliu”, thotë Rama.

Ai shton gjithashtu se ndërtesa e Operës dhe Baletit do të duhen 2 ose 3 vjet që të jetë gati, ndërsa deri atëherë plani është që godina e Gërmisë të shndërrohet në Galeri dhe Sallë Koncertesh.

“Fillimisht është dalë konkursi ndërkombëtar, që do të aplikojnë për të dizajnuar objektin e Operas dhe Baletit, pasi kjo të përfundojë pastaj vazhdohet me dizajnimin e kësaj ndërtese, e më pas sigurisht edhe ndërtimi i saj. Mesiguri do të kalojnë 2 ose 3 vite që kjo ndërtesë të përfundojë. Mirëpo, përkundër kësaj po them se kemi paralelisht edhe iniciativa tjera, ku ndërtesa e Gërmisë do të transformohet në Galerinë e Qytetit si dhe një Sallë Koncertale, së bashku me Bashkimin Evropian. Proceset byrokratike sigurisht që janë me shpejtësi më të vogël sesa ne kemi dëshirë, por jemi duke punuar që t’i shtyjmë përpara sa më shpejt”, përfundon Rama.

Filharmonia e Kosovës aktivitetin e muajit nëntor do ta përmbyll me koncertin “Dua më shumë Shqipërinë” duke iu bashkuar Orkestrës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës në Tiranë më 26 nëntor në sheshin “Skënderbej” në koncerti i cili organizohet në shënim të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. /KultPlus.com

Lufta Ukrainë-Rusi, Orkestra e Cardiffit largon Tchaikovskyn nga programi

Orkestra E Welshit ka hequr kompozitorin rus Tchaikovsky nga programi i koncerteve të ardhshme.

Orkestra Filharmonike e Kardifit tha se do të ishte “e papërshtatshme në këtë kohë” të interpretohej muzika e kompozitorit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Vendimi do të thotë se Uvertura e 1812 nuk do të luhet më në Sallën e Shën Davidit në Cardiff më 18 mars.

“Në dritën e pushtimit të fundit rus të Ukrainës, Orkestra Filarmonike e Cardiff, me marrëveshjen e Sallës së Shën Davidit, mendon se programi i reklamuar më parë duke përfshirë Overturen e 1812 është i papërshtatshëm në këtë kohë”, u tha në njoftimin e Orkestrës.

Programi i ri do të përfshijë “The Cowboys Overture” të John Williams, Simfoninë nr.8 të Dvorak dhe një performancë të Variacioneve në një temë origjinale të Elgar.

Lëvizja është e fundit në një seri dorëheqjesh, anulimesh dhe tërheqjesh muzikore që janë bërë që nga pushtimi rus./KultPlus.com

Orkestra “Rexho Mulliqi” së shpejti në Orkestër Simfonike A2

Orkestra “Rexho Mulliqi” së shpejti do të shndërrohet në Orkester Simfonike A2.

Këtë e ka bërë të ditur për KultPlus, menaxheri i Orkestrës Luan Durmishi.

“Së shpejti Kosova do t’i ketë dy Orkestra Simfonike, atë të Filharmoinsë së Kosovës dhe Orkestrën Simfonike “Rexho Mulliqi”. Poashtu jemi duke punuar në repertorin e ri, i cili do të vijë me një koncert të madh për një ngjarje të rëndësishme”, ka thënë Durmishi.

Për këtë koncert të Orkestra “Rexho Mulliqi”, Durmishi ka thënë se janë duke punuar një grup të madh njerëzish profesionist të fushave të ndryshme./ KultPlus.com