Orkestra e RTSH-së solli koncert me krijimtarinë e kompozitorit Aleksandër Peçi

Koncerti simfonik i Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar mbrëmjen e djeshme me krijimtarinë e kompozitorit Aleksandër Peçi, u duartrokit nga artdashësit kryeqytetas.

Në koncertin e dhënë në sallën e Universitetit të Arteve, ku ishin të pranishëm njerëz të njohur të artit, artdashës etj, 3 muzikantët, dirigjenti Eno Koço, violinisti Klaidi Sahatçi si dhe pianistja Merita Rexha Tërshanam, të shoqëruar nga orkestra e RTSH, interpretuan “Rapsodia Koncertale për Violinë, Piano dhe Orkestër” e kompozitorit Aleksandër Peçi.

“Është hera parë që luaj me orkestrën simfonike të RTSH dhe ndaj skenën me partneren Merita Rexha Tershana dhe kam kënaqësinë e madhe të luaj me të” , është shprehur Klaidi. “Është detyra jone dhe misioni ynë si muzikantë që të luajmë muzikë bashkëkohore, sepse muzika ka nevojë por edhe vendi ynë ka nevojë”, ka thënë ai.

Violinisti Klaidi Sahatçi dhe pianistja Merita Rexha, janë një dyshe muzikore që solli përveç tingujve muzikorë dhe teknikës së lartë edhe një elegancë në interpretim.

“Këtë herë jam dyfish më e kënaqur, e para sepse luajta muzikë shqiptare të Aleksandër Peçit, e dyta sepse luajta me Klaidin”, tha pianistja Rexha.

“Është detyrë e instrumentistëve shqiptarë, të cilët janë ata që duhet ta luajnë këtë muzikë, sepse Brahmsin dhe Bet’hovenin e luan gjithë bota, kurse muzikën shqiptare na takon ne ta luajmë”, është shprehur ajo.

Pjesë e koncertit të orkestrës së RTSH-së ishte kompozitori Aleksandër Peçi me Valsi i trëndafilave, Fryn veriu dhe Valle scherzante e Tiranës (Tre pjesë për orkestër harqesh)- Rapsodia Koncertante për Violinë, Piano dhe orkestër-Premierë Botërore , me solistë Klaidi Sahatçi, Violinë Merita Rexha Tërshana, Piano; kompozitori P.I.Tchaikovsky – Fantasy -Uverturë nga Romeo dhe Juliet; kompozitori Camille Saint-Saens me Introduksion &Rondo kapriçioza./ KultPlus.com